Mbajtja e vendeve të punës si mekanizëm i munguar i stabilitetit ekonomik në Shqipëri
Në çdo ekonomi moderne, krizat e mëdha nuk matin vetëm forcën e bizneseve apo të financave publike, por mbi të gjitha aftësinë e sistemit për të ruajtur lidhjen midis njeriut dhe punës. Ajo që dëmtohet më rëndë në goditje si pandemia nuk është thjesht prodhimi apo konsumi, por vetë struktura e marrëdhënies punë–aftësi–treg.
Në këtë pikë, Shqipëria u përball me një boshllëk strukturor, që evidentoi mungesën e mekanizmave të mirëfilltë për të mbajtur njerëzit në punë gjatë krizës, siç evidentohet në raportet e OECD-së mbi skemat e mbajtjes së vendeve të punës (job retention schemes)[1] gjatë COVID-19, ku Shqipëria nuk figuron ndër vendet që aplikuan programe të tilla të strukturuara për të reduktuar kostot e punës dhe për të parandaluar rritjen e papunësisë.
Gjatë periudhës 2020–2021, ndërhyrjet publike në Shqipëri u përqendruan kryesisht te ndihmat monetare pas faktit, pra pasi vendet e punës ishin humbur.
Skemat e aplikuara funksionuan më shumë si kompensim për dëmin sesa si mbrojtje nga dëmi. Ndihma mujore për punonjësit e sektorëve të mbyllur, në vlera rreth 40 mijë lekë (programi “Paga e Luftës”) ishte një formë lehtësimi social, por jo një instrument ekonomik për të ruajtur lidhjen e punëtorit me ndërmarrjen.
Sipas të dhënave të UN Albania (2020) dhe ILO (2021), rreth 60,000 punëtorë përfituan nga këto ndihma, kryesisht si kompensim për pushimet nga puna, ndërsa informaliteti i lartë (rreth 33% e ekonomisë) e bëri të vështirë mbulimin e plotë të fuqisë punëtore.
Në praktikë, kjo do të thotë se sistemi shqiptar zgjodhi të menaxhojë pasojat e papunësisë dhe jo ta parandalojë atë.
Ndryshe nga ekonomitë që subvencionuan një pjesë të pagës në mënyrë që punëdhënësi të mos shkëpuste kontratën (kryesisht në vendet e OECD-së, ku këto skema parandaluan një rritje masive të papunësisë), Shqipëria e la tregun të funksiononte pothuajse i vetëm në mes të krizës. Rezultati ishte rritje e menjëhershme e largimeve nga puna, sidomos për punëtorët me paga të ulëta dhe profesione specifike, me papunësinë që arriti 12-15% në 2020, një rritje me 2-3 pikë përqindje sipas Bankës Botërore (2023).
Kjo u pa qartë në sektorin e turizmit, i cili përbën një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.
Turizmi gjeneron rreth 10–15% të prodhimit kombëtar dhe punëson mbi 100 mijë persona, kryesisht në zona urbane dhe bregdetare, por sipas të dhënave të WTTC (2024), në 2023 sektori mbështeti gati 269,000 vende pune, duke përfaqësuar një në pesë vende pune në vend, me një rritje mbi 10% krahasuar me 2019.
Gjatë pandemisë, mbi gjysma e këtyre punonjësve u pushuan nga puna (mbi 50% sipas Bankës Botërore, 2023), ndërsa një pjesë e konsiderueshme e bizneseve humbën thuajse të gjitha të ardhurat për një periudhë të gjatë, ku rreth 60% e bizneseve raportuan të ardhura nën 10% të nivelit të 2019-s dhe numri i vizitorëve ra me 60%, duke ulur të ardhurat në $1.1 miliardë, me akomodimin që ra 75% në tremujorin e dytë të 2020-s.
Pa asnjë mekanizëm mbrojtës, largimi nga puna nuk ishte i përkohshëm, por shpesh përfundimtar.
Një pjesë e madhe e punëtorëve nuk u kthyen më në sektor.
Disa kaluan në aktivitete informale, disa në bujqësi dhe shërbime të tjera, ndërsa një numër i konsiderueshëm zgjodhi emigrimin, një fenomen që prek rreth 15% të popullsisë në dekadë.
Kjo krijoi një efekt të dyfishtë, ku nga njëra anë rriti pasigurinë sociale dhe nga ana tjetër shkatërroi kapitalin njerëzor specifik të sektorit, pra aftësitë profesionale të ndërtuara me vite, siç evidentohet në studimet mbi ndikimin e COVID-19 në turizmin shqiptar (Emerging Science Journal, 2022), ku shumë punëtorë humbën punën për shkak të kufizimeve të udhëtimeve.
Në terma ekonomikë, kjo është një humbje e pastër efikasiteti.
Një guidë turistike, një recepsionist hoteli apo një punonjës shërbimi nuk janë thjesht “forcë pune e përgjithshme”, por bartës të aftësive që vlejnë vetëm brenda atij sektori.
Kur këta njerëz largohen, ekonomia nuk humb vetëm paga, por humb produktivitet të ardhshëm, një humbje që vlerësohet në studime si ato të Bankës Botërore (2023), ku mungesa e aftësive vazhdoi edhe në 2025, duke përkeqësuar mungesën e personelit të kualifikuar.
Pasojat u shfaqën qartë në fazën e rimëkëmbjes.
Edhe pse turizmi u rrit ndjeshëm pas vitit 2022, sektori u përball me mungesë kronike stafi. Bizneset kishin kërkesë, por jo njerëz.
Kjo do të thotë se rritja u realizua me kapacitet të cunguar dhe me kosto më të larta trajnimi, rekrutimi dhe rotacioni. Ky problem vazhdoi në 2022 e më tej, ku shumë ish-punëtorë kishin kaluar në sektorë të tjerë ose emigruar, duke reduktuar kapacitetin e shërbimit (World Bank Blogs, 2023). Projeksione të INSTAT (2018) parashikonin 220,000 punësuar në turizëm deri në 2025, ose 20.4% të totalit, por realiteti tregon se kjo rritje u pengua nga mungesa e skemave mbrojtëse.
Në thelb, Shqipëria përjetoi atë që mund të quhet një “krizë e heshtur e aftësive”apo thënë ndryshe, që punë kishte, por jo punëtorë të përshtatshëm. Dhe kjo nuk ishte pasojë e mungesës së njerëzve, por e dizajnit institucional që nuk e mbrojti marrëdhënien punë–aftësi në momentin kritik, ndryshe nga vendet që aplikuan skema “pezullimi të përkohshëm”, të cilat globalisht shpëtuan miliona vende pune pavarësisht humbjeve të përgjithshme (62 milion vende pune humbën në 2020 sipas WTTC, 2022).
Nga pikëpamja fiskale, zgjedhja për të mos përdorur skema mbajtjeje të vendeve të punës nuk ishte as ekonomike. Shteti shpenzoi rreth 2% të prodhimit kombëtar për ndihma emergjente (UN, 2020), por humbi një pjesë të madhe të të ardhurave tatimore, rriti barrën e papunësisë (me përfitim rreth 13,500 lekë/muaj për 25,400 përfitues në 2024, sipas World Bank, 2024-2025) dhe përballoi kosto sociale afatgjata.
Me fjalë të tjera, pagoi më shumë për të menaxhuar pasojat sesa do të kishte paguar për t’i parandaluar, duke mbuluar vetëm 14% të popullsisë me politikat aktive të tregut të punës (ALMP).
Nëse do të ekzistonte një mekanizëm ku shteti do të mbulonte, për shembull, 50–70% të pagës gjatë periudhave të mbylljes apo rënies sezonale, dhjetëra mijëra vende pune do të ishin ruajtur dhe vlerësime bazuar në modele të ngjashme sugjerojnë ruajtje të 20,000-30,000 vendeve pune vetëm në turizëm, duke reduktuar rritjen e papunësisë me gjysmën e tyre dhe duke sjellë përfitime në mirëqenien personale me rreth 0.05-0.1% në terma konsum-equivalent (adaptuar nga analiza IMF).
Përfitimi social do të kishte qenë edhe më i madh.
Punëtorët me paga të ulëta (të rinjtë, gratë, punëtorët sezonalë) janë ata që humbasin më shumë nga pushimet. Ata, jo vetëm humbin të ardhurat, por shpesh humbin profesionin, identitetin ekonomik dhe perspektivën afatgjatë. Mbajtja në punë edhe me orë të reduktuara është shumë më e vlefshme sesa një ndihmë monetare pas papunësisë, sidomos në një kontekst me papunësi të të rinjve rreth 20% dhe nevojë për 20,000 punëtorë të kualifikuar në turizëm deri në 2030 (UNDP, 2025).
Në këtë kuadër, mungesa e skemave të mbajtjes së punës nuk është vetëm një hendek teknik, por një shenjë e qartë e një logjike zhvillimi reaktive, që karakterizon sëmundjen kronike të qeverisjes shqiptare. Qeveritë i menaxhojnë krizat pasi ndodhin dhe nuk ndërtojnë mekanizma për t’i amortizuar ato. Kjo e bën ekonominë më të brishtë, shoqërinë më të pasigurt dhe rritjen më pak të qëndrueshme, siç shihet në rimëkëmbjen e turizmit, ku p.sh. ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (WTTC, 2024) premton rritje, por pa personel të mjaftueshëm.
Në një vend me informalitet të lartë, emigrim masiv dhe papunësi të të rinjve rreth 20%, mbajtja e njerëzve në punë është domosdoshmëri. Sidomos në sektorë si turizmi, ku rritja konsiderohet nga qeveria aktuale, si prioritet kombëtar dhe ku nevojiten dhjetëra mijëra punëtorë të kualifikuar në vitet në vijim, duke shfrytëzuar trashëgiminë kulturore, peizazhet dhe çmimet të përballueshme për të tërhequr vizitorë ndërkombëtarë.
Në synimin afatgjatë për një zhvillim real dhe jo thjesht statistikor, duhet të kalojmë nga logjika e kompensimit social te logjika e stabilizimit ekonomik. Pra, nga politika që paguajnë pas dështimit, te politika që e parandalojnë dështimin, duke marrë shembuj nga vendet që aplikuan skema efektive gjatë pandemisë.
Në fund, skemat e mbajtjes së punës nuk janë thjesht instrumente sociale. Ato janë mekanizma të mbrojtjes së kapitalit njerëzor, të produktivitetit kombëtar dhe të vetë kapacitetit të ekonomisë për të rikuperuar pas goditjeve. Shqipëria nuk po humb vetëm vende pune, por po humb kohë zhvillimi, siç tregojnë studimet e fundit mbi ndikimin e punësimit në turizëm në rritjen ekonomike (Learning Gate, 2025).
[1] janë politika ose programe të qeverisë që synojnë të mbajnë punonjësit të punësuar gjatë krizave ekonomike, pa i pushuar. Ato zakonisht funksionojnë duke bërë pagesa të pjesshme ose totale të pagave nga shteti për punonjësit që nuk punojnë ose punojnë më pak (reduktim i orarit), garantimin që bizneset të mos bëjnë shkarkime masive për shkak të vështirësive të përkohshme financiare, si dhe ofrimin e mbështetjes për ruajtjen e lidhjes së punonjësit me punëdhënësin, për të lehtësuar rimëkëmbjen ekonomike më vonë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.