Rasti i pagave referencë në 2025 dhe kujtesa e vitit 2008

Rasti i pagave referencë në 2025 dhe kujtesa e vitit 2008

Me një njoftim të bërë publik në qershor 2025, Administrata Tatimore publikoi listën e parë të pagave indikative për profesionet kryesore në sektorin e turizmit, si pjesë e zbatimit të planit sektorial për formalizim dhe rritjen e kontributeve në sigurimet shoqërore.
Në thelb të nismës qëndron analiza e riskut për deklarimin e pagave poshtë nivelit “të pranueshëm” dhe njoftimi se subjektet me paga nën pragun e përcaktuar do t’i nënshtrohen kontrolleve të thelluara tatimore.

Publikimi i një liste me paga referencë për sektorin e turizmit, duke vendosur nivele të paracaktuara për rroga të profesioneve si kamarierë, kuzhinierë, pastruese apo recepsionistë prezantohet me qëllimin për të luftuar evazionin dhe për të rritur formalizimin në një sektor me rrezik të lartë deklarimi të ulët.

Sipas deklaratës zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve:

  • Pagat indikative nuk janë ende të detyrueshme me fuqi ligjore, por përbëjnë prag analizues për identifikimin e riskut;
  • Ato janë pjesë e një qasjeje më të sofistikuar, që lidh kontributet në sigurime me politikën e rritjes së pensioneve;
  • Lista synon të rregullojë një sektor me informalitet të lartë, sidomos gjatë sezonit turistik, ku shpesh punonjësit raportohen me paga minimale fiktive ose nuk regjistrohen fare.

Në këtë mënyrë synohet përputhje më e fortë mes realitetit ekonomik dhe detyrimeve ligjore, por pa sqaruar nëse përdorimi i pagave nën indikativat do të jetë bazë për rrisk automatik, apo thjesht indikator për hetim të mëtejshëm.

Ky veprim, megjithëse paraqitet si udhëzim orientues për analiza risku, ngre shqetësime të menjëhershme për ngjashmëri me një precedent të njohur, si VKM-ja e vitit 2008, që kishte përcaktuar paga minimale për qëllime tatimore për individët e vetëpunësuar dhe që përfundimisht u shpall e paligjshme nga gjykatat shqiptare.

Duke pasur parasysh historinë institucionale dhe reagimin gjyqësor të mëparshëm, është thelbësore të analizojmë në mënyrë të detajuar:

  • si ndryshon veprimi i tanishëm nga ai i vitit 2008;
  • ku qëndrojnë kufijtë ligjorë të një ndërhyrjeje të tillë;
  • dhe cilat janë rreziqet e përsëritjes së të njëjtave gabime nga administrata tatimore.

Paga referencë 2008 vs 2025, një kujtesë ligjore dhe institucionale

1. Rasti i vitit 2008: Një ndërhyrje me karakter tatimor të drejtpërdrejtë

Në vitin 2008, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim (VKM) që detyronte individët e vetëpunësuar dhe profesionet e lira (p.sh. mjekë, avokatë, kontabilistë) të tatoheshin jo mbi të ardhurat e deklaruara realisht, por mbi një pagë minimale referuese të vendosur në mënyrë standarde.
Ky veprim:

  • u cilësua si shkelje e parimit të ligjshmërisë në taksim, pasi ndryshonte bazën tatimore përmes një akti nënligjor, jo me ligj;
  • shkaktoi kontestime të shumta nga profesionistë që ndiheshin të tatoheshin mbi të ardhura që nuk i kishin realisht;
  • u rrëzua përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Administrative, si cenim i të drejtave ekonomike dhe barazisë në taksim.

2. Rasti i vitit 2025, udhëzim orientues apo instrument presioni?

Në qershor 2025, DPT ka publikuar lista pagash referencë për 45 profesione në turizëm, duke nisur nga 70.000 lekë për kamarierë, deri tek mbi 150.000 lekë për pozicione drejtuese në hoteleri.
Ndryshe nga 2008:

  • nuk është akt me fuqi detyruese tatimore;
  • nuk ndryshon bazën e llogaritjes së tatimit mbi pagat të parashikuar nga ligji;
  • përdoret për të analizuar rrezikun e evazionit dhe për të justifikuar kontrollet ose kërkesën për korrigjim deklaratash.

Megjithatë, kjo ndërhyrje ka pasoja të tërthorta:

  • Punëdhënësit ndihen të detyruar të deklarojnë paga të përafërta me referencën, pavarësisht realitetit financiar të biznesit të tyre;
  • Ndryshon balancën kontraktuale mes punëtorit dhe punëdhënësit;
  • Mund të kthehet në praktikë të heshtur të detyrueshme, që bie ndesh me frymën e lirisë kontraktuale dhe të taksimit sipas të ardhurave reale.

3. A jemi përballë një rreziku të përsëritur të tejkalimit të kompetencave?

Sipas Ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat përcaktohet se tatimi vendoset mbi të ardhurat reale të deklaruara, dhe çdo ndryshim i mënyrës së përllogaritjes duhet të bëhet me ligj, jo me akt nënligjor apo udhëzim administrativ.

DPT, me këtë veprim, ecën në zonë gri ligjore, ku edhe pse nuk imponon tatim direkt, ushtron ndikim indirekt në mënyrën e deklarimit të të ardhurave, gjë që për analogji me vendimin e vitit 2008, mund të jetë e kontestueshme në gjykatë, nëse penalizimet tatimore bëhen mbi bazë të pagave referencë, e jo mbi prova konkrete të evazionit.

Në dukje, masa e vitit 2025 është më e matur dhe e mbështetur mbi analiza risku krahasuar me VKM-në e vitit 2008. Por rreziku i aplikimit abuziv mbetet i lartë, veçanërisht nëse kontrolli tatimor nis të përdorë këto paga si bazë për korrigjim automatik deklaratash, ose për vendosje gjobash pa hetim të thelluar.

Formalizimi i sektorit të turizmit, si objektiv i Planit Sektorial 2024 –2030 kërkon qasje të diferencuar dhe të mirëinformuar, jo uniforme dhe penalizuese. Kjo qasje administrative, për të qenë efektive duhet të reflektojë natyrën komplekse dhe të shumëllojshme të bizneseve turistike, të cilat në Shqipëri janë shpesh me profil të kombinuar, p.sh. njësi akomoduese, bare, restorante, guida apo shërbime të lidhura që shpesh funksionojnë në të njëjtën sipërmarrje apo nën të njëjtin NIPT.

Po ashtu, shpërndarja gjeografike e sektorit turistik, nga bregdeti jugor dhe verior tek zonat malore e ato rurale, sjell diferenca të mëdha në sezonalitet, çmime, përmasa tregu dhe mundësi për pagë konkurruese. Një praktikë e njëjtë, si përcaktimi i një page unike indikative për rolin e kamerierit apo pastruesit, nuk mund të reflektojë realitetin ekonomik të Himarës, Thethit apo Tiranës, por edhe ngarkesat e punës dhe të tjera specifika qëduket se u mungon analiza e thelluar.

Krahasuar me vendet e rajonit, si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Kroacia, të cilat kanë aplikuar sisteme të ngjashme me paga orientuese, këto janë vendosur gjithmonë si pjesë e një modeli bashkëpunues me industrinë, jo penal. Në këto raste, indikatorët ekonomikë janë të kombinuar me profilin sezonal dhe gjeografik, dhe formalizimi është mbështetur fuqimisht në teknologji digjitale, duke lidhur kontributet me regjistrin turistik dhe platforma kombëtare rezervimesh e taksash vendore.

