Bashkohuni me ekipin tonë. A jeni gati të rrisni biznesin tuaj? Mëso më shumë
Mbi ndikimet e çmimeve të naftës dhe menaxhimi në Shqipëri një mjedis të pasigurt global
4 €
Në një kohë kur tregjet globale të energjisë ndodhen në një gjendje të lartë paqëndrueshmërie, çdo zhvillim në nyjet strategjike të furnizimit me naftë, siç është ngushtica e Hormuzit ka potencialin të shkaktojë efekte zinxhir në nivel ndërkombëtar dhe të transmetohet shpejt në ekonomi të vogla dhe të hapura si Shqipëria.
Një mbyllje e përkohshme apo edhe pengesë kalimtare në Hormuz, përpara se të negociohet rihapja apo stabilizimi i situatës, nuk është vetëm një problem gjeopolitik, por edhe një shkak i menjëhershëm i deformimeve të balancës së tregut global të naftës.
Në kushtet aktuale të gjeoekonomisë, ku balancat tradicionale të ofertës dhe kërkesës janë të çrregulluara nga luftërat, tensionet tregtare dhe politikat proteksioniste, ndikimi i një krize në Hormuz fuqizohet nga tre faktorë kryesorë:
- Spekulimi financiar në tregjet e energjisë, që rrit çmimet përtej niveleve reale të ofertës;
- Zinxhirët e furnizimit të fragmentuar dhe të brishtë, të cilët përballen me ndërprerje dhe mungesë elasticiteti logjistik;
- Përvoja e krizave të mëparshme, si ajo e vitit 2008, 2011 apo 2022, që ka treguar se edhe një tension i lokalizuar mund të shkaktojë pasiguri të gjerë, rritje të çmimeve dhe goditje mbi inflacionin, bilancet tregtare dhe konsumatorin final.
Ky raport synon të analizojë ndikimin e tensioneve në ngushticën e Hormuzit mbi çmimet e naftës në Shqipëri, duke përfshirë skenarët e mundshëm të zhvillimeve gjeopolitike, ndikimet makroekonomike në sektorë kyç dhe masat e nevojshme për të rritur qëndrueshmërinë dhe sigurinë energjetike të vendit në një ambient ndërkombëtar gjithnjë e më të pasigurt.
- Përshkrim
Përshkrim
Ky raport ka për qëllim të analizojë ndikimin potencial të luhatjeve të çmimeve të naftës në ekonominë shqiptare gjatë vitit 2025 dhe të ofrojë një kornizë strategjike për menaxhimin e pasojave makroekonomike, fiskale dhe sociale që burojnë nga këto zhvillime.
Duke marrë në konsideratë varësinë e lartë të Shqipërisë nga importet e naftës dhe kontekstin gjeopolitik global, me theks të veçantë në rëndësinë e Ngushticës së Hormuzit si nyje kritike për tregtinë ndërkombëtare të energjisë raporti synon të:
- Modelojë skenarë të mundshëm ekonomikë bazuar në nivele të ndryshme të çmimeve të naftës (rritje modeste, rritje e lartë, dhe rënie/stabilizim), duke vlerësuar ndikimin përkatës në inflacion, rritje ekonomike, bilanc të pagesave, deficit tregtar dhe buxhet publik.
- Propozojë masa të diferencuara politike për secilin skenar, për të siguruar qëndrueshmëri ekonomike, për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset, dhe për të përforcuar kapacitetet e menaxhimit institucional e fiskal në kohë krize apo oportuniteti.
- Identifikojë boshllëqet strukturore dhe institucionale në sektorin energjetik shqiptar që rrisin ekspozimin e vendit ndaj goditjeve të jashtme dhe të nxjerrë në pah masat e nevojshme për të rritur reziliencën dhe sigurinë energjetike.
- Përdorë përvojat rajonale dhe ndërkombëtare si referencë për të rekomanduar praktika të mira që mund të përshtaten në kontekstin shqiptar, përfshirë zhvillimin e rezervave strategjike, nxitjen e energjisë së ripërtëritshme, dhe krijimin e mekanizmave kompensues për shtresat e prekshme.
Në thelb, raporti synon të shërbejë si një instrument orientues për vendimmarrësit publikë, komunitetin e biznesit dhe aktorët e tjerë institucionalë, për të projektuar politika më të mençura, fleksibël dhe të parashikueshme në funksion të ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe përgatitjes ndaj rreziqeve të tregut ndërkombëtar të energjisë.
Raporti është ndërtuar mbi një kombinim të të dhënave statistikore, analizave skenarike dhe dokumentacionit institucional, me synim garantimin e një pasqyre të saktë dhe të besueshme mbi sfidat dhe alternativat për sektorin energjetik në Shqipëri. Burimet kryesore përfshijnë:
- Institucione ndërkombëtare dhe agjenci statistikore globale, si:
- International Energy Agency (IEA)
- U.S. Energy Information Administration (EIA)
- OPEC, World Bank, IMF
- Eurostat dhe Enti i Statistikave të vendeve të rajonit
- Burime vendase dhe raporte institucionale, si:
- INSTAT, Banka e Shqipërisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
- KESH, Albpetrol, AKBN
- Portali i Transparencës për Karburantet
- Buletinet fiskale dhe ekonomike të Ministrisë së Financave
- Të dhëna të përpunuara nga ALTAX, përfshirë projeksionet makroekonomike, dinamikat e çmimeve dhe pasqyrat e ndikimit fiskal, tregtar dhe konsumator në funksion të skenarëve të çmimeve të naftës dhe ndjeshmërisë së ekonomisë shqiptare ndaj tyre.
Qasja e përdorur në raport bazohet në një strukturë të ndërthurur midis analizës së rrezikut, modelimit skenarik dhe krahasimit rajonal, e ndërtuar në tri shtylla:
Analiza skenarike e çmimeve të naftës
Janë ndërtuar tre skenarë kryesorë (qëndrueshmëri/moderim, rritje e lartë, dhe rënie), përmes të cilëve vlerësohet ndikimi i ndryshimeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare mbi indikatorët makroekonomikë, tregun e brendshëm dhe financat publike.
Analizë krahasuese dhe praktikash nga rajoni
Përmes rasteve të vendeve si Kroacia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Sllovenia, raporti identifikon praktika të suksesshme në menaxhimin e rezervave, stabilizimin e çmimeve dhe ndërtimin e një sektori energjetik më rezilient.
Vlerësim i kapaciteteve aktuale dhe masave të mundshme për Shqipërinë
Në këtë seksion, përmes diagnostikimit të pikave të dobëta strukturore dhe të përvojës së kaluar, raporti ofron një set masash të përshtatura sipas skenarëve dhe realiteteve aktuale, me fokus në efektivitetin institucional, investimet strategjike dhe menaxhimin e stokut.
Raporti ndjek një qasje të orientuar drejt vendimmarrjes, ku të dhënat krahasohen dhe shndërrohen në rekomandime konkrete, të përshtatura për Shqipërinë dhe për kontekstin e luhatshëm global të energjisë.