Analiza e tendencave të Borxhit Publik ndaj PBB-së dhe konsolidimi fiskal
Borxhi publik është një ndër treguesit kryesorë të qëndrueshmërisë fiskale të një vendi. Në këtë analizë do të shqyrtojmë tendencat e borxhit publik të Shqipërisë në raport me PBB-në gjatë periudhës 2014-2024, duke vlerësuar ndikimin e deficitit buxhetor, rritjes së të ardhurave dhe faktorëve të jashtëm ekonomikë.
Gjatë këtyre viteve, qeveria ka aplikuar politika të ndryshme fiskale dhe ka pasur një qasje të ndryshueshme ndaj borxhit publik, e cila ka reflektuar situatën ekonomike, nevojat për financim dhe presionet ndërkombëtare mbi qëndrueshmërinë fiskale.
Tabela më poshtë përmbledh të dhënat kryesore mbi stokun e borxhit publik dhe raportin e tij ndaj PBB-së. Kjo pasqyron ndryshimet në borxhin total të Shqipërisë, duke marrë parasysh si borxhin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm, si dhe ndikimin e rritjes ekonomike në uljen ose rritjen e këtij raporti.
Viti | Borxhi Publik (mln lekë) | Rritja e Borxhit (%) | PBB (mln lekë) | Ndryshimi PBB v/v (%) | Borxh/PBB (%) |
2014 | 977,102 | – | 1,395,305 | – | 70.03 |
2015 | 1,042,272 | +6.7% | 1,434,307 | +2.8% | 72.67 |
2016 | 1,065,709 | +2.3% | 1,472,479 | +2.7% | 72.38 |
2017 | 1,087,342 | +2.0% | 1,550,645 | +5.3% | 70.12 |
2018 | 1,106,569 | +1.8% | 1,660,820 | +7.1% | 66.63 |
2019 | 1,112,044 | +0.5% | 1,712,037 | +3.1% | 64.95 |
2020 | 1,224,038 | +10.1% | 1,655,984 | -3.3% | 73.92 |
2021 | 1,382,625 | +12.9% | 1,866,674 | +12.7% | 74.07 |
2022 | 1,378,421 | -0.3% | 2,149,741 | +15.1% | 64.12 |
2023 | 1,362,727 | -1.1% | 2,369,906 | +10.2% | 57.50 |
2024 | 1,364,981 | +0.2% (vlerësuar) | 2,494,208 | +5.3% (vlerësuar) | 54.73 |
Në periudhën 2014-2019, Shqipëria u përball me sfida në menaxhimin e borxhit publik, por arriti të ulë gradualisht raportin borxh/PBB nga 70.03% në 64.95%. Kjo u arrit falë një kombinimi të politikave fiskale që kufizuan rritjen e borxhit dhe një zgjerimi të moderuar të ekonomisë. Megjithatë, kriza e pandemisë në vitin 2020 ndikoi rëndë financat publike, duke shkaktuar një tkurrje ekonomike prej -3.3% dhe një rritje të borxhit me mbi 10%. Për rrjedhojë, raporti borxh/PBB u rrit ndjeshëm në 73.92% në fund të vitit 2020.
Në vitet pas pandemisë, rimëkëmbja ekonomike ka kontribuar ndjeshëm në uljen e borxhit në raport me PBB-në. Në 2021, ekonomia shqiptare u rrit me 12.7%, ndërkohë që borxhi publik u rrit në të njëjtin nivel, duke mbajtur raportin borxh/PBB mbi 74%. Në vitin 2022, përmirësimi i të ardhurave fiskale dhe rritja ekonomike e fortë prej 15.1% çoi në një ulje të ndjeshme të raportit borxh/PBB në 64.12%. Ky trend pozitiv vazhdoi edhe në 2023 dhe parashikohet të vijojë në 2024, me një raport të borxhit që pritet të bjerë në 54.73%.
Megjithatë, për të ruajtur këtë prirje pozitive, është e nevojshme të sigurohet një rritje ekonomike e qëndrueshme mbi 4% në vit, ndërkohë që administrimi i borxhit duhet të jetë më i kujdesshëm për të shmangur varësinë nga huamarrja e shtrenjtë. Përveç kësaj, mbajtja e deficitit buxhetor nën 2.5% të PBB-së do të ndihmonte në reduktimin e mëtejshëm të borxhit pa ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik.
A është rritur ekonomia më shpejt se borxhi?
Duke u bazuar në të dhënat e përditësuara për rritjen e PBB-së:
Në 2021, PBB u rrit me 8.97%, ndërsa borxhi publik u rrit me 12.9%. Në këtë vit, borxhi u rrit më shpejt se ekonomia, duke e mbajtur raportin borxh/PBB në nivele të larta (74.07%).
Në 2022, PBB u rrit me 4.84%, ndërsa borxhi publik ra me -0.3%, duke sjellë një ulje të raportit borxh/PBB nga 74.07% në 64.12%. Kjo tregon se ekonomia u rrit më shpejt se borxhi, çka ndihmoi në konsolidimin fiskal.
Në 2023, PBB u rrit me 3.97%, ndërsa borxhi publik ra me -1.1%, duke e ulur raportin borxh/PBB në 57.50%.
Në 2024 (vlerësuar), PBB pritet të rritet me 3.8%, ndërsa borxhi publik do të ketë një rritje minimale, çka do ta ulë më tej raportin borxh/PBB në 54.73%.
Nga sa shihet në periudhën më të fundit nga 2021 deri në 2024, ekonomia është rritur më shpejt se borxhi publik, përveç vitit 2021, kur borxhi u rrit me ritme më të larta për shkak të efekteve të pandemisë dhe nevojës për financime shtesë. Nga viti 2022 e në vijim, rritja ekonomike ka tejkaluar borxhin, duke mundësuar uljen e raportit borxh/PBB.
Megjithatë, duhet theksuar se rritja e PBB-së ka ardhur në ngadalësim, nga 8.97% në 2021 në 3.8% në 2024. Kjo tregon se edhe pse borxhi është ulur, nëse ekonomia nuk arrin të mbajë ritme më të larta rritjeje, ulja e mëtejshme e borxhit mund të bëhet më e vështirë. Për këtë arsye, politikat fiskale duhet të jenë të kujdesshme për të mos ndikuar negativisht në investimet dhe konsumin, të cilat janë faktorë kyç për rritjen ekonomike.
A është Shqipëria në rrugën e konsolidimit fiskal dhe përdorimit të borxhit për zhvillim ekonomik?
Në vitet e fundit, Shqipëria ka treguar një tendencë të uljes së raportit borxh/PBB, por analiza më e thelluar tregon se ky proces nuk është i qëndrueshëm dhe nuk vjen domosdoshmërisht si rezultat i politikave fiskale efektive. Pavarësisht një uljeje graduale të borxhit publik pas vitit 2020, është e rëndësishme të kuptohet nëse ky trend është i qëndrueshëm apo thjesht një efekt statistik i rritjes së PBB-së nominale.
Pse ka ndodhur kjo tendencë ulëse?
Së pari është rritja e PBB-së në terma nominalë. Një pjesë e rënies së raportit borxh/PBB mund të jetë më shumë statistikore sesa efektive, pasi PBB-ja është rritur kryesisht për shkak të inflacionit dhe jo rritjes reale të ekonomisë.
Së dyti, deri në 2025 qeveria ka më pak huamarrje të re në tregjet e huaja. Pas krizës së pandemisë COVID-19 dhe tërmetit të vitit 2019, qeveria ka ulur ritmet e huamarrjes, duke ndihmuar në frenimin e rritjes së borxhit.
Së treti është rritja e të ardhurave fiskale. Mbledhja e të ardhurave fiskale nga TVSH-ja dhe taksat e tjera kanë sjellë më shumë të ardhura në buxhet, duke reduktuar nevojën për borxh të ri. Për vitin 2025, të ardhurat e buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 754.6 miliardë lekë, një rritje prej 40.6 miliardë lekësh krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, falë edhe përmirësimit të administrimit fiskal dhe ngushtimit të informalitetit edhe pse me ritme mjaft të ulëta.
Pas një rritjeje të ndjeshme të borxhit publik në vitin 2020 për shkak të pandemisë dhe rindërtimit, Shqipëria ka ndjekur një trend ulës të këtij raporti, i ndikuar kryesisht nga faktorë si deficiti buxhetor dhe rritja e të ardhurave buxhetore.
Së katërti është dhe ndikimi i deficitit buxhetor në Borxhin Publik. Në vitin 2020, deficiti buxhetor arriti një nivel rekord prej 110 miliardë lekësh (rreth 890 milionë euro), për shkak të rënies së të ardhurave dhe rritjes së shpenzimeve për shkak të pandemisë dhe rindërtimit pas tërmetit.
Në 2023 ka një ulje e Deficitit Buxhetor, i cili u reduktua në 31 miliardë lekë, niveli më i ulët që nga viti 2018. Kjo erdhi si rezultat i mosrealizimit të shpenzimeve të planifikuara dhe një administrimi më të mirë fiskal.
Këto të dhëna tregojnë se, pas një rritjeje të ndjeshme të borxhit publik në vitin 2020, Shqipëria ka arritur ta ulë gradualisht këtë raport, kryesisht falë rritjes së të ardhurave buxhetore dhe frenimit të deficitit. Megjithatë, është e paqartë nëse kjo ulje do të jetë e qëndrueshme në afat të gjatë apo është thjesht një efekt i rritjes nominale të PBB-së.
Shembulli i Irlandës: A mund ta ndjekë Shqipëria këtë model?
Një shembull i suksesshëm i uljes së borxhit publik është rasti i Irlandës pas krizës financiare globale të vitit 2008.
Në vitet 2008-2013, Irlanda pati rritje të Borxhit Publik. Kriza financiare dhe kolapsi i sektorit bankar çuan borxhin publik në mbi 120% të PBB-së.
Masat dhe qasjet e zbatuara për uljen e borxhit konsistuan në:
- Konsolidimin fiskal, qëpërfshihnë masa të shtrënguara fiskale, përfshirë uljen e shpenzimeve publike dhe rritjen e taksave.
- Reformat strukturore, me përmirësime në tregun e punës dhe sektorin financiar për të nxitur konkurrencën dhe rritjen ekonomike.
- Mbështetjen Ndërkombëtare, duke përfituar nga ndihma financiare e BE-së dhe FMN-së për të përballuar krizën.
Rezultatet apo pritshmëria e përmbushur ishte fakti se borxhi publik ra në 58% të PBB-së në vitin 2019 falë rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe menaxhimit të kujdesshëm fiskal.
Mësime të nxjerra për Shqipërinë vlejnë po njësoj si më lart.
Rëndësia e konsolidimit fiskal lidhet me domosdoshmërinë për masa të shtrënguara, jo vetëm nga shpenzimet, por edhe në mposhtjen e informalitetit, të cilat mund të ndihmojnë në stabilizimin e financave publike në afat të gjatë.
Reformat strukturore kanë mbetur në mes të rrugës, apo janë të shkëputura dhe pa efekt të ndjershëm. Përmirësimi i efikasitetit të tregut të punës dhe sektorit financiar mund të nxisë rritjen ekonomike dhe të ardhurat buxhetore.
Mbështetja ndërkombëtare e ofruar është shfrytëzuar pak dhe pa ndikimin e duhur në ekonomi dhe treg. Përfshirja në projekte rajonale dhe bashkëpunimi me organizata ndërkombëtare mund të sigurojë burime financiare dhe teknike për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Shqipëria duket se është në rrugën e konsolidimit fiskal, por ky proces mbetet i paqëndrueshëm. Nëse qeveria nuk ul realisht borxhin, por përfiton vetëm nga rritja nominale e PBB-së, ky trend mund të jetë i përkohshëm. Për të siguruar një ulje të qëndrueshme të borxhit, Shqipëria duhet të zbatojë reforma më të thella fiskale dhe të përqendrohet te rritja e produktivitetit ekonomik në vend të mbështetjes te inflacioni dhe taksat e larta.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.