Studimi i ri analizon ndikimin e ndërhyrjeve të BSH-së dhe flukseve valutore 2023–2025
Në një periudhë ku kursi i lekut duket i fortë, ekonomia reale shqiptare tregon një dobësi të vazhdueshme.
Një studim i ri i prezantuar sot me titull “Paradoksi makroekonomik i forcimit të lekut pa forcë reale ekonomike” hedh dritë mbi këtë fenomen, duke analizuar ndërhyrjet rekord të Bankës së Shqipërisë (BSH) dhe ndikimin e burimeve valutore formale dhe informale mbi kursin e këmbimit në vitet 2023–2025.
Studimi tregon se, përtej shifrave statistikore, forcimi nominal i lekut nuk reflekton forcën reale të ekonomisë shqiptare. Ndërhyrjet masive të BSH-së, që përfshijnë blerje historike valutore mbi 930 milionë euro në 2024 dhe 800 milionë euro në 9-mujorin e parë të 2025, kanë funksionuar kryesisht si tampon afatshkurtër për të frenuar rënien e euros.
Sipas autorëve, stabiliteti financiar nuk është më produkt i forcës ekonomike, por rezultat i menaxhimit të flukseve valutore, përfshirë edhe ato informale.
Rezultatet kyçe të studimit përfshijnë:
- Investimet e Huaja Direkte (IHD), remitancat dhe turizmi neto janë burime të konsiderueshme të valutës, por pjesa më e madhe e flukseve të tyre nuk hyn në qarkullimin aktiv të tregut, duke reduktuar efektivitetin e politikës monetare.
- Ekonomia gri dhe transaksionet jashtë sistemit bankar krijojnë një kurs “paralel”, ku kursi formal reflekton ndërhyrjet e BSH-së, ndërsa kursi efektiv për qytetarët dhe bizneset mbetet më i ulët.
- Nga fillimi i 2023 deri në gjysmën e parë të 2025, euro humbi rreth 17% të vlerës, pavarësisht rritjes së hyrjeve formale të valutës.
Studimi përdor një metodologji integruese, duke analizuar horizontalisht dhe vertikalisht hyrjet valutore, burimet formale dhe informal, si dhe skenarë hipotetikë të ndërhyrjeve të reduktuara për të evidentuar ndikimin real të politikës monetare mbi kursin e këmbimit.
Mesazhi për politikbërësit dhe biznesin!
- Ndërhyrjet e BSH-së janë të domosdoshme, por veprojnë vetëm si korrigjues afatshkurtër.
- Kontrolli i tregut informal dhe transparenca e flukseve valutore janë vendimtarë për stabilitet afatgjatë.
- Forcimi nominal i lekut nuk është tregues i fuqisë reale ekonomike, por reflektim i menaxhimit të presionit valutore dhe i flukseve sezonalë/informale.
Ky studim ofron një perspektivë të thelluar dhe integruese mbi tregun valutor shqiptar, duke shkuar përtej analizave tradicionale makroekonomike dhe duke vendosur fokusin tek ndikimi real i ekonomisë gri dhe i flukseve joformale në kursin e këmbimit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.