Anëtarësimi në BE nuk mjafton: Mësimet nga CESEE për Shqipërinë
Nga iluzioni i afrimit tek sfida reale e transformimit të brendshëm – Shqipëria në prag të një udhe vendimtare
1. Rrugëtimi i gjatë dhe i fragmentuar i integrimit
Prej më shumë se tri dekadash, vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) kanë ndjekur një kurs të vendosur drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në këtë rrugë, arritjet e hershme ishin të dukshme:
- Ekspansioni tregtar dhe integrimi në zinxhirët globalë të vlerës i dha hov rritjes ekonomike;
- Investimet e huaja direkte sollën teknologji, dije menaxheriale dhe rritën produktivitetin;
- Të ardhurat për frymë u rritën ndjeshëm, me disa vende që ngushtuan ndjeshëm hendekun me BE-në;
- U kryen reforma institucionale dhe ligjore të rëndësishme për të përmbushur kriteret e anëtarësimit.
2. Roli i BE-së si ankorë reformash
Bashkimi Europian ka qenë jo vetëm një destinacion politik, por edhe një ankorë strategjike për reformat. Mekanizmat si acquis communautaire, kriteret e Kopenhagës dhe asistenca e gjerë financiare kanë funksionuar si mjete presioni pozitiv për modernizimin e shtetit, administratës publike dhe mjedisit të biznesit.
2. Reforma të papërfunduara dhe probleme të reja strukturore
Megjithëse shumë vende të CESEE-s kanë hyrë në BE, realiteti pas anëtarësimit nuk ka përmbushur gjithmonë pritshmëritë. Procesi reformues është zbehur dhe “lodhja nga reformat” është bërë dukuri sistemike.
Pas krizës financiare të vitit 2008, investimet u tkurrën dhe rritja e produktivitetit u ngadalësua;
Reformimi i administratës publike, drejtësisë dhe sistemit arsimor ngeci në vend;
Tregu i punës është përballur me mungesë aftësish, ndërsa emigracioni dhe plakja demografike kanë thelluar problemet strukturore;
Kostot e larta të energjisë dhe zhvendosja e zinxhirëve globalë po vënë në pikëpyetje modelin tradicional të rritjes.
Në fazën e parë, vendet e CESEE patën sukses falë “kapjes së përshpejtuar” të BE-së përmes integrimit tregtar, fondeve europiane dhe FDI-ve.
Por kjo formulë është konsumuar.
Për një fazë të dytë të zhvillimit, nevojitet:
- Transformim institucional të qëndrueshëm;
- Inovacion endogjen dhe sistem arsimor që përgatit brezin e ri për sfidat e teknologjisë;
- Qeverisje transparente dhe shtet funksional që i jep fund klientelizmit dhe stagnimit burokratik.
Rasti i Shqipërisë: Midis mundësisë historike dhe rrezikut të përsëritjes së gabimeve
Shqipëria ndodhet sot në një fazë kyç të procesit të anëtarësimit: negociatat janë hapur, por ende janë në stadin teknik të shqyrtimit të kapitujve. Në këtë pikë, ka rrezik të përsëritet modeli i vendeve që “u lodhën” nga reformat pas progresit fillestar.
Çfarë mundet të shmangë Shqipëria?
- Vetëkënaqësinë e rremë me hapjen e negociatave – Procesi teknik nuk është sukses politik përfundimtar, por fillimi i një transformimi shumë të dhimbshëm institucional;
- Politizimin e reformave – Reformat në drejtësi, administratë, arsim dhe treg pune nuk mund të jenë stinë zgjedhore, por pjesë e një projekti afatgjatë kombëtar;
- Kapjen e fondeve dhe mungesën e kapaciteteve absorbuese – Fondet e BE-së nuk janë as bekim as mallkim në vetvete, por varen nga transparenca, aftësia e administratës dhe monitorimi i shoqërisë civile.
Çfarë mundet të ndërtojë Shqipëria?
- Një kontratë sociale të re midis shtetit dhe qytetarit, ku reformat nuk janë “dhimbje kalimtare” por infrastrukturë për zhvillim të qëndrueshëm.
- Kapacitete strategjike kombëtare për reformim dhe zbatim, jo thjesht për përmbushje kriteresh teknike, por për një shtet funksional që ofron shërbime moderne dhe promovon inovacionin;
- Politika të guximshme për rininë dhe talentin, për të frenuar emigracionin dhe për të krijuar arsye reale që të qëndrojnë dhe ndërtojnë në vendin e tyre.
Ringjallja e reformave mbështetur mbi tre kolona për të shmangur stanjacionin
Nëse reformat vazhdojnë të shtyhen, Shqipëria ashtu si vendet e CESEE rrezikon të bjerë në një status quo të dëmshme, ku rritja është e ulët, shpresa e qytetarëve zbehet dhe nacionalizmat e mbushin boshllëkun politik. Ndërsa konkurrueshmëria ndërkombëtare do të rrezikohet.
Nga analizat e ndryshme dhe kryesisht bazuar mbi modelet e FMN-së ekspertët kanë evidentuar tri fusha ku ndërhyrja është jetike:
- Reforma në arsim dhe aftësi
Mungesa e përputhjes mes diplomave dhe tregut të punës është bërë patologjike. Vendet si Kroacia dhe Bullgaria përjetojnë emigrim të të rinjve të kualifikuar, ndërsa bizneset raportojnë mungesë talentesh. Ndërhyrja duhet të jetë radikale: edukim i orientuar drejt STEM, trajnime të përhershme dhe lidhje e fortë me sektorin privat. - Qeverisje dhe shtet ligjor
Pa institucione të pavarura dhe të besueshme, investimet ngurrojnë. Rasti i Rumanisë është një sinjal alarmi – përparimi në drejtësi u përmbys pas anëtarësimit, duke treguar se BE-ja nuk mjafton si garanci për reforma të qëndrueshme, në mungesë të vullnetit politik të brendshëm. - Fleksibilizim i tregut të punës dhe përqafimi i teknologjisë
Përdorimi i teknologjive të reja dhe ristrukturimi i tregut të punës kërkon politika aktive, jo thjesht pritje pasive për investitorë të huaj. Sllovenia ka nisur politika për t’i dhënë stimuj startupe-ve digjitale – një model që mund të zgjerohet në rajon.
Në mbyllje vlen të thuhet se integrimi europian nuk është finish, por një kontratë e re për zhvillim dhe fillimi i sfidave të reja.
Procesi i integrimit europian është më shumë sesa një rrugëtim burokratik me kapituj dhe tabela kontrolli është një reformim i brendshëm i modelit të shtetit, tregut dhe shoqërisë.
Për Shqipërinë dhe vendet e CESEE-s, rreziku i vërtetë nuk është mosanëtarësimi, por anëtarësimi i paplotë, ku vendi hyn në BE pa ndërtuar themelet për një ekonomi konkurruese, institucione funksionale dhe shtet ligjor.Zgjedhja është e qartë: ose reformim i thellë për të kapur të ardhmen, ose stanjacion i butë me iluzion integrimi.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.