Statusi ligjor dhe organizativ i aktivitetit të emisionit televiziv me sponsorizime
Një individ, person fizik i vetepunësuar do te kryej aktivitet emision tv, duke përfituar si te ardhura fonde nga biznese të ndryshme. Çfarë forme juridike dhe leje aktiviteti konsiderohet si më optimale?
Përgjigje
Aktiviteti i prodhimit të emisioneve televizive, financuar nga sponsorizime të bizneseve, konsiderohet një veprimtari ekonomike e rregullt në fushën e prodhimit audioviziv dhe reklamimit, dhe jo thjesht aktivitet artistik i rastësishëm. Për këtë arsye, ai duhet të ushtrohet me status biznesi të regjistruar dhe me objekt të qartë në QKB për prodhim emisioni / përmbajtje audiovizive dhe shërbime sponsorizimi-reklamimi.
Nëse prodhuesi transmeton emisionin përmes një televizioni ose platforme të licencuar, nuk kërkohet licencë nga AMA. Licenca do të nevojitej vetëm në rast se subjekti bëhet vetë transmetues.
Duke qenë se personi aktualisht është person fizik i vetëpunësuar me leje pasive, zgjidhja praktike është aktivizimi i statusit nga pasiv në aktiv në QKB, pa ndryshim të formës juridike. Ky aktivizim lejon faturimin e sponsorizimeve, lidhjen e kontratave me bizneset, punësimin e një të punësuari me pagë, si dhe respektimin e detyrimeve tatimore dhe kontributive.
Kur të ardhurat vjetore nga sponsorizimet janë poshtë 8 milion lekë në vit, forma e personit fizik të vetëpunësuar (aktiv) është plotësisht e vlefshme dhe optimale, duke ofruar kosto administrative më të ulëta dhe fleksibilitet më të madh. Kalimi në sh.p.k. ka kuptim vetëm nëse aktiviteti zgjerohet, rritet volumi i fondeve ose shtohet rreziku kontraktor.
Nga ana ligjore, statusi i personit fizik të vetëpunësuar aktiv duhet të vlerësohet edhe në dritën e ligjit nr. 29/2023, i cili ka futur konceptin e vetëpunësimit të varur (i ngjashëm me marrëdhënie pune). Ligji parashikon se një vetëpunësuar mund të rikualifikohet si i varur nëse një klient i vetëm përbën mbi pragun ligjor të xhiros (rreth 80%).
Në rastin konkret:
- Janë tre klientë të ndryshëm, secili duke kontribuar deri në 30% të xhiros vjetore.
- Asnjë klient nuk dominon ekonomikisht aktivitetin.
- Subjekti mban rrezik ekonomik, ka më shumë se një klient dhe punëson një të tretë me pagë.
Ky konfigurim nuk plotëson kriterin e varësisë ekonomike, pasi ligji e sheh përqendrimin individual te një klient dhe jo kumulativisht. Statusi është në përputhje me ligjin 29/2023 dhe nuk krijon pasoja negative rikualifikuese, për sa kohë ruhen elementet e pavarësisë ekonomike dhe organizative.
Për këtë nivel të ardhurash dhe strukturë aktiviteti, rekomandohet aktivizimi në QKB si person fizik i vetëpunësuar (aktiv), me objekt audioviziv dhe reklamim, duke regjistruar edhe marrëdhënien e punësimit për të punësuarin. Ky status siguron fleksibilitet, pavarësi ekonomike dhe përputhshmëri me ligjin aktual, pa nevojën për ndryshim të formës juridike.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.