Produktiviteti dhe sfida e reformave në një perspektivë bashkëpunuese

Produktiviteti dhe sfida e reformave në një perspektivë bashkëpunuese

Historia ekonomike e Shqipërisë tregon se vendi ka kaluar periudha të ndryshme rritjeje, shpesh të lidhura ngushtë me hapësira të reja politike dhe mundësi ekonomike. Pas vitit 1991, liberalizimi i ekonomisë dhe privatizimet e mëdha krijuan një impuls fillestar të produktivitetit, por ai ishte shpesh i fragmentuar dhe i pasigurt për shkak të mungesës së institucioneve të forta dhe kapaciteteve teknologjike.
Ndërkohë, vendet e rajonit dhe Bashkimi Evropian shfrytëzuan teknologjitë digjitale dhe informacionin për të përshpejtuar konkurrencën dhe rritjen e produktivitetit, ndërsa Shqipëria mbeti pas, duke reflektuar një diferencë të qartë në produktivitet dhe të ardhura për frymë krahasuar me vendet më të zhvilluara evropiane.

Një nga treguesit më të qartë të kësaj diference është se PBB për frymë në Shqipëri është rreth 40-50% më i ulët se mesatarja e BE-së, dhe pjesa më e madhe e kësaj hendeku lidhet me produktivitetin e ulët në sektorët kryesorë, si: shërbimet, industria dhe bujqësia.
Ky fenomen nuk është thjesht një çështje e mungesës së kapitalit apo investimeve, por pasqyron boshllëqe strukturore që kufizojnë aftësinë e vendit për të shfrytëzuar fuqinë punëtore dhe teknologjinë moderne.

Në këtë kuptim, diskutimi mbi rritjen e produktivitetit nuk mund të kufizohet tek reforma të izoluar.
Shqipëria ka nevojë për një qasje të integruar që lidh tregun e punës, zhvillimin e kapitalit njerëzor, efikasitetin e investimeve publike dhe inovacionin teknologjik. Shkollimi dhe aftësitë teknologjike janë ende të fragmentuara, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar pengon potencialin për rritje të qëndrueshme. Investimet në trajnime teknike dhe kualifikime digjitale janë një kusht kyç për të përmirësuar produktivitetin në nivel sektorial dhe kombëtar.

Një dimension tjetër kritik është efikasiteti i shpenzimeve publike dhe sistemi fiskal.
Të dhënat tregojnë se investimet publike shpesh nuk reflektojnë një rritje të prekshme të produktivitetit për shkak të menaxhimit jooptimal dhe burokracisë. Për këtë arsye diskutohet jo vetëm për paketat fiskale apo ligjet, por mbi rezultatin e matshëm për qytetarët dhe bizneset, duke shtrirë analizën tek mënyra se si shteti mund të mbështesë zhvillimin ekonomik real.

Shqipëria mund të mësojë gjithashtu nga shembuj të suksesit rajonal, si Estonia dhe Polonia, ku digjitalizimi dhe inovacioni u integruan në strategjitë kombëtare, duke krijuar një ambient ku bizneset e vogla dhe startup-et kanë akses në kapital, teknologji dhe tregje ndërkombëtare. Kjo tregon se potenciali ekziston, por kërkon një qasje bashkëpunuese midis institucioneve, biznesit dhe komunitetit akademik për të kapërcyer boshllëqet strukturore.

Megjithatë, një pjesë thelbësore e sfidës shqiptare nuk është thjesht teknike apo financiare.
Politika ka luajtur një rol vendimtar në drejtimin e reformave, shpesh duke e vendosur prioritetin tek interesi politik afatshkurtër dhe mbajtja e pushtetit mbi transformimin e strukturave ekonomike. Ky vullnet politik i paqëndrueshëm, i ndjekur shpesh nga interesa të ngushta dhe klientelizëm ka penguar zbatimin e reformave të qëndrueshme dhe ka rezultuar në një kohë të humbur me kosto të dukshme për rritjen ekonomike.
Shumë politika dhe investime publike janë formuar jo për të maksimizuar produktivitetin, por për të siguruar fitime politike momentale ose për të shërbyer grupimeve elektorale të caktuara.

Ky fenomen nuk është i izoluar, por pasqyron një tipar të njohur të politikës ballkanike dhe në mënyrë të veçantë, të politikës shqiptare.
Ndryshimet e shpeshta të formateve të qeverive, mungesa e konsensusit dhe prioritetet afatshkurtra pengojnë realizimin e planeve strategjike dhe lënë shumë punë të papërfunduar në nivel institucional dhe ekonomik. Për rrjedhojë, Shqipëria ka humbur mundësi të çmuara për të zbauar reforma të qëndrueshme, duke rritur hendekun me vendet e tjera të rajonit dhe BE-së.

Në këtë kuptim, çdo strategji për rritje të produktivitetit duhet të përfshijë analizën e klimës politike dhe kulturës së qeverisjes, duke synuar një dialog të hapur midis institucioneve, shoqërisë civile dhe aktorëve ekonomikë. Përmes këtij bashkëpunimi mund të krijohen kushtet për një rritje të qëndrueshme, ku kapitali njerëzor, teknologjia, qeverisja dhe politika fiskale punojnë së bashku.
Në përfundim, Shqipëria ka një histori reformash dhe modele rajonale që mund të shërbejnë si udhërrëfyes, por sfida kryesore nuk është vetëm teknike.
Ajo lidhet me sjelljen e lidershipit, vizionin afatgjatë dhe aftësinë për të kapërcyer logjikën e përfitimeve politike të ngushta.
Diskutimi mbi këtë temë është një hap i parë drejt krijimit të një platforme të përbashkët bashkëpunimi, ku politika dhe ekonomia mund të dialogojnë në mënyrë që Shqipëria të rikuperojë kohën e humbur, të neutralizojë dëmet e shkaktuara nga politika e paqëndrueshme dhe të afrohet gradualisht me standardet e zhvillimit në rajon dhe në Evropë.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error:
Rreth Politikës së Privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme të përdoruesit. Informacioni i cookie -t ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja me ju kur ktheheni në faqen tonë të internetit dhe ndihma e ekipit tonë për të kuptuar se cilat seksione të faqes në internet i gjeni më interesante dhe të dobishme.