Integrimi ekonomik i Shqipërisë me tregun ballkanik dhe tregun e BE

Integrimi ekonomik i Shqipërisë me tregun ballkanik dhe tregun e BE

Integrimi ekonomik i Shqipërisë me tregun ballkanik dhe tregun e Bashkimit Europian (BE) është një aspekt kyç për zhvillimin ekonomik të vendit dhe arritjen e një rritjeje të qëndrueshme afatgjatë. Ky proces ka ndikim të drejtpërdrejtë në mundësitë e Shqipërisë për të rritur eksportet, tërhequr investime dhe forcuar pozitat në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Le të shqyrtojmë këtë çështje në dy drejtime kryesore: (a) integrimi me tregun ballkanik dhe (b) integrimi me tregun e BE.

a. Integrimi me Tregun Ballkanik.
Shqipëria ka arritur marrëveshje për Zona të Tregtisë së Lirë (CEFTA) me shtetet e tjera të Ballkanit, që lehtësojnë qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve. Ato ndihmojnë në zvogëlimin e tarifave doganore dhe barrierave teknike për eksportet dhe importet, duke stimuluar zhvillimin e sektorëve të ndryshëm.
Shqipëria po ashtu ka punuar në harmonizimin e legjislacionit të saj me atë të vendeve të tjera të Ballkanit dhe ka rritur bashkëpunimin në fusha të tilla si energjia, transporti dhe infrastruktura, që janë thelbësore për integrimin e tregut.
Tregu ballkanik përbën një mundësi të rëndësishme për Shqipërinë për të zgjeruar shkëmbimet tregtare dhe për të rritur investimet. Ky treg është i rëndësishëm për shkak të afërsisë gjeografike, marrëdhënieve historike dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor.
Tregu i Ballkanit Perëndimor përbën një mundësi për Shqipërinë për të diversifikuar eksportet dhe për të rritur tregtinë me vendet e tjera të rajonit, si: Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Një treg më i hapur mund të sjellë edhe mundësi më të mëdha për zhvillimin e sektorëve si industria, bujqësia dhe turizmi.

b. Integrimi me tregun e BE.
Integrimi i Shqipërisë në tregun e BE është një objektiv strategjik i politikës ekonomike të vendit, dhe ka një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin afatgjatë të ekonomisë shqiptare. Për këtë qëllim, Shqipëria ka filluar negociatat për anëtarësimin në BE dhe ka bërë hapa të rëndësishëm për të përmbushur kërkesat e integrimit.
Integrimi në një treg prej mbi 450 milionë konsumatorësh, natyrisht rrit mundësitë për eksportet e produkteve shqiptare, si dhe mundësitë për të importuar mallra me çmime konkurruese. Shqipëria mund ta shfrytëzojë avantazhin e tregut të përbashkët për të rritur konkurrencën dhe produktivitetin.
Një pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit është përmbushja e standardeve të BE, që përfshijnë rregullat e tregtisë, mbrojtjen e të drejtave të punës, mbrojtja e mjedisit dhe sundimi i ligjit. Këto reforma mund të sjellin përfitime afatgjata për Shqipërinë, si rritja e efikasitetit të administratës dhe përmirësimi i klimës së biznesit, duke tërhequr investime të huaja direkte (IHD).
Shqipëria përfiton mbështetje financiare nga BE përmes fondeve të integrimit dhe instrumenteve të tjera financiare që ndihmojnë në zhvillimin e infrastrukturës, rritjen e kapaciteteve administrative dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Kjo mbështetje është thelbësore për përshpejtimin e reformave dhe rritjen e konkurrencës së ekonomisë.

Si anëtar i ardhshëm i BE-së rreth viteve 2030, Shqipëria mund të përfitojë nga mundësia për të eksportuar punëtorë të kualifikuar në tregun e BE-së, duke siguruar mundësi më të mira për emigracion dhe angazhimin në tregje më të mëdha punësimi.
Ky integrim me dy tregjet kërkon që Shqipëria të përballet me konkurrencë të rritur, sidomos nga vendet më të zhvilluara të rajonit dhe të BE-së. Industria shqiptare mund të përballet me sfida për të mbajtur konkurrueshmërinë, por gjithashtu mund të shfrytëzojë mundësitë për të përmirësuar cilësinë dhe teknologjinë.

