Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri 2023 – 2024, rritje pozitive apo iluzion stabiliteti

Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri 2023 – 2024, rritje pozitive apo iluzion stabiliteti

Investimet e Huaja Direkte (IHD) përfaqësojnë një nga treguesit më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të një vendi. Ato reflektojnë jo vetëm nivelin e besimit të investitorëve të huaj në ekonominë shqiptare, por edhe efektivitetin e politikave qeveritare për të krijuar një klimë tërheqëse për kapitalin e jashtëm.

Në këtë analizë krahasuese, shqyrtojmë sesi ka evoluar fluksi i IHD-ve në Shqipëri nga viti 2023 në 2024, duke analizuar rritjen e tyre në terma nominalë dhe duke shqyrtuar faktorët që kanë ndikuar në këtë ecuri. Megjithëse të dhënat sugjerojnë një rritje të përgjithshme, një analizë më e thelluar tregon se prirjet aktuale janë të përziera dhe disa tregues paralajmërojnë sfida të rëndësishme për të ardhmen.

Rritja e investimeve, një sinjal pozitiv, por jo i mjaftueshëm

Në vitin 2024, Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Shqipëri shënuan një rritje prej 5.6%, duke arritur në 1,583 milionë euro nga 1,499 milionë euro që ishin një vit më parë. Kjo rritje me 84 milionë euro sugjeron një interes të shtuar të investitorëve për tregun shqiptar, një sinjal që në pamje të parë duket premtues për zhvillimin ekonomik të vendit.

Megjithatë, pyetja kryesore mbetet:

  • A është kjo një rritje e qëndrueshme apo një tendencë e përkohshme e ndikuar nga faktorë të jashtëm?

Një nga faktorët kryesorë pas kësaj rritjeje është shtimi i fitimeve të riinvestuara, që tregon se kompanitë e huaja që tashmë operojnë në Shqipëri po zgjedhin të mbajnë dhe të riinvestojnë fitimet e tyre brenda vendit. Në një kontekst optimist, kjo mund të përkthehet si një votëbesimi për mjedisin e biznesit dhe për stabilitetin ekonomik të Shqipërisë.

Por një analizë më e thellë zbulon një aspekt tjetër. Kjo rritje mund të jetë gjithashtu rezultat i mungesës së alternativave më tërheqëse për investim jashtë Shqipërisë.

Në një periudhë kur ekonomitë e tjera në rajon përballen me paqëndrueshmëri apo kushte të pafavorshme për biznes, Shqipëria mund të jetë thjesht opsioni më pak i rrezikshëm, dhe jo domosdoshmërisht një treg me potencial të madh për rritje afatgjatë.

Në të njëjtën kohë që IHD-të shënuan rritje në total, investimet në kapital dhe aksione pësuan një rënie prej 3.5%. Kjo rënie sugjeron se Shqipëria nuk po arrin të tërheqë investime të reja në shkallën e dëshiruar.

Faktorët që ndikojnë në këtë situatë përfshijnë një klimë biznesi ende të paqëndrueshme, koston e lartë të prodhimit dhe mungesën e mbështetjes konkrete për startup-et dhe bizneset inovative. Investitorët duket se po tregohen më të kujdesshëm, duke preferuar të ruajnë dhe të riinvestojnë kapitalin ekzistues, në vend që të hapin biznese të reja apo të angazhohen në projekte të reja të mëdha.

Një tjetër shqetësim i madh është fakti që investimet e huaja vazhdojnë të përqendrohen kryesisht në sektorë tradicionalë si energjia dhe ndërtimi, ndërsa sektorë të tjerë si teknologjia, bujqësia apo prodhimi mbeten në hije.

Kjo mungesë e diversifikimit e bën ekonominë shqiptare të brishtë përballë krizave sektoriale dhe krijon një model rritjeje që nuk është domosdoshmërisht i qëndrueshëm në afatgjatë.

Nëse Shqipëria dëshiron që rritja e investimeve të huaja të mos mbetet thjesht një statistikë e këndshme, por të përkthehet në zhvillim real ekonomik, do të duhet të ndërmarrë hapa të qartë për tërheqjen e kapitalit të ri, mbështetjen e sipërmarrjeve inovative dhe krijimin e një klime më konkurruese për investitorët e rinj. Përndryshe, rritja e IHD-ve për 2024 mund të rezultojë thjesht një pasqyrim i një realiteti të përkohshëm, dhe jo një shenjë e një transformimi ekonomik të qëndrueshëm.

Kapitali dhe aksionet: Një zbehje e besimit?

Ndërsa totali i Investimeve të Huaja Direkte (IHD) shënoi një rritje në vitin 2024, një sinjal shqetësues vjen nga rënia e investimeve në kapital dhe aksione. Nga 734 milionë euro në vitin 2023, kjo kategori zbriti në 708 milionë euro, duke shënuar një tkurrje prej 26 milionë euro ose -3.5%.

Ky trend mund të interpretohet si një zbehje e besimit të investitorëve për të investuar në biznese të reja ose për të zgjeruar aktivitetet ekzistuese. Në një ekonomi në zhvillim si Shqipëria, investimet në kapital dhe aksione janë jetike për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së tregut.

Pse po bien investimet në kapital?

Edhe pse qeveria ka promovuar reformat për përmirësimin e klimës së biznesit, investitorët e huaj duket se po veprojnë me kujdes të shtuar. Pasiguria globale, lufta në Ukrainë dhe presionet inflacioniste mund të kenë ndikuar në vendimmarrjen e tyre.

Rritja e çmimeve të lëndëve të para, energjisë dhe kostove të punës mund ta ketë bërë Shqipërinë më pak konkurruese në raport me vendet e tjera të rajonit. Nëse një investitor duhet të zgjedhë mes Shqipërisë dhe një vendi tjetër të Europës Juglindore me kosto më të ulët, zgjedhja bëhet e qartë.

nvestimet në startup-e dhe sektorë inovativë mbeten të kufizuara, duke i lënë bizneset e reja pa një mbështetje të fortë financiare. Nëse Shqipëria dëshiron të tërheqë investime të reja, do të duhet të krijojë politika më të favorshme për sipërmarrësit dhe të zhvillojë mekanizma më të efektshëm për financimin e ideve të reja.

Nëse ky trend vazhdon, rënia e investimeve në kapital dhe aksione mund të ketë ndikime afatgjata në ekonominë shqiptare. Mungesa e kapitalit të ri mund të ngadalësojë krijimin e bizneseve të reja, të ulë konkurrueshmërinë dhe të krijojë një ekonomi më të varur nga sektorët tradicionalë, si ndërtimi dhe energjia.

Në këtë kuadër, qeveria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të kthyer besimin e investitorëve, duke përmirësuar klimën e biznesit, ulur barrierat burokratike dhe ofruar stimuj konkretë për investime të reja. Përndryshe, zbehja e besimit do të vazhdojë, duke e bërë rritjen e investimeve të huaja një trend të përkohshëm dhe jo një motor të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik.

Fitimi i Riinvestuar tregon besim në ekonomi apo mungesë alternativash?

Në vitin 2024, fitimi i riinvestuar nga kompanitë e huaja në Shqipëri shënoi një rritje të konsiderueshme, duke arritur në 853 milionë euro nga 803 milionë euro që ishte në vitin 2023. Me një rritje prej 50 milionë eurosh (+6.2%), ky tregues shpesh interpretohet si një sinjal i besimit të investitorëve në ekonominë shqiptare. Por, a është vërtet ky rasti, apo rritja e fitimeve të riinvestuara reflekton më shumë mungesën e alternativave tërheqëse për kapitalin?

