Rikonfigurimi strategjik i Shqipërisë në kontekstin e CESEE, 2025
Fjalimi i Alfred Kammer[1] ofron një diagnostikë gjithëpërfshirëse të dobësive dhe përparësive të vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) brenda një rendi global të trazuar.
Kuadri i tij është pragmatik duke balancuar disiplinën makroekonomike me investime strategjike dhe reforma strukturore, ndërsa përdor instrumentet e Bashkimit Evropian për të sfiduar inercinë politike dhe institucionale.
Për CESEE, zgjedhja është përshtatja në mënyrë proaktive, duke reformuar me guxim dhe në angazhim global, përndryshe rrezikojnë margjinalizimin në një rend ekonomik të fragmentuar.
Në një analizë të detajuar të këtij raportimi të detajuar dhe cilësor, ekspertët e ALTAX prezantojnë më poshtë pikat dhe vijat kryesore të fjalimit me titull “A Changed Global Landscape: Policy Priorities in CESEE“ dhe komentet për Shqipërinë.
Kuadri kontesktual – Rritja, pasiguria dhe ekspozimi strukturor
a. Perspektiva evropiane – Rimëkëmbje në rënie
Pas një “rimëkëmbjeje të respektueshme”, FMN ka ulur parashikimet e rritjes për 2025–2026, duke reflektuar pasigurinë globale të intensifikuar dhe paqëndrueshmërinë.
Rajoni i Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) përballet me një ulje më të madhe (nga >3% në 2.4% dhe 2.7%) për shkak të ekspozimit të tij strukturor, veçanërisht bazës më të madhe të prodhimit.
Paketa stimuluese e infrastrukturës së Gjermanisë dhe rritja e shpenzimeve për mbrojtje ofrojnë një mbështetje të pjesshme, duke theksuar ndërlidhjen e CESEE me ekonomitë kryesore të BE-së.
Sipas ALTAX – Ndërkohë që vendet e CESEE kanë një shkallë të lartë të ekspozimit ndaj zinxhirëve globalë të vlerës, Shqipëria ka një integrim më të kufizuar në industrinë prodhuese dhe eksportin drejt SHBA-së apo Kinës. Kjo e bën Shqipërinë më pak të ndikuar drejtpërdrejt nga tensionet tregtare, por më të pambrojtur indirekt, nëpërmjet ndikimit në partnerët kryesorë (si Italia dhe Gjermania).
➡ Shqipëria nisur nga konteksti duhet të thellojë integrimin në zinxhirët rajonalë dhe të shfrytëzojë tregjet alternative që hapen për shkak të devijimeve tregtare (diversion trade), veçanërisht në sektorë si bujqësia, turizmi, shërbimet digjitale dhe logjistika.
2. Dinamika inflacionare
Inflacioni po zvogëlohet më shpejt në CESEE sesa mesatarja e BE-së, por ende mbetet mbi objektivin.
Rritja e pagave që tejkalon produktivitetin dhe inflacioni i qëndrueshëm në sektorin e shërbimeve janë theksuar si rreziqe strukturore për konkurrueshmërinë.
a. Ripërshtatja e tregtisëe globale – Ndërprerje, diversion dhe ekspozim
b. Mosmarrëveshjet tregtare dhe pasojat
Lehtësimi i tarifave midis SHBA-së dhe Kinës është i përkohshëm dhe i kthyeshëm. CESEE është veçanërisht e ekspozuar përmes eksportit të prodhimeve në SHBA—veçanërisht automjeteve, elektronikës dhe baterive nga Hungaria, Sllovakia dhe Çekia.
Përjashtimet e tarifave të 11 prillit për elektronikën ofrojnë një lehtësim afatshkurtër por nuk eliminojnë pasigurinë afatmesme.
Sipas ALTAX Në CESEE, inflacioni po bie, por mbetet mbi objektivin për shkak të rritjes së vazhdueshme të pagave. Në Shqipëri, rritja e pagave në sektorin publik dhe privat ka qenë më e shpejtë se rritja e produktivitetit, duke krijuar rrezik për erozion të konkurrueshmërisë së jashtme.
➡ Shqipëria duhet të lidhë politikat e pagave me rritjen e produktivitetit; të fokusohet në reforma në tregun e punës dhe në trajnimin profesional për të përmirësuar aftësitë dhe për të ulur presionin inflacionist nga ana e kostove.
Një model i ekuilibrit të pjesshëm vlerëson se importet e BE-së nga Kina mund të rriten me 0.25% të PBB-së, duke ulur inflacionin e përgjithshëm me ~20 pikë bazë në 2026.
