Gëzuar Festat… por me çmime të larta
Imagjinoni të jeni një prind që planifikon tryezën festive për Vitin e Ri me mish të pjekur, sallata, bakllava dhe ndoshta disa dhurata të vogla për fëmijët. Por kur shkoni në treg, zbuloni se vaji i ullirit është shtrenjtuar 20% brenda muajit, mishi ka kapur shifra që e bëjnë buxhetin tuaj të duket i pamjaftueshëm dhe madje bulmeti bazë si qumështi apo djathi ndihet si produkt luksi.
Ky është realiteti për mijëra familje shqiptare në këtë prag të fundvitit 2025.
Ndërsa në botë festat sjellin ulje masive si në Black Friday apo Christmas sales, këtu në Shqipëri çmimet e ushqimeve dhe shërbimeve ngrihen lart, duke e kthyer gëzimin në një sfidë financiare.
Edhe ata me të ardhura modeste, që zakonisht kursejnë për këtë periudhë, ndihen të shtrydhur.
Por pse ndodh kjo?
Le të zhytemi më thellë në faktorët, duke analizuar hap pas hapi, me shembuj të përditshëm që prekin secilin prej nesh.
Së pari, fenomeni nuk është thjesht një perceptim i përhapur në rrjete sociale apo biseda familjare, por një prirje reale e tregut tonë, e dokumentuar nga institucione si INSTAT dhe Banka e Shqipërisë.
Kërkesa rritet për festat, me familjet që blejnë më shumë për të krijuar një atmosferë bollëku, por në vend të rritjes së ofertës nga tregtarët, reagimi i parë është ngritja e çmimeve.
Arsyet kryesore?
Konkurrencë e dobët mes dyqaneve të mëdha, informalitet i lartë që lejon abuzime pa kontroll dhe mungesë mekanizmash efektivë monitorimi nga autoritetet duke u toleruar spekulimet dhe mosmbrojtja e të drejtave të konsumatorit. Shtojini kësaj varësinë e madhe të tregut tonë nga importet, ku mbi gjysma e ushqimeve bazë vijnë nga jashtë, duke na ekspozuar ndaj kostove globale si transporti i shtrenjtuar apo luhatjet e çmimeve të energjisë.
Për shembull, një familje në Tiranë që blen mish për festë mund të paguajë 15-20% më shumë se në nëntor, vetëm sepse importet nga Serbia apo Greqia reflektojnë kriza globale. Në nëntor 2025, inflacioni arriti 2.1%, një ulje e lehtë nga 2.3% në tetor, por ushqimet u shtrenjtuan me 3.1% krahasuar me një vit më parë, kryesisht nga thatësira që goditi prodhimin lokal. Kjo godet më së shumti familjet e varfra, duke e kthyer festën në një barrë sociale që thellon pabarazinë.
Së dyti, a fitojnë vërtet bizneset nga ky shtrenjtim sezonal?
Në momentet e festave, po. Kërkesa e lartë lejon fitime të shpejta, pasi njerëzit blejnë pavarësisht çmimit për të mos prishur traditën festive. Merrni shembull një importues të mishit, i cili në dhjetor mund të shesë me marzhë më të larta, duke shfrytëzuar kërkesën inelastike. Por kjo vlen vetëm për pak kohë, si një fitim i përkohshëm që zhduket shpejt.
Në periudhë më të gjatë, çmimet e larta e ulin fuqinë blerëse të konsumatorëve, krijojnë pakënaqësi që përhapet deri në rrjete sociale dhe reduktojnë shitjet pas festave, madje edhe gjatë janarit, kur njerëzit kursejnë për të rikuperuar shpenzimet e larta të Dhjetorit.
Prodhuesit lokalë, si fermerët në Fier apo Korçë, vuajnë më shumë, sepse importet e lira i shtypin pa i lënë të përfitojnë nga bum-i sezonal.
Në një treg të shëndetshëm si ai i BE-së, uljet do të sillnin më shumë volume shitjesh dhe fitime të qëndrueshme, por këtu paradoksi është se shtrenjtimi dëmton të gjithë në fund, duke krijuar një cikël vicioz ku bizneset e vogla mbyllen dhe konsumatorët reduktojnë blerjet.
Së treti, si krahasohemi me fqinjët tanë?
Shqipëria ka rritje më të ashpër se rajoni, falë informalitetit dhe varësisë së tepruar nga jashtë.
Në Kosovë, shtrenjtimet festive janë më të buta, me inflacion të qëndrueshëm rreth 2-2.5%, sepse ata kanë më shumë prodhim lokal dhe kontroll më të mirë.
Maqedonia e Veriut ndan disa ngjashmëri me ne për produktet festive si frutat apo bulmeti, por konkurrenca më e fortë mes tregtarëve e zbut presionin, duke lejuar oferta të vogla.
Serbia, në anën tjetër menaxhon mirë falë zinxhirëve të mëdhenj si Maxi apo Idea, që ofrojnë promocione të vërteta, diçka që mungon këtu.
Paradoksi më i madh?
Çmimet tona ushqimore janë pranë mesatares së BE-së, ndonëse të ardhurat tona janë vetëm 35% e tyre, duke na bërë të ndihemi si “të shtrenjtë” pa qenë të pasur. Kjo situatë thekson nevojën për reforma të ngjashme me ato serbe apo rajonale, si krijimi i zinxhirëve të integruar, për të ulur presionin sezonal dhe për të bërë festat më të përballueshme.
Së katërti, problemi rrënjësor është strukturor, jo thjesht abuzim i rastit nga tregtarët. Prodhimi bujqësor vendas është i dobët nga fragmentimi i tokës bujqësore, mungesa e investimeve në teknologji moderne dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike si thatësira e vazhdueshme.
Për shembull, një fermer në Vlorë apo Berat mund të mos arrijnë të prodhojnë mjaftueshëm ullinj për të plotësuar kërkesën festive, duke lënë hapësirë për importet e shtrenjta. Kostot e inputeve si nafta, plehrat kimike, farërat dhe energjia janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke e bërë të pamundur për fermerët të ofrojnë çmime të ulëta, madje edhe nëse duan.
Tregut tonë të fragmentuar i mungon konkurrencën e fortë që lejon ulje ashtu si në botë, pasi ata pak aktorë dominues që diktojnë çmimet në segmente të caktuara janë edhe avokatët e mbajtjes së importeve masive që gjenerojnë lek pa ato probleme dhe vështirësi që ka prodhimi, pra kanë zgjerdhur rrugën më të lehtë dhe primitive të kapitalizimit dhe tregut.
Zgjidhja nuk është mbyllja e kufijve, por forcimi i prodhimit vendas me subvencione më të forta për fermerët, rimbursim i shpejtë i TVSH-së për të lehtësuar barrën fiskale, ulje taksash për inputet bujqësore dhe krijim të zinxhirëve funksionalë nga ferma deri në tryezën e konsumatorit.
Kështu, prodhimi lokal rritet, çmimet stabilizohen gradualisht, importet bëhen ndihmës në vend të dominimit dhe ne fitojmë jo vetëm çmime më të arsyeshme, por edhe siguri ushqimore më të lartë, duke shmangur rreziqet e varësisë së tepruar nga jashtë.
Në fund, integrimi në BE mund të sjellë shpresë reale për më shumë konkurrencë nga kompanitë e huaja që do të ndikojë në ulje çmimesh, reduktim të informalitetit përmes standardeve të larta, si dhe rritje të efikasitetit në të gjithë zinxhirin e furnizimit.
Por ky tranzicion nuk është pa dhimbje, pasi presioni mbi bizneset e vogla jo konkurruese mund të çojë në mbyllje të përkohshme, veçanërisht për fermerët e vegjël që nuk do arrijnë të përshtaten.
Përfitimet afatgjata?
Investime të huaja që krijojnë vende pune, subvencione bujqësore nga fondet e BE-së për të modernizuar prodhimin, dhe cilësi më e lartë e produkteve që na bën më konkurrues. Por suksesi varet nga reforma të shpejta dhe mbështetje për ndërmarrjet e vogla, si trajnime apo kredi të favorshme, por edhe politika te drejta dhe vizionare për të shmangur një tranzicion të dhimbshëm.
Sa për parashikimin për fundin e 2025-s, që po mbyllet në vetëm pak ditë?
Bazuar në trendet aktuale, inflacioni pritet të mbetet rreth 2.3-2.7% deri në dhjetor, me një rritje të lehtë nga niveli i nëntorit prej 2.1%, kryesisht nga presioni sezonal në ushqime.
Çmimet e ushqimeve festive si mishi, bulmeti apo vaji i ullirit do të vazhdojnë të jenë të larta, me rritje 2-3% mujore, duke reflektuar trendin e vazhdueshëm të shtrenjtimit gradual që ka arritur 67% nga 2015.
Edhe sikur qeveria të ndërmarrë veprime tani, si subvencione emergjente apo kontrolle çmimesh, ashtu si në vitet e mëparshme, ato nuk do të zhbëjnë dot efektet e nxitura gradualisht nga mungesa e reformave strukturore.
Vit pas viti, kemi parë premtime të vonuara që nuk arrijnë të ndryshojnë dinamikën festive, duke lënë familjet të përballen me të njëjtën barrë.
Shpresa qëndron te një qasje afatgjatë, por për festat e fundivitit 2025 përgatituni për një fundvit të shtrenjtë dhe le të shpresojmë që 2026 të sjellë ndryshime reale.
Gëzuar festat, pavarësisht sfidave!
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.