Ekonomia në vitin 2023 duket mjaftueshëm e çuditshme

Ekonomia në vitin 2023 duket mjaftueshëm e çuditshme

Vitin e kaluar, goditjet më të mëdha për ekonominë shqiptare, ashtu si dhe për ekonomitë e vendeve përreth erdhën nga një sërë rrisqesh gjeopolitike, ku përtej situatës së nderë politike në Ballkan, kryesisht midis Kosovës dhe Serbisë[1], pushtimi rus i Ukrainës ishte ndikimi më i madh në zinxhirin e marëdhënieve tregtare të importit dhe eksportit.

Ndikimi i luftës në ekonominë shqiptare përmes aplikimit të sanksioneve në përshtatje me politikën e jashtme të BE-së, megjithatë solli një efekt të pandjeshëm në ekonominë shqiptare.
Ndikimin më të madh, situata e paqartë politike e solli në ekonomitë e vendeve anëtare të BE-së, të cilët patën devijim të burimeve të furnizimit me produkte energjetike dhe ushqimore, humbën fuqi punëtore dhe kapital njerëzor dhe kjo pati pasoja që ndihen edhe këtë fillim viti si mjaft të forta në tregun e punës.

Në këto rrethana, përveç trashëgimnisë nga vitet e kaluara, rritja ekonomike e Shqipërisë në 2023 do të përkeqësohet/ përmirësohet edhe nga ecuria dhe ndikimi i disa treguesve të rëndësishëm që përfaqësojnë ecurinë ekonomike dhe politike.

Në vitin 2023, inflacioni, rritja e normave të interesit, ritmet e ulëta të rritjes, çështjet e pasistemuara të zinxhirit të furnizimit do të shfaqen dukshëm ashtu si edhe në 2022, veçanërisht gjatë dy tremujorëve të parë të vitit. Megjithatë, nisur nga suprizat që rezervon turizmi, energjia, si dhe nëse proaktivizohen më drejt politikat reformuese dhe forcimi i kuadrit rregullator me ndikim edhe në korrupsionin e stërmadh, ndoshta do të vërejmë përmirësim gradual në shumicën e treguesve kryesorë ekonomikë deri në fund të vitit.

Çfarë pritet të ndikojë më shumë për tu patur parasysh nga secili aktor (institucion, biznes, organizatë apo individ) në shoqërinë shqiptare gjatë vitit 2023?

Së pari, është vijimësia e ndikimit të COVID-19, i cili bashkë me ndikimin aktual të mos ketë supriza me implikim material për ekonominë

Efektet e mbetura prej pandemisë COVID-19 përfshijnë mungesa episodike që kanë komplikuar planifikimin dhe logjistikën e biznesit dhe kanë mbajtur çmime më të larta sesa do të kishte qenë në kushte të para periudhës pandemike. Ndërkaq, situata shëndetësore shkon në një qasje endemike në vitin 2023[2], ku mungesat e lidhura me COVID-19 duhet të bëhen më të rralla, duke ndihmuar që çmimet në mallrat dhe shërbimeve të prekura prej efekteve të pandemisë të lehtësohen më tej gjatë vitit.

Pasiguria rreth rrjedhës së konfliktit në Ukrainë mbetet e parashikuar sipas analizave të organizatave ndërkombëtare pa përshkallëzim të madh të paktën deri në fillim të verës. Në përgjithësi, për Shqipërinë nuk pritet rritje e ngjashme e çmimeve të mallrave njësoj si në 2022.

Duke parë përpara, zbutja e kërkesës do të zbusë inflacionin. Ndërsa çmimet e naftës së papërpunuar duhet të lehtësohen gjatë vitit 2023, kostot e larta të energjisë do të vendosin një dysheme e cila do të jetë status – quo e re dhe kjo do të kufizojë rënien e inflacionit.

Së dyti është inflacioni, i cili do të ngadalësohet ndjeshëm në vitin 2023, por arritja e objektivave të bankës qendrore do të jetë një proces shumëvjeçar.

Pas arritjes së niveleve më të larta në vitin 2022 krahasuar me dekadat e fundit, inflacioni do të zbutet në përgjigje të shtrëngimit të kushteve financiare, por edhe zbutjes së kërkesës dhe lehtësimit të kushteve të zinxhirit të furnizimit.

Presionet në rënie të çmimeve janë tashmë prezente në treg.
Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2022, krahasuar me Nëntor 2022 është 0.4%. Ky tregues gjithëpërfshirës i çmimeve të mallrave ka të njëjtin nivel në muajin Dhjetor 2022 nga rekordi i tij i lartë në Qershor 2022. Çmimet e mallrave bujqësore janë në fazat e hershme të korrigjimit dhe duhet të bien deri në vitin 2023, të udhëhequr nga çmimet e drithit. Rënia e çmimeve të mallrave do të filtrojë në drejtim të produkteve të ndërmjetme dhe të gatshme, duke sjellë një lehtësim për bizneset dhe konsumatorët në vitin 2023.

Megjithatë, mungesa e fuqisë punëtore ka përshpejtuar rritjen e pagave dhe kjo po kontribuon në vazhdimësinë e inflacionit, veçanërisht në shërbime.
Në disa sektorë, të tillë si tregtia e matërialeve të ndërtimit dhe lëndëve të para, ku rritja e çmimeve në 2022 nuk ishte në përputhje me inflacionin e kostos së inputeve, rivendosja e marzhit do të jetë një prioritet.

Mund të duhen disa vite për të ulur në mënyrë të qëndrueshme normat e inflacionit në objektivat e bankës qendrore. Inflacioni i çmimeve të konsumit ka të ngjarë të zbutet në një mesatare prej 5.5% në vitin 2023, duke e përfunduar vitin me një ritëm prej 4.5% nga viti në vit.

Së treti, shtrëngimi i politikës monetare duhet të shkojë më tej drejt pranverës 2023 me shumë gjasa duke ngjasuar me politikat e BQE.

Shumë banka qendrore në rajon ashtu si dhe Banka e Shqipërisë zakonisht e nënshtrojnë politikën e tyre sipas udhëzimeve të BQE-së.

Ne mendojmë se nisur nga zhvillimet aktuale dhe ato të pritshme për muajt  e parë të vitit 2023 në Shqipëri, norma bazë e interesit të mos ndryshojë pas kulmimit me 2.75% në fundin e vitit 2022[3].

Ndërkaq, Banka Qendrore Evropiane (BQE) moderoi madhësinë e rritjes së normës së saj në dhjetor, udhëzimi i saj shoqërues ishte më i ashpër se sa pritej, duke sugjeruar se cikli i rritjes do të vazhdojë edhe në vitin 2023.

Megjithatë, me një rritje anemike që qëndron një hap larg recesionit tashmë në zhvillim në vendet e fuqishme ekonomike, shtrëngimet e fundit fiskale dhe shqetësimet për një rënie të kërkesës do të ndikojnë në vendimarrjen e ardhme.  Në këtë logjikë, lehtësimi monetar ka të ngjarë të fillojë të ulë normat në vjeshtën e vitit 2023.

Nisur nga këto rrethana duket se ka pak vend për një normë maksimale me shumë diferencë nga sa është aktualisht e përcaktuar nga BQE për anëtarët e vet.

Së katërti, ecuria e prodhimit të brendshëm bruto pritet të tkurret, ashtu si dhe është parashikuar nga Banka Botërore, FMN[4] dhe organizata të tjera[5].

Drejtuesi kryesor i tkurrjeve të pritura të PBB-së reale është konsumi privat, duke pasur parasysh një shtrëngim akut të të ardhurave reale të familjeve për shkak të inflacionit jashtëzakonisht të lartë. Një frenim më i madh ekonomik nga sa është parashikuar i nxitur nga paqëndrueshmëria në tregun e energjisë do të mbetet një rrezik potencial përtej dimrit dhe pranverës aktuale.

Ndërtimi, agroturizmi dhe energjia parashikohet të jenë sektorët me rritjen më të shpejtë të ekonomisë në vitin 2023, duke vepruar si një kundërpeshë ndaj inkurajimeve dhe investimeve të kryera, pavarësisht se janë larg potencialit të tyre të vlerës cilësore dhe të qëndrueshme. Ky skenar pasqyron përmirësimin e perspektivave të rritjes në agroturizëm dhe shërbimet turistike bazuar në investimet e hershme infrastrukturore publike dhe nga vetë sektori privat, si dhe zgjerimin e vazhdueshëm të prodhuesve të energjisë dhe ndërtimit bashkë me dritë-hijet e veta për burimin e financimit. Sektori i bujqësisë dhe nëndegëve të saj, si dhe sektori i lëndëve të para dhe industrisë nxjerrëse do të vazhdojnë të përfitojnë nga të ardhurat e larta të eksportit, veçanërisht për naftën, gazin natyror të lëngshëm (LNG) dhe kromi.

Nisur nga një portofol sektorësh ende i kufizuar në kontributin e rritjes ekonomike nëse e krahasojmë me vitin 2022 dhe vitet përpara duket se ekonomia shqiptare tashmë arrin të jetë elastike gjatë vitit 2023, por cënueshmëria ndaj goditjeve të jashtme do të jetë ende pika më e dobët e saj.

Mundësia e ristrukturimit të borxhit sipas strategjisë përkatëse për menaxhimin e tij ka shumë gjasa për të qenë një ndër politikat kryesore të financave publike shqiptare.

Ndërsa ndodh që në vendet e tjera europiane tregu i ndërtimit të banesave do të vazhdojë të dobësohet përballë rritjes së normave të interesave, e shoqëruar edhe me rënien e çmimeve duket se e kundërta e situatës europiane është veçoria e tregut shqiptar, i cili nuk ndjek të njëjtin rregull.

Për shumicën nga vendet europiane, në përgjigje të shtrëngimit monetar, normat e interesit te kredive bankare do të mbeten të ngritura deri në vitin 2023. Si rezultat, konsumatorët që kanë mbyllur më parë norma të ulëta interesash do të zgjedhin të qëndrojnë në shtëpitë e tyre aktuale dhe pronarët e rinj të mundshëm të shtëpive do të qëndrojnë mënjanë pasi blerja e një shtëpie nuk është më të përballueshme. Pritjet e recesionit dhe kriza e kostos së jetesës do të ulin më tej kërkesën dhe do të shtyjnë çmimet më të ulëta në vitin 2023, veçanërisht në tregjet e mbivlerësuara.

Në shumicën e qyteteve në Shqipëri, përtej normave të larta të interesit dhe një tregu banesash me çmime në rritje duket se nuk ka një impakt të ngjashëm me tregun europian. Në tregun shqiptar të ndërtimit të banesave është i ndikuar forte nga financimet nga burime informale dhe korrupsioni[6] i lejeve të ndërtimit dhe të tjera të lidhura me to. Këto burime financimi ilegale japin efekt në çmimet e rritura me të paktën 5% -10%, si rritje fiktive e çmimeve, që pasqyrohen të kombinuara me efektin prej rritjes së kostove të lëndëve të para, transportit e mekanikës dhe kostove të truallit dhe ato fiskale.

Së pesti, lidhur me ndikimin e kursit të këmbimit valutor të monedhave të huaja kryesore në ekonominë shqiptare duket se nga gjithë parashikimet ndërkombëtare dollari amerikan ka të ngjarë të ketë arritur kulmin dhe do të tërhiqet në vitin 2023, por do të mbetet i ngritur në krahasim me vitet e mëparshme.

I mbështetur nga diferencat e favorshme të normave të interesit dhe lëvizja e investitorëve drejt sigurisë, dollari amerikan u vlerësua ndjeshëm gjatë 2022, duke arritur kuota të larta kundrejt euros dhe monedhave të tjera kryesore përpara se të tërhiqej.
Këto forca që e nxitën gjatë 2022 duket se do ta humbasin efektin gjatë vitit 2023  dhe sipas parashikimeve të agjensive të vlerësimit monetar ndërkombëtar pritet që dollari të zhvlerësohet nën peshën e deficiteve të mëdha të llogarisë korente të SHBA-së dhe rritjes së ulët ekonomike.

