Taksat dhe politikat sociale
Qytetarët e Europës Perëndimore dhe vendeve te zhvilluara jetojnë në standarte të larta jetese (mirëqenie) jo vetëm pse paguajnë taksa të larta aktualisht.
Ata e gëzojnë këtë mirëqenie sepse kanë jetuar dhe punuar në një ekonomi me orientim tregun për periudha ta gjata të historisë moderne. Thelbësore për standartin aktual të mirëqenies së tyre është historiku i barrës fiskale përgjatë dekadave.
Në periudhat, kur vendet e tyre patën zhvillimin ekonomik me ritme të larta, taksat e tyre ishin më të ulta se sa janë sot. Njësoj si janë dhe kërkohet madje të ulen edhe më poshtë se kaq aktualisht në Shqipëri dhe Ballkan.
Ne këto vende barra e taksave u rrit me kalimin e dekadave, ku nga 16% që ishte në vitin 1940, sot në vendet e Europës veriore barra e taksave ka arritur deri 54%. Këto vende sot, thjesht po vjelin të mirat e mbjellura në ekonomitë e tyre, atëherë kur ende Shqipëria nuk e njihte dhe s’e kishte nisur rrugën ekonomike që ka filluar prej 27 vitesh. Ndërkohë, barra e taksave të fshehura në vitet para ’90 në Shqipëri me një nivel prej 42% – 45% të PBB i dha efektet e veta në ndërtimet dhe zhvillimet industriale, pavarësisht temës së debatit se pse e çfarë.
Megjithëse taksapaguesit nuk e dinë shumën e saktë të lekëve që shkojnë për taksat, pothuajse të gjithë janë të mendimit, që niveli i taksave është i lartë. Po të pyesësh specialistët fiskalë do të dëgjosh përgjigjen se ato janë në nivele më të ulta se shumë vende të tjera analoge.
Po atëherë, pse shihet në mënyra të ndryshme ky tregues i rëndësishëm?
E para, ndërsa një pjesë e popullsisë paguan taksa, pjesa tjetër jeton nga ato.
E dyta, kur taksapaguesit krahasojnë nivelin e taksave në Shqipëri me vendet e tjera, ata marrin parasysh ndryshimin në shumen e të ardhurave që u ngelen për konsum e kursime.
Ështe i pajustifikuar mendimi që barra fiskale mund të shpërndahet korrektësisht. Si rregull, kjo barrë bie shumë e rëndë mbi bazën e madhe konsumatore, pasi taksat mbi konsumin janë mbi gjysma e të ardhurave që mbledh buxheti.
Në fund te fundit janë konsumatorët, blerësit e përditshëm që paguajnë taksat nëpëermjet ëmimit të mallrave dhe shërbimeve. Një barrë e rëndë mbi konsumin i merr atyre të ardhurat kryesore dhe zvogelon numrin e plotësimit të nevojave të tyre me shërbime dhe mallra të tjera që konsiderohen si kategori luksi.
As favorizimet e taksave për grupe te caktuara shoqërore dhe as përpjekjet për të shpërndarë këtë barrë në mënyrë të barabartë nuk do të mund ta përmiresonin situatën e tyre.
Politikat sociale të bëra me idenë e favorizimit nga taksat janë joefektive në kuptimin e tyre social. Gjithashtu, kjo formë ndihmese shtrembëron kolonën sistemit fiskal: barazinë. Ajo gjithashtu komplikon administraten fiskale dhe e ben më të kushtueshme, pasi mbrapa vjen gjithnjë korrupsioni.
Nisur nga këto mendime, duket e pavend përdorimi i sistemit fiskal në funksion të arritjes së objektivave sociale.
Në fakt,
– taksa aktuale të modifikuara sipas ekonomisë dhe politikës së konsumit dhe jo shtim i mëtejshëm i tyre,
– të zbatuara për taksapaguesit me thjeshtësi, stabilitet kohor dhe qartësi
janë çelësi për të përmirësuar kushtet sociale dhe rritjen e nivelit të jetesës për të mos mbetur ende në bisht të Europës.
Taksat e qëndrueshme pa korrupsionin mbytës ndikojnë në rritjen e stabilitetit shoqëror dhe parandalimin e problemeve sociale.
Një sistem fiskal neutral dhe i kuptueshëm deri në detaje të tij mund të sigurojë të ardhurat e duhura për t’i shperndare duke reduktuar në të njëjtën kohë emergjencat dhe premtimet për lëmosha nga fondet publike.
Për më tepër, transparencë fiskale më e madhe dhe një ekonomi e hapur përtej kufijve të Shqipërisë (me objektivin që mos ti rritim koston njeri-tjetrit) do ta beje Shqiperine tërheqëse dhe tokën e investimeve që ka nevojë ekonomia.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.