Buxheti dhe TVSH përballë biznesit dhe qytetarit

Buxheti dhe TVSH përballë biznesit dhe qytetarit

Rritja e shpejtë e barrës së shpenzimeve të qeverisë shqiptare në vitet e fundit i diktoi buxhetit të vendit rritje të deficitit gjithmonë e më të madh. Deficitet buxhetore diktuan marrjen e borxheve. Ashtu si në çdo familje apo biznes, borxhi u mor si për të shlyer borxhet, po ashtu edhe për të vazhduar jetën më tej.

Mungesa e komunikimit të sinqertë me aktorët e ekonomisë së vendit, por edhe mungesa e reformimit të ekonomisë për të ndryshuar kursin e modelit ekonomik të vendit, si dhe mungesa e reformimit të sistemit shëndetësor, të sistemit të pensioneve, dhe reforma të tjera (energjia) do t’i diktonin buxhetit nivele më të larta shpenzimesh se më parë. Kjo ka ndodhur me buxhetin e Shqipërisë përgjatë viteve.

Vitet e fundit pati një rritje të shpenzimeve buxhetore, te ndikuara nga ato borxhe qe ishin ne libra por nuk deklaroheshin ne pasqyrat buxhetore. Nëse llogaritet bashkë me fshehjet e faturave dhe rimbursimeve qe ende nga “gërmimet” ne vite janë strukur neper librat e pluhurosur te buxhetit, ato po arrijnë në shumën e 1 miliard dollarë amerikanë.

Është ky ajsbergu me i madh qe mban ende ekonominë nen kapacitetet për zhvillim, bashkë me detyrimet e brendshme që bizneset kanë ndaj bankave dhe ndaj njëri-tjetrit, të shkaktuara nga mungesa e zgjidhjes së problemeve, që u mbartën vit pas viti.

Fatkeqësisht, edhe pse mbi 70% e disbalancës së buxhetit ndodhi për shkak të rritjes së shpenzimeve në vlera mbi peshën që mund të mbante buxheti, shihet se politika e qeverise se djathtë ka shpenzuar, por pa kërkuar të ardhura shtesë, përveç atyre që administrata fiskale ka arritur të mbledhë ashtu si ka mundur.

TË ardhurat tatimore u mbërthyen aq sa mund te prodhonte ekonomia formale, pa kaluar asnjëherë me tej, te gjysma tjetër e ekonomisë qe nuk zbatonte te njëjtat ligje si ekonomia formale. Rritja e të ardhurave matanë ekonomisë formale duket se nuk ka qene ne objektivat e qeverisjes dhe as ne funksion te zhvillimit te treguesve buxhetore.

TË gjithë politikanët e botes duan të shpenzojnë sa më shumë leke buxhetore për të realizuar idetë e programet, por edhe për te kënaqur elektoratin e tyre. NË këtë drejtim, politikanët në Shqipëri nuk kanë bërë dallim.

Ndryshimi midis politikës shqiptare me politiken e botes qëndron te niveli i përgjegjshmërisë, transparencës dhe kapaciteteve administrative te ndërthurura me luftën ndaj korrupsionit.

Qeverisja duhet të ballafaqohet me këto cilësi. Nëse politikat dhe administrimi prodhojnë rezultat, çdonjëri nga qytetarët e ndien te barra fiskale që nuk rritet, shtimi i konsumit dhe parasë që kursen, përfitimin e shërbimeve publike me cilësi dhe në përgjigje të nevojave të tyre, por edhe çlirimin e informalitetit dhe përfshirjen në botën formale.

Nëse do te arrijmë të ndihemi krenarë për shtetin tonë, kjo do të ndodhë se do të ndiejmë rolin e shtetit, do të çlirohemi nga paligjshmëria, do të duam të jemi më solidarë me njëri-tjetrin, ashtu si kemi qene dikur.

NË këtë drejtim, edhe diskutimi për pagimin e tatimeve duhet kuptuar si një politikë që synon të ngushtojë deficitin buxhetor, të paguajë ato borxhe që janë marrë, por dhe të pastrojë rrugën për të bërë ekonomi te shëndetshme. Nga ana tjetër, edhe shërbimet publike duhen vazhduar të jepen me një cilësi qe duhet te ketë siguri dhe vijimësi.

Për këtë nevojiten të ardhurat.

Ndërsa, lufta ndaj evazionit dhe informalitetit është një front që kërkon përgatitje dhe zgjat në kohë, deri sa të fitohen betejat fiskale ndaj evazionit nevojitet që të forcohet administrimi për rritjen e të ardhurave pa ndërhyrë te mirëqenia e qytetarëve dhe nevojave të tyre.

NË këtë drejtim, TVSH-ja është një nga tatimet me bazën më të gjerë dhe që ndikon konsumin ne çdo hallke. Duke qenë një tatim mbi konsumatorin, dhe i fshehur në çmimin e mallrave dhe shërbimeve që konsumojmë të gjithë kërkon transparencë dhe pjesëmarrje te nevojshme të të gjitha bizneseve ne vend. Kjo është edhe arsyeja se pse përbën sfide ende edhe pas një viti nga hyrja ne fuqi përballja me ligjin e ri të TVSH-së.

Duke qenë se ky tatim gjeneron një nga pjesët kryesore të të ardhurave, nevojitet që të zbatohet sipas parimeve mbi të cilat është krijuar. Përjashtimet e bizneseve, vetëm se japin një shpresë të përkohshme për bizneset përfituese (shkaku duhet kërkuar te struktura dhe dimensioni i tregut dhe vetvetja), por në projeksionin afatmesëm dhe të largët ato deformojnë tregun dhe prekin interesat e qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.

Ajo qe presim te ndodhe është konfirmimi në praktikë i zgjerimit te bazës për të gjitha bizneset, kufizimi i mashtrimit me TVSH-në dhe si rrjedhoje reduktimi i TVSH për mallrat baze ushqimore dhe energjinë. Ky model do të gjeneronte të ardhura më shumë edhe për buxhetin apo thënë ndryshe, do të mundësojë korrektimin e shtrembërimeve deri më sot, ku pabarazia në TVSH është e dukshme.

Por, edhe qytetarët në një ekonomi ku të gjithë janë pjesë e bazës së TVSH-së dhe zbatojnë rregullat e saj, do të ndiheshin më të lehtësuar në çmimet dhe shërbimet e mallrat që do të blinin, për arsye të garancisë që jep formalizimi dhe kontrolli i kufijve të tij. Një sistem efektiv do të reduktonte TVSH-në e paguar nga qytetarët, rrjedhojë që vjen vetëm nga zbatimi i TVSH-së, sipas parimeve të barazisë dhe shtrirjes së bazës në të gjithë sektorët ekonomikë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: