Rishikimi i Buxhetit 2026 me Akt Normativ, një model i rrezikshëm qeverisje për transparencën dhe demokracinë fiskale
Më 30 qershor 2026, qeveria shqiptare vendosi të ndryshojë Buxhetin e Shtetit për vitin 2026 përmes një Akti Normativ. Ky vendim, i miratuar pa debat parlamentar paraprak dhe pa konsultim publik, përfaqëson një regres të dukshëm në standardet e qeverisjes së hapur dhe transparencës fiskale.
Buxheti i Shtetit duket sikur është një dokument teknik me tabela me shifra. Në fakt, buxheti ndaj quhet i shtetit, sepse është kontrata themelore ekonomike dhe sociale midis qeverisë dhe qytetarëve.
Ai përcakton prioritetet reale të vendit dhe përvendin lidhur me vendimin se kujt i jepen para, cilat sektorë favorizohen dhe cilat grupe shoqërore mbajnë barrën më të rëndë të taksave. Prandaj, çdo ndryshim i rëndësishëm apo edhe nëse vlerësohet i parëndësishëm nga qeveria është detyrim ligjor dhe duhet të kalojë nëpër një proces të hapur, transparent dhe demokratik.
Përdorimi i Aktit Normativ për një ndërhyrje kaq të thellë në buxhet kufizon rëndë mundësinë e debatit publik, të konsultimit me ekspertë, shoqëri civile, biznes dhe grupe interesi.
Edhe nëse ekzistojnë arsye urgjente, si nevojat për fonde shtesë në shëndetësi, pensione apo mbrojtje sociale kjo nuk justifikon anashkalimin sistematik të procedurave normale demokratike.
Mënyra e sjelljes me taksapaguesit po shndërrohet në një justifikim rutinor dhe qeverisje brenda mureve të institucioneve kryesore për të përqendruar pushtetin vendimmarrës brenda ekzekutivit.
Kjo praktikë bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet e Open Government dhe Open Budget, të cilat promovohen nga OECD, Banka Botërore dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Sipas standardeve të Open Budget Survey, qytetarët kanë të drejtë jo vetëm të informohen pas vendimit, por të kenë mundësi reale të kontribuojnë dhe të ndikojnë përpara se vendimi të merret. Transparenca nuk matet me publikimin dhe njoftimin te dera e godinës së qeverisë të vendimeve të kryera, por me mundësinë e pjesëmarrjes reale para miratimit.
Duke vepruar kështu, qeveria i redukton qytetarët në rol pasiv spektatorësh të politikave që ata vetë financojnë me taksat e tyre. Kjo vazhdon akoma më tej të bjerri besimin publik dhe në situatën e rënduar të protestave sociale po shërben për të rritur më tej tensionet mes grupeve të qytetarëve. Vendimi i qeverisë është veçanërisht problematik në një moment si ky aktuali në vitin 2026, kur pretendohet angazhim i fortë ndaj integrimit evropian, reformave të qeverisjes së mirë dhe transparencës fiskale.
Në praktikë, pjesët e vendimeve më të rëndësishme fiskale po merren me instrumente që minimizojnë llogaridhënien dhe kontrollin demokratik.
Problemi është më i rëndë se destinacioni i fondeve, pasi lidhet me mënyrën jotransparente të vendimmarrjes. Shtimi i fondeve për shëndetësi apo programe sociale mund të jetë i justifikuar. Por kur ky shtim bëhet pa debat të hapur, pa analizë alternative dhe pa shqyrtim parlamentar të plotë, lind dyshimi se vendimmarrja po largohet nga kontrolli demokratik dhe po përqendrohet në pak duar.
Në një demokraci funksionale, akti normativ duhej të mbetej instrument i jashtëzakonshëm, i rezervuar për rrethana vërtet emergjente dhe të justifikuara qartë. Kur ai tashmë po bëhet rrugë e preferuar për të ndryshuar buxhetin, atëherë kemi të bëjmë me një regres demokratik.
Transparenca dhe pjesëmarrja qytetare nuk janë në dëshirën e qeverisë. Ato duhet të jenë garanci themelore për legjitimitetin e politikave publike dhe për ruajtjen e besimit midis shtetit dhe qytetarëve. Kështu si po vepron qeveria, sikur edhe vendimet më të mira të ketë marrë, realisht ka humbur legjitimitetin dhe është kthyer në burim mosbesimi e kritike të justifikuar.
Qeveria duhet të reflektojë, sa më shpejt sepse shpejtësia e vendimit nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë kurrë cilësinë demokratike të procesit.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.