A ka të reja nga taksimi i ndershëm?
Nëse nisemi nga dobishmëria e përdorimit të modelit të taksimit të ndershëm, pas disa vitesh është arritur një strukturim i tatimit ne shkalle progresive mbi të ardhurat nga puna, por nuk ka arritur ende të aplikohet te të ardhurat nga kapitali.
Te ardhurat e individit dhe biznesit nuk janë ngacmuar ende nga tatimi progresiv. Ato tatohen nga një taksë e sheshtë që është 5% më e lartë se përpara disa vitesh. Baza e tatimit mbi kapitalet e bizneseve te vogla (tatimi thjeshtuar mbi fitimin) është përjashtuar në shumicën e saj dhe është krijuar ambjenti që të përdoret si strehë për evazion, për sa kohë nuk identifikohet nga administrata fiskale.
Ndërsa, në aspektin e thjeshtimit të sistemit tatimor e fiskal mbetet ende për tu parë sistemi i harmonizimit të tarifave vendore me taksat lokale, të cilat mundet të rishikohen duke ju përshtatur dinamikës së zhvillimeve të biznesit të të vetë punësuarve dhe atyre që konsiderohen si biznese të vogla.
Vendosja e një tatimi prej 15% mbi fitimet e pjesës më të madhe të kapitaleve ne vend nuk ka shfaqur ende shenjat që të justifikojë modelin e taksimit të ndershëm, se aty ku është fituar më shumë janë mbledhur më shumë. Megjithatë, ky tatim ka patur kohën më të keqe në dy dekadat e fundit, që të prodhojë frytet e tij, por për fatin e keq ka operuar në një periudhë ulje kërkese dhe çmimi për produktet e shërbimet.
Nga një analizë e ALTax Center e lidhur me planifikimin e të ardhurave publike të buxhetit vërehet se orientimi i sistemit fiskal më së pari nuk po tenton drejt hartimit të politikave fiskale të bazuara te ngushtimi i hendekut tatimor.
Gjithë palët e interesuara duhet të dinë se sa është hendeku zyrtar për tatimet e munguara buxhetit dhe cilat janë objektivat për ngushtimin e tij. Performanca e administratës për realizimin e planit të buxhetit nuk mjafton për ngushtimin e evazionit dhe hendekut të tatimeve.
Një politikë e mirë përshtatur për kapacitetet administrative, si ajo e zvogëlimit të evazionit fiskal është rregullatori më i efektshëm në drejtim të ruajtjes së kolonave të politikës fiskale për një barazi midis kontributorëve të buxhetit dhe ndihmë ndaj transparencës dhe konsolidimit të të ardhurave buxhetore.
Parathënia e luftës ndaj evazionit shumëformësh, që filloi frontalisht ne Shtator 2015 u deklarua si efektiv nëpërmjet regjistrimeve të reja dhe shtimit të punonjësve në skemën formale.
Ndërsa, pritet një rihapje e frontit këtë pranverë për të vijuar më tej me rimarrjen e territoreve informale prej qeverisë aktuale.
Lufta e filluar kërkon zbatimin e sakte dhe ne kohe te strategjisë se aprovuar, por dhe drejtues të aftë, me autoritet dhe përvojën e duhur për të drejtuar formacionet drejt fitores.
Për këtë qëllim, strategjitë e hartuara për sektorët ku ka rrisk, si dhe objektivat strategjikë të vendosur nevojitet të analizohen dhe adresohen si përgjegjësi e menaxhimit.
Do të ishte mjaft e vlefshme për politikën fiskale që të gjente konsensus me bazë të gjerë për zbatimin ne praktike nëpërmjet dialogut për çfarë janë problem i dyanshëm. Por, duhet te kërkojë dhe përdorë dhe forma të tjera të kanaleve të komunikimit me biznesin dhe qytetarët nëpërmjet planeve të veçanta për komunikimin.
Zgjerimi i kanaleve egzistuese të komunikimit dhe hapja e kanaleve të reja me qytetarët dhe grupet e interesit është hapi më i rëndësishëm për të ndërtuar një imazh më të mirë duke kombinuar gjithë elementët e shërbimeve të administratës me nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.
Nëse do të ishte ndjekur kjo qasje sot ndoshta do te kishte ardhur koha qe te planifikohej qarte se si te veprohej me harmonizimin e tatimeve qe bëjnë pjesë në sistemin fiskal shqiptar, në formatin e një barrë të unifikuar dhe të qartë për secilën kategori apo profil të popullsisë.
Efektiviteti fiskal dhe mbledhja në mënyrë efikase e kontributeve fiskale, që duhet të paguajë secili qytetar lidhet ngushtësisht me kulturën fiskale dhe temën e informalitetit dhe evazionit tatimor.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.