Rënia e popullsisë si pengesë e padukshme për “Shqipëria 2030”

Rënia e popullsisë si pengesë e padukshme për “Shqipëria 2030”

Nëse do të kërkonim një tregues të vetëm që shpalos me saktësi të gjithë brishtësinë strukturore të Shqipërisë në prag të transformimit të saj evropian, ai do të ishte rënia e vazhdueshme dhe sistematike e popullsisë.

Ajo që në fillim mund të jetë interpretuar si një cikël tranzitor demografik, sot është kthyer në një krizë shumëdimensionale që godet rrënjët e zhvillimit dhe perspektivës kombëtare.

Në qendër të kësaj krize qëndron fakti se vendi po humbet jo vetëm numra, por mbi të gjitha po humbet njerëzit që mund të jenë bartësit e reformës, mbështetësit e shtetit dhe krijuesit e së ardhmes.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT më 1 janar 2025 janë një kambanë alarmi me jehonë të gjatë.

Popullsia rezidente e Shqipërisë është reduktuar në 2.363.314 banorë, me një tkurrje vjetore prej 1.2 për qind. Kjo rënie nuk ndodh nga një arsye e vetme, por përbëhet nga një kombinim i dy zhvillimeve paralele: shtesës natyrore pozitive por minimale (+1.208 lindje më shumë se vdekje në vitin 2024) dhe migracionit neto ende thellësisht negativ (-28.836 persona).

Këta dy faktorë, të ndërlidhur me njëri-tjetrin, po e zhvendosin Shqipërinë drejt një profili demografik gjithnjë e më të papërputhshëm me objektivat strategjikë të zhvillimit dhe integrimit.

Plakja strukturore dhe barrat mbi popullsinë aktive

Një nga dimensionet më të dukshme të krizës është plakja e shpejtë e popullsisë. Mosha mediane është rritur nga 43.5 44.3 vjeç, duke e konfirmuar që Shqipëria është jo vetëm një shoqëri në tkurrje, por edhe në plakje. Ky proces shoqërohet me një rritje të ndjeshme të raportit të varësisë së të moshuarve (nga 31.1% në 33.3%), çka përkthehet në më shumë barrë për sistemin e pensioneve, sigurimeve shoqërore dhe shpenzimeve publike.

Raporti i varësisë së përgjithshme ka arritur tashmë në 57.1%, që do të thotë se për çdo 100 persona në moshë pune, ka gati 60 që janë ekonomikisht të varur. Kjo është një situatë e pashembullt për një vend që pretendon të përshpejtojë integrimin në Bashkimin Evropian dhe të përfitojë nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Madje, shqetësuese është edhe devijimi në raportin gjinor të lindjeve, që ka arritur në 107.8 meshkuj për 100 femra, duke sugjeruar ndikim të mundshëm të preferencave gjinore në lindje dhe pasoja afatgjata për balancën shoqërore.

Përqendrimi urban dhe braktisja e hapësirës territoriale

Vetëm qarku i Tiranës shënoi një rritje të lehtë të popullsisë prej 0.2%. Të gjitha qarqet e tjera regjistruan rënie, ku më të mëdhatë janë në Shkodër (-2.5%) dhe Kukës (-2.3%). Kjo ndarje thellon një tjetër aspekt të krizës: përqendrimin ekstrem të popullsisë dhe zhvillimit në një territor të kufizuar, ndërkohë që pjesa tjetër e vendit po shkon drejt zbrazjes.

Tirana përfaqëson sot 32.2% të popullsisë totale të vendit, një përqendrim disproporcional që krijon stres të madh mbi infrastrukturën urbane, shërbimet publike dhe kohezionin shoqëror.

Qarqe si Fieri (9.9%) dhe Elbasani (9.6%) ruajnë ende peshë të lartë, por janë gjithashtu të ekspozuar ndaj dinamikave të migracionit të brendshëm dhe plakjes.

Ky realitet i ndarë në qendra të tejmbushura dhe periferira të braktisura prodhon një model zhvillimi asimetrik që është në kontradiktë me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm të promovuar nga BE-ja nëpërmjet Agjendës së Gjelbër dhe Strategjisë për Kohezionin Territorial.

Impaktet ekonomike, një cikël që vetëushqehet

Në mënyrë të pashmangshme, kjo zbrazje e kapitalit njerëzor krijon një cikël vetëshkatërrues në ekonomi. Mungesa e fuqisë punëtore e ndikon direkt produktivitetin dhe kapacitetin për rritje. Sektorë si bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet përballen gjithnjë e më shumë me mungesë të punonjësve të kualifikuar. Investitorët, vendas dhe të huaj, përballen me një horizont të paqartë dhe shpesh të pasigurt për realizimin afatgjatë të projekteve të tyre.

Sistemi i pensioneve është nën presion, dhe do të jetë gjithnjë e më i varur nga financimi publik. Kjo do të thotë më shumë taksa për një numër gjithnjë e më të vogël kontribuesish dhe më pak përfitime për një popullsi gjithnjë e më të plakur. Në mungesë të ndërhyrjeve strukturore, ekonomia shqiptare rrezikon të ngecë në një model të përqendruar dhe të varur nga remitancat, pa potencial të brendshëm zhvillimi.

Një sfidë për shtetin dhe për vetë projektin europian

Në aspektin institucional dhe shoqëror, ky realitet e çon në limit kapacitetin e shtetit për të ofruar shërbime publike në mënyrë të barabartë. Në zonat e thella, mungesa e popullsisë po sjell mbyllje shkollash dhe spitalesh, ndërsa në qendrat urbane, rritja e popullsisë po tejkalon kapacitetet ekzistuese të infrastrukturës. Në të dy rastet, humbësit janë qytetarët.

Kjo situatë vendos në pikëpyetje vetë qëndrueshmërinë e projektit “Shqipëria 2030” dhe të procesit të integrimit evropian në kuptimin e tij praktik.

Plani i Rritjes i propozuar nga BE parashikon mbështetje të ndjeshme financiare, por ajo mund të përthithet vetëm nëse Shqipëria ka kapacitetet administrative dhe njerëzore për ta realizuar. Këtu qëndron rreziku më i madh: mungesa e njerëzve që mund të implementojnë këto reforma, që të mbajnë në këmbë shërbimet publike dhe që të projektojnë dhe realizojnë investimet në sektorët strategjikë.

Shqipëria përballë një prove historike

Shqipëria nuk ka më kohë të eci me strategji reaktive. Kjo është një kohë për një strategji kombëtare për popullsinë dhe kapitalin njerëzor, që duhet të përfshijë:

  • Politika të guximshme për kthimin dhe integrimin e diasporës;
  • Nisma për ndalimin e migrimit rinor dhe krijimin e kushteve për të qëndruar;
  • Reformim të modelit ekonomik për të balancuar zhvillimin territorial;
  • Investime të qëndrueshme në arsim dhe punësim për të rinjtë;
  • Decentralizim funksional dhe buxhetor për të rigjallëruar zonat jashtë Tiranës.

Nëse nuk ndërmerren urgjentisht masa konkrete dhe gjithëpërfshirëse, Shqipëria do të mbetet vetëm një shënim në letër, ku çdo progres në integrimin evropian do të jetë iluzion pa substancë.

Një vend pa popullsi të qëndrueshme dhe të rinj aktivë është i dënuar të humbasë sovranitetin, zhvillimin dhe vendin e vet në Europën e së ardhmes. Zbrazja demografike nuk është vetëm një problem statistikash, por kërcënimi më i madh për ekzistencën dhe sovranitetin kombëtar.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.