Rreziqet financiare si thirrje për përgjegjësi dhe veprime të drejtpërdrejta

Rreziqet financiare si thirrje për përgjegjësi dhe veprime të drejtpërdrejta

Në një moment kur Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa të domosdoshme duke vendosur kufizime në kreditimin për sektorin e pasurive të paluajtshme, duhet të jemi të qartë.

Kjo nuk është vetëm një masë teknike, por një alarm për gjithë sistemin ekonomik dhe politik të vendit.

Ajo që është e nevojshme tani nuk është vetëm zbatim mekanik i rregullave financiare, por një reflektim i thellë dhe një reagim gjithëpërfshirës, që përfshin edhe qeverinë dhe sektorin real të ekonomisë.

Qeveria aktuale tashmë duhet të marrë përgjegjësinë për të nxitur një politikë të qëndrueshme ekonomike që i largon investimet nga flluskat spekulative dhe i orienton drejt sektorëve prodhues dhe inovativë.

Po ashtu, bizneset duhet të adaptohen ndaj kushteve të reja dhe të ndërtojnë modele të qëndrueshme financiare, ndërsa bankat duhet të bëjnë më shumë sesa të thjesht zbatojë kufizimet, pasi duhet të forcojë monitorimin, menaxhimin e riskut dhe transparencën.

Kjo kohë është një sfidë kombëtare që kërkon bashkëpunim, qartësi dhe përgjegjësi.

Çfarë mungon në politikat aktuale?

Ndërsa sinjalet e mbikreditimit në sektorin e pasurive të paluajtshme janë bërë tashmë të dukshme dhe Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë me masa për frenimin e tyre, reagimi i politikave publike mbetet i fragmentuar, pa një orientim të qartë dhe të guximshëm drejt ndryshimit të modelit ekonomik.

Në një kohë kur nevojitet një tranzicion real drejt një ekonomie më produktive dhe të balancuar, politika ekonomike mbetet ende e ngërthyer në skemat tradicionale të nxitjes së konsumit dhe të ndërtimit si burime kryesore të rritjes.

Sektori i ndërtimit, pavarësisht rreziqeve të evidentuara dhe ndjeshmërisë së tij ndaj luhatjeve të tregut dhe spekulimeve, vazhdon të trajtohet në praktikë si boshti kryesor i zhvillimit ekonomik, duke mbajtur gjallë një varësi strukturore që rrezikon stabilitetin afatgjatë. Kjo nuk ndodh vetëm për shkak të kërkesës së lartë, por edhe për shkak të mungesës së alternativave të mbështetura realisht nga politika ekonomike.

Sektori prodhues dhe industrial, i cili mund të ofrojë jo vetëm rritje ekonomike të qëndrueshme, por edhe punësim cilësor dhe eksport afatgjatë nuk është ende subjekt i një strategjie të dedikuar zhvillimore. Stimujt për investime në prodhim mbeten të zbehtë dhe pa efekt transformues, ndërkohë që barrierat strukturore, nga mungesa e infrastrukturës moderne te vështirësitë e qasjes në financë nuk janë adresuar seriozisht.

Politikat fiskale nuk tregojnë një drejtim të qartë për të orientuar kapitalin dhe sipërmarrjen drejt fushave të inovacionit, teknologjisë së aplikuar, bujqësisë moderne apo shërbimeve me vlerë të shtuar. Në mungesë të një vizioni fiskal që promovon prodhimin dhe dijen, përfituesit më të mëdhenj mbeten sektorë me cikël të shpejtë, por pa ndikim të thellë zhvillimor.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përbëjnë shtyllën e ekonomive të qëndrueshme në të gjithë Evropën, nuk gëzojnë një paketë të konsoliduar mbështetëse, as në formë subvencionesh, as në politika të lehtësimit të qasjes në tregje, teknologji apo financim. Këto ndërmarrje, që mund të jenë vatra të inovacionit lokal dhe punësimit të qëndrueshëm, janë ende jashtë vëmendjes strategjike.

Në këtë kontekst, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë, sado e justifikuar dhe e domosdoshme, mbetet një zgjidhje mbrojtëse në mungesë të një qasje zhvillimore të qartë nga politika fiskale dhe ekonomike. Pa një projekt të guximshëm dhe të koordinuar për të ndryshuar drejtimin e ekonomisë, nga ndërtimi spekulativ drejt prodhimit të qëndrueshëm ekonomia do vijojë të ngelet peng edhe në 2025 i një modeli që prodhon rritje afatshkurtër, por pa themelet afatgjata.

A jemi ende në kohë për diversifikim?

Pyetja nuk është më nëse Shqipëria duhet të diversifikojë ekonominë e saj, por nëse është ende në kohë për ta bërë këtë pa paguar një çmim të lartë ekonomik dhe social. Realiteti është se modeli aktual i zhvillimit, i mbështetur mbi sektorë jo-produktivë si ndërtimi dhe konsumi i nxitur nga borxhi, është i paqëndrueshëm dhe gjithnjë e më i rrezikshëm. Kjo varësi nuk është vetëm strukturore; është gjithashtu psikologjike dhe institucionale. Ajo e ka zhvendosur fokusin nga ndërtimi i kapaciteteve prodhuese dhe teknologjike drejt fitimeve të shpejta, por të brishta.