Për ta kuptuar më mirë në praktika konkrete nga vende që kanë ngjashmëri të caktuara me Shqipërinë, ne po përfshijmë nëpërmjet analizës përvojat e vendeve të tjera të rajonit, si Kroacia dhe Bullgaria, që kanë kaluar nëpër faza të ngjashme të integrimit.

Duke marrë shembuj nga këto vende, mund të identifikohen mundësitë dhe sfidat që Shqipëria mund të përballet gjatë këtij procesi.

Shembulli i Kroacisë.
Kroacia, si anëtar i BE që nga 2013, ofron një shembull të dobishëm për Shqipërinë në lidhje me përfitimet dhe sfidat e integrimit ekonomik. Pas anëtarësimit në BE, Kroacia ka arritur disa suksese të dukshme në fushat e investimeve, eksporteve dhe zhvillimit ekonomik, por gjithashtu ka përballuar disa vështirësi.
Pas anëtarësimit në BE, Kroacia ka parë një rritje të madhe të IHD-ve, pasi investitorët janë tërhequr nga mundësitë për të operuar në një treg të madh të Bashkimit Europian. Kjo ka përfshirë sektorë si turizmi, ndërtimi dhe industria. Në vitin 2019, IHD në Kroaci arritën një vlerë prej 2.3 miliardë eurosh, sipas Bankës Botërore.

Sektori i turizmit në Kroaci ka përfituar nga investimet e huaja, pasi anëtarësimi në BE ka lehtësuar lëvizjen e investitorëve dhe ka krijuar mundësi për zhvillim të shpejtë të infrastrukturës turistike. Ndërsa Shqipëria ka potencial të madh në këtë sektor, shembulli kroat tregon se një mundësi e tillë mund të shfrytëzohet më mirë pas integrimit në BE.
Por, të tu përshtatur me sfidat e integrimit në BE, Kroacisë ju nevojitën reformat dhe përshtatja me standardet e BE. Kroacia ka pasur nevojë të realizojë shumë reforma për t’u përshtatur me rregullat e BE-së. Kjo ka përfshirë reforma në fushat e administratës publike, drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Shqipëria gjithashtu ka nevojë për reforma të thella për të përmbushur kërkesat e BE për anëtarësim, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe transparencës.

Në vitin 2014, Kroacia kaloi një proces të gjatë dhe të dhimbshëm për të përmirësuar sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, që ishte një kusht për anëtarësimin në BE. Shqipëria ka pasur po ashtu sfida në këtë drejtim, dhe përmirësimi i sektorëve të drejtësisë dhe transparencës do të jetë një prioritet për të siguruar përfitime nga integrimi.

Shembulli i Bullgarisë.
Bullgaria, një tjetër vend i Ballkanit që u bashkua me BE-në në vitin 2007, ka përjetuar transformime të dukshme në ekonominë e saj pas integrimit. Ajo është një shembull për Shqipërinë në lidhje me ndikimin e integrimit në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e marrëdhënieve tregtare.
Pas integrimit në BE, Bullgaria ka rritur eksportet e saj, sidomos në sektorë si ushqimi, pije, kimikate dhe makineri. Bashkimi me BE-në ka hapur mundësi për eksportet bullgare në tregjet europiane, duke përfshirë edhe tregun gjerman dhe italian, që janë tregje kryesore për Bullgarinë.
Eksportet e Bullgarisë në vitin 2020 u rritën me 2.5% krahasuar me vitin 2019, dhe eksportet në BE përbëjnë më shumë se 60% të eksporteve totale të Bullgarisë. Shqipëria mund të shfrytëzojë mundësitë e ngjashme, sidomos në sektorët e bujqësisë dhe turizmit, për të rritur eksportet dhe diversifikuar tregjet e saj.
Po ashtu si në rastin e Kroacisë, edhe Bullgarisë ju desh të sfidonte realitetin ekonomik dhe politik për tu përshtatur me kërkesat dhe standartet e BE-së.

Si një nevojë parësore për Bullgarinë ishte zhvillimi i infrastrukturës dhe konkurenca e brendshme. Pas anëtarësimit në BE, Bullgaria ka pasur nevojë të zhvillojë më tej infrastrukturën e saj, veçanërisht rrugët dhe transportin hekurudhor. Bullgaria ka marrë financime të konsiderueshme nga fondet e BE për të zhvilluar infrastrukturën, por kjo ka kërkuar kohë dhe ka hasur në pengesa të natyrshme, siç janë kapacitetet administrative dhe mundësitë e menaxhimit të projekteve të mëdha.
Bullgaria ka investuar shumë në zhvillimin e rrugëve dhe hekurudhave që lidhen me vendet e tjera të BE-së, por me kosto të pranueshme për mundësitë buxhetore të saj. Shqipëria gjithashtu ka nevojë të investojë në infrastrukturën e saj, duke përfshirë rrugët dhe portet, për të përfituar nga mundësitë e tregtisë dhe investimeve që do të ofrohen pas integrimit në BE.

Shembujt e Kroacisë dhe Bullgarisë ofrojnë mësime të rëndësishme për Shqipërinë në lidhje me mundësitë dhe sfidat e integrimit ekonomik. Shqipëria mund të shfrytëzojë përvojat e këtyre vendeve për të përmirësuar politikat e saj ekonomike dhe për të rritur mundësitë e zhvillimit afatgjatë përmes integrimit në tregjet ballkanike dhe europiane. Kjo kërkon një angazhim të fortë për reforma dhe një përgatitje të mirë për të përmbushur kërkesat e BE-së dhe për të përmirësuar infrastrukturën dhe administratën e saj.

Përpjekjet integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE) janë një proces afatgjatë dhe i komplikuar që sjell mundësi të shumta për zhvillimin ekonomik, politik dhe social të vendit, por gjithashtu janë të shoqëruara me sfida dhe humbje të mundshme. Analizimi i përfitimeve dhe humbjeve është thelbësor për të kuptuar realitetin e këtij procesi dhe për të marrë vendime të informuara për të ardhmen.

Përfitimet nga Integrimi i Shqipërisë në BE janë të natyrës ekonomike, politike, sociale dhe teknologjike.
Mundësia për të pasur qasje në tregun më të madh të botës, me mbi 450 milionë konsumatorë, pa tarifa doganore dhe me barrierat tregtare të zvogëluara mund të sjellë një rritje të eksporteve, sidomos në sektorë si bujqësia, energjia dhe industria. Eksportet e Shqipërisë në BE mund të rriten, duke kontribuar në zhvillimin e sektorëve kyç ekonomikë. Pasi Shqipëria të integrohet në BE dhe në tregun ballkanik, do të ketë mundësi të rrisë konkurrencën në sektorët e saj të ekonomisë. Shqipëria mund të shfrytëzojë mundësitë për të zhvilluar sektorë të rinj dhe për të diversifikuar eksportet.
Kështu, p.sh. pas anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në BE, eksportet e këtyre vendeve u rritën ndjeshëm dhe sektori i ushqimit dhe pijeve shënoi përparim të madh, që është një mundësi e ngjashme për Shqipërinë nëse do të arrijë integrimin.

Integrimi në BE rrit besimin e investitorëve të huaj dhe i jep mundësi Shqipërisë për të tërhequr investime më të mëdha. Në veçanti, sektori i energjisë, ndërtimit dhe turizmit mund të përfitojnë nga këto investime.
Integrimi në BE kërkon reforma të thella në sistemin politik, gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit. Ky proces politik i filluar prej pak vitesh në Shqipëri pritet të forcojë institucionet demokratike dhe të rrisë besimin në shtetin e së drejtës, duke kontribuar në një klimë të shëndetshme për zhvillim.
Integrimi në BE kërkon investime të mëdha në infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe energjetike. Shqipëria pritet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së për të përmirësuar këtë infrastrukturë, duke lehtësuar kështu qarkullimin e mallrave dhe personave.

Por, ajo që vlen më shumë është fakti se prej pjesëmarrës në programet e BE-së për kërkim-shkencën dhe teknologjinë, Shqipëria mund të shfrytëzojë mundësitë për zhvillim të teknologjive të reja dhe përmirësimin e kapaciteteve teknologjike, që do të ndihmojnë në zhvillimin e industrive të avancuara.

Natyrisht përveç përfitimeve, Shqipëria pritet që edhe të synojë për të minimizuar humbjet që vijnë nga procesi i integrimit, të natyrës ekonomike, fiskale, politike, kulturore, demografike e sociale.

Pjesëmarrja në tregun e BE-së do të thotë që Shqipëria do të përballet me konkurencën e fortë nga vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian. Kjo mund të dëmtojë disa aktivitete vendase që nuk janë ende të zhvilluara dhe nuk mund të përballojnë konkurrencën.

Shembull konkret janë Rumania dhe Bullgaria, të cilat pas anëtarësimit të tyre në BE disa industri, si: bujqësia përballuan vështirësi për shkak të konkurrencës më të fortë nga vendet e tjera të BE-së, që ofronin produkte më të lira dhe më cilësore.

Shqipëria mund të përballet me nevojën për të rritur shpenzimet publike për të përmbushur standardet e BE-së, sidomos në fushën e mbrojtjes sociale, shëndetësisë dhe arsimit, që mund të shkaktojë presion fiskal.
Integrimi në BE do të kërkojë harmonizimin e politikave dhe ligjeve shqiptare me ato të BE-së, që mund të kufizojnë mundësitë për Shqipërinë për të zbatuar politikat e saj kombëtare në disa fusha, si bujqësia, zhvillimi rajonal dhe subvencionet.

Integrimi në BE mund të rrisë mundësitë për emigracion, sidomos për punëtorët e kualifikuar dhe studentët, të cilët mund të shohin mundësi më të mira jashtë Shqipërisë. Ky fenomen mund të shkaktojë “brain drain” (shpërngulje të trurit), duke humbur talente dhe burime të vlefshme për zhvillimin e vendit, megjithëse kjo po ndodh me ritme të larta qysh përpara integrimit të plotë të Shqipërisë.

Si anëtar i BE-së, Shqipëria do të jetë e detyruar të pranojë disa rregulla dhe politika të Bashkimit Europian, që mund të kufizojnë lirinë e saj në disa fusha, si në fushën e politikës ekonomike, të energjisë dhe të politikave të jashtme.

Në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, janë disa praktika të gabuara që duhet të shmangen, pasi mund të pengojnë përparimin dhe e bëjnë procesin më të vështirë.

Këto praktika lidhen me vonesa në reformat, mungesë angazhimi të vërtetë për ndryshime strukturore dhe mungesë transparence dhe llogaridhënie. Ja disa nga praktikat kryesore që duhet të shmangen:

Së pari mungesa e vullnetit politik për reforma të thella është një drejtim i gabuar, i cili i ka kushtuar integrimit më të shpejtë të vendit.

Shumë herë, politikanët shqiptarë kanë bërë përpjekje të ngadalta për të implementuar reforma të thella, sidomos në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Vonimi i reformave kyçe për shkak të interesave të ngushta politike apo përfitimeve personale është një praktikë e gabuar që e pengon Shqipërinë të avancojë në procesin e integrimit.
Shumë herë, janë krijuar vonesa të mëdha në miratimin e ligjeve të nevojshme për sundimin e ligjit ose kanë qenë të paplota implementimet e reformave të nevojshme, duke përfshirë ato që lidhen me sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.
Kjo praktikë i dëmton besimin në institucionet e shtetit dhe shkakton humbjen e mundësive për zhvillim dhe përmbushjen e kushteve të BE-së. Shkeljet e ligjit dhe vonesat në implementimin e reformave i japin përshtypjen se Shqipëria nuk është plotësisht e angazhuar për integrimin në BE.

Së dyti është politizimi i institucioneve të pavarura. Politizimi i institucioneve të pavarura si: gjyqësori, agjencitë e luftës kundër korrupsionit dhe institucionet e mbikëqyrjes fiskale ka qenë një praktikë e zakonshme në Shqipëri, që ka zvogëluar pavarësinë e këtyre institucioneve dhe ka krijuar një klimë të pasigurisë ligjore.
Kjo është parë në praktikat e emërimeve politike të gjyqtarëve dhe prokurorëve pa ndjekur procesin e vetingut dhe pastrimit të sistemit gjyqësor, si dhe në shpërndarjen e pozitave në administratën publike bazuar në patronazhin politik.
Kur institucione kyçe bëhen të varura nga qeveria ose forcat politike, ato humbasin besueshmërinë dhe efektivitetin e tyre. Kjo gjithashtu dëmton imazhin e Shqipërisë në raport me BE-në dhe nuk ndihmon në forcimin e shtetit të së drejtës, një kërkesë kyçe për anëtarësimin në BE.

Së treti është moszbatimi i ligjeve dhe politikave të adoptuara nga BE. Adoptimi i ligjeve dhe politikave që janë në përputhje me BE-në është një hap i rëndësishëm, por moszbatimi i këtyre ligjeve është një problem tjetër i madh. Shqipëria duhet të sigurojë që ligjet të implementohen në mënyrë efikase dhe të monitorohen nga mekanizma të pavarur.
Ka pasur raste ku ligje të rëndësishme për mjedisin, drejtësinë ose energjinë janë miratuar, por nuk janë zbatuar siç duhet, duke krijuar pasiguri dhe papërgjegjshmëri në administratën shtetërore.
Dështimi në zbatimin e ligjeve krijon një mjedis të pasigurt dhe rrit perceptimin e korrupsionit dhe të paefikasitetit të administratës. Ky fenomen i dobëson përpjekjet e Shqipërisë për të arritur standardet e BE-së.

Së katërti është mungesa e transparencës dhe llogaridhënies. Mungesa e transparencës në proceset e vendimmarrjes, shpërndarjen e burimeve financiare dhe projektet zhvillimore është një praktikë e dëmshme për procesin e integrimit. Po ashtu, mungesa e mekanizmave të fortë të llogaridhënies për zyrtarët publikë dhe politikanët e lartë është një tjetër praktikë që pengon progresin.
Ka mjaft raste ku tenderat publikë jepen pa proces transparent, ose ku burimet shtetërore janë përdorur për interesat personale ose politike.
Transparenca është një nga kërkesat themelore të BE-së për integrimin e vendeve. Pa transparencë, është e pamundur të ndërtohet besimi te qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë, dhe kjo i jep mundësi korrupsionit dhe abuzimit me pozitat e pushtetit.

Së pesti është dështimi në modelin e një ekonomie të qëndrueshme dhe pro biznesit. : Dështimi në zhvillimin e një strategjie të qëndrueshme për përmirësimin e klimës së biznesit dhe për të tërhequr investime të huaja mund të përkeqësojë zhvillimin ekonomik të vendit. Disa praktika, si pabarazia e theksuar midis rajoneve dhe ngadalësimi i privatizimeve dhe modernizimit të industrisë, mund të pengojnë zhvillimin ekonomik.
Dështimet në privatizimet e sektorëve publikë efektivë dhe mungesa e investimeve strategjike në infrastrukturë dhe sektorë strategjikë kanë vonuar procesin e zhvillimit ekonomik dhe kanë ndikuar në konkurrueshmërinë e Shqipërisë.

Shqipëria ka nevojë për një strategji të mirë të zhvillimit për të përmbushur objektivat e integrimit ekonomik me BE-në, dhe të shfrytëzojë mundësitë e ofruara nga tregu i përbashkët i BE-së. Të mos i japësh vëmendje zhvillimit ekonomik dhe modernizimit të industrisë do të pengojë krijimin e mundësive të punës dhe rritjen ekonomike.

Së gjashti janë përpjekjet për “Shfaqje” të reformave pa thellësi, apo reformave dritëshkurtra. Angazhimi në reforma të shpejta dhe pa thellësi për të krijuar një pamje pozitive për partnerët ndërkombëtarë është një praktikë e gabuar. Kjo mund të çojë në ndërmarrjen e ndryshimeve që janë formale dhe të pamjaftueshme për të ndikuar realisht në përmirësimin e sistemeve dhe institucioneve të vendit.
Ka pasur raste ku reforma të rëndësishme që janë përshpejtuar për qëllime politike, por nuk janë zbatuar ose janë përfunduar pa krijuar impaktin e nevojshëm.
Reforma të tilla, të cilat janë vetëm në sipërfaqe, i japin përshtypjen se Shqipëria po përpiqet të plotësojë formalitetet pa një angazhim të vërtetë për ndryshime të qëndrueshme dhe të thella. Kjo mund të ndikojë negativisht në procesin e pranimit të Shqipërisë në BE.

Shmangia e këtyre praktikave është kyçe për të ndihmuar Shqipërinë të arrijë qëllimet e saj të integrimit dhe të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme dhe të suksesshme brenda Bashkimit Europian.
Në fund mund të përmbledhim komentet sa më lart, se me integrimin në BE, Shqipëria mund të përfitojë nga standardet e BE-së për të përmirësuar kushtet e jetesës për qytetarët e saj. Pavarësisht sfidave të integrimit, përfitimet mund të jenë të dukshme për qytetarët dhe bizneset.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.