BERAT – Migrimi i brendshëm, ekonomia dhe ndikimet sociale
Lëvizjet e popullsisë brenda qarkut, por veçanërisht daljet e qytetarëve nga territori i Bashkisë së Beratit ka dëmtuar ndjeshëm kohezionin vendor. Zonat pranë qytetit (rurale) në disa raste kanë humbur deri në ¼ e fuqisë aktive të punës, siç është rasti me zonat rurale të rajonit të Roshnikut dhe Velabishtit.
Disbalanca në strukturën gjinore në zonat rurale është i madh dhe përjashtimi social i të moshuarve që kanë mbetur është i lartë.
Zonat rurale të ndikuara, si pasojë e lëvizjeve migratore kanë ende mungesa në objekte sociale, shëndetësore dhe arsimore.
Në vijim jepen disa nga gjetjet lidhur me sa analizuar sipas dokumenteve kryesore zhvillimore vendore dhe ato buxhetore, si dhe analiza dhe treguesë statistikorë.
1. Lëvizjet e popullsisë si jashtë dhe brenda Bashkisë kanë ndikuar në uljen e popullsisë. Ashtu si në qytete të tjera me të prodhim të brendshëm në nivelin e mesëm në vend, migracioni i brendshëm në bashkinë e Beratit, si në shumicën e bashkive në Shqipëri është më së shumti sinonim i urbanizimit. Sipas Vjetarit statistikor Rajonal, 2021 të INSTAT migrimi i brendshëm neto (hyrje-dalje) në vitin 2021 në nivel qarku është në ulje, nëse krahasohet me vitin 2017 . Koeficienti bruto i migrimit neto të brendshëm në 2017 ishte 23.7 për mijë banorë, ndërsa në 2021 është 8.4 për mijë banorë. Megjithëse ka tendencë ulje të largimeve nga Berati në raport me hyrjet në të, kjo tendencë duket në pakësimin e popullsisë, që ka ndikim me peshë (përveç faktorëve të tjerë) edhe në pakësimin e popullsisë me një numër mesatar më pak prej 10.237 banorësh gjithsej (< 7.8% e popullsisë). Pjesa më e madhe e njerëzve që kanë ndryshuar vendbanimin kanë lëvizur në qendrat urbane më të mëdha, që në shumicën e rasteve, përfshijnë kryeqytetin e vendit, Bashkinë Tiranë dhe bashkitë e tjera fqinje me të, por edhe jashtë vendit .
Gjithsesi për lëvizjen migratore brenda vendit ka edhe kërkesa ligjore që nuk ndalojnë lëvizjen e lirë, por janë detyrim ligjor për tu zbatuar. Mosveprimi i punonjësve për lëvizjet e popullsisë ndikon në politika të pasakta në vendimarrjen për ndarjen e fondeve, për momentin e zgjedhjeve dhe për përfitimin e shërbimeve që jepen nga qeverisja qendrore.
Detyrimet për tu përmbushur nga qytetarët lidhen me institucionet si më poshtë :
Regjistrimi i vendbanimit në zyrën e gjendjes Civile
Regjistrimi i fëmijëve në shkollë
Transferimi i dosjes së automjetit
Regjistrimi te Qendra Shëndetësore
Regjistrimi për pensionin
2. Reagimi i politikave kombëtare dhe vendore në parandalimin e migrimit dhe nxitjen e punësimit .
Në këtë pjesë të raportit paraqitet qëndrimi i mbajtur nga qeveria qendrore dhe Bashkia e Beratit në lidhje me adresimin e problematikave të përfshira tashmë në Strategjitë sektoriale kombëtare, por edhe në relacione dhe raporte të autorësive të ndryshme, të përfshira edhe në këtë raport si referenca.
Dokumenti kryesor strategjik i politikave zhvillimore për nxitjen e ekonomisë së qëndrueshme dhe si rrjedhojë edhe punësimit cilësor është Plani i Përgjithshëm i Territorit, 2016 (PPV). Ky plan ka filluar të gjejë zbatim që në buxhetin e vitit 2017 dhe në vijim në gjithë vitet pasuese dhe është në proces zbatimi deri në vitin 2030. Në PPV përcaktohen edhe shpenzimet kryesore që do të kryhen në territorin e Bashkisë me fonde që zbatohen nga FSHZH dhe investime nga donatorë të huaj dhe bashkia kryesisht si pjesëmarrje në investime kapitale me vlerë vjetore jo më shumë se 258.1 milion lekë (2.1 milion Euro) në vitin më të mirë (2021) ndër 4 vitet e fundit.
Drejtimet kryesore të zhvillimit të investimeve janë të programuara, në Planin e detajuar vendor të Beratit (PDV) , por me status ende të panisur përmbledhtazi në infrastrukturën rrugore, në urbanizim, në infrastrukturë arsimore, shëndetësore, për ujësjellës dhe kanalizime, për rehabilitimin dhe mbrojtjen e mjedisit (lumenj, pyje, mbetjet urbane dhe të ngurta) .
Nisur nga shpenzimet që janë kryer deri më sot sipas PPV, por edhe investimet kapitale me fondet e bashkisë shihet se infrastruktura dhe gjithë drejtimet si më lart mbulojnë mesatarisht 88% të fondeve të investimeve të Bashkisë, si dhe pothuajse 100% të fondeve që investohen direkt nga FSHZH. Investimet dhe shpenzimet për organizimin e tregjeve dhe stimulimin e sektorëve nga fondet e Bashkisë arrijnë jo më shumë se 8% të investimeve kapitale.
Nga 1.25 miliard lekë (10.2 milion Euro) shpenzime gjithsej të Bashkisë për arsimin profesional janë shpenzuar 31.76 milion lekë (260 mijë Euro)
3. Rritja e shkallës së migrimit ka ndikuar negativisht mbi strukturën demografike.
Në analizën më të thelluar të ndryshimeve të numrit të popullsisë sipas grupmoshave për periudhën 4-vjeçare 2017-2021, shihet se grupmosha 0-14 vite paraqitet me 4.191 qytetarë më pak (18% ulje), grupmosha 15-64 vite me 7.150 qytetarë më pak (8% ulje) grupmosha 65+ vite me 8.576 qytetarë më pak (48% ulje) të popullsisë.
Pjesëmarrja e grave në popullatën migrante është rritur paralelisht me grupet e tjera, kryesisht për arsye të migrimit në familje, por edhe të rejave që migrojnë për arsye ekonomike dhe studimi. Nëse analizojmë lëvizjen e numrit të popullsisë sipas gjinive, vërehet një pakësim me <5.6% i numrit të femrave (< 3.557 qytetare). Në lëvizjet e mëdha të popullsisë, ajo që i përket grupmoshave 15-64 vite dhe më lart se kjo moshë mund të konsiderohen edhe si largimi i fuqisë punëtore, por edhe “trurit” dhe kapaciteteve duke u konsideruar edhe si një problem serioz.
Ky ndryshim i madh i numrit të popullsisë përfshirë edhe pakësimet natyrore është një moment për të analizuar dhe më tej për të reaguar për frenimin gradual dhe tërheqjen e rezidentëve të rinj në bashkinë e Beratit. Megjithatë, si do ta shohim edhe në vazhdim, politikat dhe burimet për zbatim janë mjaft të kufizuara për të bërë ndryshimin në këtë problematikë të mprehtë shumëvjeçare.
4. Lëvizjet e qytetarëve nuk kanë ndikuar negativisht mbi nivelin social – ekonomik.
Migrimi i brendshëm nga Berati drejt qyteteve më të mëdha apo jashtë vendit, ashtu si ka ndodhur edhe në rastin e emigracionit nga Shqipëria nxitet kryesisht nga arsye ekonomike (papunësia dhe përpjekja për kushte më të mira jetese) edhe pse në pah kanë dalë edhe konsiderata të tjera. Dy kategori të popullatës, të rinjtë dhe të rejat, të cilët e gjejnë veçanërisht të vështirë pjesëmarrjen në tregun e punës në vend kanë edhe më shumë nxitje për migrim nga Berati, pasi edhe nivelet e punësimit janë më të ulta se burrat, por edhe me paga më të ulta, sipas INSTAT.
Në ekonominë vendore shihet se në vitin 2017, të ardhurat mesatare për frymë brenda juridiksionit të bashkisë ishin 434 mijë lekë dhe një nivel papunësie prej 6.8% . Numri i aktiviteteve private ishte 1.889 biznese në nivel bashkie dhe 8.763 biznese në nivel qarku.
Vini re!
Nisur nga largimet e ndjeshme në këtë bashki duhet të ndërtohet edhe një politikë investimesh dhe mënyra e komunikimit me publikun bazuar te parandalimi nëpërmjet edukimit profesional, por edhe investimit në infrastrukturën shëndetësore.
Në vitin 2020, të ardhurat mesatare për frymë ishin 474 mijë lekë dhe një nivel papunësie prej 8% . Numri i aktiviteteve private ishte 2.325 biznese (rritje me 27.5%) në nivel bashkie dhe 9.616 biznese në nivel qarku. Në krahasimin e peshës së bizneseve brenda territorit të bashkisë me bizneset në nivel qarku duket se pesha e tyre në 2017 është 21.5% e totalit dhe në 2021 është sa 24% e totalit.
Këto dimensione të tregut privat tregojnë për një rritje të vogël të aktiviteteve në 2021 krahasuar me 4 vite më parë, por nëse e krahasojmë me vite përpara kësaj periudhe duket se nuk ka një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë vendore dhe bizneseve pjesëmarrëse në të. Nga ana tjetër papunësia duket se është rritur më së shumti për arsye të mbylljes së bizneseve, ashtu si duket edhe në planifikimin e të ardhurave vendore në PBA 2022-2024.
5. Ndikimi në të ardhurat vendore është problem që duhet të adresohet për zgjidhje lidhur me mospagimin e taksave.
Në drejtim të ndikimit te të ardhurat tatimore të Bashkisë, duket se migrimi i familjeve ka ndikuar në mosmbledhjen e detyrimeve tatimore dhe tarifore për to . Një numër familjesh që kanë migruar kanë prona në pronësi dhe ato nuk janë tatimpaguese edhe pse ligji i taksave vendore nuk i përjashton. Në njësitë administrative rurale ky proces i azhornimit të të dhënave është i nevojshëm të kryhet i plotë bazuar mbi afate plotësimi dhe përditësimi.
Këto të dhëna të pa azhornuara ndikojnë në performancën e të ardhurave nga tatami mbi pronën, i cili duhet të ishte një nga zërat kryesorë të të ardhurave vendore. Një angazhim i koordinuar midis institucioneve dhe individëve që janë në rolin e kryetarit të fshatit, duhet të aplikohen gjithë hapat ligjorë të bllokimit të llogarive dhe bllokimin e mundësive për të marrë shërbime në njësi pa likujduar detyrimet ndaj bashkisë.
6. Politikat strategjike kombëtare dhe programet vendore nuk kanë mundur ta frenojnë largimin e qytetarëve nga Berati.
Në tërësi, nëse shikojmë zhvillimin e ekonomisë së Beratit duket se vlera e shtuar në ekonomi ka patur rritje, e cila reflektohet edhe në të ardhurat për frymë në rritje prej 8% , apo mesatarisht rritje 2% në vit. Ky nivel i shtimit të të ardhurave mesatare për frymë na tregon se zhvillimi ka patur rritje të pandjeshme për familjet dhe individët, e cila është në të njëjtën kohë e pamjaftueshme për të përballuar peshën e rritjes së çmimeve për shpenzimet e ndryshme.
Kur shikojmë Strategjia sektoriale kombëtare për punësim dhe aftësim 2019 -2022 ka pak elementë të përmendura si përparësi strategjike kanë gjetur zbatim në qasjen vendore. Në tërësi mungojnë lidhjet e objektivit për nxitjen e përfshirjes sociale dhe kohezionit territorial me programe të dedikuara vendore dhe me angazhim me struktura të plota dhe funksionale.
Nga verifikimi në dokumentet kryesore të bashkisë nuk gjendet i programuar në asnjë dokument kryesor të miratuara nga Këshilli Bashkiak apo të jetë në zbatim nga struktura të posaçme nga bashkia.
Kjo mënyrë veprimi duket se kërkon një dokument bashkëlidhës midis Strategjisë kombëtare dhe Plan Veprimit në nivel vendor.
Kujdes!
Problemi i migrimit do të fillojë të ndihet edhe më shumë në bizneset vendore, ashtu si në gjithë vendin, për arsye të largimit të specialistëve të ndryshëm në sektorin privat që kërkojnë një pagesë të lartë të aftësive të tyre në tregun e huaj. Në këtë rast, Bashkia në koordinim me institucionet rajonale duhet të sensibilizojnë nisma për një marëdhënie të re midis punëdhënësve dhe punëmarrësve për rikualifikimi të pagës dhe indeksim të saj sipas edhe kushteve aktuale të ekonomisë nën inflacion.
Realiteti ekonomik dhe demografik në dinamikën e tij ka sjellë një ndryshim edhe në strukturimin e biznesit, kryesisht për bizneset e reja, si dhe duke u shoqëruar dhe me pezullime apo mbyllje aktiviteti. Aktualisht, biznesi i madh përbën 22 % të numrit total, biznesi i vogël 75 %, institucionet dhe ambulantët nga 3 % të tij.
Numri total i bizneseve është 2.325, prej të cilave biznes i madh 502 dhe biznes i vogël 1.745 biznese dhe kanë një shtrirje gjeorgrafike si më poshtë:
Qyteti Berat ka 1.792 biznese ose 77% të numrit total, të cilat përbëjnë 80% të biznesit të madh të bizneseve gjithsej dhe 75% të bizneseve të vogla gjithsej.
Njësia Otllak ka 306 biznese në total ose 13.1% të totali, ose sa 13.5% të totalit të biznesit të madh dhe sa 13.6% të totalit të biznesit të vogël gjithsej.
Njësia Velabisht ka 7% të numrit total ose 155 biznese, nga të cilat 3% të totalit të biznesit të madh dhe 8% të totalit të biznesit të vogël.
Njësia Roshnik ka 1% të numrit total të bizneseve nga të cilat 1% të totalit të biznesit të madh dhe 2% të totalit të biznesit të vogël. Njësia Sinjë ka 2% të numrit total të bizneseve, nga të cilat 3% të totalit të biznesit të madh dhe 1% të totalit të biznesit të vogël.
Sektorët kryesorë mbi të cilët mbështetet ekonomia e Bashkisë Berat janë bujqësia, turizmi, agropërpunimi dhe sektori i shërbimeve. Njësitë Otllak, Roshnik, Velabisht dhe Sinjë kanë si sektor bazë bujqësinë. Kultivimi i pemëve frutore, ullinjve dhe vreshtarisë është parësor në këto zona.
Biznesi në qytetin e Beratit është i fokusuar më shumë në sektorin e shërbimit.
Bizneset e mesme dhe të mëdha operojnë kryesisht në dy sektorë kryesorë: Tregti (import-eksport) dhe Transport mallrash dhe udhëtarësh.
Bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit kryejnë aktivitetin e tyre kryesisht në shërbime dhe më pak në prodhime artizanale dhe agrobujqësore.
Në nivel qarku , sipas tregut formal të punës, në bujqësi punojnë 64% e të punësuarve, në industri punojnë 11% e të punësuarve dhe në shërbime punojnë 25% e të punësuarve.
Qyteti i Beratit punëson te 66.9% e numrit të punësuarve në raport me numrin e të punësuarve gjithsej. Në njësitë e tjera përreth qytetit mbajnë një peshë në tregun e punës duke u punësuar në aktivitete prodhimi dhe tregtare, me 29% të numrit të punonjësve dhe bujqësia edhe pse sektor me ndikim në ekonominë lokale ka një peshë me 4.1 % të numrit të punonjësve gjithsej.
Ndërkohë ne pyetëm publikun e Beratit lidhur me shërbimet e bashkisë dhe si e perceptojnë ata këtë nga jeta e tyre e përditshme.
Me Anketimin qe kryem ne 2022 ne testuam publikun lidhur me shërbimet e administratës bashkiake. Lidhur me pyetjen “Tregoni përshtypjen tuaj aktuale për cilësinë e shërbimit nga Bashkia” lidhur me konfirmimin nëse “Punonjësit e bashkisë kanë njohuri”, 60% nuk e konfirmuan këtë, 30% u përgjigjën “Deri diku” dhe 10% konfirmuan këtë pyetje.
Në pyetjen tjetër që u drejtuam “Nëse ka punonjës që ju kushtojnë vëmendje?” 65% nuk e konfirmuan këtë, 15% u përgjigjën “Deri diku” dhe 20% e konfirmuan këtë pozitivisht.
Kur i kërkuam publikut që pyetëm të na përgjigjen mbi përvojën e tyre nëse “Punonjësit e Bashkisë janë gjithmonë të gatshëm t’ju ndihmojnë”, 60% nuk e konfirmuan këtë, 20% u përgjigjën “Deri diku” dhe 20% e konfirmuan këtë pozitivisht.
Ndërsa kur u kërkuam konfirmim ose jo mbi qasjen “Kur Bashkia premton se do të bëjë diçka në një kohë të caktuar, e bën atë që thotë”, 85% nuk e konfirmuan këtë dhe 15% e konfirmuan.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.