Koha ndryshon dhe kështu duhet të bëjë dhe TVSH
Administratë e mirë tatimore është kryesisht një e tillë, që nuk ka mbetur ende peng në zhvillimin dhe zbatimin e një procesi të aftë për të arritur qëllimet e veta politike në mënyrë efikase dhe efektive.
Një bazë e mirë informacioni dhe aftësia për ta shfrytëzuar këtë informacion në mënyrë efektive janë mjete thelbësore për këtë detyrë.
Të dhënat e grumbulluara janë të nevojshme edhe për të formuluar një politikë të mirë të të ardhurave. Një shembull i tillë është informacioni mbi të ardhurat nga pagesat e mëparshme të tatimeve, si rezultat i përjashtimeve të ndryshme. Përjashtimet janë me rëndësi në përcaktimin e të ardhurave dhe efektet shpërndarëse të opsioneve të ndryshme të politikave.
P.sh., një sistem i rregullt raportimi në lidhje me shpenzimet tatimore[1] është i nevojshëm për të siguruar që të ardhurat e periudhave të kaluara nëpërmjet masave të politikave tatimore, të tilla si: përjashtimet e TVSH-së, të destinuara për të arritur qëllimet e shpërndarjes së burimeve ose alokimit të tyre sipas sektorit të stimuluar duhet t’i nënshtrohen së paku periodikisht një modeli monitorimi të duhur.
Në mungesë të vlerësimeve të tilla, nëse një grup interesi ka marrë një koncesion të tillë tatimor, mund të gëzojë rezultatet përgjithmonë pa patur nevojë t’i tregojë asnjerit, se përfitimet që ka marrë duhet të justifikojnë shpenzimet e bëra.
Të dhëna më të mira (p.sh., mbi baza sektoriale apo produktesh) janë gjithashtu shpesh të nevojshme për të adresuar çështje të tilla kritike si: zëvendësueshmëria dhe komplementariteti i tarifave dhe TVSH-së.
Megjithatë, pak vëmendje i është kushtuar çështjeve të tilla.
Përvoja jonë është që relativisht me pak përpjekje disa informacione të përafërta mund të merren në shumë çështje të tilla. Arsyeja pse është bërë pak nuk është e lidhur aq shumë se ajo nuk mund të bëhet me kosto të arsyeshme dhe me burime të disponueshme, por se askush nuk përpiqet për ta bërë atë.
Aktualisht, rrallë ndodh që të ketë interes çdokush, që të bëjë më shumë përpjekje sipas këtyre linjave. Një arsye tjetër është se ekzistenca e informacionit gjithmonë ka një aspekt të të mirës publike, kështu që jo të gjitha përfitimet mund të kapen nga çdo individ ose grup.
Një tjetër arsye është se të zotërosh informacion më cilësor dhe të mirë mund të ketë një efekt negativ në interesat e disa njerëzve të fuqishëm. Faktorë të tillë duken mjaftueshmërisht të fortë në shumicën e vendeve për tu siguruar, që shumica e vendimeve në lidhje me politikat tatimore dhe administratën tatimore vazhdojnë të bëhen më shumë në bazë të besimit se të provave.
Disa fakte të rëndësishme për të kuptuar mënyrën se si TVSH realisht vepron janë çuditërisht të vështirë për tu zbuluar në shumë vende.
Le të marrim parasysh natyrën e vërtetë të bazës së TVSH-së.
Në Shqipëri, në vitin 2015 më shumë se 65% e të gjithë të ardhurave nga TVSH ishin nga importet dhe sektori tradicional i akcizës (alkooli, duhani, dhe karburantet). Implikimi vjen nga arsyeja e futjes së TVSH në Shqipëri dhe tradita e krijuar në vitet më pas. Rezultati i menjëhershëm i futjes së TVSH në Shqipëri, në vitin 1996 ishte në të vërtetë për të reduktuar tatimet e mbledhura nga shitjet (qarkullimi) në tregti dhe shërbime brenda vendit, nga më shumë se 4% të GDP-së në më pak se 2% e GDP-së. Vlerësime të tilla nuk do të thonë se futja e TVSH-së nuk ishte një ide e mirë. Megjithatë, ato nuk sugjerojnë se të gjithë ata që mendonin se ndikimi ekonomik i futjes së TVSH-së në Shqipëri do të ishte i njëjtë me p.sh. Gjermaninë, vetëm se është i njëjti tatim dhe me të njëjtat parime. Ata në fakt nuk kanë parë, njohur dhe analizuar realitetin e vendit ku e zbatuan.
Mangësitë e të dhënave në shumicën e vendeve në zhvillim dhe në tranzicion e bëjnë të vështirë vlerësimin e pasojave të mundshme te të ardhurat nga ndryshimet e bazës dhe të normës së TVSH-së. Probleme të tilla nuk duhet të ekzistojnë qëkurse pothuaj i gjithë informacioni i nevojshëm gjenerohet në procesin normal të administrimit të TVSH-së.
Rrallë ka të dhëna të tilla në dispozicion në një formë të përdorshme edhe për rajonet tatimore, duke mos mundësuar përdorimin e tyre në shpërndarjen e burimeve administrative ose në përmirësimin e politikave tatimore.
TVSH-ja është taksa e vetme që qeveria e përdor, jo vetëm për të mbledhur para të konsiderueshme nga sektori privat, por edhe për të paguar një pjesë të mirë të saj përsëri te të njëjtët njerëz në formën e rimbursimit. Qëkurse, çdo faturë TVSH përbën një kërkesë të mundshme nga fondet publike dhe falsifikimi i pretendimeve të tilla është ndoshta forma më e zakonshme e mashtrimit të TVSH-së, bëhen të rëndësishme nga këndvështrimi administrative njohuritë e detajuara të kërkesës së pritshme për rimbursim dhe arkëtime për të gjithë personat e tatueshëm.
Megjithatë edhe pse nga një faturë blerje me TVSH mund të merret një informacion i tillë është e habitshme se si rrallë ndodh që të dhëna të tilla, që janë të mbledhura të mos përdoren për hartimin e një strategjie të menaxhimit të rriskut. Ndoshta edhe më e çuditshme është se kjo pyetje deri kohët e fundit nuk ka marrë shumë vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar i ekspertëve të TVSH-së.
Një vëzhgim i përgjithshëm i fundit është thjesht, që si me të gjitha taksat në të gjitha vendet, pa një TVSH të projektuar dhe administruar mirë që në stadin fillestar, rrezikohet që përgjithmonë ajo të mbetet e njëjtë me fare pak avancime.
Por, duke qenë se kohët ndryshojnë, po kështu duhet të bëjnë edhe taksat.
Jeta bëhet më e vështirë në të gjitha aspektet për ata që merren me çështje tatimore në vendet në zhvillim dhe në tranzicion, jo vetëm sepse me shumë gjasa vende të tilla ndryshojnë, por ka të ngjarë të jenë më të prekshëm se shumica e vendeve të zhvilluara nga ndikimet nga jashtë.
Dhe vende si Shqipëria apo të tjera në Ballkan, në përgjithësi kanë shumë më pak kapacitete për të përballuar të gjitha këto probleme që mbart koha që ndryshon.
Mbajtja e nivelit të lartë të TVSH kërkon aftësinë për të lexuar erërat, për të zbuluar çështjet e rëndësishme të sistemit tatimor në zhvillim, për të punuar në detaje për një trajtim sa më të mirë të TVSH në varësi të kohës dhe për ti kushtuar kohë dhe energji ndryshimit të dizajnit të taksave dhe administratës për tu përballuar me ndryshimin e rrethanave.
[1] të ardhurat e munguara nga përjashtimet tatimore, si stimuj për nxitje investimesh dhe sektorësh ekonomikë
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.