Shtrembërimet strukturore në bujqësi, migracioni dhe produktiviteti

Shtrembërimet strukturore në bujqësi, migracioni dhe produktiviteti

Nëse e shohim Shqipërinë nën dritën e analizës së fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), tabloja e zhvillimit të saj ekonomik është e përshkruar nga një sërë shtrembërimesh strukturore që kanë ndikuar në mënyrë të ndërlidhur bujqësinë, tregun e punës dhe dinamikën e migracionit.

Këto shtrembërime nuk janë thjesht teknike, por të natyrës institucionale, historike dhe territoriale. Ato kanë formësuar mënyrën se si ekonomia shqiptare prodhon, punëson dhe shpërndan mirëqenie.
FMN e thekson se vendet me kapacitete fiskale të kufizuara, administratë të brishtë dhe sektor bujqësor të fragmentuar përballen me një rrezik të qartë: produktivitet të ulët, emigracion të shtuar dhe rënie të qëndrueshmërisë ekonomike afatgjatë. Shqipëria është shembull i qartë i këtij modeli.

Shtrembërimet strukturore në bujqësi, një trashëgimi e pazgjidhur

Sektori bujqësor në Shqipëri, ndonëse ende mban një peshë të konsiderueshme në punësim (rreth 35–37% të fuqisë punëtore), kontribuon vetëm me rreth 15–17% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ky mospërputhje e theksuar tregon se burimet njerëzore dhe tokësore nuk janë të përdorura në mënyrë efikase.

Fragmentimi ekstrem i pronësisë është një nga burimet kryesore të këtij shtrembërimi. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në Shqipëri ka rreth 359 mijë ferma, me një mesatare prej vetëm 1.1 hektarësh secila, shpesh të ndara në disa parcela jo ngjitur. Kjo situatë e bën të pamundur krijimin e ekonomive të shkallës, përdorimin e mekanikës moderne dhe qasjen në zinxhirët e furnizimit të tregut.

Në të njëjtën kohë, pasiguria e pronësisë mbi tokën ka mbetur një plagë e hapur. Vetëm 10% e pronave bujqësore janë regjistruar në mënyrë digjitale, ndërsa rreth 80% ekzistojnë vetëm në regjistra të vjetër letre e 10% pa dokumenta fare. Kjo mungesë formaliteti juridik i ka mbyllur fermerët për dekada nga qasja në kredi, fonde zhvillimi dhe subvencione.
Një fermer pa dokument pronësie është, praktikisht, i përjashtuar nga çdo formë financimi formal. Kjo është arsyeja pse vetëm 1.5–2% e kredive bankare në vend i shkojnë sektorit bujqësor, megjithëse ai përfshin një të tretën e punësimit kombëtar.

Në këtë kuptim, bujqësia shqiptare nuk është e pazhvilluar për mungesë dëshire, por për shkak të një rrjeti shtrembërimesh ligjore, ekonomike dhe institucionale që e kanë bllokuar përparimin e saj.

Migracioni si pasojë dhe pasqyrë e shtrembërimeve

Një nga efektet më të dukshme të shtrembërimeve në bujqësi është emigracioni masiv dhe selektiv. Shqipëria është një nga vendet me emigracionin më të lartë në raport me popullsinë aktive në Europë.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), rreth 40% e fuqisë punëtore shqiptare ka emigruar ose jeton jashtë vendit.
Në zonat rurale, kjo shifër është edhe më dramatike. Qarku i Kukësit, për shembull ka humbur mbi 20% të popullsisë në vetëm një dekadë, ndërsa në disa bashki të jugut popullsia është përgjysmuar.

Kjo zhvendosje nuk është e rastësishme dhe nuk ka ndodhur në pak vite. Ajo lidhet ngushtë me mungesën e perspektivës ekonomike. Të rinjtë, që potencialisht janë grupi më inovativ dhe më produktiv, përballen me një treg pune të ngushtë dhe me të ardhura të ulëta.
FMN thekson se në vende si Shqipëria, ku bujqësia është ende burimi kryesor i vetëpunësimit, shtrembërimet strukturore shtyjnë jashtë vendit pikërisht shtresën më të aftë të popullsisë rurale.
Kjo sjell efektin e dyfishtë, ku nga njëra anë, zvogëlon potencialin për zhvillim bujqësor në vend dhe nga ana tjetër, krijon varësi nga remitancat, të cilat përbëjnë 8–9% të PBB-së, por nuk përdoren në mënyrë produktive, pasi mungon një kanal i qartë investimi rural.

Në këtë mënyrë, Shqipëria përjeton një cikël të vetë-fuqizuar të shtrembërimeve, nga i cili bujqësia e paefikasme nxit emigracionin, kryesisht të të rinjve, çfarë sjell si efekt uljen më tej të produktivitetit bujqësor dhe ulja e produktivitetit rrit varësinë ndaj tregjeve të jashtme dhe importeve.

Keqpërdorimi i burimeve dhe kostoja e ulët e produktivitetit

Në analizën e FMN, një ekonomi përballet me “alokim të gabuar të burimeve” kur kapitali, toka dhe puna nuk përdoren atje ku japin rendimentin më të lartë. Shqipëria përbën një ilustrim tipik të këtij fenomeni.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, rendimenti mesatar për hektar në shumë kultura bujqësore është 2–3 herë më i ulët se në vendet fqinje të BE-së, si Greqia apo Kroacia.
Kjo nuk ndodh për mungesë toke apo klime, pasi Shqipëria ka kushte agroklimatike të favorshme, por për mungesë mekanizimi, përfshirjeje financiare dhe teknologjie.

Për më tepër, politikat e subvencioneve kanë qenë të shpërndara dhe shpesh të paorientuara drejt rezultateve. Në vend të mbështetjes për inovacion apo përpunim, një pjesë e mirë e fondeve shkon për mbulimin e shpenzimeve rutinë ose për kompensime, pa ndikim real në produktivitet.
Në vitin 2024 – 2025, për shembull, fondet publike për bujqësinë përbënin vetëm rreth 2% të shpenzimeve buxhetore, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE-së është 5–6%.
Ky boshllëk financiar i përkthyer në realitet sjell që fermerët të mbeten në nivel ekzistence, jo zhvillimi.

Pasojat makroekonomike dhe territoriale

Kombinimi i shtrembërimeve në bujqësi dhe emigracionit ka prodhuar pasoja të dukshme në strukturën e përgjithshme ekonomike:

  • Deficiti ushqimor është thelluar, ku nga statistikat rezulton se Shqipëria importon më shumë se 60% të produkteve ushqimore që konsumon.
  • Struktura e ekonomisë është zhvendosur drejt ndërtimit dhe shërbimeve jo-prodhuese, duke krijuar një rritje të brishtë dhe të varur nga konsumet sezonale.
  • Pabarazitë territoriale janë thelluar me zona rurale që po boshatisen dhe urbanizimi po përqendrohet në pak qendra, si Tirana dhe Durrësi, duke rritur presionin mbi infrastrukturën urbane.
  • Tregu i punës vuan nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar në sektorët prodhues dhe nga tepricë në punë të ulëta pagese.

FMN këtë e përkufizon si një kurth ekonomik dypërmasor, ku një ekonomi urbane që rritet mbi baza joprodhuese dhe një ekonomi rurale që mbetet e bllokuar në produktivitet të ulët.
Kjo ndarje po bëhet gjithnjë e më e thellë dhe rrezikon që vendi të humbasë potencialin e vet agrar dhe ushqimor në dekadën e ardhshme.

Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kanë kaluar faza të ngjashme, por kanë treguar se zgjidhja është e mundur, nëse ndërhyrjet janë të qëndrueshme dhe të koordinuara.

Polonia kishte pas vitit 1990 të njëjtin problem të fragmentimit ekstrem. Ajo krijoi programe për bashkim vullnetar të fermave, kredi të garantuara nga shteti dhe mbështetje për kooperativa të përbashkëta. Brenda 10 vitesh, produktiviteti bujqësor u trefishua.

Kroacia përfundoi procesin e regjistrimit të tokës përpara anëtarësimit në BE dhe e lidhi drejtpërdrejt me aksesin në fondet IPARD. Rezultati: rritje 50% në investimet rurale brenda pesë vitesh.

Sllovenia dhe Lituania përdorën politika fiskale që i nxitën fermerët të formalizohen në këmbim të përfitimeve fiskale (ulje taksash, grante për teknologji, mbështetje energjetike).
Këto vende e shndërruan sektorin bujqësor nga hallkë e dobët në burim të qëndrueshëm të eksportit dhe zhvillimit lokal.

Për Shqipërinë, këto shembuj janë të vlefshëm sepse tregojnë se problemi nuk është tek madhësia e tregut apo pasuria natyrore, por tek efikasiteti i institucioneve dhe drejtimi i politikave publike.

Rrugët për zgjidhje?

Ne mendojmë, se bazuar në përvojat dhe vullnet të pastër, nëse Shqipëria dëshiron të dalë nga ky kurth strukturor, duhet të veprojë në disa fronte njëkohësisht:

  1. Përfundimi i reformës së pronësisë bujqësore
    Përshpejtimi i regjistrimit të tokës, konsolidimi i pronës dhe krijimi i një kadastri digjitale të unifikuar janë parakushte për çdo reformë zhvillimi.
  2. Formalizimi dhe përfshirja financiare
    Krijimi i skemave të thjeshta tatimore dhe garancive shtetërore për fermerët e vegjël, që t’i bëjnë pjesë të sistemit bankar dhe të mundësojnë investime për mekanizim e teknologji.
  3. Rindërtimi i kooperativave moderne
    Në vend të ndarjes tradicionale, kooperativat e reja duhet të funksionojnë si njësi biznesi të përbashkëta për magazinim, marketing dhe përpunim, duke ulur kostot dhe rritur fuqinë negociuese të fermerëve.
  4. Politikat për kthimin dhe përfshirjen e diasporës
    Diaspora shqiptare është një burim i madh kapitali dhe përvoje. Krijimi i programeve të investimeve të bashkëfinancuara në zonat rurale mund ta kthejë emigracionin nga humbje në mundësi.
  5. Zhvillimi i tregjeve të integruara dhe digjitalizimi i bujqësisë
    Platforma online për tregti bujqësore, transparencë në subvencione dhe trajnime digjitale për fermerët mund të rrisin produktivitetin dhe transparencën.

Shqipëria është në një pikë ku bujqësia, migracioni dhe zhvillimi ekonomik nuk mund të trajtohen më si fusha të ndara. Shtrembërimet strukturore në bujqësi janë në fakt pasqyra e gjithë ekonomisë me institucione të brishta, politika fragmentare dhe mungesë koordinimi ndërmjet reformave.

Shembujt nga Europa Qendrore tregojnë se ndryshimi është i mundur, por kërkon vizion të qëndrueshëm, integrim të politikave dhe guxim për të përballur interesat afatshkurtra.
Nëse vendi arrin të thyejë këtë cikël, mund të kthejë bujqësinë nga një sektor i mbijetesës në një burim të rritjes së qëndrueshme dhe stabilitetit social.
Në thelb, kjo do të thotë të rivendosësh ekuilibrin midis tokës, njeriut dhe tregut, tre shtyllat që sot janë të shtrembëruara, por që nesër mund të bëhen themeli i një Shqipërie më produktive dhe më të drejtë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.