Banka e Shqipërisë blen si kurrë më parë valutë, por a po e humbet besueshmërinë politika monetare?

Banka e Shqipërisë blen si kurrë më parë valutë, por a po e humbet besueshmërinë politika monetare?

Në një prej ndërhyrjeve më të mëdha në historinë e saj, Banka e Shqipërisë bleu 930 milionë euro gjatë vitit 2024[1] dhe rreth 800 milion Euro për 9-mujorin 2025, në përpjekje për të frenuar forcimin e tepruar të Lekut dhe për të ruajtur stabilitetin e tregut valutor.
Megjithatë, edhe pse ndërhyrjet kanë vijuar me ritme të ngjashme gjatë muajve të parë të 2025, kursi i këmbimit të euros ka vazhduar të bie, duke arritur nivele rekord të ulëta.

Sipas analizës së ALTAX, kjo situatë tregon se instrumentet e politikës monetare po humbasin efektin e tyre, ndërsa ekonomia shqiptare po përballet me një realitet të ri: forcimin e Lekut përtej çdo parashikimi, të ndikuar nga flukset e larta hyrëse të valutës, nga investimet, remitancat dhe prurjet e turistëve.

Një paradoks që thellon dilemën monetare

Ndërhyrjet masive të Bankës së Shqipërisë synojnë të mbrojnë konkurrueshmërinë e eksporteve dhe të mbajnë nën kontroll presionet inflacioniste, por zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros ka prodhuar efekt të kundërt me rënie të fitueshmërisë në sektorët eksportues, ulje të vlerës së të ardhurave në euro dhe forcim të perceptimit për mungesë të ekuilibrit të tregut.

Në vend që të stabilizojë kursin, politika e blerjes së valutës ka nxjerrë në pah mungesën e mekanizmave të brendshëm për përthithjen e valutës dhe varësinë strukturore të ekonomisë nga flukset e jashtme.
Kjo gjendje po rrit presionin mbi Bankën e Shqipërisë, e cila ndodhet mes dy objektivave të vështira: mbajtjes së inflacionit nën kontroll dhe ruajtjes së besueshmërisë së politikës monetare.

Besueshmëri në provë

Në raportet zyrtare, Banka e Shqipërisë thekson suksesin në uljen e inflacionit në nivelin 2.2%, por tregu financiar duket më pak i bindur. Euro po zhvlerësohet më shpejt se çdo vit tjetër, ndërkohë që ndërhyrjet monetare janë bërë më të shpeshta dhe më të kushtueshme.
Ky kontrast ka sjellë në qendër të debatit çështjen e besueshmërisë institucionale.
A mundet një politikë monetare e bazuar në blerje të mëdha valute të garantojë stabilitet afatgjatë?

ALTAX nënvizon se sfida e vërtetë e Bankës së Shqipërisë nuk është më thjesht menaxhimi i kursit të këmbimit, por rikthimi i besimit në mekanizmin e saj të ndikimit.
Në kushtet e euroizimit të lartë dhe të një tregu që gjeneron valutë përtej nevojës për qarkullim, ndërhyrjet e centralizuara kanë efekt gjithnjë e më të kufizuar.

“Nuk mjafton të blihet valutë për të ruajtur ekuilibrin. Duhet të ndërtohet besim, përndryshe tregu nuk reagon ndaj politikës, por ndaj perceptimit,” – thekson analiza e ALTAX.

Një dilemë që kërkon reformim

Ekonomistët paralajmërojnë se nëse prirja aktuale vijon, Shqipëria rrezikon të përballet me një deformim të qëndrueshëm të kursit të këmbimit, ku Leku i fortë dëmton eksportet dhe nxit varësi më të madhe nga importet, duke ulur konkurrueshmërinë e brendshme.
Zgjidhja, sipas analizës, qëndron jo në intensifikimin e ndërhyrjeve, por në bashkërendimin e politikës monetare me atë fiskale, si dhe në krijimin e instrumenteve që kanalizojnë valutën e tepërt në zhvillim ekonomik real. Në fund, pyetja që mbetet pa përgjigje është thelbësore:
– Sa gjatë mund të blejë Banka e Shqipërisë besueshmëri me eurot që tërheq nga tregu?


[1] https://www.bankofalbania.org/Shtypi/Njoftimet_per_shtyp/Fjala_e_Guvernatorit_Sejko_gjate_prezantimit_te_Raportit_Vjetor_te_Bankes_se_Shqiperise_per_vitin_2024_ne_Komisionin_e_Kuvendit_per_Ekonomine_Punesimin_dhe_Financat.html

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.