Cilësia e qeverisjes dhe rritja ekonomike në Shqipëri
Ajo që vlen për argumentimin e idesë së titullit është prezantimi i rëndësisë dhe përgjegjshmërisë së qeverisjes në favor të rritjes ekonomike të Shqipërisë. Qeverisja ka të bëjë pikërisht me përdorimin e pushtetit të fituar nga zgjedhjet elektorale për menaxhimin e ambientit institucional, që do të ndikonte në këtë mënyrë në akumulimin e elementëve ndikues të rritjes së ekonomisë.
Megjithëse elementët mund të jenë të shumtë, ato që më duken të veçantë për këtë debatim janë zbatimi i ligjit barabart për çdo individ dhe cilësia e administratës publike. Ndërsa mund ta kemi më të qartë kuptimin e elementit të parë, për cilësinë e qeverisjes mund të shprehemi se lidhet që nga momenti i të qenit administratë efektive në heqjen e pengesave për biznesin dhe investimet, duke vijuar me nëpunës, të cilët nuk abuzojnë me kompetencat ligjore që kanë për zbatim në favor të shtetasve dhe duke e mbyllur me shmangien e fenomenit të korruptimit dhe prishjes së kushteve të njëllojta për shtetasit.
Qeverisja dhe rritja ekonomike
NË gjithë këto vite pas shembjes së sistemit politik socialist janë prezantuar nga qeveritë mjaft projekte për të nxitur rritjen ekonomike, por në realitet vetëm pak nga këto përpjekje kanë ndikuar drejt këtij qëllimi kombëtar. Nëse kthehemi në retrospektivën politiko-ekonomike të këtyre 25Â viteve nuk mund të veçosh asnjë nga aspirantët e vetëdeklaruar si reformatorë të ekonomisë, që të mos kenë përdorur instrumentet politikë dhe ekzekutivë për të orientuar ekonominë sipas qasjes se personalizuar.
Nëse ky model do të ishte ndryshe, atëherë nuk do të kishim edhe pas më shumë se dy dekada:
– një Prodhim i brendshëm Bruto (PBB) dhe të ardhura për frymë më të ulta, se disa shtete me popullsi dhe burime natyrore e klimaterike të ngjashme me vendin tonë.
– institucione, me mungesa në menaxherë (drejtorë, kryetarë dhe përgjegjësa) afatgjatë dhe të kualifikuar sipas parametrave bashkëkohorë menaxherialë;
– mangësi në dënimin e kundërvajtësve të ligjit, trajtimin e pabarabartë të shtetasve për të njëjtin ligj, si dhe mosdhënien e përparësisë në burimet natyrore dhe ekonomike atyre individëve me kualitete sipërmarrëse dhe integritet moral të spikatur;
Zbatimi i ligjit, barabart për të gjithë është treguesi më i rëndësishëm i cilësisë së qeverisjes në favor të rritjes ekonomike. Nëse qeverisja do të kishte të realizuar në jetën e përditshme këtë element thelbësor, ambienti do të ishte ndryshe dhe për investimet. Për një investitor, vendas apo i huaj, sensi i sigurisë, që duhet t’ja garantojë qeverisja me institucionet e saj është drita jeshile për të vazhduar me planet dhe strategjitë investuese.
Është e vërtetë se kapitali nuk ka atdhe, por kjo s’do të thotë se ai mund të vendoset në çfarëdo dheu.
Nga gjithë vendet ish-socialiste, që kaluan në tranzicionin e ekonomisë së tregut, vetëm pak prej tyre (Sllovenia, Kroacia, Polonia, Çekia, Hungaria, Rumania) i forcuan pozitat ekonomike dhe sociale. Arsyeja pse këto vende tranzicionale u zhvilluan më shpejt se të tjerët është i bazuar në të njëjtin proces të ngjashëm: stabilizimin ekonomik, liberalizimin e tregut dhe privatizime strategjike dhe transparente në favor të ekonomisë kombëtare. Boshllëku institucional, post socialist u mbush shpejt me rregullat e reja të institucioneve të sistemit të ri, duke mos i lënë vend kaosit dhe çoroditjes institucionale dhe ekonomike.
Ndërkohë, tranzicioni në vendin tonë mbarti me vete terapi shock-u, të cilat i dhanë fuqi grupeve të caktuara në shoqërinë shqiptare. Aftësia e tyre organizative u mbështet mbi institucionet që egzistonin sipas periudhave, me defiçencat e vazhdueshme, mungesën e legjitimitetit dhe autoritetit dhe nivelin e dobët të zbatimit të funksioneve që kishin detyrim ekskluziv.
I gjithë ky handikap institucional u la rrugë të lirë nëpunësve dhe individëve të lidhur pas tyre drejt objektivit për të rrëmbyer sa më shumë të mundnin, e emfatizuar si kapje e shtetit. Tranzicioni konfirmoi që secila ngjyrë politike që merrte pushtetin konturonte rreth vetes edhe formatin e kufijve insitucionalë që duhet ti kishte si domen duke u përpjekur për të përfshirë sa më shumë përkrahës brenda tij. Kjo krijoi krahinarizmat institucionalë.
Por, le të kthehemi te argumenti i qeverisjes dhe rritjes ekonomike.
Është mjaft e qartë lidhja midis qeverisjes dhe rritjes së PBB-së. Nëse këto dy tregues nuk shkojnë përpara në përpjesëtim të drejtë me njëri-tjetrin, atëherë nuk mund të themi se kemi një qeverisje të mirë. Kur themi rritje ekonomike, e ardhur nga një qeverisje e mirë kuptimi i saj del në një periudhë afatgjatë kohore.
Nëse shikojmë ecurinë ekonomike të shteteve të mësipërme, ndryshimet që u ndodhën  mund të shpjegohen përveç të tjerave dhe me kohën e kryerjes së reformave. Por, kryerje reformash nuk do të thotë që çdo qeverisje e radhës të deklarohet për reforma dhe nuk i del asnjëherë koha për ti përfunduar ato.
NË praktikën shqiptare çdo cikël rotacioni politik e nis nga fillimi me reformat e veta.
NË këto shtete, reformat u filluan nga njëra ngjyrë politike dhe u vazhduan nga tjetra, pa pretenduar ekskluzivitet dhe publicitet për këtë detyrim ligjor, moral dhe patriotik.
Zbatimi i ligjit dhe rritja ekonomike
Zbatimi i ligjit përqendrohet në rolin e sistemit gjyqësor me cilësitë e tij të dyfishta. Nga njëra anë, mbi çdo gjë është mbrojtja e të drejtave dhe lirive kushtetuese të shtetasve duke i trajtuar ata të barabartë përpara ligjit. Nga ana tjetër është e domosdoshme mbikëqyrja e ekzekutivit me institucionet e tij.
Nëse gjyqësori nuk mbron të drejtat e pronës, nëse nuk merr masa shtrënguese për zbatimin e kontratave midis palëve, si dhe nuk jep verdiktin e drejtë për mosmarrëveshjet civile, atëherë motivimi për investime dhe ndryshime do të jetë i vogël dhe nga kjo përfiton klasa parazite e përfituesve prej lehtësirave të tranzicionit.
Këtë efekt sistemi gjyqësor e jep dhe kur prezantohet si një institucion i korruptuar apo i varur politikisht, duke mos kryer dot funksionin e tij kryesor, trajtimin e barabartë të shtetasve për të njëjtin ligj.
Efekti nga gjithë këto dobësi institucionale sjell si rrjedhojë realitetin që ne jetojmë sot; korrupsion masiv, reforma të vakëta dhe rritje ekonomike e vogël. Nëse shtetasit nuk besojnë dhe nuk e respektojnë njësoj ligjin do të sjellë një nivel të ulët investimesh.
