Zbritja e pjesshme e TVSH

Zbritja e pjesshme e TVSH

Sipas

– Nenit 72 dhe 73 te Ligjit 92/2014, date 24.07.2014, si dhe

– Nenit 56 te Udhëzimit Nr.6, date 30.01.2015

Koeficienti i zbritjes së TVSH-së (Kz) llogaritet në përqindje nga raporti i mëposhtëm:

Furnizime të tatueshme (neni 69,70)

Kz =_________________________________________ x 100

Furnizime të tatueshme + furnizime të përjashtuara

NË llogaritjen e koeficientit më sipër, bazuar në nenin 72, pika 2 të ligjit nuk merren parasysh:

  • Vlerat e qarkullimit të realizuara nga furnizimet e mallrave kapitale, të përdorura nga personi i tatueshëm për nevoja të biznesit së tij, si dhe
  • Qarkullimi i realizuar gjatë vitit nga transaksione financiare dhe të pasurive të paluajtshme, si dhe nga transaksione të përcaktuara nga shkronja b deri në e, të nenit 53, të ligjit, nëse këto transaksione janë rastësore.

Zbritja e TVSH-së, e kryer mbi bazën e koeficientit fillestar të zbritjes, rregullohet në periudhën e parë tatimore të vitit pasardhës (muaji Janar), sipas koeficientit përfundimtar të zbritjes së TVSH-së. Pra jo më vonë se data 31 janar e vitit pasardhës kalendarik, duhet të rillogaritet koeficienti përfundimtar i zbritjes së TVSH-së që i takon furnizimeve të tatueshme, sipas qarkullimit të realizuar në fakt gjatë vitit, dhe bëhet rregullimi vjetor në Zbritjen e TVSH-së për diferencën midis koeficientit fillestar me atë përfundimtar.

Zbritja e TVSH-së nuk është e detyruar të korrigjohet, sipas koeficientit përfundimtar nëse ndryshimi në vlerë absolute i TVSH së zbritshme është më i vogël se 20.000 lekë.

Asnjë rregullim nuk mund të kryhet për mallrat me koeficient tatueshmërie të barabartë me zero, pra mallra të cilat që në fillim nuk janë përdorur për realizimin e transaksioneve brenda fushës së zbatimit të TVSH.

Zbritja e mëparshme e TVSH-së korrigjohet, kur shfrytëzimi i mallrave kapitale pëson ndryshim.

Rregullimi i TVSH-së së zbritshme[1] sipas afateve të përcaktuara në nenin 80 të ligjit, përkatësisht për mallrat kapitale të luajtshme 5 vjet dhe për mallrat kapitale të paluajtshme 10 vjet, do të zbatohet për ato mallra kapitale të blera ose prodhuara pas datës 1 janar 2015 dhe me çmim blerje ose kosto prodhimi mbi 500.000 (pesëqind mijë) lekë pa përfshirë TVSH-në.

Për mallrat kapitale të luajtshme ose të paluajtshme të blera ose prodhuara para datës 1 janar 2015, afati i rregullimit të zbritjes së TVSH-së për ndryshimin e së drejtës së zbritjes sipas përdorimit të aktivit nga një veprimtari e tatueshme për një veprimtari të përjashtuar nga TVSH do të vazhdojë të jetë 5 vjet për të gjitha mallrat kapitale dhe rregullimi për mallrat kapitale të paluajtshme do të kryhet për aktive mbi 1milion lekë.

Veprimet për llogaritjen e koeficientit  të zbritjes së TVSH-së dhe rregullimi vjetor (sipas nenit 73 të ligjit), pasqyrohen në kutinë përkatëse me emërtimin rregullime të TVSH-së së zbritshme të librit te blerjeve të periudhës kur bëhen llogaritjet (Janar), si dhe deklarohen në kutinë më të njëjtin emërtim në deklaratën e TVSH-së të kësaj periudhe.

[1] bazuar në nenin 157, pika 1 të ligjit

 

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: