Ekonomia rritet, kreditimi nga bankat për qytetarët bie dhe pasiguria për të ardhmen është e madhe
Shtimi i pasigurive dhe shqetësimet mbi dobësimin e mundshëm të aktivitetit ekonomik me zgjatjen e konfliktit në Ukrainë, kanë diktuar shtrëngimin e standardeve të kreditimit nga bankat për bizneset, si dhe shtrenjtimin e kostos së kredisë në segmente të caktuara”, theksohet në vrojtimin e Bankës Qendrore[1].
Sipas përfaqësuesve të sektorit bankar përkeqësimi i aftësisë paguesve të kredive pritet të vijojë ashtu si dhe në fund të vitit 2022 edhe gjatë vitit 2023. Kjo tendencë disa mujore tashmë ndikohet nga inflacioni i lartë duke tkurrur fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe duke dhënë efekte negative si te bizneset dhe qytetarët.
Zgjerimi i kredisë në 2022 është vërejtur në segmentin e biznesit të mesëm dhe të atij të madh, ndërkohë që ka rënë financimi për bizneset e vogla dhe është ngadalësuar për ato mikro. Të dy këto segmente janë edhe kategoritë më të ekspozuara ndaj pasigurisë dhe rrezikut të shtuar në kushtet e realitetit të ri makroekonomik.
Po kështu, sipas publikimit të Bankës së Shqipërisë Vrojtimit për Aktivitetin Kreditues, të Tremujorit të IV [1] “Bankat kredituan individët brenda një kuadri të kujdesshëm, duke shtrënguar standardet e kreditimit dhe duke miratuar një numër më të ulët aplikimesh për kredi. Nga ana tjetër, nismat individuale të bankave për të shtuar portofolin e kredisë në segmentin e individëve, u finalizuan në kushte e terma të lehtësuara kreditimi, të nxitura kryesisht nga shtimi i konkurrencës në sistem bankar. Kërkesa për kredi u raportua e lartë në të gjitha hallkat e madhësisë së biznesit, e përdorur kryesisht për të mbuluar nevojat e shtuara në financimin e inventarëve e kapitalit qarkullues. Individët shfaqën një kërkesë më të ulët për kredi, si për konsum ashtu edhe për blerje banesash. Rënia e kërkesës për kredi nga individët, në gjykimin e bankave tregtare, krahas pasigurive lidhur me ambientin makroekonomik, reflektoi edhe rritjen e normave të interesit.”
Edhe pse viti 2021 ishte vit që bëri dallimin në performancën positive financiare për sektorin bankar shqiptar nuk duket se tendenca vijoi me të njëjtën rritje edhe për vitin 2022[2].
Rënia e fitimit të sektorit bankar në 2022 kushtëzohet nga rritjet e normave të interesit dhe ulja e kredi dhënies prej nëntorit 2022.
Ndërkohë, në muajin Dhjetor 2022 Banka e Shqipërisë në publikimin e saj të përmuajshëm ku përmbledh matjet mbi vrojtimin e besimit të bizneseve dhe besimit të konsumatorëve na tregon që edhe pse ka rritje të lehtë të tij[3], gjithsesi vijon të mbetet poshtë mesatares afatgjatë. Edhe pse bizneset presin rritje të aktivitetit të tyre, ata shprehen me pritshmëri të ulta dhe në rënie për fuqinë punëtore dhe çmimet e lëndëve të para dhe gjysmë të gatshme.
Po çfarë do të thotë e gjithë panorama e sektorit bankar dhe besimit të bizneseve dhe qytetarëve për pritshmëritë e vitit 2023?
Bizneset presin që inflacioni i çmimeve të inputeve të rritet në 12 muajt e ardhshëm edhe pse parashikimet aktuale flasin për zbutje të tij. Por gjithsesi, ekonomia dhe bizneset e ndjejnë pasigurinë përtej parashikimeve të Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve monitoruese ndërkombëtare. Kjo pasqyron ndërprerjet e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit dhe gjithashtu rritjen e mprehtë të çmimeve të energjisë dhe lëndëve të para për gjithë sektorët prodhuesë, por edhe ato ushqimorë. Po kështu, edhe qytetarët do të jenë më të përmbajtur në kërkesën për kredi, për shkak të normave të larta të interesit, që do të thotë kosto më të larta në kushtet e më pak të ardhurave.
Për të mbështetur marzhet e tyre, bizneset po rrisin çmimet për të tejkaluar kostot, prej vitit të kaluar. Çmimet më të larta të shitjes, së bashku me rritjen e shitjeve, do të thotë që fitimet vazhdojnë të rriten pas rënieve në pjesën më të madhe të vitit të kaluar.
Lëvizja e punonjësve dhe stafeve të niveleve të ndryshme brenda bizneseve dhe disponueshmëria e aftësive jo menaxheriale janë sfidat më të përmendura në rritje, secila duke prekur dy në pesë biznese. Qarkullimi i stafit dhe disponueshmëria e kufizuar e aftësive, të kombinuara me inflacionin e lartë, i shtynë shumë biznese të rrisin pagat muajt e fundit.
Rritja e shitjeve ka qenë e shëndetshme, pas tkurrjeve gjatë pandemisë, por bizneset janë të vetëdijshëm se kjo mund të prishet nga kërcënimet ekonomike të shkaktuara nga kriza e kostos së jetesës, inflacioni në rritje dhe paqëndrueshmëria globale.
Ndërsa asnjë nga këto probleme nuk është ndikuar direkt nga qeveria, gjithsesi detyra e saj është të trajtojë koston e lartë të jetesës me masa financiare të synuara dhe strategjike për të parandaluar pasoja katastrofike për standardin e jetesës së njerëzve dhe sasinë e shpenzimeve në ekonomi, të cilat mund të rezultojnë në presion real mbi bizneset.
[1] https://www.bankofalbania.org/Botime/Vrojtime/Vrojtimi_i_bizneseve_dhe_i_konsumatoreve/
https://www.bankofalbania.org/Botime/Botimet_sipas_viteve/Vrojtimi_per_aktivitetin_kreditues_T4-2022.html
[2] Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fitimi neto i sektorit bankar për 11-mujorin 2022 i krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 rezulton me një rënie prej 13.4%.
[3] Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) regjistroi rritje me 2.7 pikë në muajin dhjetor. Niveli aktual i tij, 105.7 pikë, u rrit për të dytin muaj me radhë.
Treguesi i besimit të industrisë (TBI) rezultoi në rritje me rreth 2.9 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar nga përmirësimi i të gjithë treguesve përbërës të tij. Ndër ta veçohen rritja e balancës për prodhimin aktual dhe ajo e kontratave porositëse. Gjithashtu, bizneset presin rritje të prodhimit në të ardhmen, kundrejt pritjeve në rënie për punësimin dhe për çmimet e produkteve të tyre.
Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u rrit me 5.5 pikë përqindje në muajin dhjetor, duke regjistruar përmirësim të ndjeshëm të treguesit për të dytin muaj radhazi. Ky zhvillim u ndikua nga përmirësimi i balancave për aktivitetin ndërtues dhe për kontratat porositëse. Ndërkohë, pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen shënuan rënie.
Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) shënoi rritje të lehtë me rreth 0.7 pikë përqindje në muajin dhjetor, ndikuar nga performanca më e mirë e treguesit të ecurisë së biznesit. Bizneset në aktivitetin e shërbimeve vlerësojnë se ka rritje të punësimit aktual, ndërkohë që pritjet për të ardhmen janë në rënie. Ecuria e çmimeve të shërbimeve në të ardhmen e afërt pritet të jetë në kahun rënës.
Treguesi i besimit në tregti (TBT) vijoi prirjen rritëse, me rreth 1.8 pikë përqindje në këtë muaj. Treguesi u ndikua nga vlerësimet më pozitive për ecurinë aktuale të biznesit dhe për punësimin në të ardhmen. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan në rënie.
Treguesi i besimit konsumator (TBK) rezultoi i përmirësuar me rreth 1.8 pikë përqindje në muajin dhjetor, por duke vijuar të mbetet poshtë mesatares afatgjatë. Treguesi pasqyroi vlerësimin më pozitiv të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si në periudhën aktuale ashtu edhe në të ardhmen. Konsumatorët vlerësojnë me rënie ecurinë aktuale të çmimeve, situatë e cila pritet të vijojë edhe në të ardhmen
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.