Fragmentimi gjeoekonomik, furnizimi i paqëndrueshëm dhe dilemat strategjike për Shqipërinë dhe Kosovën
Në dekadën e fundit, por sidomos pas vitit 2020, bota është zhvendosur drejt një realiteti të ri ekonomik, ku globalizimi, dikur një forcë e pandalshme bashkëpunimi dhe ndërlidhjeje po zëvendësohet gradualisht nga një rend i ri gjeoekonomik, i ndarë në blloqe dhe i dominuar nga interesa strategjike. Shqipëria dhe Kosova, si vende në periferi të këtij sistemi, nuk janë vetëm spektatore, por pjesëmarrëse të pavullnetshme në këtë ndryshim me pasoja të mëdha.
FMN thekson[1] se globalizimi ka hyrë në një fazë të re ku gjeopolitika është bërë determinant për rrjedhën e mallrave, teknologjisë dhe kapitalit. Sipas modelit të paraqitur, ndarja në blloqe gjeoekonomike do të ndikojë në ndarjen e standardeve teknologjike, në vështirësinë për transferime ndërkombëtare dhe në dobësimin e efikasitetit të tregjeve.
Kjo përforcon idenë që Shqipëria dhe Kosova, si vende në periferi të BE-së dhe jashtë zinxhirëve strategjikë të G7 dhe BRICS, do të përballen me efekte disproporcionale të fragmentimit. Ndikimi nuk është vetëm në çmime, por në mënyrën se si funksionon vetë ekonomia, nga furnizimi në standarte e deri tek investimet.
Fragmentimi i rrjeteve globale të furnizimit, i nxitur nga lufta tregtare SHBA-Kinë, pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë, ka bërë që zinxhirët e furnizimit të mos funksionojnë më si sisteme të integruara. Në vend të tyre, janë krijuar qasje më të lokalizuara dhe të ndara, shpesh sipas linjave gjeopolitike. Për ekonomitë e vogla si ato të Shqipërisë dhe Kosovës, kjo sjell dyfishin e rrezikut: nga njëra anë, nuk përfitojnë nga prodhimi global, ndërsa nga ana tjetër, goditjet e ndërprerjeve i përjetojnë me intensitet të plotë.
Shembulli i vitit 2022, kur çmimet e çimentos dhe hekurit në Shqipëri u rritën me mbi 50%, është më shumë se një episod inflacioni është një shenjë e dukshme e varësisë strukturore ndaj burimeve të centralizuara të furnizimit. Kosova përballet me sfida të ngjashme, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe atë industrial, të cilat mbështeten në importe të ngushta dhe pak të diversifikuara.
Nga retorika në strategji, duke theksuar rolin jetik të diversifikimit
Në teori, diversifikimi i burimeve është një mekanizëm klasik për të minimizuar rrezikun. Por për Shqipërinë dhe Kosovën, ai duhet të kthehet në një mjet aktiv të politikës ekonomike, jo thjesht një pikë në një strategji afatgjatë.
Indeksi i përqendrimit të furnizimeve (Herfindahl-Hirschman Index, HHI), që tejkalon pragun 0.25 për të dy vendet, tregon një varësi të rrezikshme nga një grusht vendesh: Italia, Turqia dhe Greqia për Shqipërinë, Gjermania dhe Turqia për Kosovën. Kjo varësi krijon jo vetëm rrezik ekonomik, por edhe kufizon autonominë strategjike të këtyre shteteve në momente krize.
Zhvillimet në BE dhe G7, si politikat e reshoring dhe friend-shoring – ofrojnë një mundësi për të ndjekur të njëjtën logjikë: ndërtimin e zinxhirëve më të qëndrueshëm dhe më të afërt gjeografikisht. Në këtë kuptim, tregjet e CEFTA-s, Azisë Qendrore apo Afrikës Veriore paraqesin alternativa premtuese për furnizime më të sigurta dhe më pak të ekspozuara ndaj krizave të mëdha politike.
Por këto nuk do të ndodhin automatikisht, pasi kërkohet analiza e hollësishme e tregut, mekanizma financimi, partneritete afatgjata dhe diplomaci tregtare proaktive.
Çmimi i mosveprimit është shumë më i lartë
Për një vend si Shqipëria, ku çmimet dhe presionet inflacioniste godasin drejtpërdrejt konsumatorin dhe kapacitetet fiskale janë të kufizuara, çdo përpjekje për diversifikim perceptohet si e kushtueshme në afatshkurtër.
E njëjta gjë vlen për Kosovën, që mbështetet fort në remitanca dhe ka varësi të lartë nga importet.
Por çmimi i mosveprimit është shumë më i lartë.
Gjatë pandemisë, Shqipëria përjetoi ndërprerje serioze në importin e aluminit dhe paneleve elektrike, produkte kyç për sektorin e ndërtimit. Kjo nuk ishte vetëm një krizë furnizimi, por u përkthye në inflacion, vonesa ndërtimi dhe pasiguri për investitorët.
Kështu, kostot e dukshme të diversifikimit duhet të peshohen ndaj përfitimeve afatgjata në stabilitet dhe qëndrueshmëri.
Politikat e përzgjedhura si zgjidhje: nga rezerva strategjike te prodhimi vendas
Për rrjedhojë, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërmarrin politika të përzgjedhura:
- ndërtimi i rezervave strategjike për produkte kritike,
- marrëveshje të sigurta për furnizim emergjent, dhe
- nxitje për prodhues vendas që të zëvendësojnë një pjesë të importeve themelore.