Ndërsa konsumatorët përfitojnë nga çmimet më të ulëta, prodhuesit në CESEE mund të përballen me konkurrencë të intensifikuar.
Vulnerabilitetet sektoriale janë kyçe: p.sh., sektori i automjeteve i Sllovakisë është në mënyrë disproporcionale i ekspozuar ndaj performancës gjermane.
Kammer thekson “më shumë tregti, jo më pak.” Mesazhi është i qartë: shmangni proteksionizmin dhe zgjeroni marrëveshjet tregtare për t’u përshtatur me një regjim global strukturorisht të ndryshuar.
Mbështetja e përkohshme dhe e synuar rekomandohet në përgjigje të goditjeve tregtare—por nuk duhet të shtrembërojë sinjalet e tregut ose të maskojë çështjet e konkurrueshmërisë.
3. Menaxhimi makroekonomik
Bankat qendrore duhet të mbeten të kujdesshme në lehtësimin për shkak të:
- Inflacionit të lartë bazë
- Pritshmërive inflacionare të ndjeshme ndaj niveleve aktuale
- Inflacionit të pagave që nuk mbështetet nga produktiviteti
Politika fiskale këshillon:
- Rindërtimin e rezervave
- Menaxhimin e presioneve të shpenzimeve afatgjata (plakja, mbrojtja, klima)
- Efiçiencë mbi zgjerimin—nuk ka thirrje për rritje taksash, por për synim më të mirë, rishpërndarje, dhe forcim administrativ.
Sipas ALTAX – CESEE ballafaqohet me presione të larta nga plakja, shpenzimet për mbrojtjen dhe energjinë. Shqipëria, me borxhin publik ende të lartë dhe nevoja të mëdha investimi, ka hapësirë të kufizuar për manovra fiskale.
➡ Për Shqipërinë kërkohet që:
- Të ndërmarrë rilinjimin (riorientimin) e politikës fiskale përmes:
- Rishpërndarjes së shpenzimeve nga zërat jo-prioritarë drejt investimeve strategjike (arsimi, energjia, dixhitalizimi).
- Përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave përmes mbylljes së boshllëqeve tatimore dhe dixhitalizimit të administratës tatimore.
4. Reformat strukturore si motori i rritjes dhe qëndrueshmërisë institucionale
a. Potenciali strukturor
Kammer kuantifikon potencialin e rritjes nga reformat e brendshme gjithëpërfshirëse:
- Deri në 9.3% rritje të PBB-së në CESEE
- Prioritetet: reforma e tregut të punës, përmirësimi i aftësive, qeverisja, masat fiskale-strukturore, përmirësimi i klimës së biznesit
b. Pengesat e reformës
Pengesa kryesore është ekonomia politike e reformës.
- Inercia e reformës dhe kapaciteti administrativ i dobët janë pengesa kritike.
- Reforma e qeverisjes dhe përpjekjet kundër korrupsionit janë themelore, veçanërisht në disa vende të CESEE.
Sipas ALTAX – Kammer shprehet, se vendet e CESEE mund të rrisin PBB-në me 6.6–9.3% përmes reformave kombëtare. Shqipëria, me burokraci të rëndë, mungesë efikasiteti dhe korrupsion të lartë, ka potencial të madh të pashfrytëzuar.
➡ Për Shqipërinë nevojitet:
- Të zbatojë reforma të thella strukturore në:
- Tregun e punës: Lidhje më të mira mes arsimit dhe kërkesës së tregut.
- Klimën e biznesit: Thjeshtimi i lejeve, eliminimi i barrierave administrative, zbatim i drejtë i kontratave.
- Qeverisjen: Luftë kundër korrupsionit dhe forcim i institucioneve të mbikëqyrjes.
5. Roli i buxhetit të BE-së, si katalizator për reformën dhe koherencën
a. Nxitja financiare
Buxheti i BE-së, veçanërisht përmes instrumenteve si Fondi i Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë (RRF), shihet si një levë strategjike për reformën kombëtare të bazuar në performancë.
Korniza e Shpenzimeve Shumëvjeçare (2028–2034) duhet të thellojë këtë orientim—duke lidhur financimin me rezultatet e reformës.
b. Përshtatja strategjike
Theksi mbi koherencën ndërkufitare, p.sh., lidhja e proceseve lokale të lejeve me infrastrukturën energjetike trans-evropiane.
