Karburantet në Shqipëri dhe nevoja për rezervat strategjike, transparencën dhe politikën fiskale
Në vitet e fundit, çmimet e karburanteve kanë qenë një nga shqetësimet kryesore ekonomike dhe sociale në Evropë dhe Ballkan. Rritjet e çmimeve globale të naftës, të nxitura nga tensionet gjeopolitike, ndërprerjet në furnizim dhe ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, kanë bërë që vendet të krijojnë instrumente fleksibël fiskale për të stabilizuar tregun dhe për të mbrojtur konsumatorin. Në Itali p.sh., qeveria e kryeministres Giorgia Meloni ka propozuar mekanizmin e quajtur “accise mobili”, një instrument i përkohshëm që ul akcizën mbi karburantet kur çmimi ndërkombëtar tejkalon një prag të caktuar, duke përdorur të ardhurat e TVSH-së për të kompensuar uljen e taksave. Ky mekanizëm synon të amortizojë ndikimin e rritjes së çmimeve tek konsumatorët dhe të kufizojë efektet inflacioniste, duke vepruar si një frenë e menjëhershme dhe selektive në një treg të paqëndrueshëm.
Jo vetëm Italia ka përdorur këtë qasje.
Spanja, Portugalia dhe Franca kanë zbatuar instrumente të ngjashme, duke ulur taksat mbi karburantet në periudha krize, shpesh të kombinuara me subvencione për sektorët më të ndjeshëm si transporti publik dhe logjistika.
Gjermania, për shembull, ka aplikuar reduktime të akcizës dhe ulje të TVSH-së për karburantet gjatë vitit 2022, për të mbajtur çmimet nën kontroll dhe për të parandaluar presionin mbi inflacionin. Këto modele tregojnë se instrumentet fiskale fleksibël mund të jenë të efektshme për të balancuar interesat e konsumatorëve dhe të shtetit, por ato duhet të jenë të përkohshme dhe të monitoruara me kujdes.
Në Shqipëri, situata është më komplekse.
Struktura e çmimeve të karburanteve është shumë e ndikuar nga taksat dhe detyrimet fiskale, duke përfshirë akcizën, TVSH-në dhe taksa kombëtare dhe vendore e tarifa të tjera shtesë, që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të çmimit final. Çdo rritje e çmimeve ndërkombëtare përkthehet shpejt në kosto më të larta për konsumatorët dhe bizneset shqiptare, duke rritur presionin mbi inflacionin dhe sektorin e transportit dhe prodhimit. Ndryshe nga vendet e përmendura, Shqipëria ende nuk ka një mekanizëm fiskal fleksibël që të përdoret automatikisht për të amortizuar rritjet e çmimeve.
Në këtë kuadër, studimet e fundit të ALTAX ofrojnë një vizion strategjik për përmirësimin e menaxhimit të energjisë. Studimi “Për arritjen e standardit të BE në rezervat e sigurisë së naftës” argumenton se Shqipëria duhet të ndërtojë rezerva strategjike sipas standardeve evropiane, të menaxhojë kapacitetet fizike dhe të kombinojë instrumente financiare për të mbrojtur tregun nga luhatjet globale. Një rezervë strategjike e mirë menaxhuar nuk është thjesht një stok emergjence, por një instrument i fuqishëm për të stabilizuar tregun, për të parandaluar goditje të menjëhershme dhe për të siguruar aftësinë e vendit për të përballuar rreziqe gjeopolitike dhe ekonomike.
Studimi tjetër i ALTAX, “Mbi ndikimet e çmimeve të naftës dhe menaxhimi në Shqipëri në një mjedis të pasigurt global” thekson se Shqipëria, si ekonomi e vogël dhe e hapur, është shumë e ndjeshme ndaj luhatjeve globale të çmimeve të naftës, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në inflacion, kostot e prodhimit dhe balancën tregtare. Ky studim sugjeron zhvillimin e skenarëve të ndryshëm politikash ekonomike, përfshirë instrumente stabilizimi fiskal, menaxhim aktiv të rezervave, subvencione të synuara dhe reforma në mënyrën e vendosjes së çmimeve dhe transparencës së tregut.
Një tjetër instrument kyç është Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve, i cili mund të rikrijohet pas diskutimeve të fundit si një strukturë monitorimi dhe rekomandimi për qeverinë. Sipas analizës së Polifakt, ky bord do të sigurojë që çdo ndryshim në çmimet e karburanteve dhe komponentët e tyre fiskalë të jetë i qartë dhe i justifikueshëm. Një bord i fuqishëm transparence është esencial për të rritur besimin e publikut dhe kompanive, për të shmangur spekulimet dhe për të garantuar që politika e çmimeve të jetë e drejtë dhe e monitoruar në mënyrë objektive, por faktet në Shqipërinë e vitit 2022 nuk ishin në këto nivele performance.
Megjithatë diskutimi jonë është se si duhet të kombinohen këto tre dimensione (instrumentet fiskale fleksibël të vendeve si Italia, Spanja, Portugalia dhe Franca, menaxhimin strategjik të rezervave të ALTAX dhe Bordi e Transparencës) për të mundësuar menaxhimin e çmimeve të karburanteve me një qasje të integruar dhe proaktive. Në vitin 2026 nuk mjafton të reagohet pas çdo rritjeje çmimi, por duhet të ndërtohen mekanizma që kombinojnë fleksibilitetin fiskal, rezervat strategjike dhe transparencën institucionale.
Ky kombinim i instrumenteve mund të krijojë një treg më stabël dhe më të besueshëm, të ulë pasigurinë për konsumatorët dhe bizneset, dhe të rrisë aftësinë e qeverisë për të ndërhyrë në mënyrë efektive gjatë krizave energjetike.
Shqipëria ka mundësinë të mësojë nga praktikat ndërkombëtare, duke përdorur edhe analizat vendore dhe ato që vetë institucionet kryejnë për kontroll dhe komunikim të qartë me publikun.
Në përfundim, sfida e çmimeve të karburanteve nuk është thjesht një çështje ekonomike apo politike e përkohshme, por një çështje strategjike që lidhet me sigurinë energjetike, stabilitetin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. Vendimet e qeverisë, investimet në rezervat strategjike dhe funksionimi efektiv i Bordit të Transparencës janë të gjitha pjesë të një strategjie afatgjatë që mund të mbrojë ekonominë shqiptare nga pasiguria globale dhe të krijojë një treg më të qëndrueshëm për të gjithë.
Ndërsa eksperienca e Italisë dhe e vendeve të tjera evropiane tregon se një mekanizëm fiskal fleksibël, si ulja e përkohshme e taksave mbi karburantet, mund të amortizojë rritjet e çmimeve dhe të mbrojë konsumatorët, aplikimi i tij në Shqipëri nuk mund të jetë i menjëhershëm dhe i pandërprerë.
Situata e tregut shqiptar është më e ndërlikuar, me një strukturë çmimesh të lartë të ndikur nga taksat dhe pa instrumente të zhvilluara rezervash strategjike. Prandaj, Shqipëria duhet së pari të studiojë në thellësi këtë mekanizëm, të analizojë ndikimet fiskale dhe pasojat mbi tregun e brendshëm dhe ta përshtatë në kontekstin e saj specifik ekonomik dhe institucional.
Vetëm pas një analize të tillë mund të vendoset nëse dhe si do të zbatohet një instrument i tillë, duke e kombinuar me rezervat strategjike të energjisë dhe Bordet e Transparencës, për të siguruar një qasje të qëndrueshme dhe të balancuar ndaj çmimeve të karburanteve.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.