Rritja e fitimeve të riinvestuara tregon se investitorët ekzistues nuk po tërhiqen nga Shqipëria, por përkundrazi, po zgjedhin të mbajnë dhe të rrisin aktivitetin e tyre këtu. Stabiliteti i politikave fiskale dhe disa reforma për përmirësimin e klimës së biznesit mund të kenë ndikuar pozitivisht.

Energjetika dhe infrastruktura mbeten sektorët kryesorë ku investitorët e huaj po fokusojnë kapitalin e tyre. Rritja e projekteve të energjisë së rinovueshme dhe investimet në rrjetin e transportit mund të kenë ndihmuar në këtë tendencë.

Por, përtej interpretimit pozitiv, ka një tjetër këndvështrim që nuk duhet injoruar.

Nëse investitorët e huaj nuk po dërgojnë fitimet e tyre jashtë vendit, kjo mund të tregojë edhe mungesën e alternativave më të mira për investim. Në një ekonomi ku sektorë të rinj inovativë janë të pazhvilluar, bizneset mund të zgjedhin të riinvestojnë fitimet sepse nuk kanë mundësi më të leverdishme jashtë ose brenda tregut shqiptar.

Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në këtë rritje është struktura e taksave. Nëse qeveria ka krijuar mekanizma që e bëjnë daljen e kapitalit më të kushtueshme, kompanitë mund të zgjedhin ta riinvestojnë atë për të shmangur humbjet nga politika tatimore.

Rritja e fitimeve të riinvestuara nuk është e njëjtë me ardhjen e investitorëve të rinj. Nëse kapitali i ri në ekonomi nuk po rritet (siç tregon edhe rënia e investimeve në kapital dhe aksione me -3.5%), atëherë kjo rritje mund të reflektojë thjesht rishpërndarje të kapitalit ekzistues, jo një zgjerim të vërtetë ekonomik.

Ndërsa rritja e fitimeve të riinvestuara është një indikator pozitiv për stabilitetin e bizneseve të huaja në Shqipëri, ajo nuk duhet parë si një garanci për një ekonomi të shëndetshme dhe dinamike. Nëse Shqipëria dëshiron të bëjë këtë rritje të qëndrueshme, duhet të sigurohet që investitorët e huaj po qëndrojnë për shkak të mundësive të mira dhe jo thjesht për mungesë alternativash.

Rritja e sektorëve të rinj, mbështetja për startup-et dhe krijimi i një mjedisi më të favorshëm për investime të reja duhet të jenë prioritet. Vetëm atëherë, fitimi i riinvestuar do të përkthehet në një zhvillim real dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

Instrumentet e borxhit tregojnë rikthim të besimit, por nevojitet kujdes nmenaxim.

Në vitin 2024, Shqipëria ka shënuar një rritje të rëndësishme në instrumentet e borxhit, duke kaluar nga një situatë me rrjedhje kapitali në vitin 2023 (-38 milionë euro) në një hyrje neto prej +23 milionë eurosh në vitin 2024, duke shënuar një ndryshim të konsiderueshëm prej +61 milionë eurosh. Ky përmirësim në instrumentet e borxhit është një sinjal i qartë i rikthimit të besimit të investitorëve në mundësitë e financimit për projekte me kapital të lartë, si ato të infrastrukturës dhe energjisë. Ky është një zhvillim i rëndësishëm, pasi mund të hapë mundësi për financimin e projekteve kyçe për zhvillimin e vendit.

Në vitin 2024, bankat dhe institucionet financiare kanë krijuar kushte më të favorshme për ofrimin e kredive, duke ulur normat e interesit dhe duke lehtësuar mundësitë për financimin e projekteve që kërkojnë kapital të lartë. Ky përmirësim i kushteve të huadhënies është një faktor kyç që ka ndihmuar në rritjen e investimeve në sektorët që kërkojnë kapital të madh, si ndërtimi dhe energjia.

Investitorët, sidomos ata që ofrojnë kredi për projekte infrastrukturore dhe energjetike, kanë shfaqur një besim të rritur në ekonominë shqiptare. Ky besim ka shpërthyer në një rritje të financimeve dhe kredive për projekte të rëndësishme, duke sjellë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës vendore.

Përmirësimi i kushteve për huadhënësit është gjithashtu i lidhur me një stabilitet të politikave fiskale dhe ekonomike në Shqipëri. Kur investitorët ndihen të sigurt për rregullat dhe politika ekonomike, ata janë më të gatshëm të ofrojnë financime dhe kredite për projekte afatgjata, veçanërisht në sektorët që kërkojnë një kapital të madh si infrastruktura dhe energjia.

Megjithatë, ky zhvillim i mundshëm për instrumentet e borxhit duhet të shikohet me kujdes. Rritja e borxhit mund të krijojë presione të mëdha nëse nuk menaxhohet në mënyrë të qëndrueshme. Ndërsa besimi për të ofruar kredi ka rritur mundësitë financiare, Shqipëria duhet të jetë shumë e kujdesshme për të siguruar që rritja e borxhit të jetë në përputhje me një strategji të mirë-kalkuluar për kthimin e investimeve. Pa një plan të qartë dhe të qëndrueshëm, borxhi mund të krijojë më shumë vështirësi për sistemin financiar dhe mund të rrezikojë balancën ekonomike në periudha afatmesme.

Nga gjithë sa analizojmë për investimet e huaja në dy vitet e fundit, duket se rritja është e brishtë dhe me sfida të mëdha.

Në aspektin pozitiv, rritja e fitimeve të riinvestuara (+6.2%) dhe përmirësimi i instrumenteve të borxhit sinjalizojnë një besim në rritje të investitorëve ekzistues. Ky besim, megjithatë, mund të jetë një rezultat i mungesës së alternativave të tjera më tërheqëse jashtë vendit, dhe jo domosdoshmërisht një tregues i përmirësimit thelbësor të klimës së investimeve në Shqipëri.

Nga ana tjetër, një sinjal paralajmërues është rënia e investimeve në kapital dhe aksione (-3.5%), një komponent kyç për krijimin e bizneseve të reja dhe diversifikimin e sektorëve ekonomikë. Kjo rënie nënvizon një pasiguri për startup-et dhe investimet në sektorë inovativë, duke e lënë ekonominë të varur kryesisht nga sektorë tradicionalë si energjia dhe infrastruktura.

Pavarësisht rritjes së përgjithshme të IHD-ve, Shqipëria përballet me disa sfida kyçe që mund të ngadalësojnë këtë trend pozitiv:

  • Mungesa e diversifikimit të sektorëve. Investimet mbeten të përqendruara kryesisht në energji dhe ndërtim, ndërsa sektorët e teknologjisë, prodhimit dhe shërbimeve me vlerë të shtuar mbeten të pazhvilluar.
  • Kostoja e lartë e prodhimit. Rritja e çmimeve të lëndëve të para dhe fuqisë punëtore ka bërë që investitorët të hezitojnë të hyjnë në sektorë të rinj, veçanërisht në prodhim dhe bujqësi.
  • Mungesa e politikave stimuluese për kapitalin e ri. Pa një strategji konkrete për tërheqjen e investimeve të reja, Shqipëria rrezikon të mbetet një treg që vetëm ruan investitorët ekzistues, por nuk arrin të sjellë lojtarë të rinj në ekonomi.

Nëse Shqipëria dëshiron që rritja e IHD-ve të mos mbetet një trend kalimtar, por të kthehet në një motor të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik, është e domosdoshme të adresohen disa çështje urgjente. Politikat që nxisin sipërmarrjen, rritja e mbështetjes për sektorët inovativë dhe përmirësimi i kushteve të tregut të punës duhet të jenë prioritete kryesore. Pa këto ndërhyrje, rritja e investimeve të huaja mund të rezultojë thjesht një iluzion stabiliteti, dhe jo një transformim real i ekonomisë shqiptare.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.