Sa të përgatitur janë shqiptarët në tërësi për problemet që mbart zëvendësimi i një sistemi pagesash me një tjetër më të avancuar?
Monedhat fizike kanë qenë mënyra e transaksionit ekonomik për mijëra vjet. Sot, sistemet e pagesave po bëhen gjithnjë e më pa para. Në Bashkimin Evropian (BE), një në pesë nga të gjitha blerjet ditore në vitin 2022 kryheshin në internet dhe një e treta ishte bërë duke përdorur një kartë. Në Shqipëri, 38.5% e popullsisë 16-74 vjeç ka kryer blerje online në 12 muajt e fundit, me rritje nga periudhat paraardhëse.
Preferenca për të përdorur para ose metoda dixhitale ndryshon. Bazuar në popullsinë totale në BE të të gjithë individëve të moshës 16 deri në 74 vjeç, rreth 68 % e të anketuarve blenë ose porositën produkte ose shërbime në internet në 12 muajt para anketës, një rritje prej 1 % krahasuar me vitin 2021[1].
Gjithsesi, tendenca për pagesat digjitale është vendosur të përshpejtohet ndërsa revolucioni dixhital po bëhet gjithnjë e më global. Për shembull, në Suedi tashmë vetëm gjysma e degëve të bankave pranojnë depozita në para dhe në vitin 2022, gjashtë bankat kryesore më të mëdha të Evropës vetëm në internet kishin më shumë se 34 milionë klientë.
Paralelisht, tregjet në zhvillim po dixhitalizojnë ekonomitë e tyre, duke kaluar nga paratë e gatshme në pagesat dixhitale duke anashkaluar “moshën e kartave” të ndërmjetme.
Në vendet në zhvillim, më shumë njerëz përdorin aplikacione të transferimit të parave celulare sesa zotërojnë një llogari bankare dhe llogaritë e parave celulare janë më të zakonshme se llogaritë bankare.
Nëse qeveria detyrohet të ndërhyjë në sektorin financiar, do të duhet të shqyrtojë përdorimin e shërbimeve publike ndaj parasë cash dhe të hartojë legjislacionin e duhur për ta lejuar këtë, si një qasje paralele tranzicionale. Aktualisht, digjitalizimi për 95% të shërbimeve publike ekziston për të ofruar akses në shërbimet thelbësore, por problemet që kanë lindur dhe nuk po zgjidhen dot po shtohen. Ndërkohë, sektori privat mund të mos jetë i gatshëm t’i ofrojë pasi udhëhiqet nga motivi i fitimit.
Nga njëra anë, një detyrim ligjor mund t’i detyrojë bankat të ofrojnë llogari për personat e cenueshëm që nuk plotësojnë kriteret tipike, duke i lejuar ata të kenë akses në një kartë debiti.
Qeveria ka vendoru në Draft-Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, 2022 – 2026[2] një reduktim të parasë cash në qarkullim nga 22% që është konstatuar në 10 % pas 5 vitesh. Kjo ka të bëjë si politikë me rritjen e transaksioneve nëpërmjet llogarisë bankare të individëve në pikat e shit-blerjeve.
Por, të avancosh më tej se kaq[3] dhe të kërkosh të digjitalizosh një ekonomi ku 1/3 është informale dhe një ekonomi ku 90% e bizneseve janë në shërbimet dhe tregtinë me pakicë do të krijonte realisht një situatë shumë të pamundur për tu realizuar.
Imagjinoni një skenar ku supermarketet ndalojnë pranimin e parave të gatshme. Kjo do të ishte shkatërruese për grupet vulnerabël dhe qeveria duhet të sigurojë që ajo të ketë aftësinë për të vendosur dhe garantuar lirinë për të vendosur me vullnet të lirë dhe të pranohet në mënyrë vullnetare ndryshime të tilla si: sistemi pagesave.
Kalimi nga cash-i drejt pagesave me karta paraqet sfida për grupe të caktuara, duke përfshirë personat pa llogari në bankë, të moshuarit dhe të varfërit që punojnë për pagesa minimale. Këto grupe përballen me barriera për të hyrë në sistemin financiar dhe mund të izolohen ekonomikisht dhe të jenë të prekshëm nga mashtrimi. Ndërsa, digjitalizimi bankar që syon drejt digjitalizimit të parasë është mision i pamundur për shumë e shumë vite të ardhme.
Politikëbërësit duhet t’i adresojnë këto çështje duke mbrojtur aksesin në para ose aksesin në sistemin financiar. Kjo përfshin marrjen parasysh të përdorimit të detyrimeve të shërbimit publik dhe promovimin e përfshirjes financiare për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë anëtarët e shoqërisë.
Ndërkohë, nëse objektivi afatgjatë është një ekonomi pa para (një ekonomi në të cilën egzistojnë transaksionet dixhitale, të tilla si pagesat me celular, kartat e debitit, kartat e kreditit dhe bankat në internet), pra një ekonomi ku zëvendësohen transaksionet me para në dorë, atëherë për individët dhe bizneset që do të mbështeten në pagesat dixhitale për transaksionet, duhet që të ndodhë një proces i gjatë dhe gradual i heqjes së parasë fizike nga qarkullimi.
Përfitimet sistemike…
Ulja e parave cash në ekonomi mund të sjellë shumë përfitime, si një rritje të llogaridhënies dhe transparencës në sistemin monetar. Po ashtu, ndihmon në gjurmimin e rrjedhës së parave dhe redukton mashtrimet financiare dhe krimet.
Me eliminimin e kartëmonedhave dhe monedhave, një pjesë më e madhe e ofertës monetare do të ishte në formën e depozitave bankare virtuale. Nëse bankat kanë akses në një ofertë më të madhe parash dixhitale, ato mund të rrisin volumin e kredive që japin dhe të përmirësojnë kostot e huadhënies. Për më tepër, pa paratë fizike me tepri në qarkullim do ta bënte ekonominë më të përgjegjshme ndaj ndryshimeve të politikës monetare të bankës qendrore, pasi paratë fizike në vend janë më pak të ndjeshme ndaj ndryshimeve në normat e interesit sesa depozitat bankare. Gjithashtu ato mund të përmirësojnë të ardhurat fiskale pasi evazioni fiskal bëhet më i vështirë.
Pra duket se ulja e parave cash në qarkullim ka të mira, që nuk mund të mohohen.
Por, ana e kundërt, një ekonomi pa para do të thotë që grupet e cenueshme mund të bëhen më të izoluara dhe gjithnjë e më të ndjeshme ndaj mashtrimeve nga familja, të huajt ose miqtë, ndërsa ata dorëzojnë detajet personale të llogarive të tyre.
Ndikimet e mundshme afatshkurtra nga ulja e parasë fizike në qarkullim përfshijnë:
– Pretendimet lidhur me mosfunksionimin e sistemeve të softuerit dhe harduerit në pikën e blerjes/transaksionit, të cilat ka të ngjarë të rriten.
– Mund të ndodhin pretendime për përgjegjësi lidhur me ndërprerjet e energjisë, sulmet kibernetike dhe fatkeqësitë natyrore që rezultojnë në mbyllje ose keqfunksionime të sistemit të pagesave dixhitale.
– Edhe një ekonomi dixhitale/pa para në dukje funksionale përfshin rrezikun e pretendimeve për diskriminim. Këto mund të vijnë nga mbrojtja e konsumatorit/grupet e interesit që kërkojnë kompensim për individët/segmentet e popullatave të përjashtuara nga tregu sepse ata ende përdorin para në dorë.
– Aftësia e klientëve për të transferuar me shpejtësi para në mënyrë dixhitale rrit rrezikun e ekzekutimit të bankave dhe mund të ketë efekte të valëzuara në tregjet financiare.
– Një zhvendosje nga vjedhja fizike në krimin e transferimit të parave.
– Një ekonomi pa para të gatshme krijon një segment të ri produkti për sigurimin kibernetik.
Megjithatë, pagesat dixhitale kërkojnë infrastrukturë: për shembull një rrjet, energji elektrike dhe pajisje funksionale (telefon, smartfon, kartë etj). Dështimi në ndonjë nga këto elementë mund të paralizojë një ekonomi të tërë. Në nivelin e konsumatorit, ndërprerjet e sistemit të pagesave përfshijnë, transaksionet në një pikë shërbimi, në një pikë tregtare Më tej, mund të ndodhë që rrogat të mos paguhen/nuk mund të paguhen, ose që një sistem i tërë pagesash të mos funksionojë për ditë të tëra. Ndërprerjet e mëdha të shkaktuara nga sulmet kibernetike, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe fatkeqësitë natyrore janë një kërcënim kryesor për ekonominë pa para. Por ato sjellin gjithashtu mundësi të reja grupi rreziku si cënimi i sigurisë kibernetike dhe mashtrimit dixhital.
Një rrezik tjetër është se shumë sisteme pagesash dixhitale drejtohen privatisht. Kjo i lë familjet të varen nga bizneset private për të pasur akses në para dhe për transaksione të përditshme. Në rast të falimentimit të një kompanie private pagesash, garancia e aksesit në portofolet elektronike të dikujt mund të jetë në rrezik.
Individët që humbasin aftësinë për të kursyer në monedhën fizike, kursimet e tyre virtuale mund të jenë më të prekshme ndaj krizave financiare ose kolapsit të bankave private. Dhe disa sektorë që mbështeten shumë në transaksionet me para në dorë (p.sh. ndërtimi i banesave) mund të përballen me vështirësi.
Kjo mund të shohë një rritje të një biznesi të ri për ri/siguruesit: mbulimi për garancitë e depozitave të krijuara për ofruesit e pagesave jo-bankare, dhe sigurimi i portofolit dixhital.
Të gjitha sa më lart janë problemet e jetës së përditshme dhe nga sa kemi përjetuar deri më sot, me atë nivel digjitalizimi të shërbimeve publike na bën të tërhequr për të pranuar nisma të nxituara dhe që nuk marrin në konsideratë realitetin fizik të vendit.
Bankat e mëdha në shumë vende po bëjnë presion për një shoqëri pa para, kryesisht sepse do të përfitonin nga kontrolli i plotë mbi jetën financiare të konsumatorëve. Por një shoqëri pa para nuk do të ndodhë brenda natës, gjithmonë nëse ndodh ndonjëherë.
[1] https://ec.europa.eu/eurostat/statistics-explained/index.php/E-commerce_statistics_for_individuals
[2] https://www.financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/02/Strategjia-Afatmesme-e-të-Ardhurave-2022-2026.pdf
[3] kur nuk ka siguri se do të arrihet objektivi më lart në vetëm 10% qarkullim të parasë cash
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.