Gjirokastër – Ekonomia dhe numri i aktiviteteve tregojnë për një status quo në 2021
Në lidhje me zhvillimin ekonomik vendor bazuar te numri i bizneseve të tregut privat, të dhënat tregojnë për një status quo të numrit të aktiviteteve në 2021[1] (4.841 biznese që operojnë në qark) krahasuar me 4 vite më parë (4.847 biznese që operonin në qark). Nga krahasimi duket se ka një rritje të bizneseve pjesëmarrëse në ekonomi, por me dominancë bizneset e vogla kryesisht për tregti me pakicë dhe shërbime me qëllim garantimin e një të ardhure në nivele të mbijetesës, pasi vetë qarkullimi tyre rezulton të jetë në shumicën e bizneseve në nivele deri 2 milionë lekë në vit. Nga ana tjetër papunësia duket se është ulur për arsye të aktivitetit ekonomik privat jo dinamik, ku hapja dhe mbyllja e aktiviteve tregon për një paqëndrueshmëri dhe mungesë sigurie në treg, me efekte tkurrje edhe në arkëtimin e të ardhurave vendore të buxhetit 2021.
Nga monitorimi i buxhetit faktik 2021 duket se të ardhurat e munguara tregojnë për një numër biznesesh në rritje me borxhe tatimore. Kjo duket si një arsye e fortë për paqëndrueshmërinë në kohë të jetëgjatësisë së bizneseve në treg, apo ndryshe një dinamizëm i ulët i ekonomisë vendore, që konstatohet edhe me numrin e ulët të bizneseve për popullsinë (1 biznes per 25 banore).
Rreth 30% e bizneseve në qark ndodhen në bashkinë e Gjirokastrës (1.401 aktivitete), të cilët janë të kategorisë së të vetëpunësuarve me punëmarrës familjarë dhe rreth 82 % e tyre kanë të punësuar vetëm një punonjës. Shumica e sipërmarrjeve zhvillojnë aktivitet në fushën e tregtisë, prodhimeve artizanale dhe industriale dhe vetëm një pakicë e tyre në shërbime. Numri i familjeve që përfshihen në skemën e detyrimeve fiskale të Bashkisë Gjirokastër është 8,598 familje
Sektorët më të rëndësishëm janë: bujqësia dhe blegtoria, tregtia, hoteleria dhe restorantet, transporti dhe komunikimi të cilët përbëjnë rreth 77% të numrit total të subjekteve që ushtrojnë aktivitet ekonomik në bashki.
Pesha më e madhe e PBB-së vjen nga bujqësia (29.1% në vitin 2020) dhe ekonomia bujqësore dominohet kryesisht nga aktivitetet bujqësore të vogla, të cilat janë biznese familjare, por të paregjistruara si aktivitete formale (bazuar te numri formal i bizneseve që prezantohen nga Relacioni Buxhetit Bashkisë). Gjatë viteve të fundit, pesha e bujqësisë në ekonomi është rritur pak, me vetëm 0.7% dhe kjo tregon për një largim të fuqisë punëtore dhe investimeve nga bujqësia, blegtoria dhe pylltaria, pavarësisht Planit të zhvillimit që ka synuar orientim turistik dhe një jetë cilësore të qytetarëve.
Ndër produktet bujqësore më të rëndësishme për sa i përket prodhimit janë foragjeret (47.4 mijë tonë/vit), perimet (1.6 mijë tonë/vit) dhe rrushi (3 mijë tonë/vit). Rritje të mëdha ka në numrin e pemëve frutore dhe rrënjëve të vreshtarisë. Prodhimet dhe përpunimi i produkteve tradicionale tashmë konstatohet se është një aktivitet i harruar, megjithë aktivitetet e herëpashershme që zhvillohen për nxitje dhe gjallërim të ekonomisë së dikurshme bazuar te prodhimet bujqësore dhe blegtorale në Gjirokastër[2] dhe mundësitë për zhvillim dhe garantimin e vlerës së shtuar në ekonominë vendore.
Realiteti ekonomik dhe demografik në dinamikën e tij ka sjellë një ndryshim edhe në strukturimin e biznesit, kryesisht për bizneset e reja, si dhe duke u shoqëruar dhe me pezullime apo mbyllje aktiviteti.
Objektivat e politikës edukimit profesional duhet të bazohet në aftësimin dhe përdorimin e novacionit digjital, por të bashkërenduar me kërkesat e biznesit vendor dhe kombëtar. Pikat e tjera kryesore, i cili do të rrisë mundësinë e arsimimit në mënyrë që asnjë nxënës të mos mbetet pas në teknologji është edhe qasja politike vendore që në një komunikim me qeverisjen qendrore të kërkojë realisht projekte në programet e saj buxhetore dhe politika të veçanta që duhet të miratojë , që të kuptojë se çfarë roli do të luajë digjitalizimi në edukimin e brezit të ri, por edhe në stimulimin e investimeve fillestare duke kërkuar edhe ndryshimet e transfertës për këto raste. Pandemia ka theksuar thellimin e ndarjes digjitale në vend.
Nevojitet puna e vazhdueshme për të siguruar aksesin, pajisjet dhe infrastrukturën për të siguruar që çdo fëmijë dhe i ri mund të mësojë dhe të zhvillojë me sukses, qoftë në shtëpitë e tyre apo në shkollë. Në këtë qasje, ekspertiza dhe kontributi i OSHC-ve të specializuara mund të jetë nisja e parë e një projekti pilot, për gjallërimin e jetës së të rinjve, por mbi të gjitha për të formësuar karrierat digjitale për të ardhmen.
Për këtë programet që kanë filluar të investohen nga donatorë dhe buxhete vendore si ai i Tiranës, në koordinim me qeverinë shqiptare duhet të jenë shembull për tu fokusuar që të programohet dhe të kërkohet një nivel bazë i arsimimit dixhital për të jetuar dhe punuar në një botë dixhitale.
Vini re! Në këtë mes vlen të bëhen përpjekje partneriteti programesh me investitorë strategjikë vendas dhe të huaj, për të promovuar vlerat më të mira me sa më shumë vlera të shtuara, bazuar te përfshirja e profesionistëve vendas
Një ndërthurje edhe me bizneset vendore për këtë qëllim do të ishte një përdorim me vlerë i burimeve në dispozicion bazuar mbi programe të bashkërenduara dhe që kanë në themel të tyre interest mes palëve.
Bizneset janë pjesa që përkrahet nga bashkia nëpërmjet politikave nxitëse dhe stimuluese, ndërsa studentët janë pjesa që vlen për të parandaluar migrimin, por edhe për të garantuar që vlera e shtuar për të ardhmen të jetë më e garantuar.
Ndërkohë ne pyetëm publikun e Gjirokastrës lidhur me shërbimet e bashkisë dhe si e perceptojnë ata këtë nga jeta e tyre e përditshme.
Sipas anketimit të ALTAX lidhur me pyetjen:
“Tregoni përshtypjen tuaj aktuale për cilësinë e shërbimit nga Bashkia” lidhur me konfirmimin nëse “Punonjësit e bashkisë kanë njohuri”, 46% nuk e konfirmuan këtë, 25% u përgjigjën “Deri diku” dhe 29% konfirmuan këtë pyetje.
Në pyetjen tjetër që u drejtuam “Nëse ka punonjës që ju kushtojnë vëmendje?” 46% nuk e konfirmuan këtë, 35% u përgjigjën “Deri diku” dhe 19% e konfirmuan këtë pyetje.
Kur i kërkuam publikut që pyetëm të na përgjigjen mbi përvojën e tyre nëse “Punonjësit e Bashkisë janë gjithmonë të gatshëm të na ndihmojnë”, 44% nuk e konfirmuan këtë, 17% u përgjigjën “Deri diku” dhe 39% e konfirmuan këtë me pozitivitet.
Ndërsa kur u kërkuam konfirmim ose jo mbi qasjen “Kur Bashkia premton se do të bëjë diçka në një kohë të caktuar, e bën atë që thotë”, 40% nuk e konfirmuan këtë, 36% u përgjigjën “Deri diku” dhe vetëm 14% e konfirmuan këtë.
Të ardhurat vendore janë drejt administrimit bazuar te rrisku, duke performuar drejt administrimit të mirë. Në drejtim të ndikimit te të ardhurat tatimore të Bashkisë, duket arsyet për krijimin e debitorëve nuk ka penguar Bashkinë të arrijë një nivel të mirë në vitin e fundit në mbledhjen e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore në nivelin 105% të programit buxhetor 2021. Vëmendja më e madhe nevojitet në administrimin e taksave vendore për tokën. Një numër familjesh prej 3% (8.598 familje gjithsej) që kanë migruar kanë tokë bujqësore në pronësi dhe ato nuk janë tatimpaguese kontributivë edhe pse ligji[3] i taksave vendore nuk i përjashton. Në njësitë administrative rurale ky proces i azhornimit të të dhënave është i nevojshëm të kryhet i plotë bazuar mbi afate plotësimi dhe përditësimi.
[1] http://www.instat.gov.al/media/9432/vjetari-statistikor-2021_final-29122021.pdf
në nivel bashkie në mungesë të të dhënave nuk mund të bëjmë dot krahasim
[2] http://www.instat.gov.al/media/8586/statistikat-e-blegtorisë-2020.pdf
https://faktoje.al/premtimi-per-rajonalizimin-e-produkteve-bujqesore-u-mbajt-vetem-virtualisht/
https://ata.gov.al/2021/06/27/gjirokaster-celet-ne-lazarat-panairi-i-prodhimeve-bujqesore-dhe-artizanatit/
[3] https://m.tatime.gov.al/shkarko.php?id=9819
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.