Politika monetare mund të lehtësohet akoma më tepër

Politika monetare mund të lehtësohet akoma më tepër

Shqipëria nuk mund të konsiderohet si një njësi e ndarë. Ne jetojmë, veprojmë dhe bashkëveprojmë ekonomikisht në tërë rajonin e Evropës Juglindore. Kemi të njëjtat prirje zhvillimi, të njëjtët investitorë dhe kemi shumë sinergji ekonomike të tjera në rajon.

Ndaj, duhet t’i shfrytëzojmë dhe t’i rrisim më tej këto sinergji me vendet fqinje. Një bashkërendim më i mirë dhe më i zgjuar do ta zgjeronte potencialin ekonomik të rajonit. Sinergjitë në tregje, prodhime dhe reforma do të prodhojnë e nxisin një rritje ekonomike më të shpejtë në rajon. Kjo do ta bëjë tërë rajonin më tërheqës për IHD-të nga partnerët tanë tradicionalë dhe më tej, dhe do të shtojë mundësitë për investim.

Te sektori bankar mund të shohim një shembull të gjallë bashkëpunimi rajonal. Kriza ka ndryshuar perceptimin e rajonit dhe ka vënë në diskutim modelin e biznesit të disa bankave, që aktualisht po nuk po gjenerojnë shumë fitime nga aktiviteti në rajon dhe do të donin të përfitonin nga shkrirje ose blerje me partnerë më të mëdhenj. Ky është një problem thelbësor i hasur nga të gjitha vendet e rajonit, i cili do të mund të trajtohej më së miri nëpërmjet bashkëpunimit të vazhdueshëm. Institucionet e mëdha financiare po ndjekin politika të uljes së ndërmjetësimit financiar (deleveraging) meqenëse thjesht nuk ka interes të mjaftueshëm për të investuar në rajon.

Më parë, tregjet tona financiare përfitonin nga hyrja e grupeve financiare të mëdha. Në Shqipëri, kemi patur fatin që grupe financiare të mëdha kanë zgjedhur të investojnë në sistemin tonë financiar nëpërmjet investimeve në projekte që nisnin nga fillimi, privatizimeve apo proceseve të shkrirjes dhe blerjes së kompanive. Sistemi ynë bankar përjetoi një transformim të suksesshëm përpara krizës dhe ishim të kënaqur nga prania e tyre në vend.

Këto investime patën ndikim të rëndësishëm dhe pozitiv në zgjerimin e ndërmjetësimit financiar dhe zhvillimin e tregut financiar në Shqipëri. Ato luajtën një rol thelbësor në rritjen e shpejtë ekonomike në periudhën para krizës.

Megjithatë, tani që këto banka janë sfiduar nga zhvillimet financiare dhe ekonomike në tregjet e tyre vendase, ndërkohë që Eurozona përballet me probleme të stabilitetit financiar dhe ekonomik, banka të mëdha po zbatojnë politika të uljes së ndërmjetësimit financiar në rajonin tonë. Bankat japin akoma kredi, por jo aq sa u duhet ekonomive për të vazhduar rritjen.

Fokusi i tyre është zhvendosur dhe kjo reflektohet në modelin e tyre të biznesit. Rajoni ka nevojë për një model biznesi të ndryshëm, të përqendruar mbi bashkëpunimin dhe që mund të përdorë mirë kursimet e brendshme duke i transformuar këto në financim të brendshëm.

NË tregun e hapur, nëse modeli i biznesit i një korporate nuk garanton fitim afatgjatë, është më mirë tëâ gjendet një strategji e rregullt dhe e arsyeshme, e rregulluar mirë me autoritetet mbikëqyrëse të vendit, për të lejuar një përqendrim më të madh në bizneset dhe operacionet bazë. Shkrirjet dhe blerjet do të jenë një strategji e mundshme mbi të cilën sektori do të mbështetet në të ardhmen.

Nga njëra anë kemi institucione financiare që kanë humbur interesin për rajonin dhe e shohin më të dobishme t’ja kalojnë veprimtaritë e tyre në rajon palëve të interesuara. Banka qendrore, si rregullator sigurisht do të preferonte që ky proces të sillte në treg institucione të besueshme, të qëndrueshme, me emër të mirë dhe plane zhvillimi të qarta për rajonin.

Ne si rregullatorë dhe mbikëqyrës duhet të jemi të sigurtë që ky proces të ndihmojë zhvillimin dhe stabilitetin e tregjeve tona financiare dhe të vetë ekonomisë. Megjithatë, interesi i institucioneve të tilla për rajonin është i ulët për momentin dhe pritet të mbetet i tillë deri sa normat e rritjes të rikuperojnë nivelin e tyre të para krizës dhe kërkesa e sektorit privat për kredi të rritet.

Nga ana tjetër, kjo nuk ka për të ndodhur deri sa institucione financiare të reja dhe të interesuara të hyjnë në treg.

Pyetja për autoritetet është nëse duhet të presim deri sa institucione të tilla, me emër të madh, të tregojnë interes për të hyrë në tregjet tona?

Apo të ecim sa më shpejt të jetë e mundur dhe të lejojmë institucione financiare më pak të njohura, të cilat mund të kenë shprehur interes për sistemin financiar por nuk kanë ekspertizën dhe besueshmërinë e provuar të grupeve bankare tradicionale?

Por një rrisk i pranishëm për sistemet financiare është i lidhur me politikën monetare të BQE.

Zhvillimet në BE, i cili përbën tregun vendas të grupeve financiare që veprojnë në rajonin tonë, mund të kenë pasoja të rënda edhe për sistemet tona financiare. Ato mund të detyrojnë bankat qendrore të rajonit të Evropës Juglindore të përballojnë perspektivën e falimentimit të grupeve financiare që veprojnë në vendet e tyre. Një shembull i kohëve të fundit është kriza greke, e cila nuk përbën më një sekret sepse situata ka mbaruar dhe tani mund ta diskutojmë. Gjatë asaj periudhe, u përballëm me një situatë të vështirë për bankat greke, dhe siç mund të pritej, kjo po krijonte një situatë me shumë stres jo vetëm për ne, por për tërë rajonin.

Pyetja ishte nëse do të kishte një dalje të Greqisë nga zona euro apo jo. Nëse do të kishte një dalje të Greqisë, mund të gjendeshim në një situatë ku BSH do të duhej të orientonte procesin që të merreshin këto banka nën administrim. Problemi në atë çast ishte i tillë kishte dyshime se kur ishte momenti i duhur për ta marrë atë vendim. Nëse pritja vijonte gjatë, atëherë mund të bëhej tepër vonë dhe situata mund të përkeqësohej. Nëse vendimi do të ishte i shpejtë, atëherë mund të kishte krijuar pasoja të tjera negative nga pikëpamja e transparencës.

Opinioni më i pjekur për këtë situatë ishte mbështetja tek instinktet dhe mbi kushtet specifike të mjedisit monetar dhe fiskal të vendit.

Pritjet e publikut janë shumë më të larta se kompetencat dhe fuqitë reale të institucioneve qendrore bankare. Ata presin që banka qendrore të realizojë objektiva dhe të marrë përsipër detyra që nuk janë nën përgjegjësinë e saj. Sipas ligjit, përgjegjësia e bankës qendrore është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve në vend. NË linjë me këtë objektiv, është ulur norma bazë dhe kemi injektuar likuiditet të bollshëm në treg. Norma bazë është në fakt në nivelin minimal historik dhe politika monetare mund të lehtësohet akoma më tepër nëse do të konsiderohet e nevojshme. Kjo politikë ka kontribuar në uljen e normave të interesit të të gjitha instrumenteve.

Megjithatë, përpjekjet e BSH shkojnë përtej këtyre instrumenteve tradicionale të bankës qendrore.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: