Kapacitetet e administratës tatimore: Si janë dhe çfarë duhet!

Kapacitetet e administratës tatimore: Si janë dhe çfarë duhet!

Rritja e kapacitetit është një proces i bazuar mbi aftësitë aktuale të individëve, institucionit dhe sistemit fiskal dhe rritjen e aftësive në tërësi, për të kryer në mënyrë të qëndrueshme funksionet bazë, por duke vazhduar me përmirësimin dhe zhvillimin e aftësive me kalimin e kohës.

Pas disa vitesh që administrata tatimore ka shpallur procesin e reformimit shihen se problemet administrative përfshijnë konstatime në nivel individual, institucional dhe sistemi, si më poshtë:

  • Mungesë të përcaktimit të qartë të procesit, detyrës, veprimit të punonjësve në administratë, sipas nivelit hierarkik dhe në funksion të objektivave;
  • Mangësi në arritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në shkëmbim të informacionit me institucionet e tjera;
  • Mungesë bashkëpunimi me administratën e pushtetit lokal, nisur nga ndikimi i ambientit politik;
  • Ndryshime të ligjeve fiskale dhe politikës fiskale pa qartësuar dhe orientuar administrimin sipas vizionit të politikës fiskale;
  • Nivel i dobët profesional;
  • Përvojë e varfër në modelin e drejtimit të administratës duke dominuar emocionet në zbatimin e rregullave dhe procedurave;
  • Mangësi në fokusimin strategjik për mbledhjen e të ardhurave dhe ngushtimin e evazionit fiskal;
  • Paqëndrueshmëri e theksuar e nivelit drejtues të administratës;
  • Mangësi në zbatimin uniform dhe me standarde të njëjta të ligjit;
  • Marrëdhënie të dobëta me administratën doganore dhe mungesë fokusi në bashkëpunimin midis tyre;
  • Infrastrukturë e dobët dhe shërbime pak cilësore;
  • Sistem informatik problematik në procesin e zbatimit të procedurave;
  • Ndërgjegjësim i pakët në radhët e punonjësve në lidhje me rolin dhe efektin e tyre në ambientin social dhe ekonomik shqiptar;
  • Burime të kufizuara dhe mungesë të strategjisë së ngritjes/rritjes së kapaciteteve.

Për ndryshimin e kësaj situate nevojitet qe në mënyrë konsistente duhet te ngrihen dhe forcohen kapacitetet në një kuptim të gjerë duke përfshirë elementët individualë, institucional dhe politikave dhe sistemit fiskal.

Administrata tatimore do të duhet të orientojë dhe përshtatë proceset aktuale për procedurat dhe zhvillimin e aftësive teknike në një modul gjithëpërfshirës edukues. Qendra e Trajnimit duhet të koordinojë seminaret dhe trajnimet për të garantuar një kalendar dhe program të plotë dhe të qartë për punonjësit e administratës duke krijuar edhe një historik me të dhënat e punonjësve dhe nivelin e trajnimit dhe pajisjes me njohuri.

Prioritet duhet të marrin trajnimet për punonjësit e rinj, si dhe trajnimet për ligjet e reja dhe ndryshimet që prekin procedura në masë. Trajnime të thelluara në fushën e taksimit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve për Shmangien e Tatimit te Dyfishte.

Qarkullimi i punonjësve duhet të jetë një qasje e re për zhvillimin e nivelit drejtues duke kryer lëvizje transparente dhe të motivuara sipas performancës dhe rritjes së kapacitetit. Në këtë mënyrë punonjësve do tu jepet një inkurajim për të rritur nivelin e tyre të njohurive në përshtatje me qasjen e re duke i dhënë një spektër më të gjerë gjithë procesit të veprimeve në administratë. NË këtë mënyrë do të ketë një vlerësim dhe nxitje për performancë pozitive nga secili punonjës.

Ndërkohë, duhet të vijojë forcimi i kapaciteteve për rritjen e vullnetarizmit në pajtueshmërinë me detyrimet ligjore, ku krahas përmirësimit të shërbimit duhet të nxitet më tej procesi i thjeshtimit të procedurave nëpërmjet ndryshimeve ligjore dhe rregullave institucionale. Por, duke u orientuar edhe sipas objektivit për rritjen në pozicion të Shqipërisë te raporti i BB Doing Business.

Parandalimi i evazionit tatimor dhe angazhimi ndaj shmangies tatimore nëpërmjet zbatimit dhe rritjes së rolit të ndryshimeve ligjore dhe strukturore, veçanërisht për trajtimin e transaksioneve sipas transfer pricing është një tjetër drejtim në forcim të kapacitetit të administratës tatimore.

Kapaciteti administrativ duhet të vijojë të rritet dhe përmirësohet në drejtim të angazhimeve të burimeve drejt luftës antievazion dhe kontrabandës duke u nxitur nga përgjegjshmëria dhe transparenca dhe duke luftuar korrupsionin si pengesa kryesore për suksesin.

Për një performancë administrative efektive nevojitet të sigurohen edhe paisjet dhe teknologjia e nevojshme në funksion të objektivave të administratës.

Për këtë qëllim sistemi i ri IT, i cili ka filluar te përdoret prej vitit 2015 duhet të menaxhojë efektivisht mbledhjen e tatimeve. Ky sistem duhet te promovoje pajtueshmërinë nëpërmjet përmirësimit të shërbimeve, të kontrollit dhe rritjes së transparencës së veprimeve të administratës duke garantuar një mbështetje dhe lehtësi në administrimin e detyrimeve tatimore për çdo tatimpagues.

Takimet publike dhe konsultimet janë një përdorim me vlerë për të diskutuar dhe tërhequr reagime dhe opinione lidhur me forcimin e kapaciteteve, ku shpeshherë aty ku theksohen dobësitë janë edhe nevojat më të mëdha për ringritje të kapaciteteve dhe prurjen në nivele të barabarta me treguesit e tjerë.

Si takimet publike, të njëjtën vlerë mbajnë edhe konferencat, seminaret dhe takime informale që kanë vlerën e marrjes së mendimeve dhe shkëmbimit të opinioneve, përvojave sipas fushave të ekspertizës të çdo ngjarje ku kërkohet mendim dhe ku njerëzit e mbledhur kanë interesa të përbashkëta.

Administrata tatimore duhet të rishikojë dhe përmirësojë standardet e proceseve të punës duke synuar një unifikim të procedurave të saj duke ndikuar në lehtësimin e zbatimit të ligjit dhe forcimin e ambientit fiskal për tatimpaguesit, të cilët do të kenë të bëjnë me një administratë më solide dhe të paanshme në zbatimin e procedurave.

Mbi të gjitha nevojitet që të bëhet përshtatja e modelit të menaxhimit sipas modelit të lidershipit dhe orientimit të tij drejt rezultatit. Ky model duhet të shihet i ndërlidhur me modele të tjera të lidershipit dhe menaxhimit për të arritur në praktikë të mirë dhe të duhur për modelin e administrimit, si dhe në përshtatje me politikën fiskale dhe ambientin fiskal.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: