Ku ndryshon buxheti i Gushtit 2024 me atë të fillimvitit?
Në fund të verës 2024, me Aktin Normativ (AN) Nr.3, një akt ligjor që anashkalon praktikën e debatit dhe diskutimit me publikun dhe grupet e interest dhe po ashtu anashkalohet edhe diskutimi në Kuvendin e Shqipërisë, u prezantuan ndryshimet e buxhetit të shtetit për vitin 2024.
Kjo merr shumë kuptim në funksion të llogaridhënies dhe transparencës për tatimpaguesit dhe në tërësi gjithë qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Nëse do të kishim një analizë të ecurisë së programeve buxhetore, natyrisht që do të vlente edhe për të marrë vendime për të ardhmen e secilit sektor, si dhe kryesisht edhe në funksion të votës së ardhme.
Buxheti i shtetit ka adresuar rritje të fondeve për kryerje të shpenzimeve sipas institucioneve qendrore dhe të pavarura në totalin e vet me 16.36 miliardë lekë.
Burimet e financimit të këtyre shtesave vijnë si nga rritja e të ardhurave tatimore[1], si dhe nga grantet dhe kreditë e marra gjatë vitit të kaluar dhe në vitin 2024[2].
Ndryshimet kryesore adresohen në institucionet si më poshtë:
- Presidencës i zbriten 11.2 milionë lekë nga shpenzimet operative[3]
- Kuvendit të Shqipërisë i shtohen 19 milionë lekë për shpenzime operative
- Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit rural i zbriten 250 milionë lekë (shtohen shpenzimet operative dhe zbriten shpenzimet kapitale[4]). Zbritje fondesh kanë politika e sigurisë ushqimore, Zhvillimi Rural që mbeshtet Prodhimin Bujqësor, Blektoral, Agroindustrial, Peshkimi dhe tregjet. Shtim fondesh ka menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes.
- Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i shtohen 7.25 miliardë lekë (shtohen si shpenzimet operative (500 milionë lekë), po ashtu edhe shpenzimet kapitale (6.75 miliardë lekë). Zbritje fondesh nuk ka asnjë nga programet buxhetore të institucioneve të vartësisë. Shtim fondesh ka transporti rrugor, si dhe furnizimi me ujë dhe kanalizime.
- Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale i zbriten 310 mijë lekë (zbriten shpenzimet operative dhe shtohen shpenzimet kapitale). Zbritje fondesh kanë shërbimet e kujdesit parësor dhe përkujdesja sociale. Shtim fondesh ka shërbimi i kujdesit dytësor dhe shërbimi i shëndetit publik.
- Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë i shtohen 369 milionë lekë (shtohen shpenzimet operative dhe zbriten shpenzimet kapitale). Zbritje fondesh ka buxheti për shkencën. Shtim fondesh ka arsimi bazë, arsimi universitar dhe zhvillimi i sportit.
- Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i zbriten 44.7 milionë lekë (zbriten shpenzimet operative dhe shtohen shpenzimet kapitale). Zbritje fondesh kanë arti dhe kultura, mbështetja për zhvillim ekonomik, tregu i punës. Shtim fondesh ka arsimi i mesëm profesional, mbështetja për inovacione dhe teknologji.
- Ministrisë së Brendshme i shtohen 1.4 miliardë lekë (shtohen shpenzimet operative dhe po ashtu edhe shpenzimet kapitale). Zbritje fondesh nuk ka asnjë institucion i vartësisë. Shtim fondesh ka policia e shtetit dhe aparati i ministrisë.
Ndërkohë, ministritë e tjera (Mbrojtja, Për Evropën dhe punët e jashtme, Drejtësia) kanë zbritje apo shtim fondesh në nivele sistemimesh dhe që nuk kanë ndikim në tërësinë e ndryshimeve.
Kryeministria dhe Ministria e Financave nuk kanë ndryshim fondesh në krahasim me miratimin e buxhetit të fillimvitit 2024 me AN Nr.1.
Nga gjithë ndryshimet e kryera shikohet se ato janë adresuar në nevojat e qeverisë për të mbyllur pagesat për infrastrukturën rrugore, e cila mbartet nga vitet e kaluar, si dhe për projektet e reja rrugore. Shtimi i shpenzimeve për infrastrukturën rrugore merr sa 44% të gjithë fondeve të shtuara në total në aktin normativ Nr.3/2024.
Në vend të dytë është Ministria e brendshme me një shtesë fondesh sa 7% e totalit të fondeve të shtuara, sipas aktit normativ Nr.3.
Ndërkohë, gjithë institucionet e tjera marrin së bashku sa 49% e totalit të fondeve të shtuara.
Nëse do të bënim një ballafaqim të kërkesave për fonde sipas peshës që zënë sektorët në ekonominë shqiptare, si dhe në lidhje me politikat, shihet se bujqësia me gjithë nënsektorët e vet nuk ka shtesë fondesh nga ky vendim, por sistemi të fondeve brenda institucionit, duke ja marrë programeve që u janë zbritur fondet dhe duke ja shtuar disa programeve të tjera, si përmendur më lart.
Po kështu edhe Përkujdesja sociale ka zbritje të fondeve, që nga sa kuptohet vjen nga politikat efektive të punësimit të një pjese të papunësh, por kryesisht nga rishikimi i regjistrave të përfituesve duke zbritur edhe numrin e tyre në total.
Një fakt që duhet përmendur është se edhe ato fonde që janë dhënë për shkencën dhe kërkimin shkencor (sa 0.3% e gjithë shpenzimeve të buxhetit të shtetit) në këtë akt normativ janë më pak, duke treguar edhe për një politikë të dobët në thithjen e trurit dhe të ardhmen e rinisë universitare shqiptare.
Ndërkohë, shumë grupe të tjera interesi janë pak të përfaqësuar nga buxheti dhe po pak edhe nga reflektimi në ndryshimet e buxhetit të vjeshtës.
[1] https://financa.gov.al/newsroom/permbledhje-e-performances-paraprake-te-te-ardhurave-dhe-shpenzimeve-per-periudhen-7-mujore-2024/
[2] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2024/08/Ekonomia-dhe-Buxheti-Qershor-2024-1.pdf
[3] Shpenzimet për paga, për mirëmbajtje, për udhëtime, për transferta, si dhe shpenzime të tjera vjetore që nuk konsiderohen shpenzime kapitale
[4] Janë shpenzimet që kryen për blerjen/krijimin e aktiveve (ndërtesa, makineri, rrugw, ura, hekurudha, porte, aeroporte, ujesjellesa, kanalizime etj.) të reja apo riparimin e atyre që janë, ku jetëgjatësia e përdorimit është mbi një vit
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.