Kundër informalitetit të punës në Shqipëri

Kundër informalitetit të punës në Shqipëri

Një numër i politikave drejt reduktimit të punësimit informal tashmë janë futur në shënjestër në Shqipëri.

Ndër kryesoret prej tyre renditen:

Në sektorin privat, një sistem pagash referuese është i pranishëm si opozitë e pagave që anashkalojnë sistemin bankar dhe jepen punonjësve me zarf. Pagesat e pagave, të kërkuara nga organi tatimor duhet të kanalizohen gjithnjë nëpërmjet sistemit bankar për të kufizuar pagesat informale të holla.

Taksa e biznesit të vogël është ulur, apo për një numër shumë të madh është hequr fare, në mënyrë që bizneset e vogla të bëhen më konkurruesë dhe të kenë një barrë më të vogël. Kontributet e sigurimeve shoqërore janë në nivele të moderuara duke pësuar ulje të pagesës në dekadën e fundit. Pjesa kontributive e punëdhënësit bashkë me atë të punëmarrësit është ulur nga 41.9% në 32.9% dhe më tej në 27.9% për ta bërë pagesën më tërheqëse, veçanërisht për punëdhënësit. TË ardhurat personale janë tashmë për më shumë se 65% të tyre (pagat) në taksim progresiv dhe tatimi mbi fitimin është rritur në një normë që arrin te 15% e fitimit bruto.

Procedurat e regjistrimit të biznesit janë duke u thjeshtuar, duke i dhënë bizneseve të vogla dhe të mesme aftësinë për të regjistruar aktivitetin brenda vetëm 24 orëve. Pjesëmarrja në prokurimin publik është e lidhur me publikimin e plotë të informacionit të pagave dhe taksave pagesave nga kompanitë që kontribuojnë. Për më tepër, regjistrimi i detyrueshëm i të vetëpunësuarve është në fuqi.

Por situata e tregut formal të punës duket se ka probleme që duhet të adresohen. Në bazë të anketave të bëra nga ILO, specifikisht për Shqipërinë ka treguar se punësimi informal është më së shumti në aktivitete të shitjes së tregtisë me pakicë (41%), ndërtimit (19%) dhe shërbimit (19%). Individët privatë dhe të njohurit e tyre (anëtarët e familjes, miqtë, etj) janë burimi kryesor i punësimit informal.

Por, çfarë i shtyn punëdhënësit të jenë pjesë e tregut informal të punës?

Barra fiskale e koordinuar me barrën e administratës, konkurencën lara-lara, barrën e korrupsionit për punëdhënësit dhe punëmarrësit mbetet një nga arsyet kryesore për nivelin veçanërisht të lartë të informalitetit në mesin e personave të vetëpunësuar, rezultuar nga anketimet e kryera në tregun e punës.

Edhe pse ka ca vite që barra fiskale e lartë në formën e taksave mbi pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore ka patur ulje, ajo tashme është një postulat i njohur që përdoret politikisht për të ndikuar mbi ambjentin e brishtë të tregut të punës, i cili mundet të ketë pasoja serioze në produktivitetin e një biznesi edhe pse ka karakterin e sloganit politik. Kjo është arsyeja qe justifikohen mjaft punëdhënës që preferojnë të paguajnë një sasi të caktuar të pagave me zarf ose të veprojnë tërësisht në informalitet. Kjo mënyrë operimi potencialisht mund të shtrembërojë konkurrencën në treg duke qenë se punëdhënësit që nuk paguajnë taksa kanë një avantazh të padrejtë konkurrues mbi bizneset që janë në përputhje me rregullat.

Ulja e tatimit mbi pagat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore është provuar në disa raste që mund të rritë pajtueshmërinë dhe si rezultat të ardhurat prej taksave potencialisht mund të rriten. Megjithatë, studimet e kryera në këtë drejtim konkludojnë se vetëm ulja e taksave të punës e pashoqëruar me reforma është një formulë e paplotësuar edhe pse mundet të sjellë rritje relative në buxhet. Reforma fiskale, e cila shoqërohet me reformën e tregut të punës dhe reformat e tjera për ekonominë, edukimin dhe tregun financiar duhet të përfshijë edhe paketën e masave mbështetëse për një treg formal për një ambjent fiskal nxitës, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme. Ndërsa është gjithashtu e rëndësishme për të lehtësuar pajtueshmërinë që të rishikohen dhe thjeshtohen kërkesat ligjore dhe administrative, të tilla si regjistrimi dhe licencimi duke vijuar me pjesën cilësore të tyre. Në fakt, kostot e pajtueshmërisë me rregullat (në aspektin e kohës, parave dhe ekspertizës), veçanërisht për bizneset e vogla edhe per disa vite do të tentojnë përherë të mbeten të pandryshuara.

Atëherë si i bëhet?

Tregues të qartë ekonomikë duhet të zhvillohen që të matin në mënyrë të rregullt ecurinë e tregut të punës dhe problematikave të lidhura me të për të ndihmuar partnerët socialë në diskutimet e tyre në përcaktimin e pagave minimale, trajtimit të punonjësve, luftës ndaj informalitetit dhe rritjes së kapaciteteve. Bashkëpunimi i ngushtë me INSTAT është ai i nevojshmi, i cili duhet të bazohet në krahasimin e pagave minimale dhe pagave mesatare në sektorë dhe rajone të veçanta, si dhe në publikimin e treguesve të tjerë që tregojnë tendencën e tregut të  punës.

Në varësi të të dhënave të tregut mbi tendencën dhe situatën e tij është një sfidë mjaft komplekse për agjensitë publike dhe gjithë sektorin privat të luftohet në uljen e përqindjes së një treguesi të kthyer në armikun më të madh të tregut: informaliteti.

Natyrshëm dhe e lidhur me misionin e administratës tatimore si dhe inspektoriatit të punës, pesha e informalitetit është e nevojshme të lehtësohet vit pas viti deri në arritjen e objektivit të vendosur nga qeveria.

Në morinë e strategjive dhe programeve të operimit për të luftuar informalitetin shikon gjithnjë angazhime dhe detyra nga më të ndryshmet. Vit për vit përtëritje të angazhimit ndaj informalitetit dhe në fund të shumë viteve ai ka luajtur nga vendi pak. Vijon ende të jetë me një peshë që i merr oksigjen mjaftueshëm tregut formal.

Edhe pse janë konsumuar me mijëra orë pune dhe janë arritur edhe suksese në detyra të ndryshme, lufta ende është një një qark të pambyllur dhe që më shumë duket si një angazhim sezonal dhe jo si një vijimësi e domosdoshmërisht e detyrave të përditshme.

Skema specifike, me shënjestër të qartë në tregun informal duhet të jenë të stiluara të tilla për ti lejuar punëtorët informale dhe punëdhënësit e tyre për të hyrë në formalitet. Individët dhe bizneset mund tu jepet një periudhë e caktuar kohore (si frymëmarrja artificiale), gjatë së cilës ata mund të hyjnë në ekonominë formale pa sanksione. Administrimi i këtyre masave duhet të jetë aq i thjeshtë sa të jetë i mundur për tu zbatuar ashtu si është parashkruar, duke shmangur burokracinë e panevojshme dhe rregullat e tepruara në zbatim.

Si mundet të adresohen problemet e punës informale duke testuar njëkohësisht politikën fiskale dhe administrimin?

Një mënyrë për të inkurajuar konsumatorët dhe bizneset të përdorin punën e deklaruar është reduktimi i përkohshëm i tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për mallra dhe shërbime të caktuara ku puna e padeklaruar është më e përhapur p.sh. Në Finlandë dhe Itali u bë një ulje e TVSH-së në fushën e ndërtimit të rinovimit dhe mirëmbajtjes.

Një sektor që ka nevojë në mënyrë specifike është bujqësia dhe shërbimet turistike, të cilat paraqesin nivelin më të lartë të punësimit informal në Shqipëri. Karakteristika mbizotëruese e bujqësisë tradicionale është shkalla e vogël e ndërmarrjeve, për të cilat sfida është të rritin produktivitetin dhe të reduktojnë vulnerabilitetin.

Një praktikë interesante është futur në Itali përmes shërbimit voucher në sektorin e bujqësisë, e cila lejon rregullimin e studentëve dhe pensionistëve, të cilët furnizojnë shërbimet e tyre mbi baza rastësore gjatë sezonit të vjeljes së rrushit. Suksesi i këtyre skemave sjell zgjerimin e kësaj qasjeje në sektorë të tjerë dhe aktivitete, të tilla sezonale nga të rinjtë dhe shpërndarjes së mallrave dhe shërbimeve derë më derë.

Një nga pengesat kryesore për kalimin nga punësimi informal në atë formal është mungesa e aftësive të duhura. Masa aktive të tregut të punës duhet të udhëhiqen sipas qasjeve më të lehta fillimisht drejt përmirësimit të aftësive për të mundësuar punëkërkuesit për të hyrë në tregun formal të punës. Punët publike duhet të përdoren për të zhvilluar aftësitë e veçanta të kërkuara në tregun formal të punës.

Analizat e kryera kanë treguar më tej se një pjesë e madhe e punëtorëve të punësuar në mënyrë informale marrin ende përfitimet e papunësisë. Për këtë arsye, politikat pasive të tregut të punës duhet të shoqërohen me masa më aktive, pasi masat pasive nuk janë në përgjithësi mjeti efektiv në reduktimin e punësimit informal.

Është e nevojshme që në përpjekjet për të krijuar një grup të stimujve pozitive për të lëvizur nga informaliteti në formalitet të jepen si mundësi të përkohshme nga qeveria për kalimin vullnetar nga puna e padeklaruar në aktivitetet formale duke e zbatuar në praktikë në një mënyrë që është tërheqëse për bizneset informale, pa kosto shtesë dhe pa rreziqe sanksionesh.

Qasje të tjera që tentojnë të kombinojnë politikat me administrimin ka nevojë që të kërkohen nga institucionet dhe bizneset duke tentuar që operacionet kundër informalitetit të orientohen drejt evidentimit të kapitaleve dhe punës, si dy burimet e vlerës së shtuar në ekonomi.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: