Emigrimi, pakësimi popullsisë dhe ndikimi në ekonominë shqiptare
Sipas të dhënave zyrtare, popullsia e Shqipërisë nga viti 1923 deri në vitin 1989 u rrit me 2.37 milion banorë apo me 3.9 herë më shumë njerëz.
Nga viti 1989, popullsia e Shqipërisë është zvogëluar me 0.78 milion banorë apo me 25% më pak njerëz.
Në historikun e 100 viteve popullsia shqiptare rezidente në Republikën e Shqipërisë është rritur mesatarisht me 1.58 milion banorë apo me 2.95 herë.
Ndryshimi natyror[1] i popullsisë (bilanci lindje – vdekje) nga viti 1934 deri në vitin 2023 është 3.028 milion banorë. Nga viti 1934 deri në vitin 1989, ndryshimi natyror i popullsisë është 2.18 milion banorë, ndërsa nga viti 1990 deri në vitin 2023 është 0.84 milion banorë.
Nëse përfshijmë për periudhën 1989 – 2023 bilancin e ndryshimit natyror me pakësimin e popullsisë rezulton se, ndërsa popullsia rezidente është pakësuar me 780.287 banorë ajo është rritur edhe me 843.011 banorë. Në përballjen midis këtyre dy të dhënave rezulton se popullsia e Shqipërisë është në bilancin e daljeve të rezidentëve dhe shtesave natyrore me 62.274 banorë më shumë.
Çfarë duan të thonë gjithë të dhënat që prezantohen nga statistikat e mbajtura ndër vite?
Sipas tabelës më poshtë, prezantohet dinamika e ndryshimit demografik të popullsisë rezidente të Republikës së Shqipërisë në 100 vitet e fundit duke konsideruar edhe ndryshimin natyror (përfshihen edhe me vitet nga krijimi i Republikës së parë shqiptare deri më sot).
| Vitet | Numri popullsisë | Ndryshimi natyror* |
| 2023 | 2,402,113 | 88,243 |
| 2011 | 2,831,741 | 169,758 |
| 2001 | 3,023,734 | 585,010 |
| 1989 | 3,182,400 | 593,391 |
| 1979 | 2,590,600 | 539,178 |
| 1969 | 2,068,200 | 469,766 |
| 1960 | 1,626,300 | 401,890 |
| 1950 | 1,218,900 | 30076 |
| 1945 | 1,122,000 | 131697 |
| 1930 | 833,600 | 19444 |
| 1923 | 814,400 | 0 |
* ndryshimi natyror llogaritet për vitet brenda periudhave (p.sh. nga 1989 deri 2001 përfshihen shtesat për gjithë vitet)
Nga vetë tendenca e të dhënave të tabelës bazuar në të dhënat statistikore shihet një pakësim i numrit të banorëve rezidentë që jetojnë në Republikën e Shqipërisë prej vitit 1990 dhe me një rënie të ndjeshme pas vitit 2010 e deri më sot.
Në krahasimin midis pakësimit të populssisë rezidente, sipas 11 matjeve zyrtare (CENS) në mesatarisht çdo 10 vite shihet se pakësimi i popullsisë është ngushtësisht i lidhur me shtesat natyrore dhe kufizimin e migrimit deri në vitin 1990.
Nga llogaritjet e kryera nga ekspertët tanë, rezulton se nëse llogaritim popullsinë në vitin 1923 dhe i shtojmë dhe ndryshimin natyror për 100 vitet e fundit, pa përfshirë pakësmin e popullsisë nga daljet e reziendentëve jashtë vendit (në kushtet e izolimit të para ’90), në Shqipëri duhet të ishin 3.84 milionë banorë. Në këtë llogaritje nuk merren parasysh se ndryshimi natyror i popullsisë do të ishte më i madh, nëse këta banorë do të ishin hipotetikisht rezidentë në Shqipëri.
Por, nëse i referohemi të dhënave që konsiderojnë pakësimin e popullsisë sipas Cens 2023, atëherë shihet se popullsia reziedente e republikës së Shqipërisë është pakësuar me 1.44 milion banorë, për periudhën 1990 – 2023.
Nëse e ndajmë sipas dekadave të fundit, rezulton se:
- për periudhën 1990 – 2000 pakësimi i popullsisë është me 0.82 milionë banorë.
- për periudhën 2001 – 2010 pakësimi i popullsisë është me 0.19 milionë banorë.
- për periudhën 2011 – 2023 pakësimi i popullsisë është me 0.43 milionë banorë.
Në tre dekadat e fundit shihet dukshëm se pakësimi më i madh i popullsisë është për dekadën e parë që përbën 57% të numrit gjithsej të popullsisë së larguar. Në dekadën e dytë, numri i të larguarve përbën 13% të numrit gjithsej të të larguarve dhe në dekadën e tretë, numri i të larguarve përbën 30% të numrit gjithsej të të larguarve.
Në arsyet kryesore të largimeve për të tre dekadat së bashku është motivi për një jetë më të mirë ekonomike dhe perspektivë integruese të individëve dhe familjeve.
Ndërsa në dekadën e parë[2] pati një largim masiv të familjeve për arsye personale, në dekadën e dytë shihet se largiumet më të shumta janë individuale, por të moshës vitale për të krijuar familje dhe fuqi punëtore shtesë[3]. Në dekadën e tretë, shihet një largim në masë, ku liberalizimi i vizave dhe rritja e kërkesave për një perspektivë ekonomike, sociale dhe arsimore kanë ndikime të fuqishme, ku edhe ndikimet që janë nga motive politike dhe humbje të shpresës për një jetesë dinjitoze në vendin e tyre duket se ka një efekt te brezi i ri[4].
Gjatë tre dekadave të fundit migrimi u rrit në mbarë botën, me stokun e migrantëve pothuajse dyfishuar nga viti 1990 në 2020 (nga 152 milionë në 280 milionë) sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara[5]. Në Shqipëri, stoku i popullsisë migruese në tre dekadat e fundit është sa 38% e popullsisë bashkë me shtesat natyrore.
Në analizën që duam të diskutojmë me këto të dhëna është lidhja midis ndikimit të largimit të popullsisë dhe efektit hyrës të remitancave prej komunitetit të të larguarve duke prekur edhe lidhjen dhe raportin me zhvillimin e ekonomisë nga ky element.
Sipas treguesve të përcjellë për remitancat nga studiuesi Gëdeshi. I, 2019[6], vërehet se:
- për periudhën 1992 – 2000 remitancat e hyra në ekonominë shqiptare janë mesatarisht në 3.8 miliard dollarë amerikanë.
- për periudhën 2001 – 2010 remitancat e hyra në ekonominë shqiptare janë mesatarisht në 15.2 miliard dollarë amerikanë
- për periudhën 2011 – 2023 remitancat e hyra në ekonominë shqiptare janë mesatarisht në 8.9 miliard Euro
Ky nivel i lartë prurjesh është një ndikim direkt në konsum me të paktën sa 7-8% e prodhimit të brendshëm, me një ndikim kryesor në ekonomitë e vogla, por pa një peshë ndikuese në rritjen ekonomike formale.
Te ndikimi në treguesit ekonomikë të vendit, shihet se emigracioni ka pakësuar me të paktën 12.-15% ofertën e punës në treg. Ky efekt ka ndikuar edhe mbi pagat dhe produktivitetin edhe pse në dy dekadat e fundit, prurjet e remitancave kanë rritur kërkesën agregate për mallra dhe shërbime duke kompensuar efektet munguese nga investimet e huaja dhe prodhimet vendase.
Kur krahasojmë numrin e të larguarve sipas dekadave, me numrin e fuqisë punëtore, shihet se ndikimi më i madh është pikërisht në dekadën e parë dhe të tretë, pasi largimi ka ndodhur masivisht në ato grupmosha që përbëjnë edhe fuqinë e aftë për të punuar. Po kështu edhe rritja ekonomike në këto dy dekada, shihet se ka ndikim prej largimit të fuqisë punëtore, pasi në shumicën e viteve ka një rritje në nivele mesatare jo më të lartë se 3.3%. Ndërkohë, dekada e dytë mbetet më e qëndrueshme në këtë analizë të të dhënave, për arsye të rritjes së konsumit nëpërmjet rritjes së shumës së remitancave, por edhe një largimi më të vogël të fuqisë punëtore.
Emigrimi në dy dekadat e fundit rezulton me një dalje të njerëzve kryesisht në moshë pune, duke reduktuar kështu fuqinë punëtore. Kapitali njerëzor, sipërmarrja dhe rrjedhimisht rritja e PBB-së e llogaritur nga ana e ofertës kanë ndikuar në një rritje të kufizuar të ekonomisë, pikërisht nga ndikimi madhor që vjen nga mungesa e një pjesë aktive të tregut të punës dhe sipërmarrjes. Ky ndikim ka mbetur i pazëvendësueshëm me hyrje të reja dhe burime shtesë nga njerëzit që janë rezidentë duke patur një efekt frenues në zhvillimin e një sipërmarrje me element konkurueshmërie, por edhe një fuqi punonjëse active dhe me kapacitete në rritje për ndikimin në produktivitetin e ekonomisë.
Ndikimi i emigracionit në këtë drejtim pritet të jetë pa mëdyshje edhe në vijimësi negativ, nëpërmjet “ikjes së trurit” dhe uljes së produktivitetit. Megjithatë, nëse do të kishim një lëvizje të koordinuar të politikës me faktorët shtytës ekonomikë kjo qasje positive e emigrantëve me remitancat e tyre dhe gadishmërinë për të investuar në këmbim të kushteve të duhura për ta kryer atë duhet të merren parasysh në ndikimin pozitivisht në rritje përmes tregtisë dhe investimeve.
Komuniteti i fortë i emigrantëve, i orientuar drejt biznesit mund të lehtësojë tregtinë dhe të rrisë investimet duke shfrytëzuar aftësitë e biznesit dhe njohuritë që ka fituar në vendin pritës duke ndihmuar transferimin e teknologjisë më lirë dhe zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vendet e origjinës.
Por në kushtet aktuale politike, e gjitha kjo është një hipotezë ende e pamundur të kthehet në realitet.
Në këtë kontekst të raportit të vendit me emigrantët natyrisht, që futja e remitancave kanë ndikim të vogël duke mbajtur gjallë konsumin, që nuk furnizohet nga prodhimi vendas, por nga importi dhe duke mos patur asnjë ndikim në ndryshimin e strukturës ekonomike, pasi ky efekt është i jashtëm dhe nuk arrin dot të ndikojë në pjesëmarrjen e fuqisë punëtore në zhvillimet e reja të ekonomisë, si dhe nuk ka ndikim në politikat rregullatore që ndikojnë për harmonizimin e gjithë elementëve ndikuesë dhe faktorialë për një rritje ekonomike të qëndrueshme.
Nisur nga efekti direkt i remitancave, kuptohet që përveç rritjes së konsumit familjar dhe prurjeve të parave nga jashtë në sektorë që janë të ndikuar edhe nga informaliteti dhe paraja informale, natyrisht që nuk bëjnë dot zëvendësimin e fuqisë dhe burimeve të emigrantëve me paratë që ata dërgojnë për një jetesë në nivelet konsumit familjar dhe kërkesës për mallra dhe shërbime në nivele që nuk ndikojnë dot ekonominë prodhuese dhe rritjen e produktivitetit të saj.
[1] https://sq.wikipedia.org/wiki/Demografia_e_Shqip%C3%ABris%C3%AB
[2] https://www.instat.gov.al/al/publikime/librat/2010/shqip%C3%ABria-n%C3%AB-shifra-2010/
[3] https://www.instat.gov.al/al/publikime/librat/2013/shqip%C3%ABria-n%C3%AB-shifra-2012/
[4] https://www.instat.gov.al/al/publikime/librat/2024/censi-i-popullsis%C3%AB-dhe-banesave-n%C3%AB-shqip%C3%ABri-2023/
[5] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/WP/2024/English/wpiea2024175-print-pdf.ashx
[6] https://uft.al/remitancat-ndikimi-madhor-ne-ekonomine-shqiptare/
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.