Qëndrueshmëri makro, por pa përfshirje sociale në Aktin Normativ Nr.6, të Qershorit 2025

Qëndrueshmëri makro, por pa përfshirje sociale në Aktin Normativ Nr.6, të Qershorit 2025

Ministri i Financave, në prezantimin e Aktit Normativ nr. 6, datë 11.06.2025 theksoi se ndryshimet në buxhet erdhën si nevojë për rialokim më efikas të burimeve, bazuar në një analizë 5-mujore të performancës fiskale dhe progresit në terren të projekteve.

Argumenti qendror ishte, që të favorizohen ato projekte dhe sektorë që kanë treguar ritme më të mira realizimi dhe impakt ekonomik të matshëm, pa cenuar parametrat makro.

Në këtë kuadër, theksi është vendosur mbi:

  • Ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale dhe borxhit.
  • Përshpejtimin e zhvillimit infrastrukturor.
  • Rritjen e investimeve publike me efekt afatmesëm.
  • Mbështetjen e sektorëve si bujqësia, siguria kibernetike, dhe teknologjia përmes fondeve specifike dhe garancive sovrane.

Nga pikëpamja e ngushtë fiskale, performanca për periudhën Janar – Maj 2025 paraqitet në dukje e shëndetshme:

  • Të ardhurat totale u rritën me 6.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, mbështetur nga administratat tatimore dhe doganore.
  • Shpenzimet publike shënuan një rritje edhe më të lartë, me 12.8%, por kjo rritje është përqendruar kryesisht në shpenzime korrente, jo në ato kapitale që ndikojnë zhvillimin afatgjatë.
  • Suficiti buxhetor pësoi një rënie të ndjeshme prej 22.4%, duke reflektuar një shtim të presionit mbi shpenzimet neto.

Edhe pse rishikimi buxhetor konstatohet si teknikisht neutral, me ruajtjen e të njëjtëve tregues makro (deficiti, borxhi, të ardhura totale), thelbi i ndryshimit qëndron në prioritetet që orientojnë alokimin e burimeve.

Ky lloj neutraliteti fiskal, ndonëse konform me rregullat buxhetore nuk është neutral në prioritetet asocial. Investimet në infrastrukturë dhe teknologji janë rritur, ndërkohë që arsimi dhe shëndetësia përballen me shkurtim fondesh, duke lënë në hije ndikimin që buxheti ka mbi barazinë sociale, mobilitetin rinor dhe përgatitjen për integrim.

Në thelb, fiskaliteti i qëndrueshëm nuk duhej të zëvendësonte edhe këtë vit drejtësinë sociale, si prioritet të politikave buxhetore.

Analiza e rialokimeve buxhetore nxjerr në pah një disbalancë të theksuar mes investimeve në sektorë me impakt ekonomik të matshëm dhe atyre me efekt të drejtpërdrejtë social:

a. Rritje e konsiderueshme për teknologjinë dhe infrastrukturën:

  • 3.3 miliardë lekë shkojnë për sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale, si investim modern dhe i domosdoshëm për ekonominë digjitale, por me përfitime indirekte dhe afatgjata për qytetarin e thjeshtë.
  • 1.5 miliardë lekë për projekte infrastrukturore nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që ndikojnë në zhvillimin ekonomik, por jo domosdoshmërisht në përmirësimin e shërbimeve bazë për komunitetet.

b. Mungesë përqendrimi në sektorët socialë kyç:

  • Vetëm 64 milionë lekë alokohen për pajisje mjekësore kritike, shifër relativisht modeste për nevojat emergjente të sistemit shëndetësor.
  • 318 milionë lekë për sportet në shkolla, një mbështetje simbolike që nuk adreson sfidat madhore të arsimit dhe shëndetit në mjediset arsimore.

Kjo qasje tregon një prioritetizim të zhvillimit ekonomik dhe teknokratik në kurriz të zhvillimit njerëzor dhe social. Në kushtet kur arsimi dhe shëndetësia janë shtyllat kryesore për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, mospërkushtimi i mjaftueshëm ndaj këtyre sektorëve nxit pabarazi dhe rrezikon stabilitetin social në afat të gjatë.

Në këtë kuadër, politika fiskale duhet të rishikojë prioritetet duke balancuar më mirë midis zhvillimit ekonomik afatshkurtër dhe investimeve në kapitalin njerëzor, të domosdoshme për një rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Garancia sovrane për bujqësinë është hap pozitiv, por ka efekte të vonuara dhe nuk ka siguri efektiviteti i kësaj mase që nuk mjafton për adresimin e sfidave.

Skema e garancisë sovrane për bujqësinë në vlerë 3 miliardë lekë është një iniciativë e mirëpritur, pasi synon të zgjidhë një nga pengesat kryesore të sektorit, mungesën e kolateralit për kreditim. Megjithatë, efektet e kësaj mase duhet të vlerësohen në mënyrë realiste:

  • Efektet janë afatmesme, pasi suksesin e skemës e përcakton aftësia e fermerëve dhe bizneseve bujqësore për të përdorur dhe menaxhuar kreditë në mënyrë efektive.
  • Skema nuk adreson sfidat strukturore të sektorit, si infrastruktura e dobët bujqësore, mungesa e zinxhirit të vlerës, apo barrierat në qasjen në tregje, të cilat kërkojnë investime dhe politika të tjera komplementare.

Pra, ndonëse ky hap është i rëndësishëm për lehtësimin e financimit, ai nuk zgjidh në mënyrë të menjëhershme dhe të plotë problemet thelbësore që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare. Për një ndikim real dhe afatgjatë, duhet të shoqërohet me përpjekje të integruara në infrastrukturë, treg dhe teknologji.

Në analizën e Aktit Normativ nr. 6 të vitit 2025, i cili sjell ndryshime në buxhetin e Shqipërisë, është thelbësore ta vlerësojmë këtë akt në kontekstin më të gjerë të sfidave dhe objektivave strategjike të vendit.

Këtu hyjnë në lojë tre elementë kyç. Procesi i integrimit në Bashkimin Europian (përmes Planit të Rritjes dhe hapjes së kapitujve të negociatave), përshpejtimi i konvergjencës sociale për të përballuar pabarazitë, si dhe sigurimi i një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm në kohë.

Në këtë kuadër, një shqetësim i theksuar nga analizat e ALTAX, por dhe mjaft analiza e komente profesionale të tjera në media si dhe diskutime në portalet dhe televizionet kombëtare është mungesa e një balancimi të qëndrueshëm midis investimeve në kapitalin fizik, si infrastruktura dhe teknologjia dhe kapitalin njerëzor, që përfshin arsimimin, shëndetësinë dhe mbështetjen sociale.

Në thelb, miratimi i këtij akti pa diskutime publike dhe me një qasje që anashkalon Kuvendin përmes miratimit me akt normativ (ndonëse kuptohet koha e konsumuar nga procesi zgjedhor) nxjerr në pah tre kontradikta kryesore:

1. Kontradikta midis performancës së të ardhurave dhe kufizimit të shpenzimeve sociale
Edhe pse të ardhurat fiskale u rritën ndjeshëm gjatë periudhës janar–maj 2025 (rreth 6.5% më shumë se një vit më parë), kjo rritje nuk u reflektua proporcionalisht në buxhetet për sektorët me rëndësi sociale. Arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale nuk përfituan mbështetje të mjaftueshme, duke thelluar hendekun midis potencialit fiskal dhe realitetit social. Analizat e bëra për këtë temë (pak të dëgjuara dhe diskutuara me qeverisjen ende te mbyllur)  nënvizojnë se ky mosinvestim në kapitalin njerëzor rrezikon përkeqësimin e pabarazive dhe dobësimin e zhvillimit afatgjatë.

2. Kontradikta midis narrativës gjithëpërfshirëse dhe politikave selektive
Qeveria promovon zhvillimin gjithëpërfshirës, por ndryshimet buxhetore favorizojnë kryesisht sektorë teknologjikë dhe infrastrukturë digjitale. Investimet për sigurinë kibernetike dhe inteligjencën artificiale janë të konsiderueshme, ndërsa shumica e qytetarëve, përballë rritjes së kostove të jetesës, mbeten larg përfitimeve të drejtpërdrejta. Kjo është kritikuar edhe nga media dhe emisionet informative, duke nxjerrë në pah mungesën e balancës dhe rrezikun e zgjerimit të hendekut social.

3. Kontradikta midis transparencës së pretenduar dhe mungesës së debatit publik
Ndryshimet janë miratuar përmes Aktit Normativ, që, ndonëse ligjor dhe i shpejtë, shmang diskutimet e gjera publike dhe institucionale mbi prioritetet strategjike. Kjo ka nxitur kritika në media dhe përbën një thirrje për dialog më të gjerë dhe përfshirje më aktive të shoqërisë civile, ekspertëve dhe publikut, për të garantuar legjitimitetin dhe efektivitetin e politikave buxhetore.

Megjithëse akti normativ i Ministrisë së Financave paraqet përpjekje për menaxhim të përgjegjshëm dhe disiplinë fiskale, analiza kritike tregon se ai nuk harmonizohet plotësisht me kërkesat e integrimit në BE dhe nevojat për zhvillim social e ekonomik të qëndrueshëm.

Një politikë buxhetore e suksesshme duhet të balancojë më drejt investimet në kapitalin fizik dhe atë njerëzor, si dhe të sigurojë një proces më transparent dhe gjithëpërfshirës për diskutim publik mbi prioritetet kombëtare.

Rishikimi i buxhetit 2025, në vend që të shërbejë si instrument për të afruar më shumë qytetarët me standardet europiane rrezikon të thellojë pabarazitë sociale dhe të largohet nga synimet afatgjata të integrimit.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.