Tregu i punës dhe rritja e pagave në T1 2026
Në tremujorin e parë të vitit 2026, tregu i punës shqiptar shfaqi një tablo të përzier por në përgjithësi pozitive. Nga njëra anë, pagat vijuan të rriten me ritëm të shëndetshëm, ndërsa nga ana tjetër, treguesit e punësimit dhe pjesëmarrjes në forcat e punës treguan stabilitet me tendenca të lehta rënjeje krahasuar me vitin e kaluar.
Paga mesatare mujore bruto (sektori publik dhe privat) për një të punësuar me pagë në Shqipëri arriti në 90.119 lekë, duke shënuar një rritje të rëndësishme prej 9,6% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025. Ky nivel i ri i pagave reflekton një ekonomi në lëvizje, ku ndikimet e politikave qeveritare me rritjen e pages minimal edhe politikat e pagave në sektorin publik, dinamika e tregut të punës dhe pritshmëritë për sezonin veror krijuan një peizazh të favorshëm gjatë fillimvitit për punësimin dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
Kontributi i sektorit privat në rritjen kombëtare
Një rillogaritje e të dhënave tregon qartë se sektori privat ka qenë motori kryesor i kësaj rritjeje. Paga mesatare në sektorin privat arriti në 83.912 lekë në T1 2026, nga 75.285 lekë në T1 2025, duke shënuar një rritje prej rreth 11,5%. Në krahasim, paga mesatare në sektorin publik (administrata dhe institucionet shtetërore) arriti në 105.390 lekë, me një rritje më modeste. Kjo diferencë dinamike thekson se rritja e përgjithshme kombëtare me 9,6% është tërhequr kryesisht nga performanca e sektorit privat, i cili po reagon më shpejt ndaj presionit të tregut dhe nevojave për fuqi punëtore.
Efekti i rritjes së pagës minimale në 50.000 lekë është i dukshëm, duke rritur numrin e të punësuarve në skajin e poshtëm të shpërndarjes së pagave dhe duke nxitur formalizimin.
Treguesit e Tregut të punës japin një tablo kritike (Anketa Tremujore e Forcave të Punës)
Pjesëmarrja në forcat e punës (popullsia 15-64 vjeç) ishte 76,2% (-0,5 pikë përqindje krahasuar me T1 2025, por +0,3 pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm).
Të dhënat e Anketës Tremujore të Forcave të Punës nxjerrin në pah disa probleme strukturore që kërkojnë vëmendje të menjëhershme:
- Pjesëmarrja në forcat e punës (15-64 vjeç) ishte 76,2%, duke u ulur me 0,5 pikë përqindje krahasuar me T1 2025.
- Shkalla e punësimit (15 vjeç e lart) arriti vetëm 58%, me rënie prej 0,3 pikë përqindje nga viti i kaluar dhe 0,5 pikë nga tremujori i mëparshëm.
- Shkalla e papunësisë ishte 8,4%, duke shënuar një ulje të lehtë vjetore (-0,3 pikë), por një rritje të vogël tremujore (+0,1 pikë).
Këto rënie, sado të vogla sinjalizojnë një dobësim të moderuar të tregut të punës. Sipas figurave të INSTAT, punësimi ka pësuar rënie vjetore në shumicën e grupeve kryesore të aktiviteteve ekonomike: -1.3% gjithsej, me rënie të theksuara në Bujqësi (-6.7%), Industri (-2.9%) dhe Shërbime (-4.1% në disa nënsektorë). Situata e fillimvitit tregon se rritja e pagave po ndodh kryesisht në një numër të kufizuar punonjësish, ndërsa punësimi i përgjithshëm po tkurret.
Kjo situatë ngre shqetësime serioze për cilësinë e punësimit, veçanërisht në një kohë kur Shqipëria po përgatitet për sezonin veror. Rënia e pjesëmarrjes në forcat e punës mund të tregojë largim nga tregu i punës (discouraged workers), emigracion të vazhdueshëm të të rinjve ose probleme strukturore në lidhjen midis aftësive dhe kërkesës së tregut.
Pagat sipas aktiviteteve ekonomike
Sipas klasifikimit NVE Rev 2.0, aktivitetet ekonomike me pagë mesatare më të lartë se mesatarja kombëtare mbeten Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit, me 157.434 lekë, dhe Informacioni dhe Komunikacioni, me 131.747 lekë. Këto sektorë, ku dominon pjesa më e madhe private vijojnë të ofrojnë pagat më konkurruese.
Rritja më e lartë e pagës mesatare u regjistrua në aktivitetin “Ndërtim”, me +22,2%, si një sinjal i fortë i rigjallërimit të investimeve në infrastrukturë dhe projekte private. Në anën tjetër, rritja më e ulët u shënua në aktivitetin “Arte, argëtim dhe çlodhje, si dhe aktivitete të tjera shërbimi” me vetëm +5,5%. Ky sektor me natyrë të theksuar sezonale pritet të shohë një rikuperim të ndjeshëm gjatë muajve të verës, kur turizmi dhe argëtimi arrijnë kulmin.
Pagat sipas grupeve profesionale
Nga këndvështrimi profesional (klasifikimi ISCO-08), pagat më të larta se mesatarja kombëtare i përkasin grupeve të Menaxherëve, Ligjvënësve dhe Drejtorëve Ekzekutivë (136.213 lekë) dhe Specialistëve me arsim të lartë (profesionistë) (116.074 lekë).
Rritjet më dinamike u regjistruan te Zejtarët, artizanët dhe profesione të lidhura me to (+15,7%) dhe te Punëtorët (Profesione elementare) (+15,3%). Këto kategori, që përfshijnë kryesisht punë në sektorin privat, tregojnë se rritja po përhapet gradualisht edhe në shtresa më të gjera të punëtorëve.
Shpërndarja e të punësuarve sipas nivelit të pagës
Gjatë tremujorit të parë 2026 vihet re një shpërndarje e të punësuarve më e përqendruar në skajet e intervaleve të pagave me rritje si të numrit të punonjësve me pagë minimale, ashtu edhe të atyre me paga të larta. Kjo tendencë bipolare lidhet drejtpërdrejt me vendimin e Këshillit të Ministrave për rritjen e pagës minimale nga 40.000 lekë në 50.000 lekë duke filluar nga 1 Janari 2026. Si rezultat, është rritur ndjeshëm numri i punonjësve që deklarojnë pagën minimale, duke kontribuar në formalizimin e ekonomisë dhe ngritjen e dyshemesë së të ardhurave.
Për kontekst historik, paga minimale ka qenë 26.000 lekë gjatë vitit 2020, 30.000–34.000 lekë gjatë periudhës 2021–2023, 40.000 lekë nga T2 2023 deri në T4 2025 dhe 50.000 lekë nga T1 2026 e në vijim.
Pritshmëritë dhe tendencat në vijim me fokus te sezoni veror
Sezoni veror mbetet shpresa kryesore për rikuperim. Sektorët e lidhur me turizmin, shërbime specifike si transporti dhe tregtia me pakicë, si dhe ndërtimet sezonale pritet të krijojnë vende pune të përkohshme. Megjithatë, nëse rënia e punësimit në tremujorin e parë pasqyron tendenca strukturore sezoni veror mund të mos jetë i mjaftueshëm për të kompensuar humbjet afatgjata.
Në përfundim, ndërsa rritja e pagave, sidomos në sektorin privat është lajm pozitiv, të dhënat e punësimit nga INSTAT tregojnë një treg pune që po humbet vrull. Politikat ekonomike nuk duhet të fokusohen vetëm në rritjen e pagave, por edhe në krijimin e vendeve të reja pune cilësore dhe në rritjen e pjesëmarrjes në forcat e punës.
Zvarritja e ndërmarrjes së masave konkrete dhe mungesa e diversifikimit të ekonomisë dhe politikave ende pa efekt te bizneset, mbajnë pezull këtë situatë me një rritje pagash pa punësim të gjerë dhe kjo mund të thellojë mëtej, si pabarazitë midis grupeve të pagave sipas aktiviteteve, por edhe grupmoshave dhe rajoneve të vendit.
Të gjitha të dhënat e detajuara mujore dhe vjetore janë të disponueshme në databazën statistikore të INSTAT (www.instat.gov.al).
Burimi kryesor janë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe kontribuesit në Sigurime Shoqërore, me llogaritje të INSTAT.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.