Informaliteti, korrupsioni, konsensualiteti

Informaliteti, korrupsioni, konsensualiteti

Informaliteti, korrupsioni, konsensualiteti

Ekonomia joformale vepron si një frenues i qëndrueshmërisë ekonomike. Arsyeja pse e përmendim lidhet me faktin, që qeveria dhe gjithë politikëbërësit duhet realisht të organizohen si front i madh me objektiva të arritshme. Kjo është puna dhe përgjegjësia e gjithë faktorit politik dhe jo fjalët. Janë ata që duhet të gjejnë dhe adresojnë zgjidhjet për problemet e mbartura dhe ato të reja të informalitetit, që në fund të fundit është pasojë e mangësive strukturore sistemike të ekonomisë shqiptare.

Investimet në infrastrukturën për rritje të novacionit teknologjik,  edukimi dhe kulturimi i taksapaguesve janë çelësat jetikë që mund të hapin “dyer” të reja në shfrytëzimin e ekonomisë joformale për rritjen ekonomike.  Megjithëse rritja ekonomike është një funksion i akumulimit të kapitalit dhe përparimit në teknologji, njohja e teknologjisë dhe përdorimi masiv i saj veprojnë si një kontribut i mangët, pasi informaliteti kërkon të luftohet me shumë më tepër se këto masa që janë angazhuar deri më sot.  Kufizimi dhe izolimi i përhapjes së ekonomisë joformale nuk duhet perceptuar si një luftë e veçuar, e tillë që mundet të funksionojë e shkëputur nga konteksti i përgjithshëm dhe historiku i të bërit ekonomi në këto 30 vite. Lufta ndaj informalitetit është edhe luftë ndaj korrupsionit, ndaj pabarazisë sociale dhe ndaj mentalitetit për moszbatimin e ligjeve.

Në këtë këndvështrim, kuptimi i nxitësve dhe pasojave të informalitetit është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe gjithëpërfshirës. Madhësia e informalitetit ndikon në mënyrë kritike me mënyrën se si zhvillohet shpejt dhe cilësisht ekonomia e vendit, se sa shpejt mundet të reduktohet varfëria dhe pabarazia sociale, ku një peshë të qenësishme në këtë të fundit mban edhe pabarazia gjinore.

Ndërsa një pjesë e larmishme individësh dhe biznesesh veprojnë informalisht, pjesa kryesore e të gjithë investimeve dhe të ardhurave të tyre janë në terren të pasigurt, jo përmes zgjedhjes, por për shkak të mungesës së mundësive në sektorin formal. Kjo ka patur dhe vijon të ketë pasoja të rëndësishme ekonomike në ecjen e çrregullt të vendit drejt ekonomisë konkurruese dhe punës së denjë për të mirëpritur investime serioze dhe në funksion të qëndrueshmërisë së ekonomisë formale.

Por, në fakt është realisht keq problemi i informalitetit apo është i orientuar keq parashtrimi i mendimeve dhe komenteve nga ana jonë?

Nisur nga konkluzionet dhe analizat e shumë studiuesve dhe specialistëve të ekonomisë dhe fiskalitetit, në Shqipëri ka segmente aktivitetesh dhe të ardhura individësh që janë peng i ekonomisë joformale.

Në rastet e aksioneve të qeverisë (me seri apo sezonalë) ato janë kufizuar përkohësisht, por çdo herë kanë tendencë që të gjallërohen duke shfrytëzuar terrenin e vështirë të moszbatimit të ligjit në të cilin çapitet ekonomia jonë.

Bizneset e vogla, që kanë në boshtin e veprimtarisë së tyre informalitetin duket se kanë tendencë të mbeten të vogla dhe për vite të tëra pas 2021, duke ruajtur produktivitetin e ulët dhe qasjen e kufizuar në atë treg të brendshëm financiar që ka problemet e veta të egzistencës dhe konsolidimit drejt të ardhmes. Gjithashtu, bizneset e vogla duket se nuk po kontribuojnë në bazën e tatimeve më kryesore, më së shumti për shkak të politikës fiskale të lëvizshme me administrimin e çorientuar dhe që ecin sipas modelit “tjetër shkruhet e tjetër kërkohet” duke privuar në fakt vetveten (qeverinë) për të ofruar shpejt dhe efektivisht ato shërbime bazë që u nevojiten qytetarëve në përgjithësi. Politika fiskale pak efektive ka ndjekur parimin e marrjes borxh në vend të rritjes cilësore të nivelit të administrimit fiskal (rritjes së nivelit të arkëtimeve nga kufizimi i informalitetit dhe mundësisë për të bërë evazion lehtësisht).

Punonjësit e pakualifikuar të aktiviteteve joformale ka më shumë gjasa të vijojnë të jenë pjesë e një standarti jetese afër nivelit të varfërisë dhe si duket ende nuk ka një vizion se si ata të fitojnë paga më të larta, përtej premtimit për rritje të pagës minimale. Punonjësve në Shqipëri u mungon mbrojtja sociale e denjë për të jetuar si qytetarë të lirë dhe mundësitë për të ndryshuar kjo situatë nuk duket se shkojnë përtej disa politikave, që e kanë ndikimin jo më shumë se çfarë kemi përjetuar gjithë këto vite.

Informaliteti ende nuk kuptohet se ka një lidhje të afërt me pabarazinë gjinore. Në nivel kombëtar, duket se pjesa dërrmuese e grave të punësuara punojnë në sektorin joformal (përfshirë edhe sektorin e bujqësisë) dhe ka gjasa të vijojnë të jenë në kategoritë më të pasigurta dhe me pagat më të ulëta të punësimit joformal.

Edhe pse ka mjaftueshëm fakte dhe argumente për të shpalosur gjithë panoramën që paraqet informalitetin, ne mendojmë se interesi duhet të jetë te zgjidhja dhe adresimi i drejtë i kësaj situate.

Një qasje e ekuilibruar, pa kapërcime etapash dhe me synime të qarta dhe të arritshme është vendimtare në adresimin e ekonomisë joformale. Aktualisht programet e administrimit të evazionit fiskal duhet të jenë qëllimi kryesor përtej realizimit të ligjit të buxhetit për të ardhurat fiskale. Është shumë e rëndësishme për politikën fiskale, që nëpërmjet administrimit të ndikojë për të rritur barazinë dhe konkurencën e ndershme, si një zonë kritike për rritjen e sigurisë kombëtare për qindra mijëra njerëzve.

Është e rëndësishme që politikëbërësit të përqëndrohen në përzgjedhjen e detajeve të nevojshme për zbatimin e politikave të duhura duke kolauduar mbivendosjet dhe modelet e panevojshme për tregun shqiptar, qoftë këto të orientuara edhe nga FMN, për sa kohë ato nuk i shërbejnë qëllimit kryesor.

Ajo që tashmë ka nevojë ekonomia formale është që të ndihmohet të fitojë terren të ri duke zvogëluar informalitetin, me objektiva gradualë, të realizueshëm dhe të matshëm lehtësisht (hapa të vegjël, por të sigurtë për të mos u rikthyer përsëri). Në këtë drejtim nevojitet që qeveria në bashkëveprim me opozitarët e interesuar dhe gjithë rrjetin e specialistëve dhe biznesit formal të trajtojnë nxitësit e informalitetit në vend, përfshirë përjashtimin fiskal dhe stimujt për individët dhe bizneset që veprojnë në mënyrë informale.

Sulmet ndaj sektorit informal, pa analizuar dimensionet e tij, pa koordinim dhe plan të qartë kombëtar nuk janë përgjigja dhe janë e kundërta e mesazhit që ne po përpiqemi të përcjellim me komentet tona.

Përkundrazi, politikat që janë gjetur të jenë efektive përfshijnë parimin e gjithpërfshirjes në konsensusin politik me investime afatgjata për të siguruar qasje të barabartë në edukimin cilësor për të rinjtë dhe të rejat, duke shfrytëzuar fleksibilitetin e kapitaleve me reformën dixhitale, si dhe vendosjen e masave të vlefshme për të përmirësuar mjedisin e biznesit. Masat specifike përfshijnë thjeshtimin e kërkesave rregullatore për bizneset e reja, sistem të thjeshtë tatimor pa taksën e korrupsionit duke përfshirë dhe reformën e tregut të punës.

Fiskalizimi apo nisma të ngjashme teknologjike, pa u bërë pjesë e kontekstit nuk munden të kenë efekte të qëndrueshme dhe afatgjata në formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e kontributit buxhetor. Po ashtu veprime të pastudiuara/paorganizuara dhe të bazuara mbi modelin e aksionit janë shpërdorim i kohës dhe burimeve, por nuk nuk mund ta ndryshojnë status quo-në e informalitetit, pasi janë të pamjaftueshme, përveçse ftojnë edhe korrupsionin si aleat të tij.

Në gjithë këtë dekadë të fundit është ecur dy hapa mbrapa dhe një hap përpara në drejtim të uljes së informalitetit dhe për këtë nuk ka koment. Mjaft të interesoheni për të analizuar (krahasuar) të dhënat mbi nivelin e jetesës, borxhin publik dhe barrën fiskale dhe do kuptojë secili se sa kohë ka shkuar kot duke mos përfituar as minimumin e mundshëm që është detyrim dhe përgjegjësi e secilit politikan që ka drejtuar një institucion publik.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: