Çfarë mund të nxisë rritjen ekonomike në Shqipëri nga viti 2025?

Çfarë mund të nxisë rritjen ekonomike në Shqipëri nga viti 2025?

Rritja ekonomike në Shqipëri në vitin 2025 mund të nxitet nga një kombinim faktorësh ekonomikë, institucionalë dhe strategjikë.

Nga analizat e mëparshme , kryqëzimet e të dhënave dhe zhvillimeve ne mendojmë se janë disa nga elementët kryesorë që mund të kontribuojnë:

Ndikimi i parë duhet të adresojë përmirësimin e klimës së investimeve dhe të bërit biznes.

Shqipëria ka potencial për të tërhequr investime të huaja për shkak të pozicionit të saj strategjik dhe kostove të ulëta të punës. Sidoqoftë, investitorët shpesh frenohen nga burokracia, korrupsioni dhe një sistem tatimor i paparashikueshëm.

Masat e nevojshme të finalizojnë menaxhimin e reformimit të administratës publike dhe atë tatimore në veçanti. Thjeshtimi i procedurave administrative, ulja e barrës burokratike mund të tërheqë më shumë investitorë të huaj dhe vendas në aspektin cilësor dhe në përshtatje me kërkesat për ekonomi të diversifikuar për një qëndrueshmëri ndaj sfidave të sotme dhe të nesërme.

Ndërkohë që është domosdoshmëri rritja e transparencës dhe përmirësimi i dixhitalizimit të shërbimeve publike, të cilat kanë hapur shumë problemed he vonesa, që në fakt janë qëllimi kryesor pse shërbimet kanë vlerë kur janë të dixhitalizuara.

Por, nga ana tjetër edhe pse shikojmë një draft strategji për të ardhurat që promovohet si pjesë e një qasje të re në favor të stabilizimit të politikave tatimore dhe shmangies së ndryshimeve të shpeshta ligjore, në fakt nisma të ndryshme nga administrate me qëllime dhe mendësi politike elektorale nuk e kanë treguar se po ndodh ashtu si deklarohet.

Promovimi i partneriteteve publike-private (PPP) për projekte të mëdha infrastrukturore duket se janë mjaft problematike në të gjitha drejtimet. Natyrisht që mjaftojnë konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë drejtim për të mos u shpërndarë edhe më tej drejt sasisë në dëm të cilësisë dhe qëndrueshmërisë ekonomike.
Nxitja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) me një qasje ndryshe për një financim më të lehtë dhe më të lirë mendojmë se duhet të jetë masa më e parë që mundet të fillojë në muajt e parë të vitit 2025.
Ndërkohë, qendrat mbështetëse për bizneset për inovacion dhe eksport duket se duhet të zëvendësojnë apo transformojnë nismën e “Shtëpisë së Biznesit”.

Masa të tjera të njëkohshme me reformimin e administratës duhet të menaxhojnë dritëhijet e incentivave për investime. Ofrimi i lehtësirave fiskale për sektorë strategjikë si energjia, teknologjia, turizmi dhe bujqësia duhet ti nënshtrohen një skanimi të përgjegjshëm dhe të diskutueshëm me gjithë ekspertët dhe grupet e interesit, për të dalë nga modeli i derisotëm.

Ndikimi i dytë duhet riformatuar i nxitur nga zhvillimi i infrastrukturës së nevojshme dhe jo ambicieve politike dhe afatshkurta.
Shqipëria ka bërë përmirësime në rrugë dhe porte, por ende ka mangësi në lidhjen infrastrukturore ndër-rajonale dhe brenda vendit.
Rritja e investimeve në rrugë, porte dhe energji e logjistikat shoqëruese mund të përmirësojë konkurrueshmërinë e Shqipërisë dhe të rrisë lidhjet me tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Por, infrastruktura nuk po shërben ende si katalizator ekonomik, por si një barrë financiare për ekonominë dhe familjet. Modernizimi i infrastrukturës ujore dhe kanalizimeve, veçanërisht në zonat rurale dhe turistik është ende në nivelet që vuajnë më së shumti jo nga mungesat e fondeve por nga problemet që burojnë nga korrupsioni dhe projektet elektorale.

Masat kryesore duhet të drejtohen me ritme më të larta nga infrastruktura dixhitale. Përmirësimi i aksesit në internet dhe zhvillimi i teknologjive të reja për të mbështetur sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Ndikimi i tretë është vëmendja me masa të posaçme drejt diversifikimit të ekonomisë.

Promovimi i turizmit të qëndrueshëm dhe zhvillimi i ofertave të reja turistike (kulturore, mjekësore, natyrore) është një nga qasjet.

Ndërkohë, bujqësia dhe agrobiznesi duhet të jetë qasja e dytë. Investime në teknologji të reja për një bujqësi të zgjuar nevojitet për të rritur prodhimin dhe eksportet e produkteve bujqësore.

Po ashtu, energjia e rinovueshme duhet të vijojë të jetë ndikuese në zhvillimin ekonomik. Fokusimi në zhvillimin e energjive të pastra si energjia diellore dhe ajo e erës bashkë me burime të tjera (gazi, biomasa etj) mbeten zona që duhen zhvilluar me ritme të shpejta

Por, çfarë kërkon më shumë fokus për tu bërë e ndikueshme në zhvillimin ndërsektorial dhe për të ndikuar rritjen e qëndrueshme është paketa për teknologjinë. Fokusi te teknologjia për zhvillimin në vitin 2025 mund të luajë një rol thelbësor në modernizimin e ekonomisë, përmirësimin e shërbimeve dhe nxitjen e inovacionit.

Ndikimi i katërt është zhvillimi i burimeve njerëzore.

Fuqia punëtore shqiptare është relativisht ende e re, por shpesh i mungojnë aftësitë e nevojshme për sektorët me vlerë të shtuar të lartë. Masat e detisotshme kanë patur boshllëqe dhe efikasitet të dobët në drejtim të arsimit dhe trajnimit profesional. Masat e reja duhet të adresohen te përshtatja e kurrikulave me kërkesat e tregut të punës dhe trajnimi i fuqisë punëtore për sektorë të rinj ekonomikë.

Po ashtu, masat dhe organizimet e ndryshme për nxitjen e zhvillimit të vendit ng rikthimi i diasporës kanë problem në drejtim të mungesës së vizionit dhe akomodimit të duhur i lidhur me klimën e dobët tl investimeve. Inkurajimi i profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë për të investuar dhe kontribuar në zhvillimin ekonomik nuk mund të kezë ndikimin e pritshëm me qasjen aktuale. Ky komunitet që është duke jetuar në një tjetër model duhet të lejohet të bashkëudhëheqë proceset e zhvillimit dhe jo të përdoret si instrument për politikat afatshkurta të qeverisë dhe klasës politike.

Ndikimi i pestë me një vlerë të lartë ndikuese është promovimi i stabilitetit politik dhe ligjor.

Nëse shpresat për shtetin ligjor mendohen se janë adresuar vetëm me reformën në drejtësi, atëherë kjo është me shumë pasoja negative lidhur me anashkalimin e qeverisjes transparente, respektimin e të drejtave të njeriut dhe ndërtimin e institucioneve të forta në çdo nivel.
Përqendrimi ekskluziv në drejtësi mund të shpërfillë reformat në administratën publike, policinë, sistemin tatimor dhe sektorë të tjerë jetikë.
Nëse sistemi gjyqësor reformohet, por korrupsioni, abuzimi me pushtetin dhe mungesa e llogaridhënies mbeten problematike në sektorë të tjerë, atëherë përfitimet e reformës janë të kufizuara. Në mungesë të rezultateve konkrete në aspekte të tjera, qytetarët mund të humbasin besimin jo vetëm te reforma, por edhe te koncepti i shtetit ligjor.

E gjitha çfarë 2025 duhet të përçojë është lufta kundër korrupsionit. Masat konkrete për të reduktuar korrupsionin dhe për të garantuar një mjedis të ndershëm për bizneset duhet të fillojnë nga korrektimi i meritokracisë, distancimit dhe pastrimit nga patronazhimet politike dhe Masat konkrete për të reduktuar korrupsionin dhe për të garantuar një mjedis të ndershëm për bizneset duhet të fillojnë nga korrektimi i meritokracisë, distancimi dhe pastrimi nga patronazhimet politike, dhe duhet të përfshijnë një qasje sistematike dhe gjithëpërfshirëse.

Ndikimi i gjashtë është nxitja e administratës drejt thellimit në përmbushjen e detyrave të shtëpisë drejt Integrimit Evropian.

Progresi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian mund të nxisë reforma strukturore dhe të tërheqë më shumë investime nga vendet e BE-së. Thënë në një qasje sektoriale procesi i anëtarësimit mund të përshpejtojë reformat në fusha si tregtia, bujqësia dhe arsimi.

Është e vërtetë, se Shqipëria ka potencial për rritje ekonomike në 2025, ashtu si ka patur edhe më përpara potenciale edhe më të mëdha. Por ky potencial mundet të konvertohet në vlerë të shtuar, në mirëqenie dhe në një zhvillim që vlen për të gjithë së bashku vetëm nëse këto elementë si më lart adresohen me strategji afatgjata dhe në bashkëpunim me sektorin privat, shoqërinë civile, diasporën dhe partnerët ndërkombëtarë.

Një qasje e balancuar ndërmjet reformave institucionale, zhvillimit të infrastrukturës dhe mbështetjes për sektorët strategjikë mund të krijojë një ekonomi më të qëndrueshme dhe konkurruese. Gjithpërfshirja është çelësi për të mundësuar hapjen e mjaft dyerve deri më sot të mbyllura.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.