Kriza europiane e energjisë – një alarm për destabilitetin ekonomik*
nga REI NAÇE
Ditën e dielë paradite (fillim shtatori 2022), rreth 70 mijë persona dolën të protestonin në Pragë, Republikën Çeke. Turma homogjene përbëhej deri edhe nga ekstremiste te te majtës e të djathtës, dhe protestonte për rritjen e kostos së energjisë. Po ditën e diele, Kancelari Gjerman Olaf Scholz shpalli paketën e tretë të drejtuar zbutjes së rritjes së kostove të energjisë. Totali i kësaj pakete ishte 65 Miliardë Euro. Në Angli, protestat po organizohen ndërsa inflacioni ka kapur shifrat më të larta në 40 vitet e fundit dhe vendi është praktikisht pa Kryeministër (KM).
Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës tashmë ka zhytur në krizë të thellë energjitike të gjitha vendet e Europës. Kriza kontinentale e energjisë rrezikon që të kthehet shumë shpejt në krizë politike dhe sociale. Për të përgatitur opinionin publik për sfidat në të ardhmen e afërt, liderët politikë (shih Macron, Scholz, lidershipi Anglez apo edhe KM Rama në vendin tonë) kanë filluar të paralajmërojnë popullata se muajt në vazhdim do të jenë të vështirë në shumë drejtime dhe kanë ndërmarrë fushata sensibilizimi me qëllim uljen e konsumit te energjisë. Vendet e përmendura më sipër po mundohen ti shmangen me çdo kusht ndërprerjeve të energjisë, e cila në stinën e dimrit do të ishte fatale për një pjesë të popullatës dhe për bizneset sidomos për popujt që përjetojnë dimër të ashpër. Racionimi i energjisë ama, duket se do të jetë i pa shmangshëm me situatën aktuale.
Blackoutet dhe kufizimet kanë filluar të bëhen më konkretë edhe fare afër kufijve të Shqipërisë. Bashkëkombasit tanë Kosovarë kanë filluar të vuajnë pasojat e krizës që nga fundi i muajit Gusht. Në Kosovë energjia racionohet cdo ditë për të ulur konsumin. Pas zotimit të Qeverisë Shqiptare për të ndihmuar Kosovën me energji elektrike, u pa së kjo ishte e pamundur të kryhej për periudha të gjata kohore, duke parë thatësirën e stërzgjatur që rrezikon tanimë edhe sigurinë energjitike të vendit tonë. Historikisht, si një vend i varur nga importi sa i përket energjisë elektrike, Shqipëria ende nuk ka mundur të vërë veten në një pozicion të favorshëm strategjikisht. Duke parë gjithë burimet me të cilat natyra ka bekuar vendin tonë, ky pozicion duhet të ishte arritur me vite, ndoshta dhe dekada përpara.
Viti 2022 dhe kriza ndoshta me e thellë energjitike e kontinentit (me vone botërore?) e gjen Shqipërinë me zero burime relevante të reja gjeneruese. Status quo pothuajse nuk ka ndryshuar dekadën e fundit. Sytë duket se janë kthyer nga investimet në burime gjeneruese vetëm dy vitet e fundit, ku po vërehet një shtysë e madhe e partnerëve Amerikanë për të ndihmuar në diversifikimin e prodhimit të energjisë ne vendin tonë. Projekti i hidrocentralit të Skavicës, ai i rikualifikimit/përshtatjes të terminalit LNG (gazit të lëngshëm të naftës) në Vlorë dhe partnership për instalimin e terminaleve lundrues janë hapa pozitivë drejt sigurisë energjitike por fatkeqësisht, janë hapa që nuk janë hedhur në kohën e duhur për të shmangur krizën.
Qeveria dhe KESH (Korporata Elektroenergjetike Shqiptare) deri tani kanë mundur të përballojnë çmimet e tejskajshme të importit duke impaktuar në mënyrë serioze buxhetin e shtetit. Vetëm për periudhën Janar-Gusht 2022, KESH ka shpenzuar pothuajse 300 Milionë euro për të siguruar energji dhe per ta vënë këtë në perspektivë, për të njëjtën periudhë në 2021 vendi ynë importoi rreth 7 Milionë euro energji. Çmimet në bursat e energjisë variojnë nga 5-10 fish të çmimeve të vjetshme.
Thënë kjo, politika zgjidhet për të dhënë zgjidhje. Dhe në situata të tilla zgjidhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse e praktike, pavarësisht se mund të shkaktojnë panik. Një paketë financiare gjithëpërfshirëse do duhet ti dedikohet krizës energjitike dhe kjo nuk shmanget dot me garanci sovrane e artifica të momentit. Ka ardhur koha që konsumi i tepërt të faturohet me çmime tregu dhe të dalë jashtë subvencioneve. Nga ana tjetër duhet të identifikohen mirë familjet me konsum shume të ulët e në nevojë, për të shmangur drama sociale: dimri do jetë i gjatë. Nga ana tjetër edhe biznesi rrezikohet shumë nga kjo situatë – një plan gjithëpërfshirës do ti mundësonte ulje të barrës fiskale dhe taksave bizneseve që kanë konsum të lartë energjie, për ti dhënë sadopak oksigjen financave të këtyre kompanive.
Gjithashtu, subvencionimi i teknologjive të paneleve diellore do ishte një lëvizje e mençur. Shqipëria është një nga vendet me më shumë rrezatim diellor në kontinent, dhe instalimi në masë i paneleve në banesa por edhe në biznese do ulte barrën e konsumit që rendon mbi qeverinë. Në këtë linjë, edhe nxitja proceduriale, fiskale dhe prioritizimi për projektet e parqeve të mëdha diellore do ishte një plus per vendin tonë. Në këtë linjë biznesi për momentin kërkesa është e lartë dhe futja e shpejtë e këtyre burimeve në prodhim do diversifikonte më tej ofertën energjitike. Dhe e fundit, por jo nga rëndësia, përfundimi i shpejtë i procedurave për hapjen e Bursës Shqiptare së Energjisë do na mundësonte me shumë mundësi të blinim dhe të shisnim energji me kosto shume më të ulëta për transaksion.
* Titulli është i ALTAX. Titulli i autorit “Kriza europiane e energjisë”
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.