Matja e ekonomisë informale dhe dixhitalizimi – një nevojë e menjëhershme kundër evazionit në Shqipëri!

informaliteti dhe dixhitalizimi

Matja e ekonomisë informale dhe dixhitalizimi – një nevojë e menjëhershme kundër evazionit në Shqipëri!

Matja e informalitetit nuk është një problem i ri. E reja ka të bëjë me përdorimin e inovacionit dhe teknologjisë për të ndihmuar në këtë sfidë madhore.

Si mund të përfitojë Shqipëria dhe ekonomitë e tjera të Ballkanit duke përdorur teknologjitë e reja?

Duke menduar për këtë qasje të re, veprimi më i këshilluar mund të ishte shumë afër strategjisë se si të krijohen stimuj për formalizimin. Kjo kërkon reforma në fusha të ndryshme, si për shembull taksimi, legjislacioni i punës, tregjet e produkteve dhe përmirësimi i klimës së biznesit.

Në fakt, vlerësimet më të sakta të ekonomisë joformale mund të ndihmojnë politikat më efektive dhe me synime të mirëmenduara. Në Ballkanin Perëndimor, për shembull, nisur nga realiteti që një pjesë e madhe e ekonomisë është e pataksuar, ndryshime të ndryshme në politikat tatimore nuk kanë ndikuar ndjeshëm në shpërndarjen e të ardhurave. Nëse fokusohemi te rishpërndarja e të ardhurave sipas barrës fiskale dhe tipit të taksave të aplikuara mund të thuhet se barra e taksave tregon pak progresivitet në rishpërndarjen e të ardhurave sipas zonave gjeografike dhe segmenteve të punëmarrësve sipas sektorëve ekonomikë, pasi vetë zhvillimi i sektorëve ekonomikë dhe zonave gjeografike ka diferenca historike, ekonomike, kulturore, edukative dhe ambjentaliste.

Por edhe lëvizjet demografike bashkë me ndryshimin e moshës mesatare janë faktorë që ndryshojnë barazinë e të ardhurave[1].

Nëse rritja ekonomike nuk shoqërohet me shpërndarje të barabartë të të ardhurave ose rritje të barabartë të niveleve të punësimit, ajo që do të pasojë do jetë një rritje të ekonomisë joformale, duke pasur parasysh barrierat e pandjeshme për të kaluar pragun e kësaj ekonomie. Statistikat mbi aktivitetet në ekonominë joformale në punësim, produktivitet dhe madje edhe në lidhje me zonat ku aktivitetet joformale janë më të përhapura vërejnë si thelbësore hartimin e politikave të dedikuara për t’i mbështetur ato në mënyrë specifike.

Formalizimi i aktiviteteve joformale nuk është thjesht dhe vetëm për mbledhjen e taksave ose për qëllime të zbatimit të ligjit.

Dimensionet e ekonomisë joformale sot janë shumë më të ndryshme, dhe po ndryshojnë me rritjen e ekonomisë së përbashkët.

Në disa vende fqinje, për shembull, sektori joformal vlerësohet të jetë zgjeruar me të njëjtën madhësi sa ai formal, vetëm për arsye të informalitetit në tregun virtual që përfaqëson shumë shërbime që nuk janë pjesë e dimensioneve të tregut që njohim. Sipas raporteve të fundit nga Banka Botërore, por edhe nga raporte lokale nga media dhe organizata që studiojnë informalitetin në tregun e punës prezantohet se niveli i varfërisë në tregun me punësim joformal është mesatarisht dy herë më i lartë se ai me punësim formal.

Pse?

Për shkak të produktivitetit të ulët, të ardhurave fiskale të ulëta, prej varfërisë dhe qasjes së kufizuar në përfitimet prej buxhetit të shtetit, si dhe rritjes së ngadalshme ekonomike. Nga ana tjetër, tregu joformal siguron punësim dhe të ardhura për njerëzit që përndryshe nuk gjejnë punë lehtësisht në tregun formal, ose plotëson të ardhurat e tyre të pamjaftueshme nga punësimi në tregun formal/ të rregulluar. Nëse vijojmë të mos matim informalitetin, ne nuk mund të vlerësojmë se sa është me të vërtetë rritja ekonomike reale, pasi ekonomia gjithëpërfshirëse edhe pse nuk e regjistron ekonominë joformale e ka atë pjesë të saj.

Pra, në këtë kuptim mund të mos jemi në gjendje të përcaktojmë nëse politikat funksionojnë ashtu siç janë menduar dhe miratuar për zbatim. Nëse qeveria nuk do të masë informalitetin nuk ka kuptim lufta kundër evazionit, sepse shëmbëllen me një betejë pa njohuritë dhe informacionin e duhur për të njohur realisht potencialin e “armikut” që i duhet ta luftojë.

Futja e sektorit joformal në ekonominë formale është ndoshta një nga sfidat më të rëndësishme për hartimin e politikave për Shqipërinë dhe tërë rajonin e Ballkanit. Në këtë drejtim, modelet e reja për aplikimin e teknologjisë, së bashku me flukset e reja dhe përsosjen e teknologjisë për pagesat janë thelbësore për zgjerimin e territoreve të formalitetit.

Teknologjia celulare dhe dixhitale mund të përdoren për tu shërbyer më mirë pjesëtarëve të ekonomisë joformale dhe për të lidhur ofruesit e shërbimeve me ta në mënyra të reja dhe inovative. Kjo zvogëlon koston e dhënies së zgjidhjeve dhe përmirëson efektivitetin e ofrimit të shërbimeve thelbësore për Informalët dhe bizneset e vogla, të cilët kanë ngecur në një ekonomi me para në dorë. Qeveria dhe OJF-të kanë aftësinë për të arritur dhe ofruar shërbime dhe qartësime deri në hapat më fundorë për Informalët. Ndërsa politikëbërësit duhet të jenë kritikë për krijimin e rregullave mbështetëse që mund të stimulojnë konsumatorët dhe bizneset e vogla për të pranuar faturat dhe pagesat elektronike.

Sidoqoftë, sektori privat (përfshirë aktorët jo-tradicionalë në sektorët kryesorë siç janë telekomunikacioni dhe mallrat e konsumit) duhet të jenë pjesë e përpjekjeve të mëdha të dixhitalizimit, pasi këta sektorë janë thelbësorë për të nxitur inovacionin, shkallën dhe përdorimin e shërbimeve. Ndërsa ekonomia joformale nuk do të eliminohet kurrë plotësisht, me siguri mund të flitet për zvogëlimin e parasë nga informaliteti që është gjithnjë e në rritje nga shfrytëzimi i potencialeve të teknologjisë dhe partneriteteve.

Kjo jo vetëm që do të ndihmojë në zhbllokimin e potencialit masiv ekonomik të ekonomisë joformale, por mundet të zhvendosë qindra mijëra njerëz në të gjithë vendin, por edhe rajonin e Ballkanit drejt prosperitetit afatgjatë. Shndërrimi i qarkullimit të parave nëpërmjet kanaleve të transaksioneve dixhitale ka të bëjë me hartimin e zgjidhjeve përkatëse që adresojnë plotësisht nevojat dhe dëshirat e njerëzve dhe bizneseve, të cilat mund të ndryshojnë sipas gjeografisë, preferencës individuale dhe komunitetit.

Koha dhe burimet janë të nevojshme për të fituar një kuptim të plotë të botës së tyre, dhe se si teknologjitë përshtaten ose nuk përshtaten në të.

[1] Barra Fiskale në Shqipëri, Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, 2019, ALTAX

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: