Borxhi publik në Shqipëri dhe perceptimet publike mbi politikën fiskale

Borxhi publik në Shqipëri dhe perceptimet publike mbi politikën fiskale

Në vitin 2024, borxhi publik i Shqipërisë ka arritur nivelin më të ulët të dekadës, duke zbritur në 54.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ose rreth 2.8 pikë përqindjeje më pak se në dhjetor të vitit 2023, përkatësisht në vlerë nominale rreth 13.6 miliardë euro.

Ky trend rënës ka vazhduar edhe në gjysmën e parë të vitit 2025, kur borxhi publik u ul në 54.02% të PBB-së, duke reflektuar një menaxhim relativisht të kujdesshëm të shpenzimeve dhe një stabilitet të moderuar të deficitit buxhetor.

Megjithatë, edhe pse këto shifra mund të ofronin hapësirë për politika fiskale më stimuluese, Shqipëria nuk ka shfrytëzuar këtë mundësi dhe kjo situatë tregon tensionin midis kapaciteteve teknike të qeverisë dhe perceptimit publik mbi efektet e uljes së borxhit.

Një nga arsyet kryesore që shpjegon këtë mosveprim lidhet me transparencën fiskale, e cila mbetet e pjesshme dhe fragmentare.

Publiku dhe aktorët ekonomikë shpesh nuk kanë ide të qartë mbi maturimet, burimet e borxhit dhe kostot e shërbimit të tij, gjë që e vështirëson lidhjen midis uljes së borxhit, politikës së shpenzimeve dhe pritshmërive për taksat.

Ky perceptim i mangët forcohet edhe nga përvojat historike me konsolidime fiskale, të cilat kanë lënë gjurmë pesimiste dhe kanë formuar pritshmëri që çdo lehtësim fiskal do të ndikonte drejtpërdrejt mbi individët, pavarësisht nivelit relativisht të ulët të borxhit publik.

Në këtë kuptim, mungesa e një politike relaksimi fiskal pas uljes së borxhit nuk është vetëm një çështje teknike, por pasqyron një problematikë të dyfishtë.

Së pari, kombinimi i kufizimeve institucionale dhe perceptimeve të mangëta të publikut pengon përkthimin e hapësirës fiskale në politika stimulative. Qeveria nuk ka zhvilluar mekanizma të qartë për të rigjallëruar konsumimin dhe investimet, ndërsa qytetarët nuk kanë mjete për të monitoruar përdorimin e kësaj hapësire. Pa informacion të detajuar mbi maturimet, burimet e borxhit dhe kostot e shërbimit të tij, çdo ndryshim në shpenzime ose taksa perceptohet si episodik dhe i pavarur, jo si pjesë e një politike fiskale të qëndrueshme. Rezultati është një spirale ku ulja e borxhit nuk shoqërohet me ulje të presionit fiskal mbi individët, duke ruajtur një atmosferë pesimiste dhe ndjeshmëri të lartë ndaj çdo luhatjeje të ardhshme të çmimeve ose taksave.

Së dyti, përvojat historike të qytetarëve me konsolidime fiskale të mëparshme forcojnë këtë perceptim negativ. Individët që kanë përjetuar periudha të shtrëngimeve buxhetore presin që çdo lehtësim fiskal do t’i prekte ata drejtpërdrejt, pavarësisht se borxhi publik ka arritur nivele relativisht të ulëta. Kjo krijon një presion psikologjik që e bën publikun të dyshojë mbi efektivitetin e politikave fiskale dhe të mos perceptojë hapësirën e krijuar nga ulja e borxhit si një mundësi reale për lehtësim fiskal dhe stimulim ekonomik.

Në këtë mënyrë, mungesa e një politike aktive relaksimi fiskal nuk është thjesht një problem teknik, por rezultat i bashkëveprimit midis kufizimeve institucionale dhe perceptimeve të ngulitura negativisht tek publiku, duke kufizuar efektivisht potencialin e uljes së borxhit për të gjeneruar besim dhe për të stimuluar ekonominë.

Nga një këndvështrim kritik, kjo situatë tregon se ulja e borxhit publik, pa transparencë të plotë dhe komunikim të qartë, mbetet potencial i pakthyeshëm në dobi të qytetarëve. Qytetarët, të privuar nga informacioni i detajuar mbi borxhin dhe shpenzimet qeveritare nuk kanë mundësi të kuptojnë se si ulja e borxhit duhet të ndikojë në lehtësimin e barrës fiskale dhe në stimulimin e ekonomisë.

Në mungesë të analizës dhe qartësisë, e gjithë hapësira e krijuar nga ulja e borxhit mbetet e varur vetëm nga vendimmarrja e qeverisë dhe shpesh përkthehet në imponimin e instrumenteve fiskale jo-transparente. Këto miratohen përmes ligjeve ose akteve normative të pakonsultuara gjerësisht me publikun, duke shtuar barrën fiskale mbi individët. Një shembull tipik është përdorimi i taksave të fshehura brenda çmimeve, siç janë rritjet e tarifave mbi karburantet, të cilat nuk komunikohen si pjesë e një strategjie fiskale afatgjatë, por aplikohen si masa të menjëhershme me ndikim të drejtpërdrejtë në koston e jetesës.

Po kështu, vendosja e tarifave të reja administrative, për shërbime publike, energji ose ujë shpesh nuk justifikohet me kosto reale të ofrimit të shërbimit, por me nevojën e qeverisë për të mbledhur të ardhura shtesë. Një tjetër instrument i përdorur janë ndryshimet në tatimin mbi fitimin ose TVSH-në për kategori të caktuara biznesesh, të cilat kalohen pa konsultim publik dhe krijojnë ndjesinë e pabarazisë në barrën fiskale.

Në të gjitha këto raste, mungesa e transparencës i privon qytetarët nga mundësia për të kuptuar nëse këto masa janë pjesë e një politike konsoliduese koherente apo thjesht mjete për të mbushur boshllëqet buxhetore. Për pasojë, ulja e borxhit publik, që teorikisht duhet të ulte presionin fiskal, perceptohet si e parëndësishme në jetën e përditshme, pasi qytetarët ndihen gjithnjë të ekspozuar ndaj barrës fiskale përmes mekanizmave të tillë të fshehur.

Në këtë kontekst, qytetarët nuk janë në gjendje të vlerësojnë nëse lehtësimet fiskale janë të arsyeshme, ndërsa mungesa e mjeteve për monitorim dhe presion publik i bën ata pasivë ndaj reformave. Kjo situatë tregon se moszbatimi i politikës së relaksimit fiskal nuk është vetëm një çështje teknike, por reflekton gjithashtu kufizimet institucionale dhe perceptimet e publikut. Si rezultat, hapësira fiskale e krijuar nga ulja e borxhit mbetet e paaftë për t’u përkthyer në përfitime reale për ekonomi dhe shoqërinë.

Në përfundim, përvoja shqiptare tregon se ulja e borxhit publik nuk është e mjaftueshme për të gjeneruar besim tek masat fiskale ose për të stimuluar aktivitetin ekonomik në mënyrë të qëndrueshme. Siç evidenton edhe literatura ndërkombëtare[1], përfshirë studimet e FMN-së, perceptimet e publikut mbi borxhin dhe pritshmëritë për politikat fiskale ndikojnë direkt në konsum, kursim dhe sjelljen ndaj taksave dhe shpenzimeve publike. Kur transparenca mbetet e fragmentuar dhe informacioni mbi borxhin dhe shpenzimet është i pakryer ose i kontrolluar ekskluzivisht nga qeveria, qytetarët nuk mund të vlerësojnë nëse politika fiskale është e drejtë ose efektive dhe nuk kanë mjetet për të ushtruar presion për reforma të qëndrueshme. Në këtë kontekst, hapësira fiskale që krijohet nga ulja e borxhit mbetet potencial i pa-shfrytëzuar, ndërsa qytetarët mbeten skeptikë dhe të ndjeshëm ndaj çdo rritjeje të mundshme të barrës fiskale.

Për të ndryshuar këtë situatë, Shqipëria do të kishte nevojë për një qasje integrale, që përfshin transparencë të plotë, monitorim publik dhe komunikim aktiv mbi politikën fiskale dhe menaxhimin e borxhit.

Kjo është rruga për të ndërtuar besimin e qytetarëve, për të stimuluar ekonominë dhe për të kthyer përfitimet nga ulja e borxhit në dobi reale, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të kuptojnë, të monitorojnë dhe të ndikojnë politikat fiskale në të ardhmen.


[1] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2025/English/wpiea2025197-print-pdf.ashx

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.