Në kohë krizash të jashtme, adaptueshmëria e brendshme është faktori përcaktues. Por këtu qëndron një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë dhe Kosovën: mungesa e fleksibilitetit strukturor.
Tregjet e punës janë të fragmentuara, kapacitetet prodhuese të papërshtatura për kërkesat e reja, ndërsa migrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar është një plagë e hapur.
Në këtë kontekst, fragmentimi gjeoekonomik është si një pasqyrë që reflekton brishtësinë e këtyre ekonomive.
Investimet në parqe industriale, qendra trajnimi teknologjik dhe rikualifikim të fuqisë punëtore janë thelbësore, jo vetëm për të adresuar krizën aktuale, por për të shmangur të ardhshmet.
Kapitali njerëzor, jo vetëm kapitali fizik, do të përcaktojë nëse Shqipëria dhe Kosova do të jenë thjesht konsumatorë pasivë apo prodhues të angazhuar në këtë rend të ri.
Fragmentimi, inflacioni dhe teknologjia, të dhënat e FMN-së dhe Bankës Botërore flasin qartë:
Një fragmentim i thelluar midis blloqeve si BE dhe BRICS pritet të rrisë çmimet e mallrave bazë për vendet importuese neto si Shqipëria dhe Kosova.
Për më tepër, izolimi teknologjik mund të jetë një pasojë reale nëse nuk merren masa për të diversifikuar partneritetet dhe burimet e teknologjisë.
Në skenarin e diversifikimit të menaxhuar, kostoja afatshkurtër është minimale (rreth 0.02% e PBB-së), por përfitimet në kohë krizash janë të mëdha (reduktim i humbjeve deri në 12%).
Ky është një argument i fortë për të kaluar nga spekulimi tek veprimi.
Strategji të diferencuara, por të sinkronizuara
Në përballje me sfida të përbashkëta ekonomike, Shqipëria dhe Kosova po kërkojnë rrugë të ndryshme, por të sinkronizuara për të ndërtuar një reziliencë funksionale.
Qasjet e tyre janë të dizajnuara sipas specifikave strukturore dhe avantazheve krahasuese të secilit vend.
- Në zinxhirin e furnizimit,
- Shqipëria synon diversifikimin e burimeve për inpute ndërtimi dhe teknologji,
- ndërsa Kosova fokusohet në zgjerimin e aksesit në materiale ndërtimi përtej kufijve të BE-së.
- Në politikën industriale,
- Shqipëria preferon subvencione për prodhuesit lokalë të inputeve kritike,
- Kosova promovon parqe industriale me fokus në reshoring dhe përpunimin teknologjik.
- Në tregun e punës,
- Shqipëria orienton resurset në rikualifikim në inxhinieri, elektronikë dhe teknologji,
- Kosova thekson aktivizimin e diasporës për trajnime dhe projekte teknologjike.
- Në diplomacinë tregtare,
- Shqipëria synon marrëveshje me vende të G20 jashtë BE-së (India, Koreja e Jugut, Indonezia),
- Kosova përqendrohet në shfrytëzimin e CEFTA-s si platformë për arkitekturë rajonale furnizimi.
Të dyja vendet po tregojnë një përpjekje të qartë për të adoptuar strategji të targetuara dhe fleksibël, duke synuar jo vetëm mbijetesën, por një ripozicionim të qëndrueshëm në ekonominë e re rajonale dhe globale.
Nga ekonomi të vogla në ekonomi të mençura
Në një botë që po ndahet në blloqe të reja, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të përballojnë luksin e inercisë.
Fragmentimi nuk është vetëm kërcënim, ai është edhe mundësi për ata që e lexojnë drejt dhe veprojnë shpejt.
E ardhmja nuk do të varet nga madhësia e ekonomisë, por nga kapaciteti për të planifikuar dhe për të ndërmarrë veprime të guximshme.
Për të dalë përtej transformimeve të pjesshme, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë një qëndrueshmëri funksionale dhe afatgjatë, e mbështetur në tri shtylla kryesore:
- Arkitekturë e re furnizimi – Përmes koordinimit me CEFTA dhe përdorimit të instrumenteve të BE-së (si IPA III), të dy vendet duhet të krijojnë zinxhirë furnizimi më elastikë dhe më pak të ndikuar nga krizat gjeopolitike.
- Politika industriale prodhuese – Mbështetja duhet të fokusohet te prodhimi vendor dhe sektorët strategjikë si ndërtimi dhe teknologjia, duke reduktuar varësinë nga importet dhe mbrojtur ekonominë nga inflacioni i jashtëm.
- Kapital njerëzor për të ardhmen – Investimi në rikualifikim, aftësi teknologjike dhe angazhimi i diasporës është kyç për të ndërtuar një fuqi punëtore të gatshme për sfidat e dekadës së ardhshme.
Nëse Shqipëria dhe Kosova nuk veprojnë me guxim dhe vizion, rrezikojnë të mbeten viktima pasive të zhvillimeve globale. Por, nëse përqafojnë një qasje të koordinuar dhe strategjike, kanë potencialin të bëhen modele të reziliencës së zgjuar në Ballkanin Perëndimor.Madhësia e ekonomisë nuk përcakton më fatin, por shkalla e përgatitjes dhe vendimmarrjes jashtë rutinës është ajo që përcakton drejtimin.
[1] “Geo-Economic Fragmentation and Supply Chain Vulnerabilities” (WP/2025/102)
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.