Suksesi varet nga përshtatja e qeverisjes në shumë nivele—pronësia lokale e reformave është kyçe pavarësisht drejtimit të BE-së.
5.1.. Roli i buxhetit të BE dhe menaxhimi i fondeve
Kammer nënvizon rolin katalizator të buxhetit të BE-së për të kapërcyer inercinë politike. Shqipëria është përfitues potencial i fondeve IPA dhe më vonë i MFF, por ka shfaqur mangësi në absorbim dhe performancë.
➡ Shqipërisë i duhet:
- Të ndërtojë kapacitete administrative për të hartuar dhe zbatuar projekte cilësore.
- Të lidhë fondet me objektiva të matshëm të reformave.
- Të rrisë koherencën ndërinstitucionale në nivel qendror dhe lokal për përdorim efektiv të fondeve.
Implikimet Strategjike për CESEE dhe Shqipërinë
| Dimensioni | Sfida për CESEE | Drejtimi i Politikës për CESEE | Prioritetet Specifike për Shqipërinë |
| Perspektiva Makroekonomike | Rritje e ulët; inflacion i nxitur nga pagat | Lehtësim monetar i kujdesshëm; ruajtje e rezervave fiskale | Ruajtje e disiplinës fiskale; frenim i rritjes së pagave publike përtej produktivitetit; rritje e investimeve produktive |
| Mjedisi Tregtar | Tensionet SHBA-Kinë; CESEE vulnerabël ndaj goditjeve të ofertës | Diversifikim sektorial; politikë tregtare e hapur dhe fleksibël; mbështetje kalimtare për sektorët e goditur | Zgjerim i integrimit rajonal; orientim drejt logjistikës, agroturizmit dhe prodhimit të teknologjisë së ulët |
| Presionet Inflacionare | Inflacion bazë i qëndrueshëm; rritje e kostove të punës | Reduktim i boshllëqeve pagë-produktivitet përmes reformave në tregun e punës dhe trajnimeve | Reforma në arsimin profesional; rritje e efikasitetit të sektorit publik; politika sektoriale që ndërlidhin pagat me rezultatet |
| Agjenda e Reformës | Produktivitet i ulët, reforma të ngecura, sfida demografike (plakje, emigracion) | Nxitje e reformave strukturore: treg pune, qeverisje, klimë biznesi, dixhitalizim | Akselerim i reformës në administratë publike; përmirësim i klimës për investime; ulje e barrës burokratike |
| Leverage i BE-së | Mospërputhje mes kapaciteteve dhe mekanizmave të BE-së për reforma | Përdorim efektiv i MFF dhe RRF për reforma të kushtëzuara nga performanca dhe indikatorë konkretë | Rritje e kapaciteteve për absorbimin e fondeve IPA; ndërlidhje e fondeve me objektiva strategjikë dhe reforma |
Në mbyllje ne mendojmë, se analiza e implikimeve strategjike për vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE) tregon qartë se sfidat e reja makroekonomike, gjeopolitike dhe strukturore kërkojnë jo thjesht përshtatje, por një rialinjim të thelluar dhe të guximshëm të modelit zhvillimor.
Për Shqipërinë, kjo nënkupton tejkalimin e qasjes reaktive dhe fragmentare të së kaluarës dhe kalimin drejt një qasjeje të qëndrueshme, të bazuar në performancë dhe të integruar me mekanizmat e BE-së. Rritja ekonomike nuk mund të bazohet më vetëm në konsum, remitanca dhe ndërtim informal, por kërkon prodhuar vlerë të shtuar, zhvillim të kapitalit njerëzor dhe forcim të institucioneve publike.
Në fund të ditës, Shqipëria ka mundësinë që, përmes rialinjimit të politikave dhe reformave, të dalë më e fortë dhe më e integruar në arkitekturën ekonomike evropiane. Por kjo kërkon vizion afatgjatë, angazhim politik të qëndrueshëm dhe ndërtimin e një konsensusi të gjerë shoqëror rreth drejtimit të reformave. Alternativa është stanjacioni dhe margjinalizimi në një rend global gjithnjë e më të fragmentuar.
Pra, zgjedhja është mes status quo-së dhe një rruge zhvillimi të qëndrueshëm që mbështetet te guximi për të reformuar në thelb. Shqipëria ka burimet njerëzore, mbështetjen ndërkombëtare dhe rrethanat gjeopolitike për ta bërë këtë hap — mjafton të mos humbasë më kohë.
[1] Drejtor, Departamenti Evropian i FMN-së — Slloveni
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.