Shanset për një tranzicion të shpejtë drejt një ekonomie të diversifikuar, konkurruese dhe më pak spekulative ekzistojnë ende. Por ato nuk do të vijnë si rezultat i tregut vetë.

Ndryshimi po kërkon prej kohësh vullnet të fortë politik, orientim të saktë strategjik dhe bashkëveprim real mes politikës monetare dhe asaj fiskale. Pa këtë koordinim, çdo hap përpara do të zhbëhet nga mosveprimi ose fragmentimi institucional.

Nëse kjo dritare e mundësisë nuk shfrytëzohet tani, atëherë vendi rrezikon do vijojë në një cikël të ri pasigurie. Me gjasa, kreditë me probleme mund të rriten, investimet e huaja mund të shmangin sektorë të pashëndetshëm, besimi i konsumatorëve dhe i sipërmarrjes do të gërryhet. Më keq akoma, një krizë ende e parandalueshme në ndërtim nuk do të godasë vetëm atë sektor, por do të përhapet në banka, në financat publike dhe në gjithë ekonominë reale.

Kush duhet të reagojë dhe si?

Qeveria nuk mund të qëndrojë më në rolin e arbitrit dhe spektatorit, por jo aktorit proaktiv. Ajo duhet të drejtojë hapjen e procesit të bashkëqeverisjes me aktorët e ekonomisë dhe gjithë palët e tjera për hartimin dhe zbatimin e një strategjie kombëtare për diversifikimin ekonomik, duke i dhënë prioritet sektorëve prodhues, inovacionit, dixhitalizimit dhe bujqësisë së vlerësuar. Politikat e zhvillimit duhet të orientohen drejt krijimit të zinxhirëve të vlerës, ndërtimit të infrastrukturës mbështetëse dhe nxitjes së investimeve afatgjata.

Banka e Shqipërisë, pasi ka dhënë sinjalin e parë të alarmit me kufizimet në kreditimin për pasuritë e paluajtshme do të vazhdojë të forcojë rolin mbikëqyrës dhe stabilizues, por duhet të bashkëpunojë më ngushtësisht me Ministrinë e Financave, për të shmangur kontradiktat ndërmjet objektivave monetare dhe atyre fiskale.

Sektori bankar ka nevojë për një kthesë kulturore, nga përqendrimi tek volumet, drejt cilësisë së huadhënies. Bankat duhet të bëhen më selektive, më të kujdesshme dhe të orientuara drejt financimit të sektorëve që gjenerojnë vlerë të qëndrueshme, jo vetëm aktive të ngrira në beton dhe obligacione qeveritare.

Bizneset dhe individët duhet të reflektojnë ndaj realitetit të ri financiar. Ato duhet të tregojnë maturi në kërkimin e financimeve dhe të ridrejtojnë kapitalin drejt projekteve që kanë logjikë ekonomike, jo thjesht potencial për fitim të shpejtë. Një ekonomi më e qëndrueshme do të thotë edhe një sipërmarrje më e përgjegjshme.

Shoqëria civile dhe mediat, më shumë se kurrë, duhet të mbajnë një rol monitorues dhe kritik, për të rritur transparencën, për të vendosur në qendër të debatit politik zhvillimin afatgjatë dhe për të kërkuar llogaridhënie për politikat që pengojnë transformimin e modelit ekonomik.

Ka kohë që ekonomia shqiptare ecën në kryqëzime vendimtare, për të mbyllur dhe përmbushur rrugëtimin drejt një ekonomie me satndarte dhe cilësi të diverisifikuar në sektorë me vlerë të shtuar ndjeshëm nga deri më sot. Secili nga aktorët më lart edhe mund të zgjedhin të ecin në rrugën e tanishme, duke lënë rrezikun të grumbullohet në heshtje, derisa të shfaqet me pasoja të rënda. Por, në atë që ne e analizojm֝ë për ta bërë objekt diskutimi të gjerë  mendojmë se duhet të përfitojmë nga ky moment i mire politik për të nisur një transformim të vërtetë ekonomik.

Banka Qendrore ka ndezur dritën portokalli.

Në këtë moment, kufizimet e vendosura në sektorin e pasurive të paluajtshme janë vetëm fillimi i një procesi të domosdoshëm për të shmangur një krizë financiare që mund të ketë pasoja të rënda për ekonominë shqiptare.Tani është radha e qeverisë dhe e gjithë shoqërisë që të tregojnë se kanë veshë për të dëgjuar dhe vullnet për të vepruar.

Por pa një reagim gjithëpërfshirës dhe të koordinuar, pa politika të qarta për diversifikim ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm, masa e Bankës së Shqipërisë do të jetë një veprim i pjesshëm, që vetëm do të shtyjë problemet për në të ardhmen. Në fund të fundit, koha për reagim ishte dje, por ne jemi ende në kohë për të ndryshuar kursin, për të ndërtuar një ekonomi më të fortë dhe më të qëndrueshme, për të shmangur rreziqet e një balanci të brishtë financiar dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.