Indekset e çmimeve dhe riformatimi i partneritetit ekonomik

Indekset e çmimeve dhe riformatimi i partneritetit ekonomik

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit (IÇP) ashtu edhe Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK) janë tregues ekonomikë që llogaritin ndryshimin në çmimin e një grupi mallrash dhe shërbimesh. IÇP tregon diferencën e çmimeve të produkteve në pikën e parë të shitjes pas prodhimit, ndërsa IÇK tregon ndryshimin e nivelit të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të përdorura nga konsumatorët me pakicë për konsum personal.

Në bazë të kësaj lidhje që kanë mes njera -tjetrës, dy indekset janë të varur me tregun/ekonominë në tërësi, për shkak se IÇP përfshin ndryshime në çmimet për mallrat dhe shërbimet në të gjithë zinxhirin e prodhimit, ku reflektohen jo vetëm rritjet në çmimet me pakicë, por edhe rritjet në kostot e lëndëve të para.

Kur prodhuesit përballen me kosto të shtuara të lëndëve të para, ata shpesh zgjedhin t’i kalojnë ato tek klientët në formën e rritjes së çmimeve. Në një rast të tillë, kjo rritje e çmimeve të prodhimit lidhet me çmime më të larta për konsumin.

Pra, IÇK përfshin çmimet e paguara nga konsumatorët për mallrat dhe shërbimet e importuara, ndërsa IÇP përfshin çmimet nga prodhuesit vendas.

Në tabelën më poshtë jepen të dhënat për tre tregues të çmimeve për të njëjtat mallra dhe produkte, (a) në import, (b) në prodhim, (c) në tregun me pakicë.

Kjo përmbledhje krahasuese mes dy periudhave e niveleve treguese në kolonat më poshtë paraqet linjën e zinxhirit të çmimit nga momenti i hyrjes së tyre me shumicë, ku një pjesë e tyre shkon si lëndë e parë për prodhim për tu shitur në tregun vendas dhe çmimet që prezantohen në tregun me pakicë.

Tremujori I 2024/2023
Ndryshimi çmimeve Çmime

Importi

IÇPIÇK
Gjithsej-2.13.52.6
Industria Përpunuese-2.01.22.6
Produkte ushqimore-2.94.52.8
Prodhimi i pijeve1.24.62.9
Produkte të duhanit-4.44.84.4
Veshje-4.20.13.9
Paisje elektrike-0.20.73.9
Mobilje-1.82.83.4
Energji, ajër i kondicionuar-3.710.5-0.3
Furnizimi me ujë-1.60.22.2

Në rastin e tabelës krahasuese mes çmimeve të importit, të prodhimit dhe të konsumit, për tremujorin e parë 2024 i krahasuar me tremujorin e parë 2023 sqarojmë se:

  • kemi rritje të IÇP,
  • çmimet e mallrave të importuara janë me rënie,
  • atëherë tregu duhet të prezantojë çmime konsumi me rritje më të ulët se çmimet e prodhimit, ose nuk do të kishte rritje.

Në këtë arsyetim nevojitet të shtohen edhe çmimi i fuqisë punëtore, e cila është rritur për të njëjtat periudha krahasuese me 13.8% në total. Ndërkohë, për prodhimet bujqësore dhe industrinë e manifakturën është rritur me 12.9%.

Edhe taksat dhe tatimet në tremujorin e parë 2024 janë rritur deri në 12% për taksat e punës (tatami mbi pagën dhe kontributet), si dhe rritja e tatimit të fitimit mesatarisht me të paktën 4% në krahasim me tremujorin e parë 2023.

Natyrisht, që në rritjen e peshës mesatare tatimore ka një zbritje të efektit të tyre për arsye të informalitetit present në 1/3 e ekonomisë, që kuptohet me një zbatim jo të plotë të efekteve të llogaritura si më sipër.

Nga treguesit e tabelës, shikojmë se kjo tendencë nuk ka funksionuar dhe pasqyrohet sipas ngjyrave konvencionale, ku me të kuqe janë ato që shihen se nuk përkojnë me arsyetimin tonë dhe me jeshile janë ato që duken se janë në logjikën e pranueshme.

Arsyetimi i parë bazohet te niveli i mbulimit të zërave që përbëjnë indekset. Kështu, IÇP si një indeks shumë i gjerë (pasi përfshin mallra dhe shërbime nga i gjithë një zinxhir prodhimi, duke përfshirë lëndët e para, prodhimin ndërmjetës dhe shitjet me pakicë) nuk përputhet në masë të plotë me IÇK, i cili pasqyron çmimet e paguara nga konsumatorët për një shporte fikse mallrash dhe shërbimesh, përfshirë importet.

Për këtë arsye në këtë krahasim, ne kemi vendosur edhe çmimet e importit për të njëjtët mallra dhe prodhime.

Në vijim të logjikës së bazuar mbi arsyetimin si më lart, tregu ka reaguar në mënyrë të ndryshme për gjithë prodhimet e industrisë përpunuese si mesatare, por me dallime për disa prodhime të caktuara që kanë ndikuar në këtë tendencë jo sipas logjikës që përmendëm më lart.

Le të marrim një rast, për të shpjeguar dinamikën që ka shoqëruar çmimin nga importi te konsumatori.

Prodhimet ushqimore kanë një rënie të çmimeve të importit në 2024 me 2023 me 2.9% (tremujor me tremujor), por kanë një rritje të çmimeve të prodhimit me 4.5% dhe një çmime me pakicë 2.8% më të larta. Pra, në një masë të dukshme edhe pse rritja e çmimeve të pakicës është me e ulët se ajo e prodhimit, ndikimi i importit është përthithur në këtë rast nga prodhimi dhe tregtimi.

Sqarimi për rastin më lart është i vlefshëm edhe për rastet e tjera, pavarësisht se një analizë më e detajuar do të jepte arsyetim më të plotë dhe më shterues.

Gjithsesi, këto dallime ekzistojnë sepse indekset synojnë të tregojnë aspekte të ndryshme të aktivitetit ekonomik. Indeksi i çmimeve të prodhimit është tregues i rritjes reale edhe pse nuk i justifikon brenda vetes burimet e fryra të të ardhurave. Ndërkohë, ajo që ne duam të përdorim në logjikën e këtij krahasimi është se çmimet e konsumit, që bazohen mbi dy indekset treguese më lart (çmimet e importit dhe çmimet e prodhimit) na jep një kuptim paraprak mbi ndryshimet në koston e jetesës duke kuptuar se ku duhet ndërhyrë për të kalibruar burimet e të ardhurave dhe shpenzimeve.

Në mbyllje të këtij arsyetimi mbi treguesit e indekseve për tremujorët e parë 2024 dhe 2023, ne mendojmë se, nëse çmimet e ngarkuara nga prodhuesit për mallrat dhe shërbimet do të rriten, atëherë do të rriten edhe çmimet e paguara nga konsumatorët edhe pse jo në çdo rast mund të ndodhë kjo tendencë e çmimeve.

Të motivuar nga faktet, ku një rol dominues kanë mallrat dhe lëndët e para të importuara duke përcjellë goditjet e kursit të këmbimit në çmimet e brendshme, analiza sugjeron gjithashtu se në inputet e importuara bartja e kostos në çmimet e prodhimit vendas është në nivelet më të ulta historike në dekadat e fundit.

Në këtë proces, ne shikojmë se një pjesë e prodhimeve vendase në një linjë vijuese të çmimeve kanë një fryrje të vlerës që prezantohet në tregun me pakicë, e cila vjen si për arsye të mungesës së kontrollit në të gjithë zinxhirin e krijimit të vlerës së shtuar, por ndihmohet në masë dominuese nga niveli i informalitetit që ndërpret gjurmimin e kostos reale përgjatë gjithë zinxhirit të qarkullimit.

Është e qartë se variabli efektiv i kostos së punës për secilin stad të zinxhirit luan ndonjë rol në këto periudha krahasuese, duke reflektuar masa të cilat janë reflektuar në pjesë të madhe në bizneset me formalizim të lartë.

Së dyti, ne vërejmë se koeficientët e përçuar të kostos së vlerësuar nga tatimet dhe taksat në rritje në 2024 (përfshirë edhe kostot e taksës së korrupsionit) priren të jenë më pak të dukshme në statistikat zyrtare. Por, duhet përmendur se shkalla e përçimit të kostos afatshkurtër nga këto kosto tatimore është me një nivel deri 90% në shumicën e bizneseve formale duke u ulur në periudhat në vijim për shkak të përthithjes nga gjithë zinxhiri i vlerës së mallrave dhe produkteve, që përfshijnë edhe kosto të tjera që lidhen me furnitorë shërbimesh dhe shpenzime të tjera.

Nga ajo që kuptohet me tendencën ndikuese të çmimeve të importit në çmimet e prodhueseve dhe direkt në treg është në dy vitet e fundit edhe efekti i destabilizimit të kursit të këmbimit dhe pasigurive të lidhura me tregun dhe ekonominë pjesërisht të lirë dhe me ndërhyrje të vazhdueshme nga qeveria dhe paraja informale e toleruar nga paaftësia apo kapja e institucioneve.

Në këtë analizë të shkurtër jo shteruese lidhur me ndikimet e faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm në kostot e prodhimit dhe në çmimet e konsumit barra mbetet për tu adresuar nga institucionet dhe nga dialogu me aktorët e tregut për të përçuar një frymë të re besimi dhe reciprociteti, apo thënë ndryshe një marrëveshje e re partneriteti ekonomik.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: