Buxheti i 5-mujorit 2025 dhe suficiti që ngre më shumë pyetje se përgjigje
Buxheti publik është një mjet i politikës publike, jo një qëllim në vetvete. Kur ai reduktohet në një instrument teknokratik, ku kryefjala është suficiti dhe jo ndikimi në jetën e qytetarit, atëherë kemi të bëjmë me një përmbysje të funksionit të shtetit social.
Në analizën e pesëmujorit të parë të vitit 2025, buxheti i shtetit përmbyllet me një suficit fiskal rreth 40.4 miliardë lekë, një arritje që në pamje të parë mund të perceptohet si dëshmi disipline buxhetore. Por përtej balances kontabël, pyetjet thelbësore që ngrihen janë:
- Për çfarë u krijua ky suficit? Me çfarë ndikimi në zhvillimin ekonomik dhe social dhe mbi të gjitha, për kë është ai i dobishëm?
- Çfarë është sakrifikuar për të ruajtur këtë suficit dhe a përputhet kjo me prioritetet e një buxheti zhvillimor, gjithëpërfshirës dhe europian?
Në thelb, suficiti nuk është vetvetiu tregues i suksesit, por pasojë e raportit midis të ardhurave dhe shpenzimeve të realizuara. Kur ai lind për shkak të mosrealizimit të investimeve dhe shpenzimeve strategjike, atëherë ngre shqetësime legjitime mbi funksionimin e shtetit si garantues i zhvillimit dhe barazisë. Në rastin konkret, shpenzimet kapitale ranë me 26.2% krahasuar me planin dhe me rreth 4.3% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kjo rënie nuk është thjesht statistikë është një tregues i drejtpërdrejtë se projektet publike që duhej të ishin në ndërtim, rrugët që duhej të hapeshin, investimet në shërbime që duhej të përmirësoheshin nuk ndodhën.
Në këtë dritë, përgjigja për “për çfarë” është alarmante: suficiti është krijuar jo si rezultat i kursimit të zgjuar, por sepse paratë e planifikuara për zhvillim nuk u shpenzuan.
Këto shpenzime të pakryera kanë ndikime të thella.
Me çfarë ndikimi? Mungesa e realizimit të investimeve do të thotë më pak rritje ekonomike, më pak punësim në sektorin e ndërtimit dhe shërbimeve publike, më pak impulse për bizneset e vogla që varen nga kontratat dhe shpenzimet publike. Në mënyrë të tërthortë, ky suficit përkthehet në mungesë përmirësimi në transport, arsim, shëndetësi, ambient, fusha që janë thelbësore për mirëqenien e përditshme të qytetarëve dhe për konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Po për kë u krijua ky suficit? Sigurisht jo për qytetarin që pret një shërbim më të mirë nga administrata publike apo për komunitetet që kanë nevojë për infrastrukturë bazë. Nuk është as për bizneset që përballen me pasiguri fiskale dhe vonesa në pagesat publike.
Në thelb, ky suficit nuk u krijua për të plotësuar ndonjë objektiv konkret zhvillimi, as për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por për të mbajtur nën kontroll një raport borxhi që, ndonëse i rëndësishëm, nuk duhet të dominojë politikën buxhetore në dëm të shërbimeve themelore.
Për më tepër, buxheti i pesëmujorit 2025 nuk duket se përputhet në mënyrë të qëndrueshme me prioritetet strategjike të vendit, përfshirë përgatitjen për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Objektivat e integrimit, forcimi i sundimit të ligjit, modernizimi i administratës, mbrojtja sociale, investimet në kapitalin njerëzor dhe dixhitalizimi kërkojnë financim të vazhdueshëm, të parashikueshëm dhe të lidhur me performancën. Por kur vetë investimet publike, hallka kryesore për zbatimin e këtyre prioriteteve nuk realizohen, atëherë kemi një boshllëk të madh midis aspiratave politike dhe realitetit buxhetor.
Nga një këndvështrim i përgjegjshëm, ky suficit duhet të ngrejë pyetje të thella mbi menaxhimin e buxhetit dhe llogaridhënien. Sepse kur një ministri apo një institucion nuk arrin të zbatojë planin e vet investues, ai nuk ka thjesht një problem teknik, por një dështim në përmbushjen e misionit të tij publik. Në një shtet me qeverisje të mirë, mosrealizimi i buxhetit nuk duhet të kalojë pa reflektim e përgjegjësi.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë pse nuk janë bërë investimet e premtuara, pse projektet nuk ecin sipas planit, pse taksat e paguara nuk po përkthehen në përfitime konkrete. Ky është thelbi i transparencës dhe demokracisë fiskale.
Së fundmi, duhet vendosur një balancë e re midis ruajtjes së disiplinës fiskale dhe rolit transformues të buxhetit publik. Një qasje zhvillimore, e orientuar drejt rezultateve dhe ndikimit social, nuk përjashton qëndrueshmërinë fiskale, përkundrazi, e ndërton atë mbi bazën e rritjes reale dhe forcimit të kapaciteteve ekonomike.
Por kjo kërkon një vizion tjetër, që buxheti të mos jetë më thjesht një tabelë xhirimesh, por një instrument politikash që prodhon ndikim, ul pabarazitë dhe rrit mundësitë për të gjithë.
Në këtë kuptim, suficiti vetvetiu nuk mjafton.
Ai duhet lexuar në funksion të asaj që nuk u arrit të bëhet dhe përgjegjësia për këtë mosrealizim nuk është as teknike, as neutrale.
Është thellësisht politike dhe kërkon jo vetëm transparencë, por llogaridhënie reale ndaj qytetarëve që presin më shumë se vetëm shifra pozitive. Ata presin drejtësi në shpërndarje, barazi në akses dhe investime që ndikojnë realisht në jetën e tyre dhe për këtë nuk ka vend për vetëkënaqësi.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.