Shqipëria dhe Integrimi Evropian midis ritmit të shpejtë dhe thellësisë së nevojshme
Në një sekuencë ngjarjesh që po përkufizojnë një fazë të re për Shqipërinë në procesin e integrimit evropian, më 11 qershor 2025, vendi mori dritën jeshile për hapjen e negociatave për GrupKapitullin 4, “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm që pason çeljen, më 22 maj, të GrupKapitullit 3 “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, së bashku me 8 kapituj të tjerë, duke e çuar numrin total të kapitujve të hapur në 24 nga 35. Në vetëm tetë muaj nga hapja e negociatave për “Themeloret”, Shqipëria po ecën me një ritëm që i afrohet rekordeve në historinë e zgjerimit të BE-së.
Ky përshpejtim nuk është produkt i një momentumit kalimtar, por rezultat i një kombinimi të rrallë faktorësh: përgatitje teknike të qëndrueshme, konsensus politik për integrimin, mbështetje e qartë nga Komisioni Evropian dhe një diplomaci e jashtme aktive, që e ka vendosur Shqipërinë në vëmendjen e Brukselit. Organizimi i Takimit të Komunitetit Politik Evropian dhe Samitit të Investimeve për të Ardhmen e Evropës në Tiranë, në maj 2025, nuk ishin thjesht evente simbolike – ishin manifestime të një profili të ri ndërkombëtar.
Çelja e GrupKapitullit 4 e thellon më tej këtë narrativë transformimi, pasi ky kapitull prek fushat më të prekshme për qytetarët: mjedisin, ndërlidhjen energjetike dhe transportin e qëndrueshëm, qeverisjen e qëndrueshme të burimeve natyrore dhe përafrimin me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Këto nuk janë vetëm kërkesa teknike, por pjesë e një kontrate të re të shtetit me qytetarët e vet për zhvillim të qëndrueshëm.
Por, ky progres përballë një sfide madhore: financimin.
Vlerësimet e Altax sugjerojnë se për të përmbushur tërësisht kërkesat e anëtarësimit, Shqipërisë mund t’i nevojiten deri në 7.5 miliardë euro, një shifër që përbën jo vetëm sfidë fiskale, por edhe institucionale.
Ndërsa BE ka vënë në dispozicion mjete të reja si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përthithja efektive e këtyre fondeve varet nga kapacitetet administrative, veçanërisht në nivel vendor, ku Shqipëria mbetet më e brishtë në krahasim me përvojën e Malit të Zi apo të vendeve të BE-së Lindore.
Në këtë pikë, progresi nuk mund të matet vetëm me numrin e kapitujve të hapur, por me cilësinë e zbatimit në terren. Çështje si informaliteti ekonomik, kapaciteti për planifikim afatgjatë, mungesa e kuadrit të qartë për partneritetet publike-private në infrastrukturë, mbeten pengesa që nuk zgjidhen me entuziazëm diplomatik.
Në krahasim me fqinjët, Shqipëria sot përfaqëson një rast pozitiv në rajon.
Serbia dhe Mali i Zi, ndonëse më përpara në numër kapitujsh, kanë hyrë në fazë stagnimi për shkak të dinamikave të brendshme politike dhe mungesës së progresit në shtetin ligjor. Maqedonia e Veriut, që nisi paralelisht me Shqipërinë, ndodhet e penguar nga bllokada bilaterale me Bullgarinë.
Turqia, ndërkohë, është jashtë procesit real të zgjerimit.
Çfarë e veçon Shqipërinë në këtë sprint?
Një përdorim efikas i metodologjisë së re të zgjerimit, e cila favorizon progresin sipas grupkapitujve tematikë dhe shpërblen vendet që tregojnë rezultat. Shqipëria ka kombinuar këtë mekanizëm me një vullnet të artikuluar politik dhe një angazhim diplomatik që ka prodhuar besim të ri në sytë e Brukselit.
Megjithatë, suksesi i vërtetë do të matet ndryshe:
- A do të përkthehen këta hapa në përmirësim të jetës së qytetarëve?
- A do të shohin qytetarët rritje të cilësisë së shërbimeve publike, energji më të pastër, transport më funksional dhe qeverisje më transparente?
- A do të shndërrohet “Shqipëria 2030” në një objektiv të matshëm, dhe jo në një slogan politik?
Në përfundim, Shqipëria po udhëheq ritmin e ri të zgjerimit, por që kjo të përkthehet në anëtarësim të plotë, duhen tre shtylla të pazëvendësueshme: kapacitet teknik, përfshirje shoqërore dhe investim afatgjatë politik. Integrimi nuk është më një çështje “kur” – është një çështje “si”. Dhe përgjigjja e kësaj pyetjeje do të përcaktojë nëse Shqipëria do të jetë thjesht një shembull i mirë në proces, apo një histori e plotë suksesi evropian.
Hapja e kapitujve është një instrument.
Qëllimi është Evropa në terren, jo vetëm në tryezat e negociatave.
Dhe kjo kërkon më shumë sesa dakordësi teknike, pasi kërkon vizion politik dhe besim të dyanshëm, nga BE-ja dhe nga qytetarët shqiptarë.
Vetëm atëherë “Shqipëria 2030” do të jetë më shumë se një objektiv do të jetë realitet.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.