Censusi 2023 të ruajë integritetin për cilësi të rezultateve
Qëllimi i vetëm i regjistrimit të popullsisë dhe banesave 2023 në Shqipëri është të marrë parasysh çdo pjesëtar të popullsisë dhe pasurive të tyre. Kjo qasje nëse bëhet sipas përshkrimit të metodologjisë jep rezultate plotësisht të sakta. Megjithatë, nisur nga fakti se do të mblidhen shumë të dhëna, procesi i parashikuar në vetëm 6 javë ndoshta do të kërkojë më shumë kohë por edhe fonde. Aktualisht fondi i miratuar për zhvillimin e CENS 2023 është 16.9 milion Euro. Nisur nga precedentët e regjistrimeve të kaluara dhe përvoja nga vendet fqinje, fondet shtesë mund të arrijnë deri në 30% më shumë se ky fond fillestar duke e bërë procesin e informacionit të kushtueshëm.
Megjithatë, në momentin aktual, kur shqetësimet lidhur me koston dhe kohën janë tejkaluar mbetet të disktutohet dhe të konsiderohet se sa do ti përgjigjet i gjithë procesi shqetësimeve të shumta dhe të ndryshme lidhur me mungesën ap0 edhe pasaktësinë e të dhënave statistikore. Gjithsesi, qeveria shqiptare në këtë kontekst, nëpërmjet zyrës kombëtare të statistikave apo INSTAT i është përgjigjur këtyre shqetësimeve me zhvillime të ndryshme metodologjike.
Këto përfshijnë përdorimin e teknologjive të reja dhe marrjen e mostrave në regjistrimin tradicional. Ka pasur gjithashtu një zhvendosje nga metodat tradicionale të regjistrimit në përdorim më të madh të regjistrave, siç u krijua në vendet nordike, dhe në përdorimin e kombinuar të regjistrave dhe anketave të mostrës.
Sipas INSTAT:
“Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave”.
Puna në terren do të zgjasë gjashtë javë.
Risitë e Cens 2023 do të jenë:
- Përdorimi i pajisjeve elektronike (tabletë), të cilat do të zëvendësojnë pyetësorët letër për procesin e mbledhjes së të dhënave në terren;
- Modernizimi i Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS) – mbledhja, monitorimi, analiza dhe shpërndarja e të dhënave;
- Censi do të shërbejë si bazë për konceptimin dhe krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë banuese”.[1]
Disa nga ndryshimet e rëndësishme në CENS 2023 krahasuar me vitin 2011 dhe më përpara është një qasje e re për mbledhjen e të dhënave në dallim nga ajo tradicionale, pra intervistimi ballë për ballë me letër është zëvendësuar nga vetë-deklarimi dhe duke pasur parasysh ekzistencën e një regjistri të përshtatshëm adresash, plotësimi i formularit tashmë mundet që të shfrytëzojë teknologjinë. Megjithatë, në përgjithësi ka ende nevojë për disa punë në terren nga anketuesit për rastet kur strategji të tilla zëvendësuese mund të mos jetë e realizueshme. Këto devijime të mundshme nga metodolgojia e miratuar duhet të mbulohen me një skenar rezervë, pasi mundet të ndryshojnë rezultatin gjatë përpunimit të të dhënave.
Po në çfarë orientohet në tërësi mbledhja e të dhënave nga Pyetësori i CENS 2023?
Në përgjigjen e kësaj pyetje mjaft të rëndësishme mjafton të shikohet formulari tip për të konstatuar se nga informacioni që do të merret përgjigjet do të qartësojnë më mirë se asnjëherë më parë lidhur me:
Banesat
- Statusin aktual të përdorimit të banesës (familje, biznes apo të dyja bashkë)
- Llojin e banesës (identifikon si pasuritë e qytetarëve, por edhe ato të vetë pushtetit dhe organizatave të ndryshme përfshirë edhe pronat e besimeve fetare)
- Periudhën e ndërtimit të banesave dhe përbërjen e tyre me ndërhyrjet e ndryshme që kanë bërë rezidentët shqiptarë ndër vite, madje duke cënuar edhe integritetin e ndërtimeve
- Statusin e banimit ku do të evidentohet edhe niveli i përmbushjes së kërkesës aktuale të tregut për banesa të reja në të ardhmen
- Adresat e saktësuara dhe emërtimin e tyre sipas përdorimit aktual duke ndihmuar me këtë rast edhe formalizimin për qëllime të taksës së pronës e më tej
- Mënyrat e furnizimit me ujë, me energji, sistemi i ngrohjes dhe ftohjes, kushtet higjeno-sanitare bashkë me shkarkimet e mbetjeve, një matje të paktën për herë të parë pas ndërtimeve dhe lëvizjeve të shumta në këto dekada të fundit
- Statusi i pronësisë së banesave dhe investimet në teknologjinë në përdorim nga pronarët, që do të tregojë edhe nivelin e mirëqenies së familjeve duke inventarizuar paisjet dhe teknologjinë që përdorin familjet shqiptare
- Informacion për tokën dhe truallin duke identifikuar edhe llojet e tyre dhe shfrytëzimin për qëllime bujqësore dhe ndërtimore (shtyrë për 2024)
- Informacion për blegtorinë dhe një qartësim të aktiveve biologjike (pemët dhe kafshët) duke i shërbyer edhe nismave të qeverisë për regjistrat përkatës që lidhen me këto tema (shtyrë për 2024)
Popullsinë
- Përbërja familjare, gjinia dhe madhësia e familjes
- Lidhjet familjare dhe statusi i tyre në lidhje me pronësinë e pasurive të paluajtshme
- Mosha e popullsisë dhe shpërndarja e moshave sipas zonave të vendit
- Statusi social dhe niveli i marëdhënieve, duke ndihmuar bashkitë për të matur informacion më të saktë lidhur me nevojat e familjeve të reja dhe familjeve të tjera
- Vendlindja e qytetarëve shqiptarë (shtetësia), ku do të mblidhet informacion edhe për dyshtetësitë duke marrë për herë të parë të dhëna të plota edhe lidhur me vendin e lindjes, rezidencën e banimit jashtë vendit, të cila ndikojnë në politikat e marrëveshjeve që adreson qeveria lidhur me kërkesat e ndërsjellta midis qeverive për bashkëkombasit e tyre
- Kombësia e qytetarëve që ndikon edhe në lidhje me inventarin e saktë të qytetarëve lidhur me të drejtat e tyre për votën, për shërbimet publike, si dhe për të orientuar më saktë shpërndarjen e buxhetit sipas grup moshave
- Besimi fetar (me dëshirë) dhe identiteti etnik, që tregojnë qartësisht edhe demografinë e azhornuar të besimeve fetare, por edhe kombësinë e qytetarëve rezidentë. Këto dy pika përbëjnë një fakt më të besueshëm për dialogun me të huajt lidhur për politikat mbi minoritetet dhe rëndësinë e mbulimit të tyre me shërbime dhe garantim të të drejtave si shtetas shqiptarë me kombësi të huaj
- Arsyet e migrimit të shqiptarëve, kohë qëndrimi, kthimet e emigrantëve, të cilat vlejnë për të orientuar më mirë politikat për minimizimin e këtij fenomeni të shumë debatuar
- Të dhënat për arsimin e të gjitha niveleve duke filluar nga lindja e fëmijës që është një tjetër informacion i duhur për korrigjimin e politikave lidhur me investimet nëpër bashki, por edhe mënyrën se si duhet të korrigjohen politikat për modelin e arsimit
- Informacion për punësimin, nivelin e punës, papunësinë dhe statusin e punësimit.
- Informacion mbi punësimin dhe angazhimin e bizneseve sipas industrive, duke garantuar që politikat ekonomike të korrigjojnë fokusin e tyre dhe të ndërgjegjësohen nëpërmjet statistikave për zhvillimin e industrive dhe nevojat për të ardhmen duke i bashkërenduar edhe me kërkesat e grupeve të bizneseve
- Informacion mbi shëndetin parësor, ku përshihen statusi i shëndetit për shqisat kryesore të qytetarëve, një moment që ndoshta vlen si informacioni më i plotë për mënyrën se si ka ndikuar në tërësi jetesa dhe zhvillimi i shoqërisë në këto vite.
- Informacione të tjera me vlerë përfshijnë përdorimin e internetit, telefonisë dhe teknologjisë së komunikimit
Por, cilat mund të jenë sfidat në gjashtë javët e regjistrimit të informacioneve të CENS 2023?
Si fillim duhet të theksojmë se, regjistrimi i popullsisë në të gjithë botën është përballur me sfida të mëdha[2], duke përfshirë presionet e kostos, shqetësimet për ndërhyrje politike, privatësinë dhe barrën e reagimit, bashkëpunimin e reduktuar, vështirësitë në aksesin në apartamente të banuara dhe bosh, numërimin e zonave të pasigurta, rregullime më komplekse të jetesës dhe shqetësime për kohën.
Nëse diskutojmë në një analizë më të thelluar të problematikave që kanë ndeshur përpara proceset si në Shqipëri në 2011, por edhe në vendet përreth duke shtrirë analizën edhe në vendet e tjera europiane, një rrisk i madh, i pranuar botërisht është se gabime mund të ndodhin dhe në fakt kanë ndodhur në të gjitha fazat e operacionit të regjistrimit, të konsideruara si gabime në mbulimin e gjithë territorit dhe popullsisë, por edhe gabime në përmbajtje[3].
Por, duke dashur që gabime të tilla, ashtu si dhe pjesa e mungesës së informacionit të plotë nga regjistrat aktualë, vullnetarizmi i popullsisë për t’ju përgjigjur pyetesorit, metodologjia që duhet zbatuar korrektësisht, si dhe sqarimet e vazhdueshme nëpërmjet publicitetit nga gjithë formatet e komunikimit duhet që të na prodhojnë në kohën e miratuar të dhëna të pakontestueshme dhe pa asnjë nuancë politike në to.
Analiza demografike ka avantazhin se nuk nevojiten të dhëna shtesë. Informacioni i disponueshëm, mund të mos ketë nevojë për staf shtesë për të kryer analizën teknike. Vlerësimi që do të behët nga ekspertët për analizën e gjithë gjetjeve dhe supervizimin e procesit dhe gabimeve mendojmë se ndihmon në identifikimin e fazave operacionale që kontribuojnë në gabimin e regjistrimit.
Shpresa e madhe është që analiza demografike të jetë e varur në mënyrë proporcionale nga të dhënat e regjistrimit të mëparshëm, të cilat gjithashtu mund të jenë me të meta. Prandaj, nëse është planifikuar me kujdes bashkëpunimi i llojeve të ndryshme të ekspertëve të përfshirë në përgatitjen, zbatimin, përpunimin dhe publikimin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave është shumë i rëndësishëm për cilësinë e rezultateve të regjistrimit.
[1] https://www.instat.gov.al/al/cens-2023/rreth-cens/%C3%A7far%C3%AB-%C3%ABsht%C3%AB-censi/
[2] https://core.ac.uk/download/pdf/144876052.pdf
[3] Gabimet e mbulimit janë gabimet që lindin për shkak të lëshimeve ose dyfishimeve të personave ose njësive të banimit në regjistrimin e regjistrimit.
Gabimet në përmbajtje janë gabime që lindin në raportimin ose regjistrimin e pasaktë të karakteristikave të personave, familjeve dhe njësive të banimit të numëruara në regjistrim.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.