Nga ana tjetër, është thelbësore që taksimi të bazohet në realitetin ekonomik konkret të tatimpaguesit dhe jo në projeksione standarde të njëanshme të administratës. Përvoja e deritanishme, e mbështetur në analiza të pavarura nga ekspertë të fushës, ka treguar se përdorimi i referencave fikse, qofshin në vlerësimin e importeve, pasurive të paluajtshme apo niveleve të të ardhurave shpesh ka rezultuar kontraproduktiv. Në vend që të kontribuojnë në formalizim, këto mekanizma kanë stimuluar sjellje të fshehjes apo raportimit jo të saktë, duke mbajtur të gjallë hapësirat për informalitet, dhe jo duke e reduktuar atë në mënyrë efektive.

Kjo lloj qasjeje “nga lart” (top-doën), që injoron kontekstin specifik të çdo subjekti tatimor, rrezikon të deformojë raportin e besimit ndërmjet sipërmarrjes dhe shtetit dhe të pengojë zhvillimin e një kulture të qëndrueshme tatimore, të ndërtuar mbi barazi dhe transparencë.

A do të ketë efekte tregu?

Në këtë kontekst, zbatimi i listës së pagave indikative për sektorin e turizmit përbën një zhvillim të rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e bizneseve të sektorit të shërbimeve. Në tremujorin e parë 2025, kjo ndërhyrje institucionale ndikon në disa drejtime thelbësore:

1. Ndikim në strukturën e kostove të biznesit turistik

Për sa kohë që paga minimale ligjore ka mbetur e pandryshuar, publikimi i pagave indikative krijon një nivel të dytë presioni për rritje të pagave reale të deklaruara. Shumë biznese të vogla, veçanërisht në zonat bregdetare me sezon të shkurtër pune, janë të detyruara të rishikojnë marrëveshjet e punësimit për të shmangur riskun e kontrolleve, çka sjell:

  • rritje të kostove operative;
  • zvogëlim të përkohshëm të marzheve të fitimit;
  • shtyrje të kontraktimeve ose formalizimit të punonjësve sezonalë.

2. Efekt potencial në çmime dhe konkurrencë

Duke rritur detyrimin perceptues për të deklaruar paga më të larta, shumë operatorë përballen me dilema midis ruajtjes së nivelit të çmimeve të ofruara dhe ruajtjes së rentabilitetit. Në rastet kur nuk mund të ruajnë marzhet, rritja e kostove të punës do të transferohet në rritje çmimesh për konsumatorin, veçanërisht në segmente si hoteleria dhe restorantet në zonat me kërkesë të lartë. Kjo krijon:

  • presione inflacioniste në sektorë të caktuar të shërbimeve;
  • shtim të informalitetit alternativ (si pagesa në të zezë të diferencës mbi pagën e deklaruar).

3. Impakt në tregun e punës dhe kontraktimet

Qasja e re, edhe pse jo detyruese ligjërisht, po perceptohet si “standard i ri praktik”. Ky perceptim po ndikon mënyrën se si punëtorët negociojnë kontratat dhe si punëdhënësit strukturojnë marrëdhëniet e punës. Rritet rreziku që në mungesë të kapaciteteve financiare për t’iu përgjigjur nivelit indikativ, disa punëdhënës të shmangin deklarimet fare, duke e çuar në efekt të kundërt nga qëllimi fillestar.

Listat me paga indikative mund të jenë një instrument orientues, nëse përdoren me kujdes, brenda një strategjie të gjerë digjitale dhe me respekt të parimeve të lirisë kontraktuale dhe ligjshmërisë në tatim.
Por nëse ato kthehen në mekanizëm presioni të heshtur për rritjen e detyrueshme të pagave pa analizë specifike, atëherë rreziku i përsëritjes së gabimit të vitit 2008 bëhet real, me pasoja për sistemin tatimor dhe klimën e biznesit.

Prandaj, është jetike që DPT të publikojë udhëzime të qarta juridike që kufizojnë përdorimin e pagave referencë vetëm për analiza statistikore.Formalizimi është një proces bashkëpunimi, jo imponimi dhe në këtë qasje teknologjia është çelësi për ta bërë atë të suksesshëm.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.