Cilësia e administratës publike dhe rritja ekonomike
NË kuptimin e cilësisë së administratës publike apo shërbimit civil këndvështrimi më objektiv do të ishte ai që do të mbante në konsideratë nivelin e shkallës së korrupsionit në administratë, zbatimin me drejtësi të ligjeve dhe rritjen ekonomike të vendit. Treguesi i korrupsionit dihet se ka një efekt negativ mbi rritjen ekonomike. Vende me korrupsion të përhapur kanë një tendencë rënieje të rritjes ekonomike.
Faktorë ndikues të mundshëm, nëpërmjet të cilëve korrupsioni ka ndikuar në rënien ekonomike janë investimet e brendshme dhe të huaja më të pakta, shënjestrimi i shpenzimeve të qeverisë në projekte më pak efektive, që mundësojnë fenomenin e mit marrjes, pra uljen e efektivitetit të investimeve publike.
Edhe në rast se korrupsioni bashkekziston me rritjen ekonomike, korrupsioni rrit koston dhe deformimin e përdorimit të burimeve publike. Tregues i tillë mund të shikohet në rastin e tendencës së mungesës së stimulimit të talenteve në administratë duke i orientuar ato drejt tendencave përfituese, cka në fund të fundit është në dëm të rritjes ekonomike.
Sipas statistikave të studimeve të kryera nga studiues të bankës botërore, vërehet se për cdo 2 pikë rritje të indeksit të korrupsionit ka një rënie gati me 0.5 % të rritjes ekonomike vjetore në vend.
Shpjegimi i dytë lidhet me perceptimin nga investitorët për zbatimin me drejtësi të ligjit. Nëse zbatimi i ligjit perceptohet nga promotorët e ekonomisë (investitorët, pa dallim) se ka dështuar, atëherë ai është pengesë më e madhe sesa korrupsioni. Qëkurse koha është para, investitorët do të ishin të gatshëm të paguanin për shmangien e çdo vonese në hyrjen në treg apo veprime të ndryshme biznesi.
Nga ana tjetër, egzistenca e rregullave dhe procedurave që investitori i mundshëm do ti duhet të kalojë përmes tyre i jep zyrtarit një monopol zyre të cilën mund ta përdori për të mohuar lëshimin e autorizimeve apo të vonojë zbatimin e këtyre procedurave dhe rregullave. Përvoja ka treguar se numri i madh i ditëve për kryerjen e procedurave për hapjen e një aktiviteti është i lidhur me një korrupsion më të madh.
Tashme kjo pengese po superohet bazuar ne vullnetin e mire.
Megjithë përpjekjet e qeverive shqiptare për zbatim të masave administrative për lehtësimin e barrierave për ekonominë private, ky zbatim në terren ka mbetur ende për tu parë.
Është veçanërisht e rëndësishme për të sjellë diskutimin mbi cilësinë e qeverisjes drejtpërdrejt në një debat kombëtar mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Nëse në vend:
- Nuk ka mekanizma efektive të kontrollit të punës së zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe punonjësve me statusin e nëpunësit civil;
- Ekziston një nivel i ulët të zbatimit të ligjit, liri jo e plotë e medias, mosrespektim i të drejtave politike dhe lirive kushtetuese të individëve;
- Politizimi dhe korrupsioni janë të përhapura masivisht në shërbimin civil dhe gjyqësor dhe;
- Pengesat burokratike janë të shumta
Atëherë kjo tregon që shteti po i përdor pushtetet e tij negativisht dhe nuk po ndihmon në krijimin e mjedisit të fortë institucional.
Qëkurse mjaft nga këto elementë nuk kanë qenë të qëndrueshëm në gjithë këto vite tranzicioni politiko-ekonomik, të paktën rruga për hyrjen e pritshme në BE duhet të jetë një faktor i rëndësishëm që të ndihmojë në prurjen e ndryshimeve pozitive në cilësinë e qeverisjes. Natyrisht politika ekonomike nuk është e parëndësishme, por ka prioritete, ku ndër të cilët më i rëndësishmi është zbatimi i ligjit.
Përfundimisht, pyetja kryesore që ka nevoje për përgjigje është se si mund të bëhen më produktive qeverisja dhe institucionet?
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.