Rreziku valutor për eksportet shqiptare dhe nevoja urgjente për mekanizma mbrojtës financiarë
Situata aktuale e eksportuesve shqiptarë nuk është thjesht një çështje financiare apo teknike, por një problem strukturor i modelit ekonomik. Në kushtet kur euro është zhvlerësuar ndjeshëm ndaj lekut, eksportuesi shqiptar ndodhet në një pozicion gjithnjë e më të pafavorshëm, pasi ai vazhdon të shesë në euro, ndërsa pjesën dërrmuese të kostove i ka në lekë (paga, taksa, energji, shërbime dhe shpenzime operative). Kjo do të thotë se edhe kur biznesi punon njësoj, prodhon njësoj dhe shet njësoj, rezultati financiar në fund të vitit është më i dobët.
Në realitet, problemi nuk lidhet me aftësinë e eksportuesit për të konkurruar në tregjet e huaja, por me një mekanizëm të jashtëm ndaj tij, kursin e këmbimit.
Struktura tipike e një eksportuesi shqiptar është shumë e thjeshtë dhe e njëanshme.
Të ardhurat janë në euro, ndërsa kostot janë pothuajse të gjitha në lekë. Në momentin që euro dobësohet, raporti mes këtyre dy valutave përkeqësohet dhe marzhi i fitimit shtrydhet automatikisht, pa pasur asnjë lidhje me produktivitetin, cilësinë apo menaxhimin e vetë biznesit. Në thelb, eksportuesi penalizohet për diçka që nuk e kontrollon dot.
Në teori ekonomike, kjo situatë zgjidhet përmes hedging-ut financiar (instrumenteve të mbrojtjes nga rreziku valutor).
Në praktikën shqiptare, megjithatë, këto instrumente janë pothuajse të paarritshme për shumicën e eksportuesve realë.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përbëjnë pjesën dërrmuese të eksporteve nuk kanë departamente financiare, por nuk kanë as ekspertizë për produkte komplekse dhe shpesh as volum të mjaftueshëm për të negociuar seriozisht me bankat.
Për ta, kontratat forward, opsionet valutore apo mekanizmat e tjerë mbeten më shumë koncepte teorike sesa mjete reale të përdorshme në jetën e përditshme të biznesit.
Edhe forma më e thjeshtë e mbrojtjes, ajo që quhet balancim strukturor i valutës është e vështirë për t’u realizuar në praktikë.
Shumica e eksportuesve shqiptarë blejnë lëndë të para dhe shërbime në tregun vendas, paguajnë punonjës në lekë dhe operojnë në një ekonomi ku euro përdoret kryesisht vetëm për të ardhurat. Pra edhe ideja që të ardhurat dhe shpenzimet të balancohen në të njëjtën valutë është, në shumë raste thjesht e pamundur.
Në këtë realitet, eksportuesi shqiptar është praktikisht i ekspozuar plotësisht ndaj kursit të këmbimit, pa pasur mjete reale për t’u mbrojtur.
Kjo është arsyeja pse zhvlerësimi i euros gjatë viteve të fundit ka prodhuar një efekt shumë më të fortë sesa duket në shifra makroekonomike. Nga rreth 120 lekë për euro në vitin 2022, kursi ka zbritur në rreth 98 lekë në vitin 2025 dhe në 96.5 lekë në fillim të 2026. Për një eksportues tipik, kjo përkthehet në humbje reale prej 18–25% të të ardhurave, pa ndryshuar asgjë në volum, në treg apo në performancë.
Një kompani që eksporton një milion euro në vit, tre vite më parë arkëtonte rreth 120 milion lekë. Sot, për të njëjtin aktivitet, arkëton vetëm rreth 98 milion lekë. Diferenca prej 22 milion lekësh nuk është rezultat i konkurrencës, as i krizës së tregut, por thjesht i kursit të këmbimit. Në terma ekonomikë, kjo është një humbje strukturore e të ardhurës, që vepron si një taksë e padukshme mbi sektorin eksportues.
Në këtë kuptim, ajo që po ndodh në Shqipëri është një transferim i heshtur i të ardhurës nga eksportuesit drejt ekonomisë së brendshme dhe konsumit, përmes forcimit të lekut.
Eksportuesi prodhon vlerë, sjell valutë në vend, por një pjesë e kësaj vlere “avullohet” në momentin e konvertimit në lekë. Dhe këtë e paguan pa asnjë mekanizëm kompensimi.
Fakti që shumica e eksportuesve nuk përdorin instrumente mbrojtëse nuk është çështje zgjedhjeje, por realitet struktural.
Ata nuk i përdorin sepse nuk kanë akses, nuk kanë informacion të mjaftueshëm, nuk kanë mbështetje institucionale dhe operojnë në një treg financiar të pazhvilluar.
Në këto kushte, kërkesa që bizneset të “menaxhojnë vetë rrezikun” tingëllon më shumë si abstraksion teorik sesa si politikë reale ekonomike.
Për këtë arsye, problemi i kursit të këmbimit nuk mund të trajtohet thjesht si çështje individuale e biznesit, por si çështje politike dhe strukturore.
Instrumentet funksionale financiare, dhe politikat mbështetëse me një qasje të qëllimshme ndaj eksporteve, mundet të shmangin rrezikun e hyrjesd në një proces deindustrializimi të heshtur, ku eksporti të mos mbetet në letër dhe të humbë gradualisht kuptimin ekonomik.
Për eksportuesin shqiptar sot, çështja nuk është nëse duhet apo jo të përdorë teknika financiare të sofistikuara, por nëse sistemi ekonomik i lejon realisht të mbijetojë në një ambient ku kursi i këmbimit punon kundër tij.
Në kushtet aktuale, të shesësh në euro dhe të shpenzosh në lekë nuk është më thjesht rrezik biznesi, por një disavantazh strukturor i vetë modelit të zhvillimit ekonomik.
Gjithsesi, zgjidhja nuk mund të reduktohet te përdorimi i disa instrumenteve financiare të izoluara, sepse problemi i eksportuesve shqiptarë nuk është thjesht teknik, por strukturor. Hedging-u, në vetvete, është vetëm një pjesë e mozaikut.
Ai funksionon realisht vetëm nëse vendoset brenda një pakete më të gjerë politikash ekonomike që përfshin zhvillimin e tregut financiar, krijimin e instrumenteve të thjeshta dhe të aksesueshme për SME-t, subvencionimin e kostove të mbrojtjes nga rreziku valutor, garantimin publik për kontratat forward dhe sigurimin e këshillimit financiar bazik për eksportuesit.
Kjo mënyrë e mbron nga rreziku financiar dhe kalon nga një koncept teorik në një mekanizëm real stabilizimi, që nuk e lë më eksportuesin të vetëm përballë kursit të këmbimit, por e kthen atë në pjesë të një strategjie kombëtare për eksport të qëndrueshëm dhe faktorizimin e markës “Made in Albania”.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.