Një vit i tërë me një rritje popullsie prej një mijë e njëqind e tetëdhjetë njerëz

Një vit i tërë me një rritje popullsie prej një mijë e njëqind e tetëdhjetë njerëz

Nëse do të duhej të përmblidhej viti demografik 2025 i Shqipërisë me një fjali të vetme, ajo do të ishte kjo: një shtet i tërë arriti të shtohej natyrshëm me vetëm pak më shumë se 1.000 persona në dymbëdhjetë muaj (+1.180 njerëz). Jo në një qytet, jo në një bashki, por një vend me mbi 2.36 milionë banorë.

Në terma realë, kjo nuk përfaqëson shtesë demografike, por një nivel pothuajse simbolik riprodhimi, që tregon se mekanizmi biologjik i rinovimit të popullsisë është afër shterimit.

Shtesa natyrore prej rreth +1.180 personash në gjithë vitin 2025 (regjistruar 21.425 lindje dhe 20.245 vdekje), sipas INSTAT është statistikisht pozitive, por nga këndvështrimi ekonomik dhe shoqëror është e parëndësishme.

Ky numër është i krahasueshëm me lëvizjen vjetore të popullsisë së një qyteti, jo me nevojat minimale të një shteti që synon stabilitet demografik dhe zhvillim afatgjatë.

Në përqindje, bëhet fjalë për një normë shtese natyrore afër zeros, rreth 0.05% e popullsisë, apo dhjetë herë më e ulët se minimumi i nevojshëm për të ruajtur strukturën demografike.

Struktura tremujore e vitit 2025 e bën edhe më të qartë këtë realitet.

Tremujori i parë rezulton negativ, ndërsa tre tremujorët pasues pozitivë, por me intensitet shumë të dobët.

I gjithë bilanci vjetor mbështetet praktikisht në një periudhë të vetme, ndërsa pjesa tjetër e vitit luhatet rreth zeros. Me këtë dinamikë rritje, bie fort alarmi i një popullsie që ka humbur elasticitetin e saj demografik.

Në demografi, një vend funksional ka nevojë për një shtesë natyrore vjetore të paktën 0.5–1% të popullsisë.

Për Shqipërinë kjo do të nënkuptonte 12–20 mijë persona në vit.

Në vitin 2025, Shqipëria prodhoi pak më shumë se 1 mijë. Diferenca tregon se brezat e rinj nuk po zëvendësojnë më brezat që dalin nga sistemi.

Ky fakt do të ishte problem serioz edhe nëse migracioni do të ishte zero.

Por realiteti është shumë më i rëndë.

Popullsia banuese më 1 janar 2026 vlerësohet rreth 2.363 milionë banorë, me një rënie vjetore prej 27–28 mijë personash.

Nga këta, vetëm 1.180 “kompensohen” nga shtesa natyrore, ndërsa pjesa dërrmuese humbet përmes emigrimit neto. Me fjalë të thjeshta, Shqipëria humb në një vit nga emigrimi gati tridhjetë herë më shumë njerëz sesa arrin të fitojë nga lindjet.

Edhe më problematike është cilësia demografike e kësaj humbjeje.

Emigracioni përqendrohet te të rinjtë në moshë pune dhe riprodhimi. Kjo do të thotë se shtesa natyrore prej rreth 1.180 personash nuk vjen nga një bazë e gjerë demografike, por nga një trup gjithnjë e më i ngushtë familjesh. Në praktikë, çdo vit po lindin më pak prindër sesa fëmijë, duke e futur vendin në një spirale tkurrjeje biologjike.

Rënia e lindshmërisë nën nivelin 1.4–1.5 fëmijë për grua[1] e përforcon këtë prirje. Ky nivel është përveçse një tregues i rëndë social, mbi të gjitha është reflektim i një modeli ekonomik që nuk prodhon siguri për jetën familjare me paga reale të ulëta, strehim të shtrenjtë, pasiguri në punësim dhe shërbime publike të pamjaftueshme.

Në këtë kontekst, shtesa natyrore prej vetëm 1.280 personash është zgjedhje e detyruar e shoqërisë, si rezultat racional i kushteve strukturore që na kanë prodhuar politikanët qëndrorë dhe vendorë dhe armata që i ka mbështetur për përfitime në 3 dekadat e fundit.

Pasojat ekonomike janë të drejtpërdrejta.

Një popullsi që rritet kaq pak në vit nuk është në gjendje të rinovojë fuqinë punëtore, të mbajë stabil sistemin e pensioneve dhe të garantojë bazë fiskale të qëndrueshme. Raporti kontribues/pensionist përkeqësohet, presioni mbi buxhetin rritet dhe ekonomia fillon të funksionojë mbi baza gjithnjë e më të brishta: remitanca, informalitet dhe importe të fuqisë punëtore. Në thelb, kur një shtet arrin të “shtohet” me vetëm pak më shumë se 1 mijë njerëz në një vit të tërë, problemi është ekzistencial për egzistencën dhe identitetin e vendit.


[1] larg nivelit mesatar të zëvendësimit biologjik (2.1), ndërsa mosha mediane e popullsisë ka arritur 44 vjeç, duke e pozicionuar Shqipërinë në një fazë plakjeje të përshpejtuar, të ngjashme me ato të vendeve post-industriale, por pa infrastrukturën ekonomike të tyre

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.