Çfarë mund të pritet nëse do të zbatohet protokolli i zbatimit të Marrëveshjes për tregun e lirë të punës mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë?
Ashtu si është prezantuar tashmë edhe nga Marrëveshja trepalëshe, por edhe nga deklaratat politike të zyrtarëve të lartë të tre nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duket se qasja politike e partive drejtuese në këto tre shtete tenton të lehtësojë lëvizjen e lirë të tregut të punës.
Kjo arsyetohet se arrihet duke u hequr pengesat burokratike për regjistrimin në tregun e punës në shtete ndërkufitare, si dhe lehtësimin e lëvizjes së forcave të punës aktive, i mundësuar ky vendim ndërshtetëror rajonal edhe nga avancimi i përdorimit të teknologjisë informative dhe digjitalizimit të shumë bazave të të dhënave të secilit shtet.
Kjo nismë përfshin të drejtat e lëvizjes dhe qëndrimit për punëtorët, të drejtat e hyrjes dhe qëndrimit për ta përtej formateve aktuale të kohëqëndrimit, si dhe të drejtën për të punuar në një nga shtetet e tjera dhe për t’u trajtuar në baza të barabarta me shtetasit e vendit ku emigron punonjësi.
Kjo nismë që pritet të zbatohet në fillim të Marsit 2024 bëhet tashmë edhe pjesë e integrimit të tregut rajonal, si një masë që mbështet nga Bashkimi Europian nëpërmjet “Planit të Rritjes”, ku një ndër kriteret është edhe integrimi i tregut rajonal.
Por, ndërsa marrëveshja që është në fillimet e saj të zbatimit në pamjen e parë duket e mirë, ajo që e bën jo plotësisht efektive lidhet me përjashtimin e gjysmës së shteteve dhe natyrisht që kjo është një barrierë më vete në arritjen e objektivave të saj.
Zbatimi efektiv i një Marrëveshje të tillë që përbën kuriozitet dhe risi në zhvillimet ekonomike rajonale natyrisht mbart mbi vete edhe problematikat e tregjeve të punës, ku informaliteti i punonjësve, nivelet e ndryshme të pagesës, si dhe zbatimi i marëdhënieve të punës janë të ndryshme.
Nisur nga praktika e analizuar e lëvizjes së lirë të punonjësve në BE këto zhvendosje të pritshme të individëve kanë edhe ndikime të mundshme negative që mund të lindin, shpesh duke u rrotulluar rreth pabarazive ekonomike, sfidave rregullatore dhe çështjeve sociale.
Natyrisht, që pranimi i një marrëveshje nuk i zgjidh dot dhe nganjëherë mund të ndodhë edhe që të mos funksionojë dot, pasi problemet janë më të mëdha se zgjidhjet.
Në këto raste, përtej nxitimit për të promovuar vendime politike të natyrës së ngjashme, së pari nevojitet gjithpërfshirja e shteteve që janë pjesë e gjeografisë politike ballkanike, por edhe miratimi i të gjithë protokolleve që adresojnë për zgjidhje të plotë të problemeve të brendshme të tregut të punës.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.