Sistemi tatimor shqiptar në krahasim me OECD: Ku qëndrojmë, çfarë na mungon dhe çfarë duhet të ndryshojmë?
Në vitin 2024, vendet e OECD-së kanë vijuar një ndryshim të thellë drejt politikave tatimore më të synuara dhe më efektive për mobilizimin e të ardhurave. Pas periudhave të gjera të lehtësimeve tatimore gjatë pandemisë dhe krizave energjetike, shumica e vendeve u përballën me presione fiskale të rritura. Shpenzimet e lidhura me ndryshimet klimatike, plakjen e popullsisë dhe nevojat për siguri kanë detyruar qeveritë të ndërmarrin politika të kujdesshme, duke synuar jo vetëm stabilitetin fiskal, por edhe drejtësinë sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Përkundër disa përpjekjeve reformuese, Shqipëria mbetet ende e pasigurtë dhe fragmentare në qasjen e saj fiskale, duke u përqendruar më shumë në thjeshtësinë e tarifave dhe administrimin rutinor, sesa në një strategji gjithëpërfshirëse që kombinon rritjen e të ardhurave me mbrojtjen sociale dhe objektivat strategjike.
Një nga fushat më kritike ku Shqipëria duket pas OECD-së është tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Sipas OECD, vitet e fundit vendet kanë rritur top normat e PIT dhe tatimet mbi kapitalin, duke ndjekur një politikë më progresive dhe duke ofruar masa të targetuara për mbështetjen e të rinjve, familjeve dhe të moshuarve. Shumë vende kanë zgjeruar bazën e kontributeve për të përballuar shpenzimet e shëndetit dhe pensioneve, duke kombinuar rritjen e normave me lehtësime të synuara për sektorë specifikë të punës.
Në Shqipëri, struktura e PIT mbetet e thjeshtë dhe me progresivitet të kufizuar, ndërsa kontributet sociale nuk janë gjithmonë të lidhura me të ardhurat reale të individëve, gjë që krijon boshllëqe në mbulimin e shpenzimeve sociale dhe në efektivitetin e sistemit të sigurimeve. Reforma e nevojshme duhet të përqendrohet në rritjen e progresivitetit të tatimeve mbi të ardhurat dhe në një balancim të bazës së kontributeve, për të mbështetur në mënyrë më të qëndrueshme sistemin shëndetësor dhe pensionet.
Në fushën e tatimit mbi të ardhurat e korporatave, OECD ka vërejtur një ndalesë të trendit të uljes së normave dhe një kthim drejt mobilizimit të të ardhurave, ndërkohë që incentivat për kërkimin dhe zhvillimin, teknologjitë e pastra dhe sektorët strategjikë mbeten të theksuara.
Shqipëria ka një normë CIT prej 15%, një nga më të ulëtat në rajon, dhe incentiva të fragmentuara për investime strategjike. Ndërkohë që kjo e bën Shqipërinë konkurruese ndërkombëtarisht, ajo kufizon potencialin e mbledhjes së të ardhurave dhe nuk krijon stimuj të mjaftueshëm për investime inovative dhe të gjelbërta. Një rishikim i politikës së CIT duhet të synojë ruajtjen e konkurrencës ndërkombëtare, duke kombinuar incentiva më efektive për sektorë strategjikë dhe inovativë që mund të transformojnë ekonominë vendase.
Për sa i përket TVSH-së, OECD ka treguar se përdorimi i normave të reduktuara është bërë më i targetuar, ndërsa disa vende rritën normat standarde për të forcuar të ardhurat.
Në Shqipëri, norma standarde është 20% dhe ajo e reduktuar 6% për disa mallra dhe shërbime, por përfitimet nga normat e reduktuara janë relativisht të gjera dhe shpesh jo të orientuara drejt nevojave më kritike sociale. Kjo ka si pasojë që mbledhja e të ardhurave nga norma standarde nuk është e maksimizuar, ndërsa ndikimi i reduktimeve mbi drejtësinë sociale është i kufizuar. Reforma duhet të fokusojë reduktime më të targetuara dhe të përmirësojë administrimin e tatimeve, për të siguruar më shumë të ardhura dhe drejtësi fiskale.
Në fushën e taksave të konsumit dhe çmimit të karbonit, OECD raporton se shumë vende kanë rritur taksat mbi karburantet dhe kanë fuqizuar çmimin e karbonit, ndërkohë që taksat shëndetësore mbi duhanin, alkoolin dhe pijet e ëmbla janë shtuar për të mbështetur shëndetin publik dhe për të gjeneruar të ardhura shtesë. Shqipëria nuk ka ende një çmim efektiv karboni, ndërsa taksat ekzistuese mbi karburantet dhe shëndetin publik janë relativisht të ulëta. Kjo e bën ndikimin e tyre të kufizuar në sjelljen qytetare dhe në mobilizimin e të ardhurave. Një politikë më ambicioze për taksat shëndetësore dhe krijimi i një mekanizmi funksional për çmimin e karbonit janë detyra të pambaruara, por thelbësore për të rritur efektivitetin fiskal dhe për të inkurajuar një ekonomi më të gjelbër.
OECD ka treguar gjithashtu rëndësinë e integrimit të incentivave të gjelbra në të gjitha nivelet tatimore, duke kombinuar reduktime TVSH, lehtësime PIT dhe CIT për investime dhe transport të qëndrueshëm.
Shqipëria, përkundër disa nismave, ka ende incentiva të fragmentuara dhe të kufizuara, pa një qasje gjithëpërfshirëse që mund të stimulojë konsumin dhe investimet e qëndrueshme. Përmirësimi i kësaj qasjeje është një hap thelbësor për të arritur objektiva mjedisore dhe për të rritur efektivitetin e politikave fiskale.
Në sektorin e tatimeve mbi pronën, OECD ka fokusuar ulje normash dhe ngushtim të bazës për të lehtësuar familjet dhe për të inkurajuar investime.
Shqipëria ka një sistem të ulët tatimi mbi pronën, shpesh i nënvlerësuar, me administrim dhe vlerësim joefikas, që nuk garanton mbledhje efektive të të ardhurave dhe drejtësi sociale. Përmirësimi i administrimit dhe bazës së vlerësimit është një sfidë e pambaruara, por jetike për të balancuar drejtësinë fiskale dhe për të rritur të ardhurat nga pronat.
Në përfundim, sistemi tatimor shqiptar ka bërë hapa fillestarë, por mbetet pas OECD-së në shumë dimensione. Ai është i thjeshtë, fragmentar dhe me tarifa të ulëta, pa progresivitet të mjaftueshëm dhe pa integrim të objektivave mjedisore dhe shëndetësore.
Dobësitë më të mëdha qëndrojnë në mungesën e një efektiviteti në vizionin afatmesëm për mbledhjen e të ardhurave, progresivitetin e tatimeve mbi të ardhurat dhe kontributet, përdorimin efektiv të CIT dhe TVSH, si dhe integrimin e taksave me politika mjedisore dhe shëndetësore.
Sfida kryesore për Shqipërinë mbetet të ndërtojë një sistem tatimor modern, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, që kombinon mobilizimin e të ardhurave me mbrojtjen sociale dhe stimujt për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjelbër.
Ky është momenti për reflektim për Shqipërinë të marrë si shembull praktikat OECD, të rishikojë politikat tatimore dhe të krijojë një strategji fiskale afatmesme që garanton stabilitet fiskal, drejtësi sociale dhe zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.