Euro, e cila është dobësuar si përgjigje ndaj cenueshmërisë së eurozonës ndaj ndikimeve të luftës Rusi-Ukrainë dhe politikave të kujdesshme monetare do të rimëkëmbet gradualisht.

Ndërkohë, duket se Leku shqiptar do të qëndrojë në nivelet e fillim vitit 2023 duke patur një vlerësim të lehtë ndoshta në gjysmën e parë të vitit 2023 dhe pse dihet që eksportet shqiptare në këtë periudhë kanë një dinamikë në rritje. Një vlerësim i lehtë i Lekut në kulmin e sezonit veror është tashmë një ndodhi e sigurt dhe duket se do të ndodhë me të njëjtën ciklikë edhe në gjysmën e dytë të vitit 2023. Ndërkohë, ndikimi i tregut valutor nga paraja informale duket se do të vijojë me ritme më të ulta se gjatë vitit 2022, por me një ndikim konstant në vlerësimin e Lekut.

Së fundmi, mungesa e fuqisë punëtore do të mbetet një sfidë në vitin 2023 edhe pse normat e papunësisë parashikohen të ulen në mënyrë modeste.

Në tregun shqiptar, vala e punëtorëve që janë zhvendosur drejt Tiranës dhe disa qendrave të mëdha urbane në vend, kryesisht me prurje nga zonat rurale tashmë duket se synojnë që një pjesë dërrmuese të integrohen në periudha afatmesme në tregun e punës në Kryeqytet dhe përreth tij.

Ndërkohë, pjesë e madhe e tregut të punës aktual mund të vijojë të zhvendoset jashtë Shqipërisë, si për synime qëndrimi afatgjata, po ashtu edhe sezonale dhe do të jetë e ngadaltë për t’u rikthyer, së bashku me një rikuperim të ngadaltë të vazhdueshëm të migracionit për motive punësimi.

Një përjashtim tjetër është pjesa e shqiptarëve që kanë emigruara gjatë 2022 dhe më përpara dhe duke qenë se tregu i punës dhe ambjenti ekonomik dhe social mbetet ende larg standarteve të tregjeve të vendeve anëtare do ti mbajë të përfshirë edhe për 2023 në ato vende.

Megjithatë, në vitin 2023 tregu i punës përballet edhe më seriozisht se në 2022 me rrezikun e spiraleve të çmimit të mallrave dhe shërbimeve dhe një niveli mjaft disproporcional të pagave. Kjo do të thotë se tregu i punës ndodhet mes mospërputhjeve të aftësive dhe progresit të ngadaltë në frenimin e pritjeve inflacioniste.

Në mbyllje, ajo çfarë mund të thuhet për ekonominë dhe mirëqenien në vitin 2023 është fakti se ekonomia mbetet mjaftueshëm e çuditshme dhe me supriza që nuk lidhen thjesht dhe vetëm me qeverinë aktuale dhe pozitën e Shqipërisë, por me gjithë botën që na rrethon dhe ka hyrë në dekadën e fundit në periudhën e çudirave.

[1] që përfshin në vetvete edhe Shqipërinë dhe vendet e tjera kufitare

[2] https://www.spglobal.com/marketintelligence/en/mi/research-analysis/top-10-economic-predictions-for-2023.html

[3] https://www.bankofalbania.org/Politika_Monetare/Vendimet_dhe_Kalendari/

[4] https://thedocs.worldbank.org/en/doc/c7292ee84f0635b28721419e3b367d0e-0350012023/related/GEP-January-2023-Regional-Highlights-ECA.pdf
https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/CR/2022/English/1ALBEA2022004.ashx

[5] https://www.ebrd.com/where-we-are/albania/overview.html

[6] https://altax.al/product/kostoja-e-korrupsionit-ne-ekonomi-dhe-ne-cmimet-e-mallrave-trajtimi-i-tij-nga-qeverisja-qendore-dhe-vendore-shoqeria-civile-dhe-biznesi